Pse ekziston lufta?
Richard Overy
Përmbajtja:
Parathënie
Prolog: Pse ekziston lufta?
Pjesa I
Pjesa II
Përfundime
Parathënie:
Ky libër është i papërsosur për disa arsye. Së pari, unë jam historian i luftërave botërore
të zhvilluara gjatë viteve 1930 dhe 1940. Pra gati në fund të historisë së dhunës njerëzore. Ndaj dhjetëra mijëra vitet e të trajtuara në këtë libër, nuk bëjnë pjesë në fushën time profesionale.
Së dyti, pjesa më e madhe e shkrimeve që mëtojnë të shpjegojnë historinë e dhunës luftarake njerëzore, që nga Homo sapiens e hershëm e tutje, synojnë në thelb të konfirmojnë rëndësinë e madh të shkencave humane: antropologjisë, etnologjisë, ekologjisë, psikologjisë, biologjisë njerëzore dhe arkeologjia.
Historianët kanë qenë dukshëm apatikë, sa herë që është diskutuar për “t’i dhënë përgjigje pyetjes kryesore se pse njerëzit luftojnë kundër njëri-tjetrit. Kjo pjesërisht ka ardhur nga një pasiguri e kuptueshme, pasi historianëve u mungon përgatitja shkencore mbi atë që shkruajnë.
Aty ku shfaqen disiplinat ndihmuese në literaturën që e shpjegon luftën, historia mungon thuajse gjithmonë. Ky është një fenomen i çuditshëm, sepse shpjegimi i luftës që ka ndodhur në të kaluarën, është një proces unik.
Shfajësimi im personal, e ka burimin tek puna gjatë shumë dekadave mbi konfliktin më të madh dhe më vdekjeprurës në historinë globale. Nuk ka asnjë dyshim, se paqja do të ishte më e preferueshme nga shumica e atyre që ishin bllokuar në ingranazhet e konfliktit.
Por pavarësisht çdo lloj kufizimi, lufta vazhdoi nga shtete që ironikisht e konsideronin veten si pjesë të një qytetërimi të përparuar. Mënyra se si qeniet njerëzore arritën në atë pikë fundore
të zymtë të modernitetit, ngre pikëpyetje shumë më të mëdha se përse lufta ishte një zgjedhje aktive, jo vetëm për shtetet e “civilizuara” në mesin e shekullit XX, por sa më shumë kthehemi pas në kohë në të dhënat historike, e madje shumë më pas në parahistori.
Këto janë pyetje që më kanë grishur gjithmonë, e për të cilat kam pasur kuriozitetin t`i eksploroj, nga ku kam nisur të bëj kërkimet e mia më tepër nga fundi i historisë, se sa nga origjinat e saj të largëta. Shfajësimi tjetër i imi, buron nga natyra historike e diskutimit mbi vazhdimësinë e luftës përgjatë të kaluarës së njerëzimit.
Diskursi mbi luftën ka një histori të tijën, nga Darvini tek Frojdi, e deri tek Pinker dhe Kellej. Prandaj është e dobishme të paraqitet mënyra se si këto ide janë formësuar nga kontekste më të gjera gjatë 100 viteve të fundit, përpara se të paraqitet pika në të cilën kanë mbërritur në ditët e sotme idetë mbi luftën.
Kjo është diçka që mund ta bëjnë historianët. Libri synon një audiencë të gjerë, që mund të ketë dëshirën të mësojë diçka më shumë rreth mënyrës se si studimet moderne janë përpjekur që t’i përgjigjet pyetjes “Pse ekziston lufta?”.
Këtë libër, jam përpjekur që mos e bëj teknikisht të ndërlikuar apo të përdor një fjalor shumë të specializuar, përveç rasteve kur është e nevojshme. Ndaj e kam menduar si një hyrje në ato që janë shndërruar në një grup supozimesh dhe argumentesh shumë të debatuara mbi luftërat e kaluara dhe ato aktuale.
Dhe në fakt, mbi origjinën e luftës, ekziston një front i vërtetë dhe i vazhdueshëm beteje
mes akademikëve; të negociosh “fushat e minuara” që rrethojnë konfliktin, është një sfidë më vete. Është e vështirë që të mos marrësh anë në lidhje me këtë çështje, dhe nuk pretendoj se e kam shmangur gjithmonë rreshtimin, aty ku në parim duket e arsyeshme të mos e bësh.
U jam shumë mirënjohës atyre, që me shumë kompetencë, kanë lexuar disa nga pjesët që kam shkruar duke i parë me syrin kritik që meritojnë, veçanërisht Entoni Lopez, Stefan Myler-Vile dhe Pol Roskos. Po ashtu, do të doja të falënderoja Sara Barker, Stejsi Hind dhe Filip Parker për këshillat e tyre të dobishme.
Gjithashtu, u jam shumë mirënjohës për kritikat e mençura dy redaktorëve të mi, Simon Uinder në Londër dhe Stiv Forman në Nju Jork, si dhe për ndihmën e çmuar agjenten time, Kera Xhons.
Do të doja të falënderoja gjithashtu edhe Don Rifkin, Xhejzën Hauer, Loren Abate, Elizabet Rilej dhe Stiv Kolka të shtëpisë botuese “Norton”, për punën e tyre në transformimin e dorëshkrimit në një libër të përfunduar dhe prezantimin më pas për publikun. Çdo gabim apo keqinterpretim i mbetur, është më shumë se kurrë përgjegjësia ime.
Prolog
Pse luftojmë?
Çështja që ngrihet këtu, është një nga më themeloret që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe
të ardhmen e njerëzimit. Prandaj nuk është e habitshme që dy nga gjigantët intelektualë të
shekullit XX-të, fizikanti Albert Ajnshtajn dhe psikologu Sigmund Frojd, u angazhuan në një korrespondencë në vitin 1932, në kërkim të një përgjigjeje.
Ajnshtajni u ftua në fundin e vitit 1931 nga Instituti Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Intelektual
i Lidhjes së Kombeve, për të zgjedhur një korrespondent mbi një temë të preferuar prej tij. I angazhuar me aktivitetet kundër luftës, Ajnshtajni vendosi të ftojë Frojdin, i bindur ai do t’i kuptonte më mirë “skutat e errëta të vullnetit dhe ndjenjës së njeriut”.
Produkti i asaj korrespodence ishte një broshurë e shkurtër, e botuar në gjermanisht, frëngjisht, holandisht dhe anglisht me titullin “Pse ekziston lufta?”. Ndryshe nga sa priste, Ajnshtajni mbeti i zhgënjyer nga përgjigja.
Frojdi këmbëngulte se dhuna ishte një karakteristikë e të gjithë mbretërisë së kafshëve,
përfshirë njeriun, dhe nuk shihte asnjë mënyrë efikase për të frenuar dëshirën për të luftuar dhe shkatërruar. Sipas tij, lufta buron nga ajo që ai e quajti “ngasja e vdekjes”, një impuls psikologjik i shkatërrimit që ekziston tek çdo qenie e gjallë.
Rezultatet e kësaj përpjekje përfshijnë të paktën 5 libra me titullin “Pse ekziston lufta?”, dhe shumë të tjerë mbi shkaqet e saj. Megjithatë, përgjigja e kësaj pyetjeje mbetet ende e kontestuar, përçarëse, zhgënjyese dhe e pakapshme pas gati një shekulli argumentesh të mëtejshme, shkencore dhe historike.
Në të vërtetë, duke pasur parasysh prirjen njerëzore për luftë të organizuar gjatë pjesës më
të madhe të së kaluarës së gjatë njerëzore, pyetja mund të shtrohet në kahun e kundërt: “E përse të mos luftojmë?”. Njerëzit kanë provuar se janë specie luftarake.
Siç shprehej psikologu Xhon Baulbi në vitin 1939, në një studim mbi dëshirën për të luftuar dhe vrarë: “Asnjë grup kafshësh nuk mund të jetë më agresiv apo më i pamëshirshëm në agresionin e tij sesa anëtarët e rritur të racës njerëzore”. Sigurisht, njerëzit nuk bëjnë luftë gjatë gjithë kohës apo kudo.
Përndryshe specia jonë, Homo sapiens, mund të ishte zhdukur tashmë. Lufta është një pjesë e evolucionit njerëzor, një nga mjetet që Azar Gat e ka quajtur “vegla e njeriut për mbijetesë, por vetëm njëra prej tyre”. Shpesh, lufta dhe paqja paraqiten si opsionet e vetme, kur në fakt ato janë pjesë e një grupi më kompleks strategjish mbijetese gjatë historisë së njerëzimit.
Të përpiqesh të kuptosh luftën, do të thotë gjithashtu të shpjegosh edhe arsyen përse ndërpriten periudhat e paqes. Konstantja e vetme, ka qenë përdorimi i dhunës kolektive e vdekjeprurëse midis grupeve njerëzore, kur nevoja, frika, ambicia ose paragjykimi - madje edhe joshja nga e mbinatyrshmja - kanë nxitur luftën, që nga dëshmitë më të hershme të dhunës, deri tek luftërat dhe luftërat civile të shekullit XXI.
Qëllimi i këtij libri, është të shqyrtojë mënyrat në të cilat lufta është shpjeguar ajo nga disiplinat kryesore, që nga korrespodenca midis Frojdit dhe Ajnshtajnit, e cila nuk mbërriti dot në
një përfundim të caktuar, dhe të vlerësojë besueshmërinë e këtyre shpjegimeve.
Ekzistojnë shumë qasje të ndryshme, por ato mund të klasifikohen në përgjithësi në dy lloje shpjegimesh. Shkencat humane kryesore - biologjia, psikologjia, antropologjia dhe ekologjia - e kanë shpjeguar luftën në termat e tyre si një qasje evolucionarisht përshtatëse, ose të përcaktuara kulturalisht, ose si produkt i presioneve ekologjike.
Nga këto këndvështrime, qeniet njerëzore bëhen objekt i forcave natyrore ose kulturore, të cilat mund të kuptohen për të përcaktuar pse ka ndodhur lufta në të kaluarën evolucionare të njerëzimit. Këto çështje përbëjnë tematikën e pjesës së parë të këtij libri, dhe ndryshe nga pjesa më e madhe e kërkimeve në këtë fushë, ato janë trajtuar njëlloj si për luftën moderne ashtu edhe për konfliktet e mijëvjeçarëve të fundit.
Nga ana tjetër, historianët, sociologët dhe politologët (por edhe shumë antropologë dhe arkeologë), kanë më shumë gjasa që ta eksplorojnë luftën në aspektin e njohjes njerëzore, me njerëzimin si krijues të kulturave që mbështesin luftën, dhe me qeniet njerëzore si agjentë të ndërgjegjshëm në ndjekjen e objektivave që mund të ndryshojnë shumë në kohë dhe vende.
Ajo që mund të quhet shpjegim “pro-aktiv” i luftës, mund të reduktohet në 4 kategori të gjera motivuese, të cilat formojnë temën e pjesës së dytë të këtij libri: burimet, besimi, fuqia dhe siguria.
Shpjegimet që bazohen tek lidhja e fundit shkakësore, janë më në përputhje me luftën në epokën moderne, kur shtetet zhvilluan aftësitë e tyre për të bërë luftëra midis fuqive të mëdha. Por besimi, fuqia, siguria dhe lufta për burime, janë nxitës të dukshëm të konflikteve të hershme.
Madje edhe midis komuniteteve para-shtetërore, në të cilat lufta mund të jetë produkt i të katër motiveve të lartpërmendura. Këto nuk janë qasje të papajtueshme, siç do të jetë e dukshme edhe më poshtë, por një mënyrë e mirë për të zgjidhur enigmat e shumta që janë eksploruar në përpjekje për të shpjeguar se çfarë është lufta dhe konflikti.
Së pari, këtu duhet bërë e qartë se si përkufizohen lufta dhe konflikti. Që të dyja përdoren në mënyrë ekuivalente në pjesën më të madhe të literaturës. Një luftë, përfaqëson një ngjarje të veçantë, edhe nëse fillimi dhe fundi i saj mund të jenë të mirë-përcaktuara.
Lufta përshkruan shumë mënyra se si konfliktet planifikohen, organizohen dhe luftohen nga shoqëri dhe kultura në të cilat lufta është një tipar antropologjik. Megjithatë, ajo që përbën luftën apo konfliktin ka qenë një çështje shumë e debatuar.
Kjo ka çuar në një debat të zgjatur gjatë 50 viteve të fundit, midis atyre që e shohin luftën si produkt të historisë relativisht të kohëve të fundit, pra kur u formuan shtetet që ishin në gjendje të mobilizonin forca të konsiderueshme, të paguanin për luftën dhe të organizonin furnizimin e saj; dhe atyre që argumentojnë se e gjithë dhuna ndërgrupore e vdekjeprurëse nga e kaluara prehistorike, apo nga e shkuara para-shtetërore është një formë konflikti, sado e shkurtër apo sporadike që mund të ketë qenë.
Ideja se lufta është diçka që mund ta përballojnë vetëm shtetet e qytetëruara është paradoksale, megjithëse Frojdi supozoi në veprën e tij “Qytetërimi dhe Pakënaqësitë e tij”, botuar vetëm pak para broshurës “Pse Lufta?”, se sa më të civilizuar bëheshin njerëzit, aq më e mundshme ishte një dekadencë katastrofike tek dhuna primitive (një pikëpamje kjo që ishte në përputhje të plotë me konfliktin që pasoi).
Në këtë diskutim, nuk mund të shmanget e dhëna historike, se luftërat u bënë gradualisht më të mëdha dhe më vdekjeprurëse, pasi shtetet u konsoliduan, u burokratizuan dhe u segmentuan nga pikëpamja sociale, pjesërisht që të ishin në gjendje të zhvillonin luftën në një mënyrë sa më efektive.
Kjo e vërtetë e dukshme, i ka lejuar antropologët dhe arkeologët, që për pjesën më të madhe të 100 viteve të fundit të mbrojnë një narrativë më paqësore, në të cilin popujt e lashtë (qoftë nga e kaluara e largët apo që ekzistojnë ende në rajonet më të izoluara të botës), t`i drejtoheshin dhunës vdekjeprurëse rrallë ose fare, ose në ritualet zakonisht jo vdekjeprurëse.
Antropologu Bronisllav Malinovski, lavdëroi në shkrimet e tij në vitin 1940 “pacifizmin e lashtë” të njeriut primitiv, ndërsa kritikoi atë që e shihte si dhunë të pakuptimtë dhe nihiliste të epokës moderne.
Shumë antropologë që shkruajnë sot, ndonëse nuk injorojnë dëshmitë e dhunës përpara shfaqjes së shtetit, preferojnë ta shohin atë si përplasje lokale, vrasje brenda grupit, apo si një bastisje oportuniste, që nuk ishte as shumë e përhapur dhe as shumë shkatërruese.
Sipas këtij interpretimi, qëniet njerëzore kanë evoluar në bashkëpunëtorë të suksesshëm, dhe për ta lufta është një devijim që ndërpret mijëra vjet bashkëjetesë relativisht paqësore. Kjo është një pikëpamje mbi luftën, që duket e vështirë për t’u mbështetur kur vihet para një morie dëshmish të reja arkeologjike dhe etnografike.
Dhuna vdekjeprurëse ndërgrupore, është e dukshme edhe shumë kohë përpara komuniteteve që nuk shpërnguleshin apo edhe shteteve të para. Një pjesën më të madhe të literaturës të botuar nga ata që studiojnë të kaluarën e largët, pranohen dëshmitë gjeografikisht të gjera dhe në shtrirje të gjatë kohore, të asaj që mund të quhet luftë, e përkufizuar si një konflikt vdekjeprurës midis aleancave të grupeve të ndryshme të qenieve njerëzore.
Në disa raste ajo ka ndodhur edhe në epokën e Pleistocenit, përpara se Homo sapiensi të dominonte botën. Ky është një argument që mund të shkojë shumë larg. Antropologu Keit Oterbain, një nga të parët dhe mbështetësit më të bindur të asaj që mund të quhet një e shkuar barbare e njerëzimit, vlerësoi zbulimin e bërë në një shpellë afër Burgosit, në Spanjë, të eshtrave fosile të homininëve të 800.000 vjetëve më parë.
Eshtrat e 11 viktimave të kanibalizmit, ai i cilësoi si “provën e parë të dokumentuar të luftës”. Në parim, ky mbetet një spekulim shpresëdhënës që nuk mund të provohet në ndonjë lloj mënyre. Megjithatë ka shumë prova nga e kaluara më e afërt, se ekzistenca e një shteti nuk ishte parakusht për përfshirjen në dhunë luftarake.
Mbetjet e Epokës Neolitike në Evropë, tregojnë majat e shigjetave të vendosura në rruazat e shtyllës kurrizore, kafka të shtypura dhe skelete të prerë. Pra shenja të qarta të dhunës luftarake. Arkeologia Patricia Lambert, thotë se provat e grumbulluara gjatë dekadave të gërmimeve dhe analizave të kockave në Amerikën e Veriut, vërtetojnë se në çdo rajon të madh të kontinentit
ka ekzistuar pa asnjë dyshim dhuna e luftës.
Rasti më i famshëm është ai në Krou Krik në Dakotën e Jugut, ku në një varrezë masive me
415 skelete të identifikueshëm që i përkasin njerëzve që kanë jetuar në mesin e shekullit XIV të Erës Sonë, u zbulua se 89 për qind të viktimave u ishte hequr skalpi i kokës, dhe 41 për qind e 101 kafkave të ekzaminuara, kishin lëndime me sëpatë prej guri.
Në periudhën e vonë të kulturës evropiane, Linearbandkeramik (kultura e qeramikës lineare), rreth 7.000 vjet më parë, masakra të ngjashme janë zbuluar në Talheim në luginën e Rinit dhe
në Asparn/Shlec pranë Vjenës. Në këtë të fundit, janë zbuluar eshtrat e 66 njerëzve të vrarë kryesisht me sëpata dhe të hedhur në një hendek të fortifikuar; e kështu me radhë.
Prodhimi i armëve potenciale që nga fillimi i evolucionit njerëzor, ikonografitë e betejave
në muret e shpellave, që tregojnë njerëz të armatosur që luftojnë kundra njëri-tjetrit, dëshmitë thuajse universale osteoarkeologjike të kockave dhe kafkave të goditura ose të shpuara, e bëjnë gati të pamundur të mbështesësh idenë e “pacifizmit primordial”.
Në këtë kuptim lufta merr përmasa edhe më të mëdha në kuptimin kolektiv, të qëllimshëm, vdekjeprurës dhe ndërgrupor, qofshin ato bastisje, prita, përleshje, akte dhune rituale apo
betejat më të njohura të periudhës historike.
Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e diskutimit në këtë libër, veçanërisht në kapitujt e parë mbi shkencat humane dhe luftën, merret me një të kaluar e cila shtrihet shumë përtej shteteve të para të organizuara, në 20.000-30.000 vjet, dhe ndonjëherë edhe shumë më herët kur bëhet fjalë për teoritë e evolucionit biologjik dhe psikologjik.
Dëshmitë arkeologjike mbi dhunën e dikurshme, mund të përdoren së bashku me provat etnografike të mbledhura rreth komuniteteve moderne të mbledhësve-gjuetarë. Edhe këtu, antropologëve u është dashur ta pranojnë se dhuna vdekjeprurëse ishte dhe është më e ngulitur në këto shoqëri, më shumë se sa është argumentuar mbi të, qoftë midis komuniteteve aborigjene të Australisë, gjahtarëve fisnorë të Guinesë së Re, apo banorëve fisnorë të veriut në SHBA dhe Kanadanë e sotme.
Madje edhe argumentet se politikat proto-shtetërore, lejonin përdorimin e dhunës vetëm për
të siguruar një numër robërish për sakrifica ndaj Perëndive, në rastin e Perandorive Maja dhe Azteke, janë treguar të pabaza (vetëm kapja e viktimave të flijimit, vështirë se është një veprim paqësor).
Të dhënat e kohës, tregojnë se ushtritë azteke masakruan popullsi të tëra. Në qytetin Ketlaztlan, ushtarët vranë “pleq, gra, të rinj, djem, vajza, foshnja në djep”. Edhe kultura e Majave u përshkua nga lufta dhe një elitë luftëtarësh.
Një regjistrim i Majave, rendit 107 ngjarje lufte midis viteve 512 - 808 të Erës Sonë në 28 vende të ndryshme. Asnjë nga këto analiza në lidhje me përhapjen e luftës, nuk do të thotë
se modeli ose motivet e luftës janë të pandryshueshme. Nganjëherë kultura të ndryshme, e përdorin dhunën në mënyra të ndryshme.
Është e qartë se lufta e hershme nuk është e njëjtë me luftën midis shteteve të mëdha moderne. Por shkalla është relative, dhe shkaqet dhe qëllimet e afërta mund të jenë shumë të ngjashme.
Rezultati përfundimtar, është diçka që mund të njihet si luftë, qoftë ajo që antropologu Nam
Kim e ka quajtur “luftë emergjente”, midis komuniteteve më të hershme apo një luftë e institucionalizuar midis shteteve-kombe moderne. Përgjatë hapësirës kohore të evolucionit
të gjatë të qenieve njerëzore, ka pasur dhunë kolektive, vdekjeprurës dhe ndërgrupore, e cila duhet shpjeguar.
