Fëmijët

07/17/2025
by Daris Naska

https://percorsiformativi06.it/quando-urliamo-bambini/?srsltid=AfmBOorLSq8mF7MZyg7VyxK6jPJr2n5JIldm0TgzDCoMËLBOyMsScNlG

Bërtitja ndaj fëmijëve është e padobishme dhe e dëmshme: strategji alternative dhe këshilla praktike
 
Sa herë ju ndodh t’u bërtisni fëmijëve tuaj? Është një sjellje që shumë prej nesh e kanë përjetuar, si bij e bija, por edhe si prindër, duke u shoqëruar shpesh me një ngarkesë emocionesh kontradiktore: zhgënjim, faj, pafuqi.
Por çfarë dimë vërtet mbi ndikimin e të bërtiturit tek fëmijët? A ka alternativa efektive ndaj kësaj sjelljeje? Dhe si mund t’i menaxhojmë momentet, kur na duket sikur ngritja e zërit është e vetmja mundësi? Në këtë artikull, i referohemi situatave në të cilat të bërtiturit ndaj fëmijëve, është një pjesë integrale dhe e vazhdueshme e jetës së përditshme.
Brenda një marrëdhënieje mjaftueshëm të mirë, mund të ndodhë herë pas here që ta ngrini zërin, dhe t’i kërkoni falje fëmijës më vonë. Duhet të kemi parasysh se tek e fundit të gjithë jemi njerëz, të papërsosur, dhe shpesh të rraskapitur nga sfidat e jetës së përditshme.
Nëse herë pas here e ngremë zërin ndaj fëmijëve tanë, mund t’i zbutim pasojat e këtyre incidenteve brenda marrëdhënieve të ngrohta dhe e plot dashuri, nëpërmjet shërimit ndërveprues. Ndërkohë, duhet punuar shumë më veten, kur vërehet se të bërtiturat janë të shpeshta dhe e dëmtojnë marrëdhënien edukative.
 
T’u bërtasësh fëmijëve apo të ngresh zërin? Ja cili është ndryshimi
 
Ekziston një vijë shumë e hollë midis bërtitjes ndaj fëmijëve dhe ngritjes së zërit ndaj tyre. Dr.Karla Naumburg, autore dhe punonjëse sociale klinike, ofron një perspektivë shumë sqaruese mbi këtë temë. Bazuar në përvojën dhe hulumtimin e saj, ngritja e zërit në raste të caktuara, nuk është domosdoshmërisht e dëmshme për fëmijët.
Në disa situata, një ton më i lartë i zërit mund të jetë i dobishëm dhe i nevojshëm. Për shembull, nëse ndodhemi në një park të mbushur me njerëz, dhe djali ose vajza jonë fillon të vrapojë drejt rrugës. Në atë moment, ngritja e zërit për t’i tërhequr vëmendjen e tyre bëhet thelbësore për sigurinë e tyre.
Edhe kur duam të theksojmë rëndësinë e një mesazhi, një ton pak më i lartë i zërit mund të shërbejë për të nënvizuar seriozitetin e çështjes. Megjithatë, kur u bërtasim djemve dhe vajzave, ne i qasemi ndryshe. Britmat karakterizohen nga një kombinim i 3 elementëve që mund të jenë të frikshëm për të vegjlit tanë:
 
Volumi, kur e ngremë tepër zërin
 
Kur toni i zërit merr nuanca agresive ose kërcënuese
 
Përmbajtja, pra kur përdorim fjalë që mund të bëhen denigruese ose poshtëruese
 
Kombinimi i këtyre tre aspekteve, mund të lërë plagë të thella emocionale tek fëmijët tanë. Nëse kujdestari kryesor, i cili duhet të përfaqësojë sigurinë dhe mbrojtjen, bërtet vazhdimisht, kjo gjeneron frikë dhe ankth tek fëmijët. Dhe një përvojë e tillë, mund të ndikojë në ndjenjën e tyre të sigurisë dhe vetëvlerësimit. Ndaj le të mësojmë sesi të krijojmë një mjedis të sigurt dhe mikpritës.
Megjithatë, ngritja e zërit herë pas here dhe në situata kur është e nevojshme, nuk ndikon në zhvillimin e djemve dhe vajzave. Dr.Naumburg shkruan: “Bazuar në përvojën time, mund të them se ekziston një ndryshim themelor. Kam kaluar vite duke punuar me fëmijë të abuzuar e duke studiuar shkencën e abuzimit ndaj fëmijëve.
Një përgjigje hiperaktive ndaj frikës zhvillohet në tru pas përvojave të përsëritura dhe të frikshme, dhe jo me një shpërthim të rastit “Vishi këpucët tani!”. Për më tepër, shumë marrëdhënie prind-fëmijë ndërtohen mbi një themel ngrohtësie, afërsie dhe dashurie, që e tejkalon shumë ndikimin e disa episodeve sporadike të zërave të ngritur”.
 
