Anija-shtet e Platonit dhe “lundërtarët” e sotëm

07/31/2025
by Daris Naska

Anija-shtet e Platonit dhe “lundërtarët” e sotëm

 

Reflektim mbi librin “Shteti”, përkthyer nga Niko S.Jorgji nga greqishtja e vjetër për shtëpinë botuese IRISOFT
 
Edhe njerëzit që e neveritin politikën dhe nuk duan t’ia dinë fare për të, janë të detyruar të përballen çdo ditë me strukturat e entitetit kryesor me të cilin shoqëria njerëzore është e organizuar prej mijëra vitesh: shtetit.
Për të dhe në emër të tij, janë ndërmarrë akte sublime por edhe makabre. Me dhunën si monopoli i shtetit, është abuzuar dhe vazhdon të abuzohet shpesh nga struktura të veçanta në shtete që përkufizohen demokratike, dhe nga të gjitha organet e tij në regjime diktatoriale dhe autokratike. 
Po çfarë është shteti në thelbin e tij? Tani në epokën moderne, ai kuptohet gjerësisht si një marrëveshje e madhe kolektive e shoqërisë, për ta organizuar jetën në një mënyrë të disiplinuar dhe arritur më të mirën e mundshme për të gjithë, duke shmangur skenarët katastrofikë të kaosit total dhe të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve.  
Sigurisht, procesi shtetformues është një test i vështirë, i kaluar deri diku, edhe pse jo me “nota” absolute, nga pak kombe që sot janë në krye të renditjes globale sa i përket demokracisë, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, teknologjik, social etj.
Dhe në këtë kuadër, nuk po themi ndonjë gjë të re me pohimin se shqiptarët mbeten ende në klasë. Një nga dështimet tona më spektakolare përgjatë historisë, ka qenë paaftësia për të ndërtuar një shtet modern dhe një administratë publike në shërbim të interesave më të mira të vendit.
Madje, kjo paaftësi, ka qenë një argument i përdorur nga shtete të huaja fqinje, të cilat kanë pasur interesa të tjera për të ardhmen e shqiptarëve si komb. Edhe pse ishim të fundit në Ballkan që fituam pavarësinë dhe mund të kishim ecur më shpejt duke mësuar nga gabimet e të tjerëve, sërish mbetëm në vendin e fundit.
Kaluam nga kaosi dhe sfidat që e vunë sërish në pikëpyetje ekzistencën e Shqipërisë, tek një mori regjimesh gjysmë-feudale, diktatoriale dhe autoriare, për të ardhur në vitet po aq kaotike të pluralizmit demokratik të pas viteve 1990.  
Përsëritëm në variantin tonë të gjitha dështimet e bujshme të shteteve të brishta, dhe kemi dështuar në dy funksionet themelore mbi të cilat ngrihet dhe ndërtohet çdo shoqëri moderne: mbrojtjen e pronës dhe jetës së qytetarit.
Privatizimet e pronës publike, veçanërisht ndërmarrjet e mëdha dhe pasuritë publike të mbitokës dhe nëntokës, janë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzohen përtej çdo limiti të pranueshëm, sa që mund të konsiderohen me të drejtë si politika antikombëtare.
Transferimi i pasurive kombëtare në duart e sektorit privat, ka shërbyer deri më tani vetëm për të pasuruar një grup individësh, apo klientësh, por pa i shërbyer interesave të publikut. Kontrata të negociuara nëpër korridore zyrash qeveritare apo restorante e lokale luksoze hotelesh me 5 yje, nuk mund të ndjekin interesat publike.
Dështimi për të krijuar tregun klasik kapitalist, është forma më e dukshme e paaftësisë tonë për të krijuar shtet. Në parim, të gjithë duan një shtet ku të dëgjohet zëri i gjithkujt, jo me format masovike të qeverisjes me qytetarët, por sipas metodave që ofrojnë demokracitë e zhvilluara.