Për një libër që fokusohet tek mënyra se si duhet të kuptohen shkaqet e luftës, duhet të kihen parasysh disa pika shumë të rëndësishme. Ky nuk është një libër, që synon të shpjegojë agresionin tek individët, për të cilin ka një literaturë të pasur e të specializuar nga neurologë, psikiatër dhe psikologë.
Kuptimi rreth funksionit të trurit dhe sistemit nervor qendror, është sot aq shumë i përparuar, sa që patologjia e sjelljes agresive te individët që e shfaqin mund të shpjegohet shkencërisht, edhe nëse kjo sjellje mbetet e vazhdueshme.
Pjesa më e madhe e këtij kërkimi që nga vitet 1930, përqendrohet mbi sjelljen kriminale tek të rriturit dhe fëmijët modernë, e cila nuk mund të krahasohet lehtësisht me dhunën e shfaqur në luftë. Agresioni ka rëndësi kur flitet për dhunën kolektive apo në koalicion, siç është vrasja e shimpanzeve të vetmuara në pritë nga një grup meshkujsh plaçkitës të së njëjtës racë, të cilën imitojnë dhunën e hershme të homininëve.
Për një grup njerëzish të përgatitur për të vrarë njerëz të tjerë, agresioni ka rolin e tij, më qartazi
në format e hershme të luftës, të cilat zhvilloheshin ballë për ballë. Në ushtritë moderne, ku shumë individë në vetvete nuk janë agresivë, luftimet në distanca të afërta e forcojnë agresionin
në sipërfaqe, si një kundërpërgjigje ndaj kërcënimit vdekjeprurës.
Në këto rrethana, agresioni kolektiv dhe jo individual, është një udhërrëfyes më i sigurt për mënyrën se si ka evoluar lufta. Kur komunitetet fisnore sulmonin një “armik”, ato e bënin këtë
si një grup, zakonisht për qëllime kolektive dhe shumë shpesh me një nivel të lartë agresiviteti.
Ky nuk është një libër, që përpiqet t`i japë përgjigje pyetjes nëse njerëzimi është bërë më pak i dhunshëm gjatë mijëvjeçarëve të fundit. Studimi themelor i Stiven Pinker, “Engjëjt më të mirë të natyrës sonë”, i botuar në vitin 2011, ka ngjallur diskutime të forta nëse dhuna në format e saj të shumta ka rënë vërtet apo jo, përfshirë luftën.
Mungesa e luftës midis shteteve të mëdha që nga viti 1945 (edhe pse ka pasur shumë luftëra tepër të dhunshme përmes palëve të treta), ka nxitur argumentin se ndoshta lufta ndërshtetërore është tashmë e “dalë nga moda”, edhe pse jo ende lufta civile dhe lufta terroriste transnacionale.
Sigurisht, një argument i tillë nuk merr parasysh faktin se lufta termonukleare është ende një mundësi, sado e largët qoftë ajo. Pikëpamja moderne “realiste” e marrëdhënieve ndërkombëtare, ka ende opsionin e luftës në thelbin e saj, përndryshe çarmatimi bërthamor dhe konvencional, do të ishte një realitet mbarë-botëror.
Asnjëra nga këto nuk lidhet vërtet me pyetjen “Pse ekziston lufta?”. Më pak i dhunshëm statistikisht ose jo, shekulli i kaluar përjetoi luftëra në një shkallë të jashtëzakonshme dhe të
një vdekshmërie totale të jashtëzakonshme.
Këtu i referohem dy Luftërave Botërore, Luftës Civile në Rusi, Luftës së Koresë, Luftës së Vietnamit, Luftës Iran-Irak e kështu me radhë. Nëse janë pakësuar luftërat ndër-shtetërore, ka shumë forma të tjera të konfliktit modern - luftëra civile, kryengritje, fushata sulmesh terroriste, luftëra me delegim, madje edhe “luftëra hibride”, ku mbivendosen luftërat e parregullta dhe ato të rregullta.
Në fakt, gjatë shekullit XX nuk ka pasur asnjë vit pa pasur një luftë ndër-shtetërore apo luftë civile diku. Tani shekulli XXI ka sjellë luftën e parë të madhe ndërshtetërore, konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Duke u kthyer pas në kohë gjatë mijëvjeçarëve të historisë së njerëzve modernë, një vëzhgues nga një planet tjetër, mund të arrijë në përfundimin se lufta nuk është asgjë tjetër veçse një metodë e vjetruar, duke pasur parasysh luftën kulmore të 100 viteve të fundit, dhe ekzistencën
e armëve të afta për të shuar një pjesë të madhe të racës njerëzore.
Çështja se përse ndodhin luftërat, është e pavarur nga shkalla dhe intensiteti i dhunës njerëzore
dhe të dy argumentet nuk duhet të ngatërrohen. Së fundi, duhet thënë se kjo nuk është një histori luftërash, të lashta apo moderne, dhe as për mënyrën se si janë zhvilluar dhe as se me çfarë pasojash.
Me sa duket, kuadri socio-kulturor, mënyra se si zhvillohen luftërat, teknologjia e disponueshme e armëve dhe pasojat e luftës, luajnë që të gjitha një rol në çdo lloj shpjegimi se përse kanë ndodhur luftërat gjatë historisë. Por një luftë e veçantë, ka shpjegimin e vet historik, të vendosur në kohë dhe në kontekst.
Lufta do të përdoret në pjesën që vijon në një mënyrë shembullore, jo si pjesë e një narrative formale e numrit befasues të luftërave që ka zhvilluar njerëzimi. Shqetësimi kryesor që trajton ky libër, është përdorimi i asaj historie të gjatë e të dhunshme, si një mjet për të ilustruar rrugët kryesore të shpjegimit të përparuar, që kur Ajnshtajni i kërkoi Frojdit të zbulonte “formën më tipike, më mizore dhe ekstravagante të konfliktit midis njeriut dhe njeriut”.
Pjesa I
Kapitulli I
Biologjia
“Natyra e mban të shëndetshme pemishten e saj njerëzore duke e krasitur: lufta është kosa e saj”.
(Sër Artur Keit, 1931)
“Biologjia nuk e dënon njerëzimin të bëjë vazhdimisht luftë... Është shkencërisht e pasaktë të thuhet se lufta apo ndonjë sjellje tjetër e dhunshme është programuar gjenetikisht në natyrën tonë njerëzore”
(Deklarata e Seviljes mbi Dhunën, 1986)
Qëkur babai i teorisë së evolucionit, biologu britanik i shekullit XIX-të, Çarls Darvini, e përkrahu idenë se të gjitha speciet janë të përfshira në një “luftë për mbijetesë”, marrëdhënia midis biologjisë dhe luftës, ka mbetur një nga temat më të diskutueshme në përpjekjet për të shpjeguar arsyet pse njerëzit luftojnë midis tyre.
Anatomisti neo-darvinian Arthur Keit, që ka shkruar në mesin e shekullit të kaluar, binte dakord me idenë se lufta ishte biologjikisht e dobishme, sepse në këtë mënyrë komunitetet njerëzore eliminonin të dobëtit dhe lartësonin të fortët. Ai supozonte se ky ishte një ligj i natyrës.
Në një takim të vitit 1986 në qytetin spanjoll të Seviljes, një grup ndërkombëtar prej 20 shkencëtarësh të shquar nga një sërë disiplinash të shkencave humane, u përpoqën të përmbysnin tërësisht përpjekjen shkencore për ta shpjeguar luftën si diçka të diktuar nga biologjia, qasje që ata e konsideruan si një shtrembërim të dëmshëm.
Në nëntor 1989, UNESCO e miratoi Deklaratën e Seviljes për t’i dhënë asaj një status zyrtar.
Ajo u shpërnda gjerësisht dhe u ribotua në vitin 2002. Por as kjo nismë, nuk i dha fund debatit. Edhe pse sot asnjë shkencëtar nuk do të mbështeste metaforën e vrazhdë të Keit, biologjia
ka mbetur, në një formë a tjetrën, një pikë referimi qendrore në diskutimin rreth luftës.
Biologjia, ose më saktësisht biologjia evolucionare, ka një pretendim të fortë, sipas të cilës ajo është shkenca e parë që merret me trajtimin e çështjes se pse njerëzit bëjnë luftë ndaj njëri-tjetrit. Por ai ishte larg qëllimit që kishte Çarls Darvini.
Argumenti i këtij të fundit, se të gjitha speciet e përfshira në një luftë për mbijetesë, është një pjesë e historisë natyrore, e krijuar enkas për të shpjeguar se si bimët dhe kafshët u përshtatën në terma evolucionarë me presionet e mjedisit apo me konkurrencën brenda ose midis specieve.
Në këtë kuptim, “lufta” ishte një metaforë dhe jo një sinonim i asaj që sot kuptojmë me këtë term. Në librin e vitit 1871 “Prejardhja e njeriut”, ai preku më drejtpërdrejt mundësinë e konfliktit njerëzor stërgjyshor.
Por sërish, ajo përpjekje ishte periferike për ambicien e tij më domethënëse, që ishte shpjegimi i mënyrës se si evoluuan qeniet njerëzore, veçanërisht përmes përzgjedhjes seksuale. Në atë kohë, Darvini ishte i njohur me idenë e “mbijetesës së më të fortit”, e propozuar për herë të parë nga sociologu Herbert Spenser në vitin 1851.
Dhe disa shpjegime të Darvinit në librin “Prejardhja e njeriut”, se si disa fise të lashta mbijetuan ndërsa të tjerët u zhdukën, sugjerojnë se përgatitja fizike ishte të paktën njëra, megjithëse sigurisht jo e vetmi shpjegim.
“Zhdukja erdhi kryesisht nga konkurrenca e një fisi me fisin tjetër... Kur nga dy fise fqinjë, njëri bëhet më pak i madh dhe më pak i fuqishëm se tjetri, rivaliteti zgjidhet shpejt nga lufta, masakra, kanibalizmi, skllavëria dhe asimilimi”- shkruan Darvin.
Një rënie në numrin e anëtareve dhe një rënie e lindshmërisë, i dëmtonte perspektivat biologjike për mbijetesë. Por sipas biologut të njohur, zhdukja përfundimtare e një fisi vendosej “menjëherë pas sulmeve të fiseve pushtuese”.
Darvini nuk tha asgjë më tej për të mbështetur sugjerimin, se lufta kishte luajtur një rol të rëndësishëm në evolucionin e njeriut. Por ideja se mbijetonte më i përshtatshmi, ndërsa më pak
i përshtatshmi zhdukej, u zgjerua dhe u shtrembërua shumë përtej argumentit fillestar të tij
nga disa breza “darvinistësh”, të cilët argumentuan se lufta kishte një dobi evolucionare.
Midis autorëve evropianë dhe amerikanë, mbijetesa e më të fortit mbështeste argumentin se lufta dhe imperializmi në epokën moderne, pasqyronin epërsinë racore perëndimore në kontrast me egërsinë e popujve që u pushtuan nga perëndimorët.
Siç do të argumentonte Arthur Keit, lufta ishte një fenomen i natyrës, i krijuar për të
siguruar që më të mirët nga pikëpamja biologjike të mbijetonin dhe të zgjeronin numrin e tyre. Koncepti i konkurrencës si një fakt evolucionar, u trajtua me një entuziazmin më të madh në Gjermani, ku biologu Alfred Ploec përdori termin Vitalrasse (racë jetike), për të emërtuar atë
që trashëgoi një aftësi kolektive në forcë, inteligjencë dhe shëndet fizik.
Ata që përshtateshin me keq, ishin të destinuar nga natyra që të zhdukeshin. Dhe lufta ishte
një nga instrumentet për të siguruar mbijetesën e racave të domosdoshme. Gjenerali gjerman Friedrih Fon Bernhard, e përmblodhi argumentin në librin e tij më të shitur “Gjermania dhe lufta e ardhshme”, botuar në anglisht dy vjet përpara krizës që i parapriu fillimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914.
Atje ai pretendon se “lufta është një domosdoshmëri biologjike me rëndësi parësore, një element rregullues në jetën e njerëzimit”. Në “ekonominë universale të natyrës”, dominonte
me të drejtë më i forti, ndërsa zhdukej më i dobëti.
Ideja e Vitalrasse, ndikoi fuqishëm në zhvillimin e politikës racore në vitet e fundit të Rajhut të Tretë, ku ata që supozohej se ishin gjenetikisht “të sëmurë”, sterilizoheshin ose shfaroseshin
për të shmangur degradimin e racës dhe dobësimin e saj që Hitleri e quajti “bota e luftës së përjetshme”.
Lufta e Parë Botërore, ndihmoi në konsolidimin e idesë se ”lufta për mbijetesë”, dhe ishte ende një realitet njerëzor. Ideja se njerëzimi kishte një instinkt luftarak të rrënjosur në rrugën e tij evolucionare, u pajtua lehtësisht me realitetin e konfliktit modern.
Kirurgu Henri Kempëll, shkroi në vitin 1918, pra në fund të Luftës së Parë Botërore librin “Aspektet biologjike të luftës”, ku e cilësoi njeriun si “vrasësi kryesor”, i cili instinktivisht përdor dhunën.
Artur Keit e përdori studimin mbi mbetjet fosile njerëzore të para vitit 1914 për të mbështetur tezën e tij, se njerëzit kishin evoluar “përmes një serie zigzagesh”, në të cilat speciet më të përparuara shfarosnin ato më pak të përparuara, për ta çuar përpara njerëzimin gjatë rrugës evolucionare drejt konfliktit të tanishëm.
Konkurrenca dhe armiqësia ishin komplekse njerëzore, të cilat funksionuan me kalimin e kohës, që nga njeriu i lashtë deri në ditët moderne. Në parathënien e librit “Mbi Darvinizmin’ nga Alfred Mashin, botuar në vitin 1937, Keit e vlerëson autorin për kuptimin e arsyes pse “përzgjedhja natyrore” është po aq e fuqishme në botën e sotme, sa në kohën kur njeriu ishte një banor i keq i xhunglës.
Lufta moderne, argumentoi Keit në fundin e Luftës së Dytë Botërore “është thjesht lufta e egër e ditëve të lashta fisnore, por e pajisur me mjetet e reja të shkencës dhe qytetërimit”. Për Keit, lufta ishte instrumenti logjik i përzgjedhjes: “Skema e natyrës”, ishte të prodhonte një formë
më të lartë të njerëzimit nëpërmjet një dhune të nevojshme.
Pavarësisht armiqësisë së fortë shkencore ndaj idesë se lufta ishte e lindur dhe se luftimi si proces kishte një qëllim evolucionar, vizioni i njeriut si eksponenti suprem i dhunës - gjuetia, luftimet dhe vrasja - ishte ende i pranishëm në vitet 1950 - 1960.
Teza e “majmunit vrasës”, u popullarizua nga shkrimtari dhe evolucionisti amator Robert Ardrej. Ndërkohë arkeologu Rejmond Dart, besonte se fosilet e lashta të Australopitekut që ai kishte gjetur, tregonin prova të qarta të dhunës së qëllimshme. Kjo pikëpamje refuzohet sot, sepse analizat e mëvonshëm mjekoligjore, konfirmuan se dëmtimi në trup ishte shkaktuar pas vdekjes dhe nuk ishte shkaku i saj.
Kundërshtimi i idesë, se lufta ishte e ndërtuar biologjikisht brenda qenies njerëzore, i parapriu Deklaratës së Seviljes. Në fakt, vetë shkrimet e Darvinit nuk përqendroheshin tek konflikti stërgjyshëror, por tek shoqëria dhe bashkëpunimi njerëzor si elementë kyç të evolucionit njerëzor.
Ai hodhi poshtë idenë se qeniet njerëzore, kishin një instinkt për t’u sjellë në mënyrë të egër, dhe shpresonte që njerëzit modernë ta kishin lënë pas luftën. Pra nga leximi i Darvinit, është më e lehtë të nxjerrësh një “biologji të paqes”, sesa një përzgjedhje biologjike për luftë.
Zhvillimi i shkencës gjenetike pas vitit 1900, nxori në pah vështirësinë për të sugjeruar një prirje të trashëguar për konflikt. Ndërsa argumenti, se lufta ishte e dobishme si një mënyrë për të siguruar mbijetesën e më të fortit biologjikisht, u ironizua pas Luftës së Parë Botërore për shkak të efekteve dukshëm të disfavorshme në aspektin gjenetik të një konflikti që vrau miliona të rinj të aftë, duke lënë të kthehen në shtëpi më pak të aftët.
Biologjia evolucionare akademike e pas luftës, u përqendrua më shumë në botën natyrore
jo-njerëzore dhe në parashikimin e variacionit të specieve. Lufta si një mjet përzgjedhjeje evolucionare për popullatat njerëzore, mbeti një çështje besimi dhe jo një siguri shkencore.
Darvinizmi i ashpër i shprehur nga Keit dhe të tjerët, sipas të cilit lufta u shkaktua nga konkurrenca evolucionare dhe ishte një fenomen natyror, biologjik, u refuzua gjerësisht pas Luftës së Dytë Botërore, krahas mënjanimit të shpjegimeve të tjera biologjike mbi natyrën njerëzore.
Deklarata e UNESCO-s i vitit 1951 “Mbi Natyrën e Dallimeve Racore”, e hodhi poshtë idenë se ekzistonte ndonjë ndryshim i lindur midis grupeve njerëzore për t’u shpjeguar biologjikisht, dhe i dha në shumë hapësirë ambientalizmit dhe antropologjisë kulturore, si mënyrat e vetme legjitime për të kuptuar zhvillimin e njerëzimit.
Megjithatë, mbeti një element i atij argumenti: si të kuptohet agresioni kolektiv. Hulumtimet mbi këtë pyetje u kthyen pas në kohë para shfaqjes së luftës si dukuri. Për të treguar se si duhet të jetë sjellë njeriu i hershëm, Keit ishte një nga ata që besonte se kuptimit i agresionit kolektiv midis primatëve më të lartë (majmunëve), do të çonte drejt kuptimit të ekzistencës së agresionit tek njerëzit.
Ai mori prova të hollësishme për shimpanzetë dhe gorillat nga zoologu Nevil Sharp, i cili
kishte kryer vëzhgimin shkencor të majmunëve me nivelin më të lartë të zhvillimit në Afrikën Perëndimore. Sharp pohoi se shimpanzetë ishin të afta për sjellje të dhunshme, madje edhe sadiste, ndërsa gorillat ishin tepër agresive në mbrojtjen e territorit nga ndërhyrjet e njerëzve.
Kërkimet mbi majmunët ulëritës dhe gibonët, e bindën Keit se territorialiteti dhe dhuna e primatëve ishte “faza fillestare e luftës së vërtetë”. Përfundime të ngjashme u nxorën nga studimi i fillimit të viteve 1930 mbi babuinët hamadrias në kopshtin zoologjik të Londrës nga anatomisti i ri Solomon Zakerman.
Gjatë vëzhgimeve të tij, 8 meshkuj dhe 30 femra vdiqën në përleshjet midis babuinëve. Femrat vdiqën si rezultat i konkurrencës midis meshkujve. Dy psikologë britanikë, Xhon Baulllbi dhe Eduard Darbin, e përdorën kërkimin e Zakerman për të argumentuar se analogjia natyraliste midis sjelljes së majmunit dhe njeriut ishte mjaftueshëm e fortë, për të justifikuar përfundimin se lufta njerëzore ishte një produkt “i pjesës më të rrezikshme të trashëgimisë sonë kafshërore”.
Majmunët babuinë luftuan për kontroll territorial, ndërhyrjen e një të huaji dhe për shkak të zhgënjimit, ashtu si ndodh me njerëzit modernë. Rrënja filogjenetike - ose e zakonshme - e dhunës, shpjegoi një model të përbashkët midis primatëve dhe njerëzve.
Ai mund të mobilizohej për të shpjeguar luftën midis kombeve moderne nga ajo që ata e quanin “agresion i transformuar”. Në kohën kur po shkruanin mbi këtë studim, duke studiuar përgjigjet
instiktive të patave të egra, zoologu austriak, Konrad Lorenc kishte filluar të zhvillonte një degë të re të biologjisë kushtuar kuptimit të sjelljes së kafshëve.
Ajo u bë e njohur si etologjia. Megjithëse Lorenc nuk ishte shumë i interesuar të shpjegonte luftën, puna e tij mbi kafshët u degëzua për të eksploruar instinktin e agresionit. Ashtu si Baullbi dhe Darbin, edhe Lorenz nuk mund t’i rezistonte idesë se agresioni njerëzor mund të kishte një rrënjë të përbashkët me dhunën e minjve dhe pëllumbave që ai studioi.
Në studimin e tij popullor “Mbi agresionin”, botuar për herë të parë në vitin 1963, ai argumentoi se lufta dhe aktivitetet e tjera njerëzore “idiote dhe të padëshirueshme”, mund të shpjegoheshin jo vetëm nga arsyeja apo tradita kulturore, por nga “sjellja instinktive e përshtatur filogjenetikisht” nga e kaluara e thellë evolucionare.