Pasojat e bërtitjes ndaj fëmijëve

Në jetën tonë të përditshme, ka momente kur mund ta humbasim kontrollin me fëmijët. Ndihemi të frustruar, të lodhur, të pafuqishëm dhe ndonjëherë na duket sikur e vetmja mënyrë për të na dëgjuar është t’u bërtasim. Por nëse është i shpeshtë dhe themelor si stil prindërimi, ky reagim mund të ketë pasoja negative mbi fëmijët.
Një studim i kryer nga Universiteti i Pitsburgut në SHBA, në 10 shkolla të mesme gjatë një periudhe 2-vjeçare, zbuloi se të bërtiturit ndaj fëmijëve krijon pasiguri dhe pakënaqësi tek ata, duke i nxitur të zgjedhin sjellje që prindërit do të preferonin t’i shmangnin.
Së pari, bërtitja ndaj rrit ndjenjën e pasurisë, si në grupmoshën 0-6 vjeç, ashtu edhe në adoleshencë. Së dyti, e shton pakënaqësinë ndaj prindërve (kujdestarit), sepse fëmijët e shohin të rriturin si kundërshtar dhe jo si aleat, Dhe së treti, nuk zgjidh asnjë problem në sjellje, përkundrazi i përforcon ato, sepse britmat shkaktojnë një rreth vicioz, dhe djemtë dhe vajzat mësojnë të bërtasin me radhë.
 
  1. Të bërtiturit ndaj fëmijëve mund të shkaktojë ankth dhe frikë
 
Një nga emocionet kryesore që përjetojnë djemtë dhe vajzat kur qortohen vazhdimisht është frika. Kur u bërtasim fëmijëve, përveçse u shfryjmë zemërimin tonë, u dërgojmë një mesazh të fortë të nënkuptuar: ata duhet të kenë frikë nga ne.
Për të vegjlit bëhet e qartë që ne jemi jashtë kontrollit, dhe kjo mund t’i bëjë të ndihen keq, të papërshtatshëm dhe të vetmuar në rregullimin e gjendjeve të tyre emocionale. Ankthi dhe frika, janë emocione që fëmijët i përjetojnë në çast, por që mbeten për një kohë të gjatë.
 
  1. Të bërtiturit ndaj fëmijëve, mund të dëmtojë marrëdhëniet dhe trurin e tyre
 
Të bërtiturit dëmton marrëdhëniet tona me djemtë dhe vajzat tona në afat të shkurtër, por mund të ketë edhe efekte negative afatgjata. Disa studime, tregojnë se të bërtiturit ndaj djemve dhe vajzave është po aq e dëmshme sesa dhuna fizike. Të bërtiturit, është një formë abuzimi verbal, dhe mund të shkaktojë dëme afatgjata në marrëdhënie.
 
  1. Të bërtiturat, kanë edhe një ndikim neurobiologjik
 
Kur një i rritur bërtet, truri i një fëmije reagon nëm formën “lufto ose ik”, “ngrirje” ose “bllokim”, dhe hormonet e stresit mund të ndryshojnë arkitekturën e trurit, sidomos nëse këto episode janë të shpeshta.
 
  1. Të bërtiturat mund t’u mësojnë fëmijëve se bërtitja është një sjellje normale
Ne të rriturit jemi modele për fëmijët tanë, dhe ata mësojnë nga ajo që bëjmë dhe jo nga ajo që themi. Në rast se duam që djemtë dhe vajzat tona të rriten të ekuilibruar dhe të bëhen të rritur të sjellshëm e të kujdesshëm, ne vetë duhet të jemi një shembull i mirë .
Synimi ynë është të ndërtojmë një marrëdhënie edukative me fëmijët, ndaj është përgjegjësia jonë të gjejmë mënyra për të komunikuar me ta, në vend se t’u bërtasim. Të bërtiturat i dëmtojnë marrëdhëniet, e rritin nivelin e ankthit dhe frikës, dhe u mësojnë fëmijëve se të bërtiturat janë sjellje e përshtatshme.
 
Po çfarë mund të bëjmë, në vend se t’u bërtasim fëmijëve?
 
Më poshtë po japim 11 strategji që mund t’iu ndihmojnë të përmirësoni komunikimin me fëmijët dhe të shmangni të bërtiturat.
 