Raportet e përvitshme mbi Shqipërinë nga BE, ku aspirojmë të bëhemi pjesë një ditë, e vënë theksin tek problemet e vazhdueshme me mungesën e sundimit të ligjit. Po çfarë u mungon shtetarëve tanë? Një nga librat më të famshëm të filozofit të lashtë grek Platoni “Shteti” (ose Republika) i sjellë në shqip për shtëpinë botuese IRISOFT nga Niko S. Jorgji nga gjuha origjinale, greqishtja e vjetër, përmban veç të tjerash edhe analogjinë e famshme të shtetit me anijen dhe sfidat e lundrimit në det të hapur:
Supozoni për një moment sikur situata në bordin e një anijeje, është si më poshtë. Kapiteni është më trupmadh dhe më i fortë se çdo anëtar i ekuipazhit, por paksa i shurdhër dhe dritëshkurtër, dhe nuk di shumë gjëra për lundrimin.
Ekuipazhi po grindet me njëri-tjetrin se si ta drejtojë anijen, secili duke menduar se duhet të jetë vetë në timon. Ata nuk dinë se çfarë është lundrimi, dhe nuk mund të thonë se dikush ua ka mësuar ndonjëherë, apo se kanë shpenzuar kohë duke e studiuar.
Në fakt, ata thonë se lundrimi është një proces nuk mund të mësohet, dhe janë të gatshëm të vrasin këdo që thotë të kundërtën. Ata e kalojnë gjithë kohën duke u vërdallosur rreth kapitenit, dhe duke u përpjekur ta bindin atë që t’ua japë drejtimin e anijes.
Nëse një fraksion është më i suksesshëm se një tjetër, rivalët e tyre mund t’i vrasin dhe t'i hedhin në det, ta manipulojnë me pije kapitenin e ndershëm, të marrin kontrollin e anijes, të hanë atë që gjendet në bord dhe të sillen si të ishin në një udhëtim argëtues.
Së fundmi, ata e rezervojnë admirimin e tyre për njeriun që e di se si t’i ndihmojë në kontrollin e kapitenit përmes forcës ose mashtrimit. Ata lavdërojnë njohuritë e tij për detin, dhe i cilësojnë si të padobishëm të gjithë të tjerët.  
Por ata nuk e kanë idenë, se lundërtari i vërtetë duhet të studiojë stinët e vitit, qiellin, yjet, erërat dhe lëndë të tjera profesionale, në rast se do që të jetë vërtet i aftë që të drejtojë një anije. Dhe ata mendojnë se është krejtësisht e pamundur të fitosh aftësi profesionale në lundrim, dhe se nuk ekziston diçka të tillë si arti i lundrimit.
Në këto rrethana, a nuk janë marinarët në një anije të tillë, të detyruar ta konsiderojnë lundërtarin e vërtetë si thashethemexhi dhe thjesht si një vëzhgues yjesh, aspak të dobishëm për ta?”.
Demokracitë e sotme janë shumë larg asaj të Athinës së Lashtë. Megjithatë, a mund të themi se të metat që ilustron Platoni në këtë analogji kanë ndryshuar? Është e vërtetë, demokracitë janë sot shumë më gjithëpërfshirëse sot.
Ndërsa në Athinën e Lashtë çdo qytetar kishte të drejtë vote, vetëm një grup relativisht i vogël burrash klasifikoheshin si qytetarë me të drejta të plota. Po ashtu, sot janë vendosur masa për të kufizuar pushtetin e politikanëve, pa pasur nevojë për zgjidhje më ekstreme siç është izolimi (mërgimi i detyruar) që praktikohej në kohën e Athinës së lashtë.
“Marinarët” e sotëm mund të shmangin dhunën dhe vrasjen, megjithatë janë sërish në garë se kush të fitojë vëmendjen dhe lavdet e kapitenit. Ata që janë më të aftë në të bërit lajka, mund ta joshin kapitenin me premtime të paqarta dhe boshe apo me pretendime idealiste për një shoqëri më të drejtë, nëse u jepet timoni.