Etologjia, ofroi një qasje potencialisht të re biologjike për të kuptuar evolucionin njerëzor. Ndonëse ajo disiplinë, ashtu si biologjia evolucionare, merret kryesisht merret me të kuptuarit e kafshëve sesa të njerëzve.
Megjithëse libri “Mbi agresionin” i Lorenc konsiderohet nganjëherë si deklarata themeluese mbi kuptimin etologjik të dhunës njerëzore, analiza e tij iu kushtua thuajse tërësisht shpjegimit të sjelljes agresive te kafshët dhe mekanizmave që në përgjithësi pengonin përdorimin e saj të pakufizuar kundër anëtarëve të së njëjtës specie, apo vrasjen “brenda të njëjtit lloj”.
Komentet e tij të pakta mbi luftën njerëzore, ishin po aq periferike dhe të pabazuara sa ato të Darvinit. Ai supozoi se për komunitetet e hershme njerëzore “kundër-presionet e hordhive armiqësore fqinje, ishin bërë faktori kryesor përzgjedhës, që përcaktoi edhe hapat e ardhshëm
të evolucionit të njerëzve”.
Njerëzit, shkruante ai, u ngjanin shimpanzeve kur bëhej fjalë për mbrojtjen e grupit të tij, dhe me “një egërsi instiktive”. Një përgjigje e tillë, duhet të ketë pasur një “vlerë të lartë mbijetese”
për çdo fis njerëzish të zhvilluar, dhe që është ende e dukshme në botën moderne.
Por, përtej keqardhjes për mungesën e plotë të arsyeve në zhvillimin e luftës, ai nuk kishte asgjë tjetër për të kontribuar në kuptimin e origjinën e saj. Lorenc ndante pikëpamjen se lufta ishte në thelb disgjenike (një term i përdorur për të përshkruar përzgjedhjen e gjeneve dhe tipareve të dëmshme në një popullatë, për shkak të një rënieje të aftësisë riprodhuese të individëve).
Po ashtu, ai ishte një mbështetës i vendosur i politikave eugjenike të Hitlerit - duke eliminuar elementin “degjenerues” të popullsisë gjermane - në mënyrë që të sigurohej mbijetesa biologjike e racës, një pikëpamje që ai vazhdoi ta mbante edhe pas vitit 1945.
Ndërsa etologët në vitet 1960, merreshin kryesisht me shpjegimin e sjelljes së kafshëve, aludimet se sjellja njerëzore mund të shpjegohej si homologe me atë të kafshëve, veçanërisht të primatëve me nivelin më të lartë të zhvillimit, nxitën kërkimet që në vitet 1930 për një lidhje midis agresionit të kafshëve dhe njerëzve.
Lidhja midis sjelljes së kafshëve në botën natyrore dhe asaj të njerëzve, ishte megjithatë, e vështirë për t’u demonstruar bindshëm. Dy etologë pionierë, Lionel Tajger dhe Robin Foks, argumentuan se gjurmët primordiale vazhdonin në trurin e njeriut, me “kode dhe mesazhe”
që ishin të vështira për t’u deshifruar, por që supozohej se manifestoheshin ende tek njerëzit modernë.
Në rastin më të mirë, ky ishte një përfundim i dobët. Në praktikë, etologët dhe zoologët ia kushtuan pothuajse të gjithë hulumtimin e tyre, kuptimit të marrëdhënies midis sjelljes së kafshëve dhe vendndodhjes ekologjike në të cilën jetonte secila kafshë.
Kuptimi i manifestimeve të shumta dhe të ndryshme të agresionit, ishte vetëm një pjesë e
atij hetimi, i cili përfshinte një gamë të gjerë sjelljesh të tjera që kishin pak të bënin me dhunën. Studimi shkencor sistematik i kafshëve në të egra, jo në kushte laboratorike, u bë i përhapur vetëm në vitet 1950.
Kur flitet fjalë për agresionin, u përfshinë në dhunë kundër llojit të tyre, disa specie të cituara rregullisht në literaturën etologjike. Prandaj ato ishin potencialisht analoge me shoqëritë njerëzore dhe “luftën”. Këtu përfshiheshin edhe grerëzat e fikut, meshkujt e të cilëve luftojnë deri në vdekje për të pasur qasje tek femrat, si dhe milingonën e mjaltit, e cila përfshihet në beteja të ashpra dhe skllavëron të mundurit.
Kolegu i Lorenc dhe pionieri i etologjisë, Niko Tinbergen, preferoi si shembuj peshqit shkopinj, meshkujt e të cilëve luftuan me rivalët për femrat, një përshtatje funksionale e krijuar enkas për të siguruar mbijetesë, njëlloj si ato që ai mendonte se qeniet njerëzore kishin zhvilluar në të kaluarën evolucionare.
Mund të gjendeshin këto, por edhe shumë shembuj të tjerë. Por përtej tregimit se bota natyrore strehonte një gamë më të gjerë dhune midis specieve sesa mendohej më parë, çdo krahasim me botën njerëzore dukej në rastin më të mirë i pasigurt.
Prandaj, për ta bërë më bindës këtë pretendim, disa biologë dhe zoologë përdorën shembullin e kafshëve më sociale, për të demonstruar se si evoluan sjellje të caktuara shoqërore, përfshirë agresionin, altruizmin dhe praktikat e kujdesit në grup.
Studimi i përzgjedhjes në grup mbi trashëgiminë e tipareve të veçanta evolucionare të dobishme, u bë i njohur si sociobiologji. Megjithëse ai ishte i lidhur ngushtë me etologjinë,
pasi shumica e sociobiologëve punonin mbi organizmat jo-njerëzorë.
Teoricieni kryesor, ishte entomologu i Universitetit të Harvardit, Eduard Uillson, një ekspert
në studimin e sjelljes shoqërore të milingonave dhe insekteve të tjera. Por edhe në rastin e tij, tundimi ishte të vëzhgonte sjelljen shoqërore njerëzore përmes të njëjtës lente evolucionare.
Në vitin 1975, Uillson botoi një libër shumë të diskutueshëm me titull “Sociobiologjia: Konsensusi i ri”, kur në të vërtetë ai nuk kishte asgjë tjetër përveç marrëveshjes së përgjithshme mbi disiplinën e re. Sërish, gati i gjithë libri iu kushtua të kuptuarit të evolucionit të sjelljes shoqërore, kryesisht midis insekteve që njihen për natyrën e fortë shoqërore.
Ai kishte në fund vetëm një kapitull mbi njerëzit. Por teza e tij se njerëzit trashëguan edhe tipare që përshtateshin me mbijetesën, përfshirë agresionin, hasi në kundërshtimin e fortë nga sociologët dhe antropologët, të cilët e panë këtë pretendim si një formë të determinizmit biologjik.
Ata argumentuan se veprimi social i njeriut, diktohet nga kultura dhe mjedisi. Tre vjet
më vonë, Uillson botoi një libër me titull “Mbi natyrën njerëzore”, në të cilin e zgjeroi argumentin sociobiologjik mbi një sërë tiparesh njerëzore, përfshirë agresionin.
Ai e zgjodhi në mënyrë provokative këtë të fundit për ta përshkruar si të lindur tek njeriu, edhe pse praktikimi e tij ishte e kushtëzuar nga të mësuarit në shoqëri.
Debati i përhershëm midis “të mësuarit” dhe “prirjeve natyrore”, kishte një thelb politik të fortë. Biologë të tjerë, por edhe shumë studiues jo biologë, e hodhën poshtë atë që ata e shihnin si një argument në favor të determinizmit gjenetik, i cili mund të justifikonte diskriminimin racor dhe politikat eugjenike, si ato që u ndoqën gjatë Rajhut të Tretë në Gjermani.
Për të mobilizuar kundërshtimin ndaj kësaj ideje, u formua një grup sociobiologësh nën kujdesin e lëvizjes së krahut të majtë Shkenca për Popullin. Uillson u bë për pak kohë
një figurë shumë e urryer për opinionin publik progresist në SHBA.
Në një konferencë akademike në vitin 1978, ai u sulmua në skenë nga anëtarët e Komitetit Kundër Racizmit, të cilët i derdhën në kokë një enë me ujë të ftohtë. Megjithatë, ai fitoi çmimin Pulitzer për librin “Mbi natyrën njerëzore”, një dëshmi se me gjithë sulmet, projekti i tij sociologjik nuk u eleminua.
Në fakt, një nga elementët thelbësorë në shkrimet e vetë Darvinit, ishte kuptimi i evolucionit në terma biologjikë socialë. Gjenetika moderne e sjelljes, e ka shfajësuar në një masë të konsiderueshme Uillsonin, duke treguar se disa tipare kanë një shkallë të lartë trashëgimie, përfshirë agresionin.
Argumenti më i rëndësishme nga sociobiologët (të cilët shumë shpejt e quajtën veten ekologë të sjelljes, për të shmangur reagimet e vazhdueshme kundër disiplinës së re), ishte përqendrimi tek sjellja grupore e individëve dhe jo tek agresioni personal.
Sado që ishte e përcaktuar, lufta kryhej nga grupe dhe jo nga individë që vepronin vetëm, si tek insektet ashtu edhe tek njeriu. U argumentua se gjatë një kohe të gjatë evolucionare, lufta ishte një mënyrë përmes së cilës njerëzit përshtateshin me sjelljen që maksimizonte potencialin e mbijetesës.
Sociobiologët, ashtu si etologët e hershëm, e patën të vështirë ta shpjegonin agresionin në grup të njerëzve, përveçse si një element të mbijetuar të një të shkuare evolucionare, që nuk mund të rikthehet më. Por duke nisur vitet 1970, studiuesit nisën të ndjekin një rrugë tjetër.
Ashtu si Keit në vitet 1930, etologët që donin të shpjegonin praninë e agresionit tek njerëzit, filluan të preferonin studimin e primatëve, të cilët ashtu si njeriu i hershëm jetonin në grupe të lirshme dhe mblidhnin ushqime për të garantuar ekzistencën e tyre.
Për çdo lloj krahasimi me njeriun, speciet më të dukshme ishin primatët e sipërm - gorillat, shimpanzetë, orangutanët dhe bonobot, ose “shimpanzetë pigmej” (të identifikuara si një specie e veçantë në fundin e viteve 1920) - të cilët ndanin të njëjtën origjinë gjitare si homininët, dhe rreth 8 për qind të ADN-së së tyre me njerëzit.
Supozimi zoologjik tradicional rreth sjelljes së tyre, sugjeronte se primatët shfaqnin pak agresion dhe jetonin në grupime të lirshme e të keq-përcaktuara. Por vëzhgimet e para afatgjata të shimpanzeve në pyjet e Afrikës Qendrore në vitet 1960-1990, si nga ekipi i Xhejn Gudoll ashtu edhe një grup tjetër kërkuesish britanikë, e hodhën poshtë atë.
Sipas tyre, shimpanzetë jetonin në grupime të përcaktuara shumë qartë, ndonjëherë fleksibël, dhe që shfaqnin dhunë ekstreme në kushte të caktuara. Në fillim, përfundimet e Gudoll u hodhën poshtë nga shkencëtarët, të cilët nuk e pranonin tezën e saj se shimpanzetë ndanin me njerëzit një sërë emocionesh, gjestesh dhe identitetesh gjinore të ngjashme.
Por vitet e vëzhgimit në Parkun Kombëtar Gombe në Tanzani, konfirmuan se shimpanzetë ishin kafshë sociale, që jetonin në grupe familjare të dominuara nga meshkujt më të moshuar. Ato kishin territore të mirë-përcaktuara, të cilat i mbronin kundër ndërhyrësve të huaj.
Me raste, grupe meshkujsh dhe rastësisht ndonjë femër, shkelnin në një territor rival me qëllim dhe zinin në pritë një anëtar të vetëm të grupit fqinj, duke e vrarë përmes goditjes me shkopinj dhe gurë dhe një furie kafshimesh të forta.
Kur u nda grupi që studioi Gudoll, grupi më i dobët u shkatërrua nga grupi më i fortë, derisa u zhduk dhe territori mund të merrej nga fitimtari, derisa fituesit ranë viktimë e një fqinji më të fortë. Një version tipik i përzgjedhjes natyrore.
Gudoll ishte burimi më i rëndësishëm në përpjekjet për të treguar se sjellja e shimpanzeve, mund të jetë analoge me atë të hominidëve të hershëm mbledhës të ushqimit, megjithëse ajo nuk ishte një pioniere në këtë pohim.
Pasi ka pasur vëzhgime të tjera të kryera midis komuniteteve të shimpanzeve në Afrikën Lindore dhe Perëndimore: në Budongo dhe Kibale në Ugandë, Mahale në Tanzani dhe Tai në Bregun e Fildishtë, ku dhuna është shfaqur në një mënyrë sporadike se sa në Gombe.
Në pyllin Kibale në fundin e viteve 1980, zoologu britanik Riçard Ranghem, që kishte punuar në Gombe me Gudoll, nisi vëzhgimin e një grupi shimpanzesh, të cilat pësuan një eliminim të ngjashëm nga një grup fqinj më i fortë, siç u pa edhe në komunitetin e primatëve në Gombe.
Numri i majmunëve të vrarë ishte 5, dhe shumica mezi u pikasën. Numri i përgjithshëm i shimpanzeve të vrara nga anëtarët e specieve të tyre, gjatë dekadave të para të kërkimit në terren nuk ishte më shumë se 10, një argument kt jo shumë i fortë, mbi të cilën mund të ngrihet një teori e dhunës së primatëve.
Gjithsesi, Ranghem është bërë eksponenti kryesor i argumentit, se ekzistojnë elementë të përbashkët midis mënyrës se si sillen shimpanzetë, dhe asaj të mbledhësve dhe gjuetarëve të hershëm njerëz, përfshirë akte të rastësishme të dhunës në grup.
Shimpanzetë jetojnë në grupe, megjithëse popullsia e tyre mund të jetë e ndryshueshme, pasi femrat adoleshente priren të kalojnë në grupe të tjera ose grupet e mëdha ndahen në më të vogla. Ato shfaqin një ndjenjë të fortë shoqërueshmërie, duke e frenuar dhunën brenda grupit.
Po ashtu, ato janë territoriale, ku ndarja nuk është e shënuar me kufij të dukshëm, por kuptohet në të dy anët e kufirit. Kur dy grupe shimpanze meshkujsh, me forcë afërsisht
të barabartë përballen me njëri-tjetrin, ata përfshihen në rituale të zhurmshme, duke bërtitur, bërë gjeste sfide ndaj tjetrit, tundur fort degët e pemëve, kryer sulme të shkurtra dhe më pas tërhiqen por nuk angazhohen në një betejë të plotë.
Agresioni i vërtetë, ndodh kundër ndërhyrësve në një territor apo nga pala sulmuese që shkel në territorin fqinj, por vetëm aty ku grupi ka një avantazh numerik (zakonisht një grup prej 5 ose 6 shimpanzesh kundër njërit nga pala kundërshtare).
Në fund, viktima i nënshtrohet agresionit vdekjeprurës, ndërsa sulmuesit nuk pësojnë asnjë dëmtim ose vetëm lëndime të lehta. Të gjitha këto janë tipare, që mund të gjenden në vëzhgimin antropologjik të disa komuniteteve të sotme të mbledhësve.
Ata banojnë në territore fluide pa kufij fiks, në grupime të vogla farefisnore, popullsia e të cilëve mund të jetë gjithashtu e ndryshueshme, zakonisht përmes shkëmbimit të anëtarëve. Grupet shfaqnin lidhje bashkëpunimi dhe shoqërore midis tyre, të cilat kufizojnë nivelin e dhunës.
Kur dhuna ndodh midis grupeve të ndryshme, mund të ketë luftime rituale me përplasje të zhurmshme, por me më pak dëme reale. Por ashtu si me shimpanzetë, bastisja është forma më e zakonshme e sulmit. Përveç kësaj, çdo i huaj që shkel territorin e një fisi, do të përballet me një rezistencë kolektive.
Bastisjet kryhen nga grupe meshkujsh të fuqishëm fizikisht dhe janë zakonisht asimetrike, kundër një grupi gjuetarësh aty pranë ose një kampi të vogël gjuetarësh-mbledhës, me pak rreziqe për sulmuesit. Në këto raste, dhuna mund të jetë shfarosëse dhe shumë e egër.
Ekzistojnë shembuj që shpesh përmenden si krahasues të mundshëm. Dhuna midis klaneve në Ishujt Andaman ishte e zakonshme. Komunitetet fqinje kryenin bastisje të befasishme ose prita, duke synuar që të vrisnin pa pësuar vetë dëme, dhe më pas tërhiqeshin në territorin e tyre.
Në veriun e largët të Amerikës, fiset e Arktikut u përfshinë deri vonë dhe rregullisht në sulme shfarosëse ndaj fshatrave më të afërt, duke vrarë burra, gra dhe fëmijë, një praktikë që dëshmitë arkeologjike tregojnë se ka zgjatur për disa mijëra vjet.
Studimi i antropologut Napoleon Shanjo mbi fisin Janomami të Amazonës së Sipërme, është përdorur shpesh si një shembull. Kjo sepse fshatrat ku jeton ky komunitet primitiv janë të ndërtuara bazuar rreth grupeve të farefisnisë dhe të prirur për ndarje, kur numri bëhet shumë i madh.
Po ashtu, ata luftojnë rregullisht me fqinjët e tyre, qoftë në përballje rituale duke përdorur sëpata ose shkopinj midis dy luftëtarëve, apo në bastisjet në të cilat një grup i vogël meshkujsh, si shimpanzetë, synojnë të vrasin një ose dy pjesëtarë nga komuniteti armiq apo një grua për ta rrëmbyer, përpara se të nxitojnë të rikthehen në fshatin e tyre.
Edhe pse janë bujq duke kultivuar në ngastra të vogla rrotull banesave, dhe jo mbledhës ushqimesh në pyll, pretendohet se Janomamit shfaqin në pamje të parë sjellje të ngjashme me shimpanzetë, që kryejnë sulme tek grupet fqinje të primatëve.
Sigurisht, kalimi nga vëzhgimi natyror i sjelljes së shimpanzeve, tek sjellja e njerëzve ka kufizime të dukshme. Mbi shimpanzetë dihet pak, si nga e kaluara ashtu edhe sjellja e tyre evoluar. Prandaj duhet të supozohet se ato sillen ashtu për shkak të presioneve përshtatëse, të cilat vetëm mund të hamendësohen.
Po ashtu, dihet edhe pak për shumëllojshmërinë e madhe të mbledhësve dhe gjahtarëve
njerëzorë gjatë 2 milionë viteve të fundit. Megjithatë, është e sigurt që ata ishin të ndryshëm nga mbledhësit e ushqimit dhe gjuetarët e sotëm.
Që agresioni kolektiv të jetë një funksion adaptiv si tek shimpanzetë ashtu edhe te njerëzit, sikurse është shoqëria dhe bashkëpunimi, duhet të ketë një rrënjë filogjenetike për një sjellje të tillë, e cila të rrjedhë nga “paraardhësi i fundit i përbashkët” i shimpanzeve dhe homininëve, që zakonisht daton rreth 6 milionë vjet më parë.
Studimet e fundit mbi rrënjët filogjenetike të dhunës tek gjitarët midis anëtarëve të së njëjtës specie - ose dhunës brenda species - analizuan të dhënat e 1024 llojeve të gjitarëve. Ato zbuluan se dhuna vdekjeprurëse, ishte më e përhapur tek kafshët sociale dhe territoriale dhe midis primatëve më të zhvilluar. Kjo tregon se edhe njerëzit kanë trashëguar një prirje për dhunë nga pozicioni i tyre në pemën filogjenetike.
Niveli i dhunës me pasojë vdekjen, u rrit ndjeshëm me shfaqjen e komuniteteve, fiseve, krerëve dhe shteteve të konsoliduara, duke treguar se si trashëgimia filogjenetike, mund të modifikohej nga ndryshimet në organizimin shoqëror dhe atë politik.
Por sikurse pretendohet, dhuna ishte e zakonshme tek paraardhësit më të hershëm të njeriut, në një nivel që përputhej me sjelljen e kategorisë së gjitarëve, së cilës i përkasin njerëzit. Pra 6 herë më e lartë se ajo e grupeve të tjera të gjitarëve.
Madje është sugjeruar se si shoqëria ashtu edhe dhuna, mund të datojnë që nga paraardhësit e hershëm të primatëve të shimpanzeve dhe njerëzve, veçanërisht Afropitekut, që ka jetuar rreth 18 milionë vjet më parë, duke na ofruar një rrënjë filogjenetike të prejardhjes së jashtëzakonshme.
Por edhe ky argument ka probleme. Pavarësisht vëzhgimeve të regjistruara nga Gudoll dhe të tjerët, shimpanzetë janë rrallë të dhunshme deri në vrasjen e tjetrit. Sjellja agresive nuk duket të përgjithësohet në të gjitha speciet, me disa komunitete që janë më agresive se të tjerët.