  1. Mundohuni t’u shpjegoni arsyet që qëndrojnë pas zgjedhjeve tuaja
 
Djemtë dhe vajzat, duhet të kuptojnë kuptimin e kërkesave të prindërve. Nëse u shpjegoni qëllimin e veprimeve tuaja, ata kanë më shumë gjasa të ndjekin këshillat që u jepni.
 
  1. Shfaqni qartësi dhe qëndrueshmëri në sjelljet tuaja
 
Komunikimi i qartë dhe konkret, është thelbësor që fëmijët të kuptojnë udhëzimet tona. Qëndrueshëmria midis asaj që themi dhe asaj që bëjmë, është thelbësore.
 
  1. Krijoni një klimë besimi
 
Ne prindërit, duhet të përpiqemi të krijojmë një marrëdhënie besimi dhe të promovojmë një mjedis të sigurt, në të cilin fëmijët mund të ndihen rehat duke shprehur mendimet e tyre, dhe duke u angazhuar në një dialog konstruktiv me ne, pa pasur frikë nga reagimet tona.
 
  1. Komunikoni me tonin e duhur
 
Komunikimi joverbal është themelor dhe gjithëpërfshirës. Ne komunikojmë gjithnjë, pak a shumë në mënyrë të vetëdijshme, me trupat tanë: shikimet, shprehjet e fytyrës, toni i zërit, toni i trupit, gjestet, mënyrat e qëndrimit, përfaqësojnë një alfabet të heshtur por thelbësor për të përcjellë gjendjet tona emocionale.
Ndaj pyesni vazhdimisht veten, se çfarë mesazhesh përcjell trupi juaj kur bashkëveproni me fëmijët. Komunikimi i vendosur, është gjithashtu një aftësi që mund të na ndihmojë të bashkëveprojmë me të vegjlit. Ndaj përdorni një ton të vendosur, por të qetë për t’ia komunikuar pritshmëritë që keni.
Në vend se t’u thoni me të bërtitur: “Sa herë duhet të ta them që të rregullosh dhomën tënde?”, mund t’i thoni: “E shoh që dhoma jote është ende rrëmujë. Duhet rregulluar para darkës. Si mund të ndihmoj?”. Kjo qasje komunikon qartë pritshmëritë e prindërit dhe në të njëjtën kohë e përfshin fëmijën në procesin e zgjidhjes së problemit.
 
  1. Njihni dhe vlerësojini emocionet e tyre
 
Djemtë dhe vajzat, duhet ta dinë se të gjitha emocionet janë të kuptueshme dhe se ne marrim në konsideratë çdo gjendje emocionale. Ne duhet t’i mësojmë të pasqyrojmë emocionet e tyre, edhe në momentet më sfiduese. Lidhja emocionale është një strategji e vlefshme. Përpara se t’u bërtasim fëmijëve dhe të përqendrohemi në sjelljen e tyre sipërfaqësore, le të gërmojmë pak më thellë. Çfarë po ndodh brenda fëmijës?
 
  1. Flitini atyre mbi ndjenjat tuaja
 
Le t’u flasim fëmijëve tanë për emocionet që po përjetojmë, dhe le të tregojmë gatishmëri për të menaxhuar më lehtë konfliktet. Kur i shprehim emocionet tona, fëmijët mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Modelimi është një strategji thelbësore prindërore: nëse duam që fëmijët tanë ta menaxhojnë si duhet zemërimin dhe zhgënjimin, ne duhet të jemi të parët që i demonstrojmë këto aftësi.
 
  1. Gjeni një zgjidhje së bashku me të vegjlit
 
Kur fëmijët përballen me një problem, është e rëndësishme t’u bëjmë të ditur që ne jemi aty, dhe se mund të gjejmë një zgjidhje së bashku. Kjo qasje mund t’i ndihmojë ata të menaxhojnë çështjet kritike, dhe t’u mësojë fëmijëve të adresojnë vështirësitë në mënyrë bashkëpunuese.
 
  1. Pranojini kufizimet tuaja
 
Edhe ne të rriturit kemi kufizime, dhe kjo është normale. Askush nuk është i përsosur. Të qenit në gjendje të njohim vështirësitë tona, mund të na ndihmojë të menaxhojmë kohërat e vështira, dhe t’u mësojmë fëmijëve ta pranojnë veten ashtu siç janë.
 