Madje ata cilësohen si “lundërtarët” e mëdhenj të kohës sonë. Megjithatë, këto deklarata nuk përmbajnë asnjë provë të mençurisë ose aftësisë për të komanduar ose drejtuar një anije.
Sepse ata që kanë më shumë mençuri dhe dije, lihen ende pas dore ose shpesh shpërfillen krejtësisht.
Por kjo analogji mund të shtyhet edhe më tej. Kur “anija” ngec në det për shkak të paaftësisë së “marinarit” për ta drejtuar anijen, faji bie shpesh mbi lundërtarin. Aftësitë retorike të marinarëve janë shpesh aq të forta, sa ta bindin kapitenin miop që ta fajësojë lundërtarin, duke bërë që ai t’i përçmojë edhe më shumë ose ndonjëherë t’i përjashtojë plotësisht nga ekuipazhi.
Megjithatë, pa një lundërtar, anija me siguri do të ishte e dënuar të shkatërrohej. Si mund të zgjidhet kjo situatë? Zgjidhja që propozon Platoni është që timoni t’i jepet lundërtarit. Por edhe këtu ka probleme.
Është e vërtetë, lundërtarët (ekspertët vërtet të zotë) janë shumë më të përgatitur për ta drejtuar anijen se të tjerët, liderët populistë që manipulojnë turmat. Megjithatë natyra njerëzore dikton që edhe ata nuk mund të jenë tërësisht të përsosur.
Çfarë ndodh nëse arrijnë në territor të pa eksploruar? Një lundërtar i vetëm mund të bëjë një hamendje, por nuk mund të jetë i sigurt për vendimin. Kapiteni mund të mashtrohet lehtësisht nga ata që pretendojnë se kanë njohuritë e kërkuara për të qenë lundërtarë, por në fakt janë po aq të paaftë dhe ashtu si marinarët po përpiqen ta bindin kapitenin që t’ua “japë timonin”.
Një problem tjetër, është se edhe një ekspert nuk mund të dijë gjithçka. Edhe pse të dy janë shkencëtarë, një kimist dhe një fizikant, nuk kanë njohuri për të gjitha fushat shkencore. Ata kanë specializime dhe fusha të dallueshme ekspertize.
Ngjashëm, asnjë lundërtar i vetëm nuk ka njohuri të sakta dhe të plota të çdo lloj metode lundrimi dhe të çdo lloj rruge të mundshme përmes çdo deti ose oqeani. Ata ndoshta do të kenë një njohuri më të fortë se një person i zakonshëm, por prapëseprapë nuk mund të jenë vendimmarrës të përsosur në fushat e tyre më të dobëta.
Vetë Platoni e shmang këtë problem, duke thënë se lundërtari i vërtetë (ose Mbreti Filozof) është personi që ka njohuri dialektike të formave të përjetshme dhe të së mirës (dhe për këtë arsye nuk do të binte viktimë e korrupsionit moral). Por kjo do të ishte idealja.
Në botën reale, një “kapiten” i arsimuar (kupto kryeministër, president), do të merrte parasysh sugjerimin që të lejojë që në ekuipazhin e tij të bëjnë pjesë vetëm “marinarë” që kanë njohuri të forta themelore mbi shtetndërtimin. Mjerisht, kjo gjë ndodh shumë rrallë.
Shqipërisë nuk i kanë munguar personalitete dhe figura të shquara në fusha të ndryshme. Megjithatë ata janë përdorur në rastin më të mirë si dekor, dhe në rastin më të keq janë mënjanuar, denigruar, burgosur apo edhe ekzekutuar me vdekje.    
Anija “Shqipëri”, ka lundruar shpesh në ujëra të trazuara. Ajo është përplasur shpesh me shkëmbinj nënujorë, qoftë për shkak të padijes, ligësisë apo delirit të “kapitenit” të radhës. Perëndimi si qytetërim, dhe BE-ja si model i zhvillimit dhe i shtetit të së drejtës, po shërbejnë si një far orientues, për t’u ankoruar të sigurt në familjen e kombeve më të zhvilluara.  
Sesa shpejt do të ndodhë kjo, mbetet të shihet.    

Comments

No posts found

Write a review