Bonobot, e lidhur ngushtë me njerëzit si dhe shimpanzetë, nuk shfaqin pothuajse asnjë dhunë as brenda llojit dhe as ndërmjet komuniteteve. Ndërsa meshkujt, luajnë një rol më të varur ndaj femrave se sa vërehet tek njerëzit.
Ndërsa dhuna e kufizuar midis primatëve, mund të ketë pasur një rrënjë të përbashkët dhe të lashtë, njerëzit që jetuan rreth 2 milionë vjet më parë, evoluan shpejt dhe në mënyra shumë të ndryshme nga primatët e tjerë.
Dallimi qëndronte mbi të gjitha tek zhvillimi i një truri shumë më të madh dhe më kompleks, i cili lejoi zhvillimin e aftësive njohëse unike, duke përfshirë gjuhën, zotërimin e teknologjive të hershme dhe një gamë të gjerë kulturash.
Para-ardhësit e hershëm, kishin një vëllim të trurit prej rreth 400 centimetra kub; homininët e hershëm rreth 600 centimetra kub; ndërsa truri i Homo sapiens ka një kapacitet prej 1370 centimetra kub.
Korteksi cerebral, mund të ketë evoluar për ta zgjeruar aftësinë njerëzore për të zbuluar se si të mbijetojë, duke zgjedhur të përdorë “agresionin grabitqar” kundër grabitqarëve jo-njerëzorë apo në konkurrencë me njerëzit e tjerë.
Ata me tru më të madh, mund të kenë qenë në gjendje të drejtojnë homininët më pak të përshtatur në mjedise të ashpra, ku u reduktuan shumë shanset e tyre të mbijetesës. Nëse këto ndryshime fiziologjike të evoluara, e bënë të mundshme ose jo dhunën në grup, kjo është ende objekt spekulimesh.
Por dhuna nuk ka gjasa të jetë një kopje e saktë e dhunës midis shimpanzeve të tjera. Në fakt, është pikërisht ajo që e dallon evolucionin njerëzor nga ai i të afërmve të primatëve, gjë që e bën të vështirë mbështetjen e tezës së vazhdimësisë midis sjelljes së shimpanzeve dhe njerëzore (dhe për rrjedhojë edhe të modeleve të agresionit).
Edhe pas miliona viteve zhvillim, shimpanzetë mund të përdorin ende vetëm shkopinj dhe gurë për të gjetur ushqim, ose në ndonjë rast për të goditur për vdekje ndonjë shimpanze fqinje. Gjatë të njëjtës periudhë, njerëzit kanë kaluar nga përdorimi i shkopinjve dhe gurëve tek zhvillimi i bombës termonukleare.
Një argument akoma më bindës, për mundësinë që dhuna ndërgrupore njerëzore të ketë pasur pasoja për evolucionin njerëzor, është artikuluar duke u kthyer tek darvinizmi klasik. E pajisur me njohuritë aktuale rreth evolucionit njerëzor dhe gjenetikës që Darvini nuk i kishte në dispozicion kur shkroi veprën e tij, shkenca moderne evolucionare ka zhvilluar idenë se njerëzit janë përshtatur për mbijetesë përballë presioneve të rëndësishme ekologjike ose mjedisore.
Një nga ato përshtatje të mundshme, ishte përzgjedhja për dhunën grupore për mbrojtje apo sulm kundër njerëzve të tjerë. Në vend se ta shohin këtë përshtatje si një “pasaportë” për zhdukjen e specieve, dhuna mund të ketë rritur mundësinë që grupi i suksesshëm të mbrojë të afërmit dhe të zgjerojë grupin e tij të gjeneve.
Koncepti kryesor, ishte forcimi fizik, siç ishte edhe për Darvinin. Kjo qasje, është e ndërlikuar në rastin e njerëzve, sepse shumica e specieve të dallueshme të hominidëve të njohura tani për shkencën janë zhdukur, dhe aftësia e tyre për të mbijetuar ka qenë dukshëm relative.
Studimi i mbijetesës evolucionare njerëzore, fokusohet tek aftësia e Homo sapiens për
t’u përshtatur në mënyra, të cilat deri më tani e kanë shmangur zhdukjen e tij. Nëse paraardhësit hominidë u përshtatën gjatë kohës së ekzistencës së tyre ndaj presioneve
të klimës, konkurrenca për burime dhe fluksi ekologjik vetëm mund të hamendësohet. Madje edhe për paraardhësit që kanë jetuar mbi qindra mijëra vjet. Nëse dhuna ndërgrupore do të ishte një mënyrë për t’u përshtatur me këto presione, ajo mund të konsiderohej lehtësisht e papërshtatshme për popullatat e vogla dhe të cenueshme të gjuetarëve-mbledhës, ku humbjet e dhunshme të popullsisë, mund t’i shtyjnë grupet deri në pikën e krizës biologjike.
Një aspekt enigmatik mbi njerëzit, ka qenë shfaqja e vrasjes së përhapur dhe të qëllimshme të anëtarëve të specieve të tyre. Kjo e sfidon teorinë evolucionare, pasi supozon se optimizimi i suksesit riprodhues vepron në të gjitha speciet, përfshirë njerëzit.
Në rast se ekziston një marrëdhënie midis dhunës ndërgrupore njerëzore dhe mbijetesës evolucionare, atëherë duhet të tregohet se përshtatja ndaj konfliktit, mund të kontribuojë vërtet në suksesin e qëndrueshëm riprodhues. Një mënyrë për ta zgjidhur enigmën, është koncepti i “përshtatshmërisë gjithëpërfshirëse”.
Kjo ide u zhvillua për herë të parë nga biologu i ri britanik Uilliam Hemilton, në 2 studime mbi evolucionin gjenetik të sjelljes shoqërore të botuara në vitin 1964. Hemilton pretendonte më shumë se sa Uillson të ishte krijuesi i sociobiologjisë, dhe përfundimet e tij janë përdorur gjerësisht në debatin aktual rreth evolucionit njerëzor.
Edhe pse shembujt e Hamiltonit ishin mbi milingonat, bletët dhe vemjet dhe jo njerëzit modernë. Në formën e tij më të thjeshtë, aftësia gjithëpërfshirëse nënkupton se të gjithë
të afërmit e lidhur gjenetikisht, sado të largët të jenë midis tyre, kontribuojnë në riprodhimin gjenetik të grupit të farefisnisë.
Hamilton e theksoi rolin e përzgjedhjes individuale, në vend të përzgjedhjes në grup, në maksimizimin e aftësisë gjenetike për veten dhe të afërmit e ngushtë, ndonëse organizmat individualë mund të bashkëpunojnë në një grup.
E zbatuar në evolucionin njerëzor, aftësia gjithëpërfshirëse mund të shpjegojë si përpjekjet individuale për të siguruar mbijetesën dhe suksesin riprodhues, ashtu edhe reciprocitetin e nevojshëm për t'i arritur ato.
Për komunitetet e lashta njerëzore, individët brenda grupit të farefisnisë, bashkëpunonin mbi
një bazë reciproke për të maksimizuar suksesin riprodhues brenda një mjedisi të caktuar. Bashkëpunimi shoqëror për të ndihmuar në adresimin e kërcënimeve ndaj grupit të farefisnisë, i rriti përfitimet për individët e përfshirë dhe e rrënjosi aftësinë gjithëpërfshirëse si një model evolucionar për mbijetesë.
Individët e pranuan socialitetin, pasi ai shtoi përfitimet në aftësi, përmes qasjes tek burimet e përbashkëta, mbrojtjes nga grabitqarët dhe konkurrentët, veçanërisht për femrat, si dhe aftësisë për t’u kujdesur për të vegjlit në planin afatgjatë.
Tiparet gjenetike që e maksimizuan aftësinë gjithëpërfshirëse, u përcollën në rrjetin më të gjerë të farefisnisë përmes përzgjedhjes natyrore. Jeta në grupe për të rritur shanset e mbijetesës,
ishte pothuajse me siguri një karakteristikë e gjuetarëve-mbledhësve njerëzorë (si dhe shumë kafshëve të tjera) që nga fillimi i prejardhjes njerëzore, kur ata përballeshin me kërcënime fizike dhe presione mjedisore.
Por se përse kjo duhet të çojë domosdoshmërisht në një rritje të konkurrencës dhe konfliktit midis grupeve individuale të farefisnisë, kjo kërkon një shpjegim më të hollësishëm. Ka të ngjarë që një nga pasojat e jetesës në grup, ishte zhvillimi i një dallimi midis rrjetit të farefisnisë dhe atyre jashtë tij.
Ashtu si shimpanzetë, edhe njerëzit e hershëm duhet të kenë reaguar ndaj tjerëve mbi bazën se ata nuk ishin “ne”. Madje disa biologë, kanë sugjeruar që grupet njerëzore e shihnin njëri-tjetrin në të njëjtën mënyrë si speciet e tjera, përmes një procesi të quajtur pseudospeciacion, që legjitimonte konkurrencën dhe konfliktin.
Me shumë mundësi, konkurrenca për burime ushqimore të përqendruara dhe të reduktuara, ka inkurajuar atë që është quajtur “përjashtim konkurrues”, pra kur një grup i afërt me një-tjetrin eliminonte ose zvogëlonte numrin e një grupi fqinj që kërkonte ushqime në zonën e tij.
Aty ku ka ekzistuar konkurrenca për burime ose partnerë, konflikti mund të kishte përfitime fizike, si për individët pjesëmarrës ashtu edhe për grupin në tërësi. Në shoqëritë që thuajse me siguri bazoheshin tek poligjinia (ku meshkujt çiftëzoheshin me më shumë se një femër), konflikti ofronte mundësinë për të siguruar partnerë shtesë dhe për të eliminuar meshkujt rivalë.
Objektivi ishte rritja e aftësisë gjithëpërfshirëse, duke përhapur akoma më gjerësisht gjenet e grupit, ndërsa në të njëjtën kohë zvogëlonte aftësitë gjithëpërfshirëse të grupit rival, një përshtatje që e rriste mundësitë për riprodhim.
Teoria evolucionare, sugjeron se konflikti duhet të ndodhë vetëm kur përfitimet i tejkalojnë qartazi kostot (në vdekje ose plagosje). Një grup më i madh ose më efikas, do të zgjidhte të sulmonte të huajt kur balanca e fuqisë do të ishte në favor të tij, duke e rritur perspektivën e forcimit të pozitës përmes qasjes tek gratë ose burimet materiale.
Një prirje evolucionare për dhunë, nuk e përjashton faktin që mbledhësit e ushqimeve
dhe gjuetarët të angazhoheshin në një bashkëpunim social midis grupeve apo edhe të shkëmbenin partnerët, siç ndodh ende sot midis shoqërive fisnore.
Njerëzit duket se kanë reaguar në një mënyrë më dinamike, kur bëhet fjalë për përshtatjen për mbijetesë, e cila gjatë një kohe të gjatë evolucionare do të ishte e ndryshueshme në përgjigje të natyrës së sfidave me të cilat u përballën.
Dhuna dhe bashkëpunimi nuk janë të kundërta të njëra-tjetrës, por dy elementë të një pakete evolucionare homininësh, të zhvilluar gjatë qindra mijëra viteve për të pasur përfitime mbijetese dhe të riprodhimit.
Megjithatë, duhet të ekzistojë një mënyrë për t’i bindur individët, gati në çdo rast meshkuj, që të marrin pjesë në akte dhune në grup. Sidomos kur mbijetesa e tyre individuale, do të ishte më e mundshme nëse nuk do ta bënin këtë gjë.
Një nga mënyrat, ishte ndëshkimi i atyre që refuzonin marrin pjesë në sulm. Ata që përfitonin falas siguri dhe ushqim, mund të përballeshin me dëbim nga grupi ose më keq akoma. Po ashtu, atyre do t’u mohohej pasja e ndonjë pjese nga çdo lloj burimi ushqimor i vendosur nën kontroll.
Përndryshe, në kushtet e jetesës në grup, ku vetë-mbrojtja ishte në funksion të mbrojtjes në grup, është argumentuar se meshkujt evoluan tiparin e altruizmit, i cili përfshinte nganjëherë edhe ndërmarrjen e veprimeve të rrezikshme individuale, jo vetëm për të ndihmuar të afërmit, por edhe për grupin më të gjerë të farefisit.
Madje edhe për jo të afërmit, apo nëse edhe i përkisnin grupit. Gjithsesi, ishte një ndihmë për pjesëtarët e komunitetit por jo për të huajt. Konflikti është i mundur, kur përfitimet për fortësinë e grupit, i tejkalojnë kostot e individëve të veçantë.
Nëse një grup fiton dhe vendos nën kontroll më shumë burime ose partnere, ata individë që marrin pjesë në konflikt do të përfitojnë shumë, veçanërisht me mbrojtjen e të afërmve më të ngushtë.
Siç e kuptoi Çarls Darvini, komunitetet me një numër më të madh “anëtarësh simpatikë, të guximshëm dhe besnikë”, pra një numër më i lartë altruistësh, kishin më shumë gjasa të kishin sukses nga seleksionimi natyror, në kurriz të atyre që kishin pak prej tyre.
Natyrisht, altruizmi është si një thikë me dy presa. Individët që marrin pjesë në të, mund të fitojnë jo pak, veçanërisht mbrojtjen e suksesshme të grupit të të afërmve. Por nga ana tjetër, rrezikojnë vdekjen, plagosjen ose kapjen rob nga pala kundërshtare.
Studimet moderne etnografike të komuniteteve fisnore, konfirmojnë se dhuna ndërfisnore përfshin shpeshherë sulme me rrezikshmëri të ulët, duke vrarë disa nga grupi i synuar e duke kapur rob gratë e tyre, por duke pësuar vetë pak dëme.
Midis australianëve aborigjenë, konflikti i rregullt vdekjeprurës mbi gratë, ndodhte përmes bastisjeve që zakonisht ndodhnin në agim, pritave ose përleshje gjatë natës, në mënyra që e kufizonin mundësinë e humbjes për sulmuesin.
Dhuna në koalicion nga altruistët, qoftë në mbrojtje apo në sulm, duhet të ishte për një kohë të gjatë një mjet evolucionar për të siguruar mbijetesën dhe suksesin në riprodhim. Ata që merrnin pjesë, gjë që për gjuetarët e hershëm ndoshta nënkuptonte meshkujt më të aftë nga pikëpamja fizike, mund të kenë rritur gjithashtu potencialin e tyre riprodhues, duke siguruar bashkëshorte shtesë nga grupet rivale, ose duke u bërë një perspektivë më tërheqëse çiftëzimi për femrat e grupit të tyre.
Luftëtarët, sidomos ata me suksesin më të madh, mund të kenë shijuar përfitime gjithë-përfshirëse duke lindur më shumë pasardhës, të cilët nga ana e tyre do të bartin gjenet e tyre. Është sugjeruar se evolucioni i luftimit dhe trimërisë, si tipare mashkullore të përshtatura për konfliktin ndërgrupor, mund të ketë pasur efekte që e shtuan riprodhimin e grupit, duke e rritur qasjen e meshkujve tek bashkëshortët dhe siguruar më shumë burime (territor, furnizime ushqimore, e kështu me radhë) për femrat.
Gjatë suleve agresive, shumica e luftëtarëve të rinj, nuk ishin vetëm të mbushur plot me testosteron, por në ankth për të gjetur një bashkëshorte, apo për të provuar aftësinë e tyre luftarake dhe siguruar përfitime individuale shtesë, kryesisht sa i përket forcës fizike.
Më pas, konflikti do të kishte një vlerë përshtatëse për meshkujt, duke konfirmuar avantazhin biologjik të agresionit si një strategji e dobishme riprodhuese. Nga ana tjetër, për femrat do të kishte kosto të konsiderueshme. Sepse ato ishin shpesh shënjestër e dhunës ose kapjes rob, ose do të vuanin nga vrasja e partnerëve ose të afërmve meshkuj, gjë që reduktonte mbrojtjen dhe qasjen e tyre në burime.
Për të përmirësuar gjendjen fizike përballë këtyre presioneve përzgjëdhëse, duket se gratë shpikën një strategji për mbijetesë biologjike nëpërmjet largimit nga ose nënshtrimit ndaj agresionit vdekjeprurës. Ndërkohë, ekzistojnë dëshmi arkeologjike, të cilat sugjerojnë se gratë kanë marrë pjesë në luftime për të mbrojtur veten dhe të afërmit e tyre, ose kanë shpikur taktika për të ngatërruar sulmuesit e tyre.
Në varrezat 700-vjeçare të Norris Farm në Ilinoisin Qendror në SHBA, midis 43 skeleteve që tregonin vdekjen të dhunshme dhe traumatike të viktimave, kishte një numër të barabartë burrash dhe grash. Ndër ata me plagë në kafkë, kishte 9 burra dhe 6 gra.
Mbetjet skeletore femërore në këtë dhe vende të tjera arkeologjike, tregojnë lëndime të pësuara gjatë përballjes me një agresor, gjë që sugjeron sërish, edhe nuk mund ta konfirmojmë me siguri, se kur ishte e nevojshme, në luftime merrnin pjesë edhe gratë.
Në tregimin e fillimit të shekullit XIX mbi një fis aborigjen australian nga një i dënuar i arratisur, Uilliam Baklej, flet për përleshje të rregullta dhe përleshje më të mëdha, në të cilat merrnin pjesë edhe gratë për të mbrojtur grupin e të afërmve, duke rrezikuar edhe vdekjen.
Ai kujton: “Gjatë një beteje, gratë i flakën tej qilimat dhe secila prej tyre, e armatosur me një shkop të shkurtër, vrapoi në ndihmë të burrave dhe vëllezërve të tyre... Burra dhe gra luftuan me furi dhe pa dallim, të mbuluar në gjak. Dy prej grave u vranë”.
Ka të ngjarë që femrat e grupeve të hershme njerëzore të kenë inkurajuar evolucionin e tipareve për luftë, sepse ato supozuan se luftëtarët më efektivë do t’i mbronin më mirë. Një fis i njohur për egërsinë e tij, do të ofronte mbrojtje më të mirë.
Një burrë i suksesshëm në luftime (pra ai që i mbijetonte përleshjes), ishte një garantues më i mirë i mbijetesës për partneret femra. Një eksperiment i kufizuar, i kryer me 60 meshkuj dhe 60 femra pjesëmarrëse nga Liverpuli (60 për qind ishin studentë), testoi hipotezën se gratë kishin më shumë gjasa të zgjidhnin si partnerë meshkujt altruistë dhe të guximshëm, se sa ata që i shmangeshin rreziqeve.
Rezultatet e studimit, treguan se gratë preferonin më shumë altruistët e guximshëm si partnerë afatgjatë, dhe e vlerësuan si tipar trimërinë mbi altruizmin. Meshkujt që i shmangeshin rreziqeve u vlerësuan dobët. Edhe studentët meshkuj, vlerësuan më shumë trimërinë sesa altruizmin dhe shmangien e rrezikut.
Rezultati ishte pa dyshim i parashikueshëm, pasi pak gra do të dilnin vullnetarisht për të
pasur një si partner afatgjatë një frikacak, ndërkohë që pak meshkuj do të dëshironin të identifikoheshin me ata që urrejnë rrezikun, dhe jo me ata që janë të prirur të përballen me
sfida të rrezikshme.
Por nëse zgjedhje të tilla pasqyronin ndjenja të thella stërgjyshore, në vend të përgjigjeve të përcaktuara nga kultura, siç sugjerojnë studiuesit, është e besueshme të argumentohet se femrat në grupin e zgjeruar të të afërmve, preferonin burra që mund t’i mbronin dhe siguronin atyre nevojat.
Teza se suksesi në luftime, i bënte meshkujt më tërheqës si partnerë, ka njëfarë mbështetjeje edhe sot. Thuhej se një drejtues i fisit Janomami kishte 45 fëmijë nga 8 gra, ndaj treçereku i njerëzve në fshatin që ai sundonte ishin pasardhësit e tij.
Një studim tjetër i 61 burrave të moshuar Janomami, që të gjithë ish-luftëtarë, zbuloi se 4 kishin mes tyre 191 nipër e mbesa. Nga ana tjetër, mbreti legjendar afrikan i shekullit XIX, Shaka Zulu, vriste gratë e lëna shtatzëna nga ushtarët e tij, në mënyrë që burrat të përqendroheshin
tek detyrat e tyre si ushtarë.
Nëse evolucioni i konfliktit si një mjet (por aspak i vetmi), i sigurimit të përshtatshmërisë gjithëpërfshirëse, është në përputhje me teorinë aktuale evolucionare dhe besueshmërinë shkencore, kjo mbetet ende spekulative, në mungesë të provave të forta nga e kaluara e gjatë njerëzore.
Kritikët e idesë, se komunitetet e thjeshta hominide duhet të kenë konkurruar, ndonjëherë
edhe në mënyrë të dhunshme, për qasjen tek partneret apo përdorimin e burimeve, preferojnë
ta shohin kohën e gjatë të kërkimit dhe gjuetisë si një periudhë në të cilën konflikti ndodhte kryesisht brenda dhe jo midis grupeve, dhe që zakonisht zgjidhej nëpërmjet qetësimit ose migrimit.