  1. Mësoni të kërkoni ndihmë
 
Ne të gjithë jemi të papërsosur, dhe si qenie shoqërore kemi nevojë për mbështetjen e të tjerëve gjatë gjithë jetës sonë. Ne jemi të ndërvarur, ndaj të qenit në gjendje për
të kërkuar ndihmë duke u mbështetur tek njerëz të besuar, e mbështet përvojën tonë si prindër dhe u mëson djemve dhe vajzave të pranojnë ndihmën kur kanë nevojë dhe madje dhe ta kërkojnë atë.
 
  1. Mësohuni të kërkoni falje
 
Kur e humbim durimin dhe e teprojmë, mund ta riparojmë marrëdhënien dhe t’u kërkojmë falje fëmijëve tanë. Në këtë mënyrë, përveç përmirësimit të marrëdhënies, u mësojmë atyre edhe vlerën e këtij gjesti.
 
  1. Mësohuni që të kujdeseni për veten
 
Në shumicën e situatave, ne fillojmë bërtasim kur ndihemi të lodhur, të mbingarkuar ose kur të tjerët na vënë në dukje dobësitë tona. Për të parandaluar dhe zvogëluar rastet kur mund të ngremë zërin, le t’i kushtojmë vetes kohë për të reflektuar mbi përvojat tona emocionale, për t’u çlodhur dhe ripërtërirë energjitë.
Është një investim me shumë përfitime për mirëqenien tonë, fëmijëve dhe familjes. Prandaj ndaluni për një moment për t’u qetësuar, përpara se të veproni në një situatë frustruese: merrni frymë thellë, numëroni nga 1 në 10, dhe dilni nga dhoma nëse është e nevojshme. Një pushim i shkurtër, mund të na ndihmojë të reagojmë më qetësisht dhe me kujdes dhe të shmangim reagimet impulsive.
 
Por pse u bërtasim fëmijëve?
 
Arsyet janë të shumta dhe shpesh të rrënjosura në përvojat tona të përditshme. Një nga faktorët që shkakton të bërtiturat është stresi. Ne jetojmë në një botë me ritëm të lartë, ku presionet e punës, përgjegjësitë familjare dhe pritjet sociale grumbullohen dhe gjenerojnë një presion të madh emocional.
Kur arrijmë limitin e qëndrueshmërisë sonë, britmat shndërrohen në një valvul shkarkimi, në një mënyrë për të çliruar tensionin e akumuluar. Një tjetër arsye, janë pritshmëritë jorealiste në lidhje me sjelljen e djemve dhe vajzave.
Shpeshherë në prindërit harrojmë se truri i të vegjëlve është ende në zhvillim e sipër, dhe aftësitë e tyre për vetëkontroll dhe rregullim emocional janë të kufizuara. Kur presim që ata të sillen si të rritur, zhgënjimi është i pashmangshëm, dhe të bërtiturat mund të duken si e vetmja mënyrë për t’i bërë ata të dëgjojnë.
Një faktor tjetër, që nuk duhet nënvlerësuar është ndikimi i modeleve të mësuara që në fëmijëri. Nëse jemi rritur në një familje ku të bërtiturat janë një normë, atëherë mund t’i përsëritim pa vetëdije këto modele, edhe nëse jemi të vetëdijshëm se ato nuk ofrojnë ndonjë përfitim.
Në praktikë, ne kemi tendencë të reagojmë ndaj fëmijëve tanë në të njëjtën mënyrë siç reaguan prindërit tanë ndaj nesh. Ndjenja e pafuqisë dhe humbjes së kontrollit që shoqëron shpesh prindërimin, mund të çojë në momente frustrimi.
Kur duket sikur asgjë nuk po funksionon, se fëmijët nuk po na dëgjojnë apo nuk po
na respektojnë, të bërtiturit mund të duket si një mjet i fundit, si një përpjekje e dëshpëruar për të rifituar kontrollin e situatës. Kur i njohim shkaktarët që na shtyjnë të bërtasim, mund ta ndryshojmë sjelljen tonë dhe të punojmë me strategji alternative që janë më efektive dhe më pak të dëmshme.
Synimi nuk është arritja e përsosmërisë, por evoluimi dhe përparimi. Nëse i zvogëlojmë të bërtiturat dhe rrisim ndërveprimet pozitive, mund të krijojmë një mjedis familjar më paqësor, që është i favorshëm për zhvillimin emocional të djemve.
 