Edhe pse ky është një argument i bazuar kryesisht tek shembujt aktualë etnografikë, tashmë
të pranuar gjerësisht, se njeriu i hershëm ndoqi strategji për mbijetesë dhe qëndrueshmëri gjithëpërfshirëse, të cilat me kalimin e kohës kërkonin përgjigje dinamike, përfshirë përdorimin e dhunës konkurruese për të siguruar suksesin biologjik.
Sikurse e ka treguar etologjia, një rezultat i tillë biologjik, është në përputhje me dëshmitë mbi shumë specie të tjera. Ndërkohë argumenti evolucionar, duhet të ketë parasysh edhe zhvillimin e luftës gjatë 5.000 viteve të fundit, kur ushtarët luftuan përkrah atyre që nuk ishin të afërmit e tyre, dhe e sakrifikuan veten në një numër të pakuptimtë.
Shumica e biologëve evolucionarë, e pranojnë se konflikti në të kaluarën e afërt - pra i kohëve të fundit në raport me miliona vitet e ekzistencës së hominidëve - përfshinte edhe evolucionin
e kulturave që e mbështetën angazhimin fillestar në funksion të përshtatjes për një forcim gjithëpërfshirës të komunitetit.
Në fakt, një tipar i aftësisë për të zhvilluar kulturën, duket se është trashëguar nga thellësia e së kaluarës njerëzore si një mjet tjetër për të siguruar mbijetesën dhe suksesin riprodhues. Suksesi
i njeriut si specie, është i varur nga ato që janë quajtur “përshtatje kulturore të evoluara gjenetikisht”.
Koncepti i bashkë-evolucionit biologjiko-kulturor, është i dobishëm për epokën historike më të fundit, sepse motivet që qëndrojnë në themelin e përpjekjes për përmirësimin e gjendjes fizike dhe mbijetesës në terma biologjikë, përputhen me kulturat që e mbështesin dhe normalizojnë luftën si një instrument i përshtatshëm për mbijetesën.
Elementi i teorisë evolucionare që përmirëson gjendjen fizike, mund të përdoret kur studiohen mbretëri dhe shtete më të zhvilluara, të cilat konkurronin midis tyre për burime dhe pushtet, madje edhe për gratë, të cilat ndoshta u kapën robina për t’u shfrytëzuar seksualisht.
Në fakt, bashkimi në shoqëri fisnore, pastaj në institucione më të mëdha proto-shtetërore, dhe
së fundmi në shtete të zhvilluara, ishte padyshim produkt i një konkurrencë në rritje shpesh e dhunshme, e cila kërkonte një kundërpërgjigje ushtarake më të organizuar dhe më të qëndrueshme.
Kështu, ndryshimet në organizimin shoqëror u përzgjodhën si biologjikisht ashtu edhe kulturalisht për të favorizuar luftën kur ishte e nevojshme, e cila për pjesën më të madhe të historisë njerëzore kishte të bënte me mbijetesën apo zhdukjen e një komuniteti ose sistemi politik të caktuar.
Altruizmi mund të shfaqet pa shumë shtrembërime, edhe në konfliktet moderne ndërshtetërore dhe ndërkombëtare, ku etnocentrizmi bashkon një popull në luftë, ushtarët e të cilit sakrifikojnë veten për mbijetesën e komunitetit, madje edhe me kosto të madhe individuale.
Është e habitshëm fakti, se që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, frika nga zhdukja biologjike përmes kastrimit të meshkujve dhe shfrytëzimi seksual i femrave nga armiku, u bë pjesë e propagandës qeveritare në Gjermani dhe Japoni, duke inkurajuar një mbrojtje të dëshpëruar,
kur në fakt zgjedhja më e arsyeshme ishte dorëzimi.
Të dyja këto vende, shfaqën gjithashtu një ndjenjë të tepruar të pastërtisë dhe përkatësisë racore, e cila pasqyronte në një shkallë më të gjerë paradigmën e “përshtatshmërisë gjithëpërfshirëse” të njerëzve të hershëm.
Në fakt, në rastin gjerman, kishte një pranim të vetëdijshëm të shtysave biologjike të përshtatshmërisë, duke inkurajuar një lindshmëri më të madhe midis grave gjermane, duke marrë fëmijë nga zonat e pushtuara për të përmirësuar racën gjermane, duke i klasifikuar ata sipas kritereve biologjike.
Po ashtu, ishte e qartë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtarët ishin pak të ndikuar nga qëllimet e mëdha ideologjike të udhëheqjes kombëtare. Përkundrazi, ata treguan përkushtim ndaj njësive të vogla të cilave u përkisnin, duke besuar ndër të tjera, se roli dhe sakrifica e tyre ishte të mbronin të afërmit në atdheun e tyre, e ilustruar kjo nga fotot familjare që mbanin kudo ushtarët gjatë luftimeve.
Akte të jashtëzakonshme heroizmi, që përfshinin vetëmohimin, kryheshin zakonisht për të
ndihmuar rrethin më të ngushtë të ushtarëve të tjerë, të cilët formonin një grup të afërm zëvendësues midis burrave që nuk ishin të lidhur me lidhje gjenetike.
Deklarata e Seviljes mbi dhunën, u rishikua në një konferencë që u mbajt në të njëjtin qytet
në vitin 2017, të organizuar nga grupi “Lufta, Mjedisi, Pabarazia Sociale dhe Studimet e Paqes”. Synimi i saj ishte “zbulimi i zgjidhjeve efektive që promovojnë paqen”, duke hedhur poshtë idenë se dhuna transmetohet gjenetikisht nga njëri brez në tjetrin.
Megjithatë, më shumë se 30 vjet që nga publikimi i deklaratës për herë të parë, teoria evolucionare kishte përparuar shumë, edhe për shkak të përpjekjes për të testuar hipotezën se konflikti e ka burimin tek e kaluara e njerëzimit, dhe për arsye që kanë të bëjnë me mbijetesën biologjike të njeriut.
Ideja se lufta është “në gjenet tona”, ashtu si ideja e vjetër e një instinkti luftarak, është modifikuar nga një kuptim më i sofistikuar i transmetimit gjenetik përmes adaptimit evolucionar.
Por tani duket si një përfundim i pashmangshëm, teza se për pjesën më të madhe të ekzistencës së njerëzimit, synimi i përshtatshmërisë gjithëpërfshirëse përfshinte jo vetëm shoqërueshmërinë dhe bashkëpunimin por edhe konfliktin, kur këtë të fundit e bënin të nevojshme rrethanat.
Argumenti i vazhdueshëm, se është mjedisi dhe jo natyra, ajo që e prodhon luftën - pra mjedisi shoqëror dhe kulturor dhe jo biologjia - është një kundërvënie e padobishme. Mbijetesa biologjike në të kaluarën e largët, varej nga suksesi riprodhues.
Nga ana e tij, ky lindi nga adaptimet evolucionare që përfshinin dimorfizmin seksual, altruizmin lokal, përzgjedhjen e të afërmve dhe agresionin mashkullor për të mbrojtur grupin gjithëpërfshirës ose për të rritur mbijetesën e tij.
Jo të gjitha tiparet e adaptuara e garantonin mbijetesën, e cila mund të varet nga efektet e rastësishme, si një ndryshim i madh klimatik apo një pakësim i burimeve ushqimore. Zhdukja
e shumicës së specieve njerëzore, tregon se ka pasur rrugë evolucionare pa krye edhe për homininët.
Edhe Homo sapiens, përjetoi periudha kur nivelet e popullsisë ishin aq të ulëta, saqë pothuajse mund të klasifikoheshin si një specie e rrezikuar. Por ato tipare që evoluan me Homo sapiensm, qenë mjaftueshëm të forta për të siguruar mbijetesën konkurruese, edhe kur kostoja për këtë ishte shtimi i vrasjes së konkurrentëve në një shkallë gjithnjë e më të madhe.
Mosbesimi ndaj shpjegimit biologjik, i parë si tejet determinist dhe spekulativ, mbetet i rrënjosur tek shumë qasje të shkencave sociale ndaj konfliktit dhe evolucionit njerëzor. “Biobabble”, ishte epiteti përçmues i një antropologu që shqyrtoi libra të njohur mbi agresionin njerëzor. “Biologjia njerëzore”, shkroi sociologu Stiv Brus në vitin 1999, “nuk bën asgjë për ta strukturuar shoqërinë njerëzore". Ky pretendim është i vështirë të mbrohet.
Një vit më herët, Eduard Uillson, babai i sociobiologjisë, kishte deklaruar në kundërpërgjigje të kritikave të përhapura, se shkencat sociale duhet të zëvendësohen nga një qasje biologjike ndaj sjelljes njerëzore.
Sado ekstreme që mund të duket qëndrimi i tij, sot duket e kotë që të mohohet rëndësia e biologjisë evolucionare në ofrimin e një versioni të modifikuar të “luftës për mbijetesë” të Darvinit, përmes së cilës tiparet e konfliktit, ashtu si tiparet e shoqërueshmërisë dhe ndërtimit kulturor, kanë luajtur një rol në shpjegimin e rezultateve që ka arritur njerëzimi.
Kapitulli II
Psikologjia
”Sa miliona para janë shpenzuar vallë nga Lidhja e Kombeve, apo me nxitjen e saj për kërkime psikologjike mbi natyrën e impulseve të luftës tek njerëzit? Sa institute të kërkimeve psikologjike po punojnë ditë e natë në vende të ndryshme për të kuptuar gjëegjëzat e konfliktit njerëzor, qoftë individual apo social?…Asnjë vend në botë nuk shpenzon, asnjë qindarkë për
të kuptuar fenomenet psikologjike dhe motivimet e luftës”.
(Dr. Eduard Glover, 1931)
Në vitet 1930, Eduard Glover, një nga udhëheqësit e grupit frojdian në Institutin Britanik të Psikanalizës, ishte midis një rrethi në rritje të psikologësh perëndimorë, të cilët besonin se shkaku i luftës duhej të gjendej në mendjen njerëzore.
Ata shpresonin se identifikimi i instinkteve që shkaktonin luftën, do të bënte të mundur zhvillimi e një psikologjie të re të paqes, edhe nëse kjo gjë do të nënkuptonte, siç sugjeroi
një entuziast, që psikanalizës t’i nënshtrohej një pjesë e madhe të popullsisë së rritur.
Ambicia për t’i përdorur zhvillimet në disiplinën relativisht të re të psikologjisë, për t’i dhënë një përgjigje shteruese enigmës së luftës së vazhdueshme, ishte arsyeja pse Ajnshtajni e ftoi Frojdin që të spekulonte mbi përgjigjen e mundshme.
Nëse këmbëngulja e Frojdit për një “impuls vdekjeje” të pandryshueshëm tek qenia njerëzore, dukej si një përfundim pesimist, që nga ajo kohë ka vazhduar kërkimi për mënyrat më të dobishme për ta lidhur konfliktin dhe agresionin me funksionimin e mendjes njerëzore.
Në shumë aspekte, Frojdi ishte personi i gabuar që mund të pyeste Ajnshtajni. Sepse psikanalistët u fokusuan tek praktika mjekësore dhe rezultatet klinike për individët me gjendje psikotike, dhe jo tek shoqëri apo shtete të tëra.
Në vitet 1920, supozohet gjerësisht se puna e tij kishte të bënte me jetën e brendshme të një grupi të vogël pacientësh, dhe jo me problemet më të gjera të botës së jashtme, përfshirë etiologjinë e luftës. Megjithatë, psikologët i panë tmerret e Luftës së Parë Botërore si pikën
në të cilën ata duhet të kishin diçka për të thënë për origjinën e konfliktit.
Duke shkruar menjëherë pas shpërthimit të luftës në gusht 1914, psikologu amerikan Daniel Filips hodhi poshtë shpjegimet e parëndësishme sipërfaqësore për luftën, duke u munduar të shpjegojë “shkaqet më të thella dhe të vërteta” që gjenden tek instinkti i përhershëm i njeriut për të qenë i dhunshëm.
“E gjithë historia”, shkroi ai, “ofron prova të këtij konflikti që vlon brenda qenies njerëzore”.
Në librin e vitit 1915, “Mendime për kohërat mbi luftën dhe vdekjen”, Frojdi ndante pikëpamjen e Filips se thellë-thellë brenda njerëzve duhet të ketë “impulse parësore për dhunë”.
Ai e zhvilloi këtë ide pas Luftës së Parë Botërore në veprën e tij “Përtej parimit të kënaqësisë”, në të cilën përpunoi për herë të parë pikëpamjen e tij, se e gjithë materia organike po përpiqej të kthehej në gjendjen e saj inorganike, duke e vënë parimin e kënaqësisë kundër asaj që ai e quajti “instinkti i vdekjes”.
Ai mendonte se kjo kundërvënie, shpjegonte edhe arsyen pse njerëzimi mund të donte dhe
të urrente në të njëjtën kohë, duke filluar nga marrëdhënia e fëmijës me prindërit, të cilën ai e quajti si Kompleksi i Edipit: dashuri foshnjore por edhe zhgënjim ndaj nënës, dashuri por edhe armiqësi ndaj babait.
Agresioni që lindte nga ky tension psikik, shtypej zakonisht nga faji. Por mund të aktivizohej
në rrethana të caktuara, siç kishte ndodhur në konfliktin e fundit. Megjithatë Frojdi ishte i kujdesshëm në përdorimin e kësaj qasje në analizën e grupit në vend të një individi, pasi e kuptoi se problemi kryesor në çdo përpjekje për të shkuar përtej nivelit individual, qëndronte tek mungesa e provave klinike.
Në vitin 1939, pak kohë para vdekjes së tij, Frojdi aludoi mbi “trashëgiminë arkaike të qenieve njerëzore...kujtesën dhe gjurmët materiale të përvojës së brezave të mëparshëm”, që mund të përdoret për grupet, madje edhe për kombet, që përballeshin me “instinktin e vdekjes”.
Por ai nuk zhvilloi asnjë teori të përgjithshme psikologjike të shkaqeve të luftës, gjë që shpjegon edhe përgjigjen e tij të vakët ndaj Ajnshtajnit. Çështja më e gjerë e shkaqeve të luftës, iu la pasardhësve psikanalitikë të Frojdit, veçanërisht në Britani, ku në vitet 1930, teoritë e agresionit dominuan mbi çdo interes ndaj “parimit të kënaqësisë”.
Për shkak se lufta konsiderohej gjerësisht si një akt i marrëzisë kolektive, psikologjia dukej një disiplinë krejtësisht e përshtatshme për ta shpjeguar atë, dhe përballja me çështjen e luftës dukej si një përgjegjësi urgjente për një shkencë që ishte relativisht në fillimet e saj.
Në vitet 1930, përballë një krize ndërkombëtare në rritje, psikanalistët u përpoqën të shfrytëzonin teorinë frojdiane për të shpjeguar fenomenet jo vetëm të agresionit njerëzor tek një individ, por edhe të agresionit kolektiv të shprehur tek lufta. Rezultati, siç e tha një kritik i mëvonshëm, dukej “i lirshëm dhe pa dallim”.
Por pasardhësit e Frojdit, panë një mundësi të mirë për të zgjeruar profilin e degës së tyre të psikologjisë në fusha të dominuara nga shkencat sociale dhe politike. Në përgjithësi, ata nuk ishin të bindur nga “ngasja e vdekjes” e artikuluar nga Frojdi, e cila ishte e hapur për shumë keqinterpretime (edhe sepse zakonisht përkthehej në anglisht si “instinkti i vdekjes”, pra që sugjeronte një rrënjë biologjike për të cilën nuk kishte prova).
Siç e theksoi psikologu Oto Fenishel në librin e tij të vitit 1935, Lufta dhe Paqja, “dëshira e vdekjes” nuk synonte fare luftën, por u përpoq t’i jepte kuptim njeriut, të ndarë midis shtytjes së pavetëdijshme për shkatërrim dhe kapacitetit pozitiv për dashuri.
Në vend të kësaj, psikanalistët u përqendruan në kompleksin e hershëm të fëmijërisë së Oh-it, si një interpretimi i hershëm frojdian i kompleksit të frojdit. Mentaliteti për luftë, theksonte Glover, është “ndërtuar që gjatë periudhës së çerdheve”.
Glover ishte padyshim më i rëndësishmi nga psikanalistët, që po përpiqeshin të shpjegonin origjinën e luftës. Ai u ftua në Gjenevë në vitin 1931, për t’iu drejtuar me një fjalim Federatës
së Shoqërive të Lidhjes së Kombeve mbi idetë e tij për luftën dhe kurimin e saj.
Një fokus frojdian në vitet e para të fëmijërisë, pohoi ai, ishte thelbësor për të kuptuar
të rriturit e ardhshëm. Çdo fëmijë në gji, është i aftë për dashuri për nënën, por edhe për agresion kur i mohohet gjiri. Çdo fëmijë e do babanë, por e urren ndërhyrjen e tij midis foshnjës dhe nënës.
Sipas Glover, ky reagim edipian shfaqej në një tension midis dashurisë dhe urrejtjes, dashurisë dhe sadizmit, i mposhtur vetëm tek “të rriturit normalë” nga shtypja e pavetëdijshme e tipareve negative. Agresioni mund të provokohej, nëse faji dhe seksualiteti i ndrydhur do të çliroheshin dhe do të projektoheshin kundër një armiku të mundshëm në luftë.
Por lufta, ishte e mundur vetëm sepse situata psikike, ishte tashmë e përgatitur mirë që në foshnjëri. Kjo pikëpamje mbi origjinën e agresionit tek njeriu, u përforcua nga studimet klinike të psikanalistes austro-hungareze Melani Klain (e rekrutuar në institutin e Glover në vitet 1930) dhe psikologes zhvillimore britanike Suzan Izaks.
Nga vëzhgimi i foshnjave, ato vunë re ashtu, si Glover, se procesi i gjidhënies provokon dashurinë për nënën, ndërsa mohimi i gjirit është burimi kryesor i ankthit dhe agresionit. Tensioni i krijuar nga këto dy impulse, krijon tek çdo foshnjë një ndjenjë të fortë zhgënjimi agresiv, por edhe frikë nga nëna agresore.
Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga kolegët e saj, Klain këmbëngulte se bota e brendshme e foshnjës ishte një rrjetë terrori, destruktiviteti, sadizmi dhe persekutimi. Një botë makthi, ku agresioni ishte një produkt kyç në vitet që do të pasonin.
Analistja e fëmijëve Xhoan Rivier, bashkëpunëtore e Klain dhe mbështetësja e saj, ofroi një imazh të gjallë të dhunës së egër që qëndron në zemër të fantazive agresive të një foshnje: “Gjymtyrët shkelmojnë dhe godasin; buzët, gishtat dhe duart thithin, përdredhin dhe shtrëngojnë; dhëmbët kafshojnë, përtypin, shqyejnë dhe presin; ndërsa goja përpin, gëlltit
dhe vret (asgjëson)”.
Klain dhe pasuesit e saj nuk synoi, ashtu si Frojdi, që të ofronte një analogji për luftën. Edhe pse ajo u ndikua shumë nga lufta dhe vuajtjet e pasluftës, kur filloi që të punonte në fillim të viteve 1920 me fëmijë të traumatizuar emocionalisht nga konflikti.
Por teoria e agresionit foshnjor, u konsiderua nga të tjerët si “prototipi i psikologjisë së luftës”. Argumenti ishte i përshtatshëm për të treguar se impulsi psikik për agresion dhe luftë, ishte një produkt i orëve dhe ditëve të para të jetës së një qenieje njerëzore. Megjithëse ishte një pikëpamje, për të cilën nuk kishte asnjë provë klinike.
Pas vitit 1945 dhe përjetimit të një konflikti të dytë, në shkallë të gjerë dhe katastrofik në pasojat që shkaktoi, psikologët iu drejtuan më një vullnet më të madh idesë se shkaqet e luftës dhe agresionit, kishin rrënjë më të thella psikologjike sesa rivaliteti material, ideologjik ose politik.
Për psikanalistët, modelet frojdiane të zhvilluara në vitet 1930, vazhduan të shërbenin si bazë për të kuptuar luftën. Kompleksi i Edipit, urrejtja e babait nga fëmija, mund të projektohej mbi armikun, ndërsa dashuria për figurën e babait mund të rezervohej për udhëheqësit kombëtarë ose komandantët ushtarakë.
Nga ana tjetër, pushtimi dhe dhunimi i një vendi, përfaqësonte përpjekjen për përdhunim të figurës së nënës, ndaj të cilës një burrë do të reagonte me një zemërim shumë të madh. Këto instinkte shkatërruese, shkroi analistja Eliks Strashej, një nga përkthyeset e Frojdit, “janë shkaku kryesor i luftës”.
Meqë pjesa më e madhe e rivalitetit midis babait dhe të birit, kishte të bënte me seksualitetin e shtypur, psikanaliza artikuloi idenë se në luftë, proces që çliron agresionin e shtypur, djali do që të kastrojë babanë, që tanimë personifikohej nga armiku. Në të njëjtën kohë, frika nga kastrimi mund të gjenerojë dhunë.
Analistja franceze Mari Bonapart, sugjeron në librin saj të vitit 1947 “Mitet e luftës”, se gjermanët e shihnin Korridorin Polak, i cili ndante Prusinë Lindore nga pjesa tjetër e Gjermanisë, si asgjë më pak se sa si një kastrim të kombit.
Ndërsa lajmi në verën e vitit 1939, se polakët po kastronin gjermanët etnikë që jetonin në Poloni, u shfrytëzua nga Adolf Hitleri për të justifikuar luftën e tij të agresionit, dhe ndoshta edhe për të kapërcyer frikën e tij nga kastrimi.
Psikanalisti italian Franko Fornari, autor i librit “Psikanaliza e luftës” në vitin 1966, ende i vetmi botim serioz mbi këtë temë, i bëri më tej jehonë idesë se fëmijët e vegjël përjetuan
sjellje të shumëllojshme gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kur bomba bërthamore u testua me sukses në poligonin Alamogordo në Nju Meksiko në korrik 1945, drejtori i projektit, gjenerali Lezli Grovs, i tha presidentit Truman “Fëmija ka lindur!”, frazë të cilën Fornari e pa si një zgjedhje të rëndësishme.
Sipas Fornarit, edhe më domethënës ishte vendimi i Pol Tibets, pilotit të avionit bombardues B-29 që hodhi bombën në Hiroshima, për ta quajtur avionin “Enola Gay”, sipas emrit nënës
së tij. Madje Fornari shkoi më tej, duke sugjeruar se lufta është në vetvete një mënyrë për të kapërcyer ankthet më të thella të krijuara nga impulset e vdekjes dhe agresionin e lidhur me
të (devijim i jashtëm i instinktit të vdekjes).
Ky projeksion së jashtmi i një trazimi të brendshëm psikik, e kthen luftën në një formë terapie, sepse largon fajin që lidhet me agresionin foshnjor. Projeksioni e vendos fajin mbi armikun, i cili tani mund të vritet si personifikimi i së keqes që fshihet brenda të gjithë njerëzve (dhe Fornari flet vetëm për burrat).
Masakrimi i armikut është i barabartë me shkatërrimin e “gjërave të këqija”, të lidhura me nxitjen e vdekjes, qoftë në luftën “primitive”, ku Fornari mendonte se projeksioni është i dukshëm nga studimet e fundit etnografike, apo në luftën moderne, ku motivet e pavetëdijshme janë të errësuara, megjithatë mbeten ende të vërteta.
E ashtuquajtura luftë paranojake e Fornarit, nuk është rezultat i ndonjë agresiviteti të lindur tek burrat, por një formë e “çmendurisë së lindur, përmes së cilës njeriu vendos marrëdhënien e tij më të hershme me mjedisin e tij, pra me nënën e tij”, siç bëri Tibets me bombën bërthamore “Enola Gay”.
Vetëm lufta bërthamore, theksoi Fornari, e ndryshon panoramën psikanalitike, pasi do të shkatërronte jo vetëm armikun e urryer të fantazisë edipiane, por edhe objektin e dashurisë, atdheun amë dhe nënën.
Elementi i fortë i frikës seksuale të shtypur dhe i agresionit të manifestuar në luftë, u bë një refren në diskutimin e natyrës së luftës që nga vitet 1930 e tutje. Lufta, ishte shprehje e streseve të pavetëdijshme të nxjerra papritmas në sipërfaqe, dhe ajo prodhoi akte simbolike të lidhura me frikën e pavetëdijshme.
Psikiatri amerikan Moris Uolsh, deklaroi në një konferencë të madhe mbi shkaqet e luftës
të mbajtur në vitin 1973 në Universitetin e Notrë Dam në Indiana, se kjo shpjegonte edhe zakonin në Egjiptin e lashtë të prerjes së lafshës së organit gjenital të armikut të mundur, në vend të prerjes dhe marrjes së kokave të tyre si trofe.
Ai mund të kishte shtuar edhe praktikën midis disa fiseve ndërluftuese të Arktikut, të prerjes së vulvës së grave të masakruara dhe varjes së tyre për t'i parë meshkujt e grupit armik, për të cilën psikologjia frojdiane me siguri do ta kishte një shpjegim.
Kompleksi i Edipit, theksonte Uolsh, ishte mjaftueshëm e fortë për t’i nxitur burrat e moshuar
të dërgonin djemtë e tyre në luftë për t’u vrarë (i njohur edhe si Kompleksi Kronus, nga emri i perëndisë greke që hante fëmijët e tij), dhe të rinjtë e vrisnin armikun si një imazh të urryer të babait shumë ndërhyrës në fëmijërinë e tyre.
Në pamundësi për të vrarë ose për të poshtëruar mashkulloritetin e babait, armiku vritet si një formë kompensimi. Këto komplekse psikologjike mund të shpjegojnë gjithçka, nga bastisjet dhe gjuetia e kokave gjatë “luftës primitive” deri tek lufta e organizuar në kohët moderne.
Konferenca e Indianas, mund të shihet si një pikë kthese në përdorimin e psikanalizës në lidhje me shkaqet e luftës. Midis pjesëmarrësve në të, kishte një ngurrim të përgjithshëm për të pranuar se psikologjia mund të arrinte vërtet atë që pretendonte, kur bëhej fjalë për të kaluar nga sfera personale tek ajo sociale ose institucionale.
Biologu Irenaus Eibl-Eibesfeld e konsideronte Kompleksin e Edipit si një trillim, një pikëpamje e përhapur gjerësisht edhe midis psikologëve të tjerë. Madje ai dukej edhe më i rremë kur zbatohej për luftën. Një nga pjesëmarrësit në konferencë, profesori i psikiatrisë Robert Kankro, rrëfeu pikëpamjen e tij personale mbi kontributin e psikopatologjisë në kuptimin e shkaqeve të luftës: “Unë mendoj se ai është paksa i zmadhuar”.
Duke e përmbledhur kontributin e psikanalizës në kuptimin e luftës 20 vjet pas asaj konference, psikoterapistja Diana Birket zbuloi se disiplina ishte rikthyer në rrënjët e saj, duke u përpjekur të trajtonte jetën e brendshme të pacientëve, në vend të jetës së tyre sociale, një drejtim që psikanaliza amerikane e kishte marrë shumë kohë më parë.
Gjatë 25 viteve të fundit, nuk ka pasur asnjë artikull të vetëm mbi luftën ose agresionin kolektiv në Revistën Ndërkombëtare të Psikoanalizës, botimi kryesor i kësaj dege të psikologjisë. Përgjigja e Frojdit ndaj Ajnshtajnit, ndihmoi shumë pak për të çuar më tej një shpjegim psikologjik për luftën.
Ngasja e vdekjes, konsiderohet si pak më shumë se sa një metaforë me vlerë të dyshimtë. Nuk ka asnjë mënyrë për të vërtetuar se abstraksionet e Kompleksit të Edipit, ishin përgjegjëse për luftën dhe agresionin, apo se teoritë klainiane të fantazisë së dhunshme tek fëmijët, e vërtetonin origjinën e “psikologjisë së luftës”.
Edhe pse Frojdi dhe pasuesit e tij, e kuptuan se një stimul i jashtëm ishte i nevojshëm për të nxitur veten e brendshme të shtypur, ideja e shtypjes që në fëmijëri, nëse do të ishte e vlefshme, supozohej të ishte universale, si në kohë ashtu edhe në vende, dhe si për burrat ashtu edhe për gratë, gjë që ishte përsëri përtej provës dhe besueshmërisë.
Agresioni i njeriut që në fëmijëri, siç do ta mësojë çdo prind, është një dukuri shumë e vërtetë. Por nëse kjo përkthehet në një gatishmëri të mëvonshme për të shkuar në luftë, mbetet ende një spekulim dhe jo fakt.
Nëse psikanaliza ishte deri dje si një shpjeguese përfundimtare, studimi i tipareve psikologjike të nevojshme në lidhje me luftën, ka mbetur një fushë kryesore e debatit mbi atë që mund të kontribuojë bindshëm kjo disiplinë.
Rezultati është një debat i lidhur shumë ngushtë me pyetjen që buron nga biologjia nëse agresioni, dhe si rrjedhim lufta, është produkt i presioneve evolucionare. Nuk ka asnjë diskutim, që agresiviteti është një karakteristikë e disa qenieve njerëzore (kryesisht meshkuj).
Megjithatë argumenti psikologjik ndryshon nga ai biologjik, pasi agresioni shihet si një reagim psikologjik ndaj situatave që nxisin zhgënjimin ose frikën dhe për rrjedhim, një psikologji e mësuar në vend të shtysave biologjike të eksploruara në Kapitullin I.
Procesi i të mësuarit gjatë shumë brezave, u jep formë përshtatjeve psikologjike të nevojshme për mbijetesën evolucionare, njëra prej të cilave mund të jetë një predispozitë për luftë. Pra një
provë tjetër e një lloj “dimorfizmi mendor”, nëpërmjet të cilit meshkujt janë psikologjikisht
të prirur për të luftuar, ndërsa femrat janë të shqetësuara për riprodhimin.
Asnjëra nga këto pretendime, nuk ka prodhuar ndonjë konsensus mbi marrëdhënien midis psikologjisë njerëzore dhe historisë së gjatë të luftës. Që nga vitet 1980, psikologjia evolucionare ka qenë një trampolinë e rëndësishme për të kuptuar zhvillimin afatgjatë të mendjes njerëzore.
Si një disiplinë shkencore, ajo është ende në zhvillim e sipër, me shumë hapësirë për debate, por evolucioni i luftës është një nga temat që ka trajtuar. Psikologët evolucionarë, nuk kanë në dispozicion mjete të përgjithshme të zhvilluara nga mendja, por më tepër një seri mekanizmash modularë për t’u marrë me secilin problem specifik të përshtatjes evolucionare.
Ndërveprimi midis disa prej këtyre moduleve, mund të ketë prodhuar aftësinë për të zhvilluar
dhunë luftarake në sjelljen njerëzore të paraardhësve tanë. Kjo dhunë mund të jetë vetëm produkt i një grupi apo koalicioni, që duhet të mbrojë veten në peizazhin prehistorik nga grabitqarët dhe njerëzit e tjerë.
Ndër argumentet kryesore nga një perspektivë evolucionare, ai që ka gjeneruar më shumë debat, është e ashtuquajtura hipotezë e luftëtarit mashkull, e cila sugjeron një përshtatje psikologjike ndaj konfliktit midis meshkujve në grup.
Ky argument, lidhet ngushtë me kërkimin biologjik tek burrat të një përshtatshmërie gjithëpërfshirëse. Këtu çështja kryesore, është të përcaktohen mekanizmat psikologjikë, që i lejojnë burrave të formojnë koalicione për të ushtruar dhunë kundër një grupi tjetër.
Këta mekanizma, janë të dallueshëm nga psikologjia e agresionit individual ose personal, sepse sipas përkufizimit, është aftësia për të bashkëpunuar, ajo që e bën të mundur dhunën kolektive.
Ato veprojnë në një gamë të kontekstesh të dallueshme, si kulturore ashtu edhe mjedisore.
Gjatë periudhës së një evolucioni të madh, frika e shkaktuar nga nevoja për të mbrojtur grupin ose fisin kundër kërcënimit të një rivali, mund të ketë prodhuar reagime psikologjike të mësuara për luftën në grup mes burrave, përfshirë gatishmërinë altruiste për të rrezikuar jetën
e tij për mbrojtjen e pjesës tjetër të komunitetit.
Sipas kësaj pikëpamjeje evolucionare, mashkulli brenda grupit mëson me kalimin e kohës përfitimet e grupit përballë një kërcënimi, dhe reagon në përputhje me rrethanat kundër një individi jashtë grupit dhe atëherë kur ka përfitime të qarta për kolektivin.
Me kalimin e kohës, grupet në të cilat agresioni rezulton i suksesshëm, kanë më shumë
gjasa ta shohin agresionin e ardhshëm (qoftë për mbrojtje apo sulm) si psikologjikisht të pranueshëm, duke u prirur të vendosin norma për agresion me të cilat mund të identifikohet mashkulli luftëtar.
Kritikët e hipotezës së luftëtarit mashkull, i shohin këto procese si diçka të transmetuar kulturalisht, nëpërmjet asaj që quhet procesi i gjatë dhe imitimi i përzgjedhjes kulturore. Prirja për dhunë në grup, bëhet psikologjikisht normative për disa meshkuj, prandaj përshtatja e mësuar bëhet një përshtatje e evoluar.
Problemi për psikologjinë evolucionare, qëndron tek vështirësia e krijimit të provave të qarta, të cilat mund të tregojnë një predispozitë psikologjike për dhunën e grupit gjatë një kohe të gjatë, në të cilën meshkujt njerëzorë mundet (ose jo) të jenë të përfshirë në konfliktin midis grupeve.
Dy shembuj historikë, mund të na ndihmojnë për të ilustruar shkallën në të cilën elitat e luftëtarëve, u mbështetën tek një psikologji normative për të vërtetuar vlefshmërinë e luftës në grup. Ndonëse këta shembuj nuk kanë të bëjnë me përshtatjen evolucionare, e cila ndodh në periudha kohore shumë më të gjata.
Shembulli i parë është ai qytetit-shtetit grek të Spartës në mijëvjeçarin e parë Para Erës Sonë, ndërsa i dyti me luftëtarët vikingë të Skandinavisë në mijëvjeçarin e parë të Erës Sonë. Spartanët (ose spartiatët siç e quanin veten), zhvilluan një kulturë të famshme militariste, në
të cilën qytetarët e pasur meshkuj, kishin të gjithë përgjegjësinë të mbanin armë dhe të luftonin rregullisht kundër qytet-shteteve të tjera greke, ose si në rastin e njohur të pushtimit nga ushtritë persiane të Kserksit, kundër ndërhyrjeve të huaja.
Mbrojtja spartane në qafën e Termopileve nga vetëm 300 burra kundër ushtrisë së madhe persiane në vitin 480 Para Erës Sonë, ku mbreti Leonidha dhe ushtarët e tij u masakruan deri në njeriun e fundit, ishte një betejë emblematike, në të cilën spartanët e dinin se çdo njeri duhej të ishte i përgatitur për të sakrifikuar veten për komunitetin, dhe e bënë këtë siç e kërkonte betimi qytetar.
Nëse ndonjë spartan thyente radhët ose ikte nga fusha e betejës, ai njihej si “frikacaku”, supozohej të rruante gjysmën e mjekrës së tij, dhe të mbante veshur një mantel të vjetër si një simbol i turpit. Djemtë e vegjël të qytetarëve spartanë, u rritën nën një regjim rigoroz të fillimit dhe përgatitjes për ditën kur ata do të bëheshin ushtarë.
Të fshikulluar rregullisht me kamxhik për çdo shkelje që bënin, të inkurajuar për të shkëlqyer në sporte të ndryshme, dhe të ndarë plotësisht nga familjet e tyre, ata nxiteshin të nxirrnin jashtë emocionet e frikës, turpit dhe krenarisë, dhe të përgatiteshin psikologjikisht për kërkesat e rënda të disiplinës ushtarake.
Madje edhe kur kjo nënkuptonte sakrificën e tyre në betejë. Kultura spartane, i përforcoi këto vlera, por pranimi psikologjik i luftës si një detyrim mashkullor dhe brez pas brezi, duhet të ketë kërkuar më shumë sesa konteksti kulturor për të zënë rrënjë kaq thellë gjatë qindra viteve. Vikingët skandinavë, ashtu si spartanët, krijuan imazhin e një shoqërie të militarizuar, të dominuar nga të ashtuquajturit meshkuj hegjemonikë. Ishte një elitë luftëtarësh, sakrifica e të cilëve në betejë për komunitetin më të gjerë, konsiderohej si një vdekje e lavdishme.
Ashtu si në Spartë, frika e izolonte një burrë nga shoqëria, gjë që në kulturën vikinge ishte një arsye që një grua edhe të divorcohej prej tij. Djemve u jepeshin armë lodra për t'i inkurajuar ata të përgatiteshin për luftime kur të arrinin moshën e adoleshencën, me thika, harqe dhe shigjeta, shtiza dhe sëpata.
Në Sagën e Egilit, Egili i ri lavdërohet nga nëna e tij për vrasjen e një djali tjetër gjatë një luftimi, sepse kjo tregonte se ai kishte cilësitë e një luftëtari të mirë. Bandat vikinge luftarake, ishin karakteristike brenda grupeve.
Ato kishin një ndjenjë të fortë identiteti, dhe kishin tiparet e nevojshme për luftim, deri në pikën e sakrificës, siç e pësuan ushtritë vikinge në vitin 1014 në Betejën e Klontarfit, në periferi të Dublinit, ku u masakruan nga irlandezët fitimtarë.
Të huaj mund t’i bashkoheshin një trupe luftëtarësh vikingë, siç kanë treguar edhe provat arkeologjike. Por ata e bënë këtë duke u betuar për besnikëri, dhe duke adoptuar simbolet e grupit, me armë të zakonshme, simbole dhe ngjyra të veçanta të mburojës.
Vlerat ushtarake e dominuan shoqërinë vikingë, dhe reputacion heroik i një mashkulli i hapte rrugën për ndikim më të gjerë në komunitet, si dhe për të pasur një partnere të shkëlqyer për martesë. Psikologjia e burrërisë ushtarake, mbrojtja e komunitetit dhe gatishmëria për të sakrifikuar veten në luftë, duket se ishin ngulitur në shoqërinë vikingë, ashtu si në Spartë,
duke reflektuar ndoshta modelet stërgjyshore të teorisë evolucionare.
Kulti i burrërisë, është lehtësisht i dallueshëm në luftën moderne, ku nuk ekziston asnjë nga vështirësitë e hasura në përpjekjen për të rindërtuar prirjen psikologjike të njerëzve në historinë e lashtë. Antropologu Godfrej Maringira, shërbeu për 15 vjet në ushtrinë e Zimbabves, përpara se të merrte një profesion krejtësisht të ndryshëm.
Ai shkroi mbi përvojën e tij si rekrut dhe praktikant, ku instruktorët bënë çmos që ata ta shihnin veten si meshkuj dominues. Atyre iu tha: “Ju keni hyrë në shtëpinë e burrave, dhe duhet të braktisni feminitetin!”. Ata u përshtatën shpejt në një mjedis në të cilin ishin trajnuar për të kuptuar dhe festuar vrasjen dhe për t’i përçmuar civilët si “gra”.
Edhe pasi mbaronte shërbimi i tyre ushtarak, ata e shihnin veten të dallueshëm nga të tjerët në besimin e tyre se ishin luftëtarë meshkuj të guximshëm dhe të fortë, në mendje dhe trup. Një studim psikologjik i 43 burrave amerikanë gati për të hyrë në shërbimin ushtarak, tregoi të njëjtin përbuzje për civilët dhe një dëshirë për të shfrytëzuar kohën e tyre në shërbim për të ndërtuar një mashkulloritet hegjemonik, me tipare që zor se do t’i dallonin ata nga vikingët dhe spartanët: gatishmëria për t’u përfshirë në agresion dhe dhunë; stërvitje e madhe fizike; vetëdisiplinë dhe mbështetje tek vetja; kontrolli i fortë i emocioneve; dhe ndërmarrja e veprimeve të rrezikshme.
Udhëheqja moderne ushtarake, qoftë në Shtetet e Bashkuara, Zimbabve, apo gjetkë është e pozicionuar në një mënyrë unike për të krijuar një identitet mashkullor dhe psikologjinë e luftëtarit. Kundërshtimi më i qartë ndaj çdo analize të elementit psikologjik në luftë, mbetet natyra e pasigurt e provave.
Mendja lë pak gjurmë në të dhënat arkeologjike, që të mund të interpretohen lehtësisht në aspektin psikologjik. Edhe për luftën përgjatë historisë, shpjegimi psikologjik është i vështirë për t’u shkëputur nga ndikimi i kulturave dhe strukturave shoqërore.
Dhe ashtu si me idetë e mashkulloritetit dhe burrërisë, përcaktimi i marrëdhënies dinamike midis psikologjisë dhe kulturës, është një shembull klasik i gjëagjëzës me pulën dhe vezën.
Psikologu evolucionar amerikan Entoni Lopez, ka argumentuar se është më e lehtë ta nisësh analizën nga e tashmja, për të kuptuar se si ka evoluar psikologjia njerëzore për luftën. “Mendja jonë e adaptuar, është si një dritare për të kaluarën tonë stërgjyshore”- shkruan ai.
Megjithatë hapja e kësaj dritareje është një sfidë e madhe. Lopez ishte i interesuar tek hipoteza se ekzistojnë përshtatje psikologjike të ndryshme, por të lidhura midis tyre, për luftën mbrojtëse dhe agresionin sulmues, ku e para ofron përfitime mbijetese për të gjithë komunitetin, dhe e dyta kryesisht për ata që e kryejnë agresionin.
Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, sulmet e shpejta ishin forma tipike e luftës, të kryera nga ato që ai i quan “koalicione të vogla, të paqëndrueshme, vëllazërore”, ndoshta të udhëhequra nga meshkujt më agresivë dhe dominues.
Psikologjia evolucionare, ka ofruar shtysën për të kuptuar një sërë formash lufte, dhe mund të përdoret si për luftën e lashtë ndërfisnore ashtu edhe në luftën moderne. Për ta testuar këtë hipotezë, Lopez kreu në vitin 2007 një eksperiment të psikologjisë sociale, në të cilin 195 studentëve (83 femra dhe 112 meshkuj), iu paraqitën dy skenarë imagjinarë për një fis nomad Pathan në vitin 1050 të Erës Sonë.
Njëri i bazuar tek mbrojtja, dhe tjetri tek sulmi. Në të parin, fisi duhet të vendoste nëse do të luftonte për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm nga provinca kineze Xinjiang. Në të
dytin, fisi duhet të vendoste nëse do të sulmonte një qytet kinez për të siguruar pasuritë e tij.
Pyetjet që iu bënë studentëve, buronin nga eksperimente të tjera aktuale mbi veprimin kolektiv njerëzor. Pra nëse do të merrnin pjesë, çfarë përfitimesh prisnin për veten ose grupin, si do të ndëshkonin ata që nuk angazhoheshin dhe shpërblenin ata që merrnin pjesë në luftime.
Në fund, doli se meshkujt ishin më të gatshëm të merrnin pjesë në luftë sesa femrat. Të parët prisnin më shumë përfitime se sa femrat nga lufta sulmuese, por jo nga ajo mbrojtëse. Ndërkaq, kishte pak ndryshim midis gjinive në lidhje me përfitimin e perceptuar për luftën mbrojtëse (sepse nga mbijetesa do të përfitonin të gjithë).
Pritej që pjesëtarë parazitë të komunitetit të ndëshkoheshin, ndërsa jepeshin shpërblime për pjesëmarrësit në agresion. Lopez arriti në përfundimin, se provat nuk tregojnë se “njerëzit janë natyrshëm të prirur ndaj luftës”, por se ata kanë evoluar në një psikologji të specializuar që mund t’i përgjigjet i kushtëzuar një kontingjenti specifik, siç bënë studentët kur u përballën me opsionet për të bërë luftë në të njëjtën mënyrë si dikur fiset e lashta.
Psikologia amerikane e zhvillimit, Xhojs Benenson, kaloi shumë vite duke vëzhguar sjelljen e djemve dhe vajzave në shkollës fillore, dhe sidomos frikërat që shfaqnin. Ajo zbuloi se djemtë prireshin të shprehnin frikën që kishin ndaj armiqtë, si dhe përgjegjësinë e tyre për t’i mposhtur ata.
Gjuha e tyre ishte e mbushur me metafora të ngjashme: betejë, luftim, sulm, disfatë. Loja e djemve përqendrohej tek lojërat luftarake dhe mposhtja e armiqve. Një studim tregoi se 70 për qind e djemve në shkollën fillore, merrnin pjesë në lojëra që përfshinin sulmin, mbrojtjen, ndjekjen, arratisjen dhe kapjen, ndërsa vajzat nuk merreshin me asnjërën nga këto.
Djemtë shpikin armiq për t’i shkatërruar, dhe siç dihet magjepsen nga armët lodra, të cilat i nxjerrin jashtë çdo objekti të disponueshëm, madje edhe në shkolla e çerdhe ku armët janë të ndaluara. Në një sondazh të organizuar nga Benenson me 200 djem dhe vajza të moshës 4-9 vjeç në qytetin britanik Plajmauth, kur u pyetën se çfarë bënin me lodrat e tyre, djemtë rrëfyen shumë histori rreth sulmit ndaj një armiku.
Ndërkohë vajzat treguan histori që s’kishin të bënin me konfliktet. Djemtë, vërejti Benenson, kanë gjithashtu më shumë gjasa të formojnë grupe që punojnë së bashku kundër grupeve të përcaktuara në terma armiqësorë. Përfundimi i saj, është se për një kohë të gjatë, psikologjia evolucionare krijoi “meshkuj që janë luftëtarë bashkëpunues efektivë”.
Rëndësia e lojës, në krijimin tek fëmijët kryesisht meshkuj të një familjariteti me atë që Uendi Varnej e ka quajtur “luftim”, ka një histori të gjatë. Armët dhe ushtarët-lodër, datojnë që mijëra vjet më parë. Ushtarët e vegjël prej metali, nisën të prodhohen në Evropë që nga shekulli XIII, dhe duke nisur nga shekulli XIX, gjendeshin masivisht në treg.
Në vitet e fundit para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, në Britani prodhoheshin më shumë se 10 milionë ushtarë lodra çdo vit. Reklamat sugjeronin që loja me lodrat e luftës, i përgatiste djemtë për botën reale të luftës që do të vinte. Në Shtetet e Bashkuara, lodrat e lidhura me luftën janë bërë më të shiturat.
Fëmijët e sotëm prezantohen me dehumanizimin e armikut, duke e bërë armikun një figurë mitike që duhet shkatërruar, dhe heroin një model të njohur që duhet admiruar, qoftë ky GI Joe, lodra më e shitur e festave në vitin 1982, apo Desert Storm Barbie e prodhuar në kohën e Luftës së Parë të Gjirit Persik në vitin 1990.
Në mbarë botën, dukuria e promovimit të luftimit tek të rinjtë, përjetëson në njëfarë niveli pranimin psikologjik të luftës si një pjesë e domosdoshme, madje thelbësore e botës bashkëkohore, një mekanizëm i mbështetur deri në moshën madhore nga bota e videolojërave të dhunshme, e cila e ruan magjepsjen me luftën dhe metaforat ushtarake, Battlefield 2042, Mortal Kombattyr, dhe Combattyr.
Edhe industria e filmit në Hollivud, e ka përforcuar militarizmin popullor amerikan, me jehonën e rregullt që i ka bërë mbrojtjes heroike të vlerave amerikane, humbjes së “tjetrit”
të lig, dhe luftërave si një spektakël emocionues.
Militarizmi si një element në kulturën amerikane, është i përhapur dhe i miratuar gjerësisht, duke sugjeruar një psikologji të ngulitur thellë që kultura e reflekton dhe e përforcon. Ka pasur shumë lloje kundërshtimesh ndaj studimeve, të cilat përpiqen të projektojnë psikologjinë aktuale tek një e kaluar stërgjyshore.
Apo të gjejnë role të ndryshme midis psikologjisë mashkullore dhe femërore, që shpjegojnë prirjen mashkullore për luftë. Studimi i sjelljes së fëmijëve, shoqërohet me kritikën se ata jetojnë në mjedise sociale, të cilat përforcojnë stereotipet e meshkujve dhe femrave dhe që i bombardojnë me reklama e konsumizmit.
Edhe pse historikisht i kufizuar, kapaciteti i femrave për të marrë pjesë në konflikte, tregon
se psikologjia e armiqësisë nuk është domosdoshmërisht vetëm një veri e meshkujve. Kundërshtimet ndaj argumenteve biologjike për shfaqjen e formave të hershme të luftës, duket se vlejnë njëlloj edhe për psikologjinë evolucionare, e cila pretendon se që shumicën e kohës në të kaluarën parahistorike, shumica e njerëzve nuk po luftonin dhe ishin të aftë në zhvillimin e mjeteve jo të dhunshme të bashkëpunimit.
Ky argument, nuk përjashton ndonjë formë të përshtatjes psikologjike gjatë rrjedhës së evolucionit, për të shpjeguar dhunën kur ajo ndodh. Por ndërkohë ekziston tundimi, për
ta konsideruar atë si një përgjigje dytësore të mësuar dhe jo si primare.
Variacionet në llojin dhe vendndodhjen e luftës gjatë një periudhe të gjatë historike, sugjerojnë gjithashtu se një predispozitë universale psikologjike për t’u angazhuar në akte dhunë, është e pamundur ose e pavërtetueshme. Në këtë rast, evolucioni kulturor dhe presionet materiale janë shpjegime më të mundshme nëse njerëzit janë të gatshëm apo të pavullnetshëm të rrezikojnë të përballen me kostot e një lufte.
Por këto kundërshtime, nuk arrijnë të shpjegojnë arsyen përse psikologjia evolucionare duhet të funksionojë për disa aspekte të natyrës njerëzore të evoluar, siç është shoqërueshmëria ose empatia, por jo për një aspekt të përbashkët për të gjitha kulturat dhe të gjitha kohërat e regjistruara.
Ngjan e pamundur që kulturat e panumërta, të mëdha dhe të vogla, që kanë lulëzuar në mijëvjeçarët e fundit, të kenë mbërritur në mënyrë të pavarur tek ideja e përdorimit të dhunës
në rrethana të caktuara, apo të kenë zhvilluar në mënyrë të pavarur institucionin e një elite luftëtarësh të përkushtuar psikologjikisht ndaj luftës.
Evolucioni i një psikologjie për luftën, është një përshtatje universale, specifike për speciet, megjithëse manifestohet në mënyra të ndryshme në vende dhe kohë të ndryshme. As psikologjia e luftës, nuk është një dukuri e thjeshtë.
Psikologjia lidhet më gjerësisht me evolucionin, veçanërisht me luftën në mbrojtje të farefisit, komunitetit, fisit ose kombit të luftëtarit, apo në ndërmarrjen e sulmeve për përfitime me kosto të ulët (nëse është e mundur) për agresorin.
Apo nëpërmjet zhvillimit të një rendi shoqëror, në të cilin lufta, e udhëhequr me kalimin e kohës nga elita e luftëtarëve, bëhet një normë hegjemoniste. Në këtë kuptim, psikologjia evolucionare ofron një kornizë për të kuptuar luftën jo vetëm disa mijëvjeçarë më parë, por në epokën moderne, në të cilën këto supozime psikologjike funksionojnë ende, por artikulohen rrallë.
Sulmi i rrufeshëm (Blitzkrieg) i Hitlerit kundër Polonisë, ka më shumë të përbashkëta me një sulm agresiv të papritur nga një fshat fisnor ndaj një tjetri, se sa mund të jetë e dukshme në pamje të parë. Motivet e hakmarrjes për dhunën e pretenduar të polakëve kundër gjermanëve etnikë në Poloni, demonizimi i armikut sllav, dhe lakmia për tokën dhe burimet polake, mund të jenë psikologjia e luftës fisnore e përshkruar gjerësisht.
Më vonë, në atë që u bë Lufta e Dytë Botërore, psikologjia që i nxiti ushtarët gjermanë të luftonin deri në fund në vitin 1945, dhe të ndëshkonin ata që refuzonin, ka raste analoge në të kaluarën historike, ku spikat mbrojtja e qafës së Termopileve nga 300 spartanët me në krye mbretin e tyre Leonidha.
Ajo që nuk mund ta shpjegojë dot psikologjia evolucionare, është shpërthimi i një lufte të caktuar, për të cilën janë të nevojshëm faktorë kushtëzues. Dhe as nuk mund të shpjegojë
në mënyrën e duhur idenë e një “armiku”, pa të cilin nuk do të ndodhnin luftërat.
Përcaktimi dhe dallimi midis armikut nga mikut, është një element kritik për të kuptuar se si kanë lindur luftërat gjatë historisë, dhe përse ato janë kryer aq shpesh në nivele shumë të dhunshme dhe shfarosëse.
Për të kuptuar konceptin “armik”, psikologjia sociale mund të ndihmojë shumë më tepër, jo vetëm për shqetësimin aktual në lidhje me dhunën në grup, por edhe për të kuptuar të kaluarën historike, dhe duke nënkuptuar të kaluarën më të largët të ekzistencës së homininëve.
Në vitin 1932, filozofi i së drejtës gjermane Karl Shmit, propozoi idenë radikale që njerëzimi e ndan botën e tij në “mik ose armik” (Freund oder Feind). Në librin e tij “Koncepti i politikës”, ai argumenton se ky është një tipar i të gjitha strukturave shtetërore, në të cilat komuniteti identifikohej me pushtetin sovran, dhe trajtonte si “armik” çdo grup që nuk mund të përthithej në kolektivin dominues.
Sipas tij, kombet e tjera ishin “armiku” sipas përcaktimit. Megjithëse, shqetësimi i tij kryesor ishte të përcaktonte çfarë ishte një shtet, në kuptimin e kapacitetit të tij për të organizuar
një komunitet të lidhur bashkë nga bindja, dhe për të luftuar kundër të gjithë atyre që nuk i përkisnin (duke qenë anti-semit, Shmit përfshinte midis tyre edhe hebrenjtë), koncepti “mik ose armik” u përqendrua më në përgjithësi tek çështjet e përkatësisë dhe përjashtimit, siç do e ilustronte Rajhu i Tretë një vit më vonë.
Mposhtja e armikut të brendshëm, kërkonte një formë të luftës së brendshme për të mbrojtur shtetin. Ndërkohë mposhtja e një armiku të jashtëm nuk kërkonte asnjë mjet tjetër përveç luftës. “Mik apo armik”, është ndoshta elementi më i qëndrueshëm i filozofisë së Shmit.
Ai qëndron në qendër të shumë kërkimeve psikologjike sociale bashkëkohore, të cilat synojnë të shpjegojnë se si ndërtohet një grup i brendshëm, dhe si përcaktohet një grupim i jashtëm në termat e përjashtimit, madje edhe të armiqësisë.
Përcaktimi si gjithëpërfshirës i një komuniteti, duket se kërkon një përkufizim të “tjetrit”, apo “armikut” sipas leksikut të Shmit. Eksperimentet psikologjike sociale, për të testuar mënyrën se si identiteti mund të ndërtohej përmes konformitetit të grupit, filluan të kryhen më seriozisht në vitet 1950, duke nisur nga puna e polako-amerikanit Solomon Esh.
Ai tregoi se shumica e një grupi eksperimental, ishin të gatshëm të pranonin gjykimin e grupit edhe kur ai dukej i gabuar, pasi ata preferonin të ndanin një ndjenjë përkatësie në grup. Eksperimentet e njohura në vitet 1950, të udhëhequra nga psikologu social turk Myzafer
Sherif, konfirmuan se kur një grup djemsh 12-vjeçarë u ndanë në 2 grupe konkurruese (Eksperimenti i Shpellës së Grabitësve), ata krijuan lidhje të ngushta brenda grupit, gjë që
çoi në konflikt dhe armiqësi kur u bashkuan të dyja grupet.
Eksperimenti i famshëm i Filip Zimbardo në burgun e Stenfordit në vitin 1976, ku studentët
u ndanë në roje dhe të burgosur, u detyrua të pezullohej pas vetëm 6 ditësh në vend se të përfundonte pas 2 javësh siç ishte menduar. Kjo ndodhi sepse “rojet” po bëheshin gjithnjë e
më brutalë ndaj të “burgosurve” të tyre.
Këto eksperimente, janë përdorur me kujdes si prova, pasi ato u kryen në kushte laboratorike, në të cilat eksperimentuesi luajti një rol të rëndësishëm në përcaktimin e pyetjes që do të trajtohej, si dhe roleve që u caktoheshin atyre që merrnin pjesë.
Psikologjia sociale, e ka kaluar pjesën më të madhe të 50 viteve të fundit, duke përpunuar teoritë e hershme që shpjegojnë identitetin brenda grupit dhe denigrimin e të gjithë atyre që janë jashtë grupit, me gjithçka që nënkupton konflikti. Faktori kryesor, është identifikimi i ngushtë midis anëtarëve të një grupi, të cilët krijojnë një dallim nga grupet e tjera përmes vlerave dhe simboleve të përbashkëta, përfshirë gjuhën.
Lidhja brenda grupit është psikologjikisht shpërblyese, dhe grupi e sheh veten si një unitet moral superior ndaj grupeve fqinje, për të cilat nuk ndonjë prirje besimi, simpatie ose admirimi. Grupet e jashtme, mund të denigrohen ose dehumanizohen për të përforcuar ndjenjën e përkatësisë, madje edhe epërsinë brenda grupit.
Eksperimentet e kryera, që synonin të tregonin se brenda grupit një invidid mund ta konsiderojë zakonisht veten si më “njerëzor” sa i përket emocioneve kryesore, zbuluan se grupi i jashtëm eksperimental, u konsiderua në terma negativë në një sërë tiparesh psikologjike njerëzore.
Ndërsa kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në një konflikt, ndërtimi i këtij lloj ndryshimi mund të ushqejë ose justifikojë paragjykimin, urrejtjen, përbuzjen ose frikën nga “tjetri”, dhe në rrethana të caktuara të kërcënimit të perceptuar, mund të çojë në dhunë.
Dehumanizimi i armikut, e bën të duket legjitime një dhunë të tillë, duke e përforcuar ndjenjën e identitetit psikologjik të grupit, dhe duke hequr çdo ndjenjë faji për shkaktimin e dëmit. Nga dehumanizimi tek demonizimi është një rrugë e shkurtër, në të cilin armiku duket i pajisur me fuqi kërcënuese, ndaj të cilave i vetmi ilaç duhet të jetë një kundërpërgjigje e dhunshme.
Në epokën moderne, ekzistojnë shumë shembuj të këtij mekanizmi psikologjik, në të cilën
gjuha luan një rol të rëndësishëm. Në gjenocidin e Ruandës, fisi Hutu i etiketoi si “buburreca” të gjithë pjesëtarët e fisit Tutsi, për të krijuar një dallim absolut midis dy popujve dhe për të justifikuar dhunën shfarosëse.
Në luftën e Adolf Hitlerit kundër hebrenjve, imazhet e përsëritura të hebrenjve si shushunja, parazitë ose bacile, e përkufizuan armikun si më pak se njeri, dhe e lartësuan gjenocidin në një formë të ngjashme me kontrollin e dëmtuesve të bujqësi, apo të ndërhyrjes së nevojshme mjekësore për të amputuar një gjymtyrë e prekur nga gangrena.
Jozef Gëbels, ministri i propagandës dhe iluminizmit popullor të Hitlerit, e krahasoi pleshtin me hebreun: “Meqë pleshti nuk është një krijesë e këndshme…detyra jonë është më tepër ta shfarosim atë. Po kështu duhet të veprojmë edhe me hebreun!”.
Metafora, u shndërrua më në fund në realitet me përdorimin e insekticidit Ziklon B, i përdorur fillimisht për tymosjen e kazermave për të zhdukur morrat, por më vonë u përdor në qendrën e shfarosjes Aushvic-Birkenau për të vrarë hebrenjtë.
Edhe gjatë Luftës në Paqësor, armiku japonez u paraqit nga amerikanët si parazit apo si majmun, mi apo merimangë, një pikëpamje që u përforcua nga lajmet për mizoritë japoneze dhe besimi i gjerë se trupat japoneze ishin “më pak se njerëzore”.
Japonezët, shkroi një ushtar amerikan në një letër drejtuar familjes së tij “jetojnë si minjtë, ulërijnë si derra dhe sillen si majmunët”. Në këmbim, propaganda japoneze i paraqiti ushtarakët aleatë si kafshë grabitqare që duhen vrarë si çdo kafshë e ngjashme, ndërsa
kinezët konsideroheshin thjesht si “derra” që duheshin therur njëlloj si kafshët në thertore.
Në Vietnam, termi amerikan “gook” për të përshkruar armikun vietnamez i ktheu ata, siç do të kujtonte më vonë një veteran, nga njerëz në nën-njerëz, dhe kjo “e bën pak më të lehtë vrasjen e tyre”. Sërish në këtë rast, psikologjia e ka më të lehtë për të përcaktuar dhe përshkruar grupet më të vogla se sa shoqëritë më të mëdha të segmentuara.
Pasi grupet ose fiset e vogla, kanë një ndjenjë më të fortë të identitetit të përbashkët dhe mjete më të lehta për të identifikuar mikun nga armiku. Midis grupeve të tilla, armiku ishte zakonisht një fqinj i afërt, madje ai me të cilin tregtia, shkëmbimi dhe lidhjet farefisnore nuk siguronin asnjë garanci për imunitetin.
Lufta ishte një dukuri endemike midis komuniteteve fisnore në Ishujt Andaman në Oqeanin Indian, e rrënjosur tek mosbesimi ndaj të tjerëve, frika e hakmarrjes dhe përleshjet rituale, edhe pse ata jetonin në afërsi. Fiset Tivi në Australisë Veriore, i vranë të gjithë të huajt për të parandaluar ndërhyrjen e “tjetrit” dhe për të siguruar identitetin e vetë fisit.
Në Pellgun Marrej-Darling të Australisë, emrat për grupet e jashtme - Barapa Barapa, Uemba Uemba, Uadi Uadi - që të gjithë të përkthyer si “jo-jo”, tregonin statusin e tyre si të jashtëm. Edhe në mesin e njerëzve më paqësorë të fisit Semai në Malajan Qendrore, fjala Hii’ përcaktonte të gjithë banorët e një fshati, ndërsa Mai përshkruante të gjithë të huajt që ishin përtej grupit të të besuarve në fshat.
Për Semai-t, pyjet pranë tyre banoheshin nga armiq të vërtetë dhe me fuqi të mbinatyrshme, kundër të cilëve grupi duhej të ishte vazhdimisht vigjilent. Termi grek bar-barbar, origjina e fjalës moderne barbar, tregonte në mënyrë të ngjashme të huajt, gjuha e të cilëve ishte e pakuptueshme për grekët.
Ai është bërë një term gjerësisht i përdorur që nga lashtësia e këtej, për ta diferencuar tjetrin brenda grupit nga tjetri “barbar”. Në epokën moderne, ku zakonisht ka burime të shumëfishta identiteti, ndërtimi i grupit të brendshëm dhe shpifja ndaj grupeve të jashtme, mund të ndodhë aty ku ndjenja kombëtare ose manipulimi politik është zhvilluar mjaftueshëm.
Një projeksion psikologjik i atributeve negative mbi një komb rival, mund të ketë efektin e çimentimit të një grupi tjetër potencialisht të thyer. Zhvillimi i idesë së Volk-ut në Gjermani ndërmjet dy luftërave botërore - ndjenja e një populli të bashkuar etnikisht dhe kulturalisht në një përpjekje të përbashkët - u përdor nga diktatura hitleriane për të ndërtuar një grup të madh të brendshëm dhe për të justifikuar, sipas termave të Karl Shmit, identifikimin dhe shkatërrimin e armiqve të brendshëm të Volk-ut dhe më pas armiqtë.
Fillimisht polakët, më pas banorët e Bashkimit Sovjetik, u cilësuan si popuj barbarë, karakteristikat e të cilëve ishin krejtësisht negative. Ushtritë pushtuese, e ndanë imazhin e “armikut” të ndërtuar nga udhëheqja gjermane.
Gatishmëria për të pranuar dehumanizimin e armikut mbështetej, siç kanë argumentuar
Aleks Haslam dhe Stive Raisher, jo vetëm tek udhëheqësit, por edhe tek atë që janë quajtur “ndjekës”, pa të cilën nuk do të ishte e mundur miratimi i kundërvënies së mikut kundër armikut.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, është një shembull klasik i ndërtimit të një imazhi negativ të armikut, këtë herë si neo-nazistë, për t’u siguruar që “ndjekësit” në Rusi, të identifikohen me imazhin e virtytit rus dhe të vesit të armiqve ukrainas.
Këta shembuj të fundit, nxjerrin në pah formën më të zakonshme të ndryshimit të identitetit në epokën moderne. Dallimi etnik, qoftë ai i matur nga gjuha, feja, raca apo kasta, ka qenë nxitës i shumë konflikteve moderne, pasi grupi etnik brenda komunitetit e mat solidaritetin dhe përfshirjen e tij përmes kundërshtimit ndaj grupit të jashtëm etnik, duke kultivuar angazhimin psikologjik ndaj njërit dhe përjashtimin ksenofobik të tjetrit.
Rezultati mund të jetë një rast ekstrem i miratimit psikologjik të dhunës, i dukshëm në masakrën e armenëve nga turqit gjatë Luftës së Parë Botërore, në të cilën u kryen mizori tejet sadiste, apo në vrasjen e fisi Tutsi nga fqinjët e tyre Hutu në Ruanda në vitin 1994, në një valë të madhe të urrejtjes etnike.
Konflikti etnik është i zakonshëm në luftërat civile, më pak tek luftërat ndërshtetërore. Edhe pse mobilizimi i emocioneve kundër një populli armik, mund të arrihet shumë shpejt pasi të ketë filluar lufta, siç ndodhur në të dy Luftërat Botërore.
Në këto raste, koncepti i “tjetrit”, duhej të ndërtohej në terma krejtësisht negativë, për të justifikuar vrasjen e atyre që më parë nuk konsideroheshin si armiq specifikë etnikë. Është i habitshëm fakti, që shumica e grupeve etnike të përcaktuara, mund të jetojnë krah për krah pa dhunë, edhe nëse midis tyre ka gjurmë armiqësie dhe dyshimi.
Por kur shpërthen lufta etnike, ajo shpesh drejtohet drejt fqinjëve, që nuk përbëjnë më një kërcënim të largët. Mobilizimi i urrejtjes së drejtuar ndaj grupit të jashtëm të përcaktuar, mund të ndodhë jashtëzakonisht shpejt, duke krijuar terrenin psikologjik jo vetëm për dehumanizimin e armikut, por edhe për justifikimin e dhunës ekstreme ndaj fqinjëve, që tashmë shihet si një kërcënim, ndaj ata duhen shfarosur.
Lufta civile në Jugosllavi në vitet 1990, u nxit nga një etno-nacionalizëm ekstrem, që zhduku çdo lloj pengese psikologjike për kryerjen e mizorive kundër njerëzve, të cilët vetëm disa muaj më parë kishin qenë bashkëqytetarë.
Parimi i përfshirjes dhe përjashtimit, ushtron një efekt të fuqishëm psikologjik social.
Pasojat mund të shpjegojnë gatishmërinë për të ushtruar dhunë ekstreme kundër tjetrit të dehumanizuar, pasi të jenë materializuar shkaqet politike ose sociale për konflikt.
Pjesa më e madhe e kërkimeve të fundit mbi psikologjinë sociale të dhunës shfarosëse, është e nxitur nga kryerja e gjenocidit në shekullin XX, nga shfarosja e hebrenjve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore, deri te gjenocidet në Kamboxhia, Bosnje dhe Ruandë.
Në këto raste, sfida është të shpjegohet se si vrasësit mund t’i kenë kryer vrasjet masive, shpesh në mënyra brutale, pa e ditur se ajo që po bënin ishte çnjerëzore dhe e paligjshme.
Gjatë gjithë historisë më të gjatë të luftës, këto janë pyetje që vështirë se ngrihen.
Fituesit kanë vrarë rregullisht komunitete të tëra, madje edhe në madhësinë e një qyteti, përfshirë gra dhe fëmijë. Qofshin ushtarët romakë që i kaluan në tehun e thikës banorët e Antipatreas në Maqedoni, apo masakra e popullsisë urbane të Samarkandës nga ushtritë e Xhingis Khanit, apo vrasja e protestantëve nga katolikët dhe anasjelltas gjatë luftërave fetare
të shekullit XVI, thuajse me siguri në to nuk kishte ndonjë ndjenjë faji.
Përkundrazi, ajo që është quajtur “festim” i dhunës, dukej e justifikuar në mënyrë të padiskutueshme. Në luftën fisnore, angazhimi psikologjik ndaj grupit ishte absolut, duke siguruar jo vetëm ekzistencën e dhunës së drejtuar kundër një fisi ose komuniteti tjetër, por që ajo të ushtrohej me një brutalitet të pamëshirshëm.
Në fakt, në shumë raste, dështimi për t’u angazhuar në një dhunë të mjaftueshme, do të kishte pasoja sociale negative për luftëtarët e përfshirë. Në disa bashkësi fisnore në SHBA, fillimi i luftës nga meshkujt e rinj, kërkonte që ata të ktheheshin me të paktën një kokë luftëtari të grupit armik, për të provuar se kishin kaluar pragun e statusit të luftëtarit të rritur.
Dështimi për ta bërë këtë, mund të ulte statusin shoqëror dhe të sillte tallje nga të tjerët. Viktima, të cilit i merrej koka nuk kishte asnjë rëndësi. Në të gjitha këto raste, si moderne ashtu edhe të lashta, trajtimi i grupit të përcaktuar si armik zbulonte një “mungesë të thellë ndjeshmërie”.
Armiku që do të vritej, nuk meritonte simpati, sepse ai nuk kishte vend në universin moral të vrasësve të tij. Në të vërtetë, bëhet psikologjikisht e nevojshme që dhuna të shihet si produkti i një shoqërie të virtytshme, dhe viktimat jo vetëm si të zhveshura nga virtytet, por në shumë raste si mishërimi i të keqes.
Dhe ky tipar psikologjik, është më i dukshëm në konfliktet ndërfisnore, ku një fis fqinj akuzohet për magji apo strehim shpirtrash të këqij, ndaj duhet të spastrohet me dhunë për të mbrojtur komunitetin e kërcënuar.
Apo kur vdekja e një anëtari të fisit, i atribuohet magjisë së ardhur nga jashtë komunitetit, akt që duhet të ndëshkohet me dhunë, madje edhe me një dhunë shfarosëse nga grupi i brendshëm. Midis australianëve aborigjenë, dyshimi se një grup fqinj përdorte magji për t’u shkaktuar dëme, mund të provokonte një sulm hakmarrëse dhe masakrimin e një komuniteti të tërë.
Tipari i hakmarrjes, luan një rol në shumë mjedise të ndryshme historike, duke e justifikuar dhunën ekstreme, teksa e penalizon grupin e jashtëm për të keqen që kryen. Në shumë raste, rezultati i fitores është një spektakël mizorie - prerja e kokave si trofe, rrjepja për së gjalli e robërve, ritualet e frikshme të sakrificës - që u lejonte fituesve të festonin triumfin e tyre fizik dhe psikologjik.
Skenat e dhunës pas konfliktit mbi robërit apo viktimat që flijohen, zgjojnë tek spektatorët një gjendje emocionale eksituar, që mund të rrjedhë siç është argumentuar, nga një shtresë e thellë psikologjike e mizorisë njerëzore.
Duke reflektuar në vitet 1930 mbi “qytetërimin” e njeriut perëndimor, sociologu Norbert Elias vërejti se luftëtarët kishin gjetur për mijëra vite tek lufta “një gëzim të madh...në shkatërrimin dhe torturimin e çdo elementi armiqësor ose që i përkiste një armiku”.
Investimi emocional tek egërsia, ishte i mundur vetëm sepse autorët ishin të predispozuar psikologjikisht për t’ia shkaktuar atë viktimave të tyre të dehumanizuara, ashtu siç e diktonin shoqëritë dhe vlerat e tyre kulturore. Aty ku ka ndodhur, trajtimi i të vdekurve buronte shpesh nga normat rituale të grupit, të cilat lejonin ose inkurajonin forma të ndryshme gjymtimi për qëllime të ndryshme.
Por si praktikë, ajo nuk është domosdoshmërisht specifike nga pikëpamja kulturore, gjë që sugjeron një rrënjë më të përgjithshme psikologjike tek gatishmëria për ta parë armikun si “tjetri”, jashtë dhe përtej universit të fitimtarit, për t’u trajtuar ashtu siç e meriton armiku.
Ekzistojnë prova të përhapura gjeografikisht, në lidhje me gatishmërinë e luftëtarëve për të përdhosur trupat e atyre që kanë vrarë. Megjithëse ky nuk ishte një reagim universal. Dhe akoma më pak në epokën moderne, ku në disa raste marrëveshjet formale kanë rregulluar respektin për armiqtë e rënë.
Kur ndodhte diçka e tillë, trajtimi i të vdekurve buronte shpesh nga normat rituale të grupit, të cilat lejonin ose inkurajonin forma të ndryshme të gjymtimit për qëllime të ndryshme. Por si praktikë, ajo nuk është domosdoshmërisht një specifikë kulturore, duke sugjeruar një rrënjë psikologjike më të përgjithshme tek dëshira për ta parë armikun si “tjetrin”, jashtë dhe përtej universit të fituesit, dhe për ta trajtuar ashtu siç e meriton një armik.
Shembuj janë të shumë. Në luftërat ndërfisnore në Amerikën e Veriut, praktika e heqjes së skalpit, prerjes së kokës dhe gjymtimit të trupit është e përhapur në të dhënat arkeologjike, përfshirë copëtimin e trupave të armikut: veshët, hundën, parakrahët, këmbët dhe duart.
Në Kaliforninë Qendrore, 12 fiset që banonin në rajon si fqinjë, u angazhuan në luftëra kronike midis tyre. Osteoarkeologjia ka zbuluar tek 79 skelete prova të heqjes së skalpit të kokës, heqjes së kafkës dhe prerjes së gjymtyrëve të sipërme dhe të poshtme si një trofe.
Në luginën e Kaukas në Kolumbinë Veriore, ku 44 fise kundër njëri-tjetrit, do masakroheshin rregullisht banorët e fshatit të bastisur. Atyre do t’u pritej koka masive, gjymtyrët, do t’u shkulej dhe hahej zemra dhe luftëtarët fitimtarë do të spërkatin trupin e tyre me gjakun e viktimave.
Në epokën moderne, fisi Hivaro që jetonte në pellgun e sipërm të Amazonës, vazhdonte të angazhohej në sulme kundër fqinjëve, të cilët sipas tyre, “flisnin ndryshe” ose “na mbushnin me shpirtra të këqij”. Komunitete të tëra u masakruan dhe iu prenë kokat.
Nëse disa gra kapeshin rob, atyre zakonisht u pritej koka dhe trupat e tyre copëtoheshin nga luftëtarët, para se të arrinin në fshatin e tyre. Si për të treguar se këto ishin praktika që nuk kufizoheshin tek e kaluara e largët, në luftën amerikano-japoneze në Paqësor, ushtarakët amerikanë morën si trofe kokat, dhëmbët, veshët dhe gjymtyrët e përparme të ushtarëve japonezë.
Revista “Time”, publikoi një kopertinë me një vajzë që vështronte kafkën japoneze në tavolinën e saj të dërguar në shtëpi nga i dashuri i saj ushtar. Kocka e parakrahut e një ushtari
të vrarë japonez ,u përshtat si një hapëse letrash dhe iu dërgua nga një senator amerikan si dhuratë presidentit amerikan Ruzvelt.
Edhe në këtë rast, gjymtimi ishte i mundur sepse japonezët konsideroheshin si “më pak se njerëz”. Kur Norbert Elias botoi librin “Procesi i qytetërimit” në vitin 1939, ai vështirë se mund ta imagjinonte nivelin e dhunës së egër dhe të pakufizuar nga lufta që do të vinte, e cila në rastet më ekstreme kishte gjithçka të përbashkët me praktikat e shekujve të mëparshëm. Shembulli më ekstrem, ishte lufta që Hitleri kreu kundër hebrenjve, kur policia dhe ushtarët gjermanë kryen akte të shumta mizori kundër komuniteteve të pambrojtura, të përcaktuara si një kërcënim për mbijetesën e Gjermanisë.
Gjatë dy dekadave të fundit, psikologët socialë kanë bërë përpjekje të konsiderueshme, duke u përpjekur të shpjegojnë se si gjenocidistët gjermanë, arritën të kryenin me gjakftohtësi vrasjen masive të hebrenjve, si të ishin duke zhvilluar në të vërtetë një luftë ndaj një kundërshtari të përcaktuar si një rrezik vdekjeprurës për të ardhmen e Gjermanisë.
Ekzistenca e një identiteti të fortë të grupit me Volk-un pushtues, dhe përjashtimi i llogaritur i hebrenjve si një element i kalbëzuar në trupin e shëndetshëm të Rajhut, përcaktuan edhe Holokaustin. Gjithsesi, kryerja e dhunës bazohej në nivele vartëse të identitetit dhe dehumanizimit, në të cilat ideologjia luante një rol më të kufizuar.
Psikologët socialë në përgjithësi, e kanë braktisur idenë, të sugjeruar për herë të parë nga eksperimenti i Stenli Milgram në vitin 1963 mbi bindjen ndaj urdhrave, se burrat që kryen vrasjet ishin automatë, dhe bënë thjesht atë që u thuhej.
Përkundrazi, vrasësit (si gjermanë ashtu edhe jo-gjermanë) u konsoliduan në grupin e tyre të vogël, të përkushtuar për ta ndihmuar njëri-tjetrin dhe indiferentë ndaj fatit të viktimave, humanizmi i të cilëve ishte zhdukur nga sytë e tyre.
Dëshmitë paraprake të disa oficerëve të policisë në Republikën Federale të Gjermanisë në vitet 1960, që kishin marrë pjesë në mizori të tilla, e bëjnë të qartë se i vetmi shqetësim moral që kujtonin këta individë, ishte mungesa e përfshirjes dhe pamundësia për të ndihmuar shokët e tyre, edhe nëse i shihnin detyrat gjenocidale që kryenin si të ndyra dhe demoralizuese.
Edhe kur kishin kaluar vite pas ngjarjes, distanca e qëndrueshme psikologjike midis autorit të krimit dhe viktimës, eliminonte çdo ndjenjë turpi ose faji. Në atë kohë, vrasjet konsideroheshin në thelb të dobishme për të ardhmen e popullit gjerman.
Në procesin e vrasjes, secilit nga burrave i caktohej një detyrë e veçantë, të cilën ai pritej që ta kryente mirë: disa vrasës e bënin punën e tyre me entuziazëm; për të tjerët, vrasjet u bënë siç e tha një psikolog “një rutinë për të cilën nuk e vrisnin mendjen”.
Adolf Ajhman, kreu i zyrës së Gestapos, përgjegjëse për organizimin e dëbimeve të hebrenjve
në kampet e vdekjes, reflektoi kështu mbi rezultatin gjatë mërgimit të tij në Amerikën e Jugut: “Vetja ime më e thellë, refuzon të thotë se kemi bërë ndonjë gjë të gabuar!”.
Ai shtoi se nëse do të kishte arritur t’i vriste të gjithë 10 milionë hebrenjtë evropianë, do të kishte thënë: “Në rregull. Ne kemi shfarosur një armik!”. Holokausti është një rast ekstrem, megjithatë ai ilustron aftësinë e psikologjisë sociale për të shpjeguar se si psikologjia “brenda ose jashtë grupit”, mund të ofrojë një kuptim më të plotë të kryerjes së dhunës në kohë lufte.
Shpjegimi i luftës në terma psikologjike, ka kaluar nëpër një sërë fazash që nga ditët e para të disiplinës, kur Lufta e Parë Botërore nxiti kërkimet për një lidhje shpjeguese. Ashtu si diskursi biologjik mbi luftën, edhe psikologjia nuk mund të përdoret për të shpjeguar ndonjë luftë të veçantë.
Kur Eduard Glover sugjeroi se agresioni foshnjor e kishte nxitur Kajzerin Vilhelmi II të hynte
në luftë në vitin 1914, kryetari i Unionit Britanik të Lidhjes së Kombeve, klasicisti i Universitetit të Oksfordit, Xhilbert Marrej, i tha Glover se asgjë nuk do ta bindte atë se “sadizmi i pavetëdijshëm” shpjegon shpërthimin e luftës.
Pikëpamja e Marrej se “qasja psikanalitike nuk është më premtuese”, është vërtetuar nga historia e mëvonshme e kësaj disipline. Psikologjia evolucionare, ka prodhuar një kuptim
më bindës të rrënjëve të mundshme të një psikologjie, në të cilën lufta kur e kërkonte rasti konsiderohej si normative, pasi ofronte përfitime mbijetese.
Ndërsa grupet njerëzore u bënë më të mëdha, luftimet ishin një përshtatje e mësuar për mbrojtjen e territorit dhe burimeve, apo për ndjekjen agresive të atyre gjërave që u përkisnin të tjerëve. Kjo s’do të thotë se njerëzit janë të përkushtuar psikologjikisht ndaj luftës, më shumë sesa mund të tregohet se kjo ka lidhje me biologjinë.
Por shfaqja kudo e një klase luftëtarësh, e një ndarje të qartë gjinore të punës dhe e formave të konfliktit në grup, duhet të sugjerojnë një predispozitë psikologjike më universale për luftë, në vend se ta shohim luftën si thjesht një produkt të vlerave të veçanta kulturore të shoqërisë.
Dhe kjo aftësi për të ndjekur, ngritur dhe mbështetur dhunën luftarake, e ka një shpjegim psikologjik social tek teoria e atyre brenda grupit, me presionin e tij të fuqishëm për t’u përshtatur dhe për t’i përkitur një grupimi të caktuar, dhe “armiku” ose ai jashtë grupit, i
cili nuk vlerësohet fare, mund të bëhet objekt i një agresioni të justifikuar.
Parimi i përfshirjes dhe përjashtimit, nuk e bën luftën të pashmangshme më shumë sesa Kompleksi i Edipit, apo se sa një përzgjedhje evolucionare për dhunën. Por ai ofron një mënyrë për të kuptuar se si një identitet i përbashkët, mund të bashkojë një shoqëri ndërluftuese.
Përjashtimi, mund të lejojë shpesh nivele ekstreme të dhunës kundër “tjetrit”, kur perceptohet si një kërcënim për ekzistencën e grupit dhe kur nxitet nga urrejtjet dhe frika e përbashkët. Në dallim nga qasjet e tjera psikologjike, psikologjia sociale mund të përdoret si për konfliktet e komuniteteve të vogla fisnore, ashtu edhe për luftërat e shekullit të kaluar.
Virtyti brenda grupit dhe ligësia jashtë grupit, mund të demonstrohen në eksperimente laboratorike. Por historia është e mbushur me shembuj, se si siguritë psikologjike sociale
e kanë justifikuar luftën agresive, ashtu siç kanë justifikuar edhe një mbrojtje të fortë.
Psikologjia e grupit, pavarësisht nga madhësia e tij, është thelbësore për të kuptuar se si, në rrethana specifike, këto grupe angazhohen në luftë. Ajo që nuk e trajton asnjëra nga këto teori, është prova se për luftëtarët e së kaluarës - dhe në fakt edhe të së tashmes - lufta shihej si psikologjikisht shpërblyese në aspektin e nderit, vlerësimit, prestigjit ose lavdisë që shoqëronte të mbijetuarin ose për kënaqësinë e pastër të luftimit.
Lidhja emocionale me luftimet dhe shpërblimet e tyre, ka dukshëm një histori të