Fjalët lënë një shenjë si plagët
 
Përmbajtja e asaj që themi, mund të lërë një përshtypje më të thellë sesa volumi ose toni që përdorim kur u bërtasim fëmijëve . Mendoni pak për fjalët që përdorim kur e humbim kontrollin. Fraza të tilla si “Je budalla!” apo “Nuk bën kurrë asgjë siç duhet!”, mund të duken si shpërthime të çastit, por ndikimi i tyre zgjat shumë.
Fjalët janë si farat që mbjellim në mendjet e bijve dhe bijave tona: ato mund të prodhojnë pasiguri, dyshime, vetëvlerësim të ulët dhe ndjenja të pamjaftueshmërisë. Fjalët që përdorim kur bërtasim, të ashpra dhe përçmuese, mund të ndikojnë në zhvillimin emocional të djemve dhe vajzave, ndryshojnë mënyrën se si e shohin botën, ndikojnë në rregullimin emocional dhe ndryshojnë aftësitë e fëmijëve për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët.
Një fëmijë që rritet në një mjedis ku kritikohet ose përçmohet vazhdimisht, mund të hasë shumë vështirësi në formimin e marrëdhënieve harmonike në të ardhmen, dhe mund të përjetojë probleme me ankthin ose depresionin.
Është e rëndësishme të mos harroni se djemtë dhe vajzat janë si sfungjerë: ata thithin atë që i rrethon, përfshirë mënyrën se si ne, si të rritur, rregullojmë emocionet tona dhe komunikojmë. Nëse u bërtasim rregullisht dhe përdorim fjalë të papërshtatshme, ofenduese ose të liga, u mësojmë atyre se kjo është një mënyrë e pranueshme për të shprehur stresin ose zemërimin.
Pra po u japim pa dashje leje që të bëjnë të njëjtën gjë. Pavarësisht përpjekjeve tona më të mira, do të ketë raste kur do e humbim kontrollin dhe bërtasim. Kjo është njerëzore dhe normale. Por ajo që bëjmë pas këtyre momenteve, mund të bëjë diferencën në një marrëdhënie.
Prandaj le të përqendrohemi tek riparimi, i cili nuk ka të bëjë vetëm me kërkimin e faljes dhe ecjen përpara sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ai është një proces i thellë dhe kuptimplotë, që mund ta transformojë një moment negativ në një mundësi për rritje dhe lidhje.
Le të kërkojmë falje sinqerisht: le të shmangim faljet sipërfaqësore ose të kushtëzuara si “Më vjen keq që bërtita, por më zemërove”, dhe ta pranojmë sinqerisht gabimin tonë duke thënë: “Më vjen keq që të bërtita. Nuk ishte mënyra e duhur për ta trajtuar situatën”.
Është thelbësore që ne ta pranojmë ndikimin e sjelljes sonë dhe t’i lëmë hapësirë edhe ndjenjave të fëmijës: “Mendoj se u ndjeve i frikësuar ose i trishtuar kur të bërtita. Më vjen keq, nuk doja ta bëja”. Me këto fjalë, ne vërtetojmë emocionet e fëmijës dhe përcjellim rëndësinë e empatisë dhe vetëdijes emocionale.
Në varësi të moshës së fëmijëve, mund të diskutojmë strategji alternative për trajtimin e situatave të ngjashme në të ardhmen dhe të krijojmë një seancë bashkëpunuese për shkëmbimin e ideve: “ Si mund ta trajtojmë më mirë këtë situatë herën tjetër? Çfarë mund të bëj për të të ndihmuar?”.
Ky proces riparimi, ndihmon në rivendosjen e lidhjes emocionale me djalin ose vajzën tonë, e riparon marrëdhënien, dhe u mëson fëmijëve se si ta menaxhojnë konfliktin në një mënyrë konstruktive.
 
Këshillë: “Fëmijë të sigurt” nga Lira Gjika është një udhërrëfyes i çmuar për prindër, edukatorë dhe kujdestarë që duan të rrisin fëmijë të lumtur, të sigurt dhe emocionalisht të qëndrueshëm. Me përvojën e saj si pediatre dhe psikoterapiste, autorja sjell këshilla praktike dhe të thella mbi mënyrën se si të krijohet një mjedis i dashur, mbështetës dhe i shëndetshëm për zhvillimin e fëmijës.
Libri trajton tema si rëndësia e pranisë emocionale të prindit, ndërtimi i besimit që në vitet e para të jetës, menaxhimi i ankthit, dhe ruajtja e ndjenjës së sigurisë në situata të përditshme. Me një gjuhë të ngrohtë dhe të kuptueshme, Lira Gjika na kujton se çdo fëmijë ka nevojë të ndihet i dashur dhe i pranuar për të rritur krahët e vet.
 
 
Mënyrat e kontaktit:
 
Tel: 0695252625 - Sekretaria

Comments

No posts found

Write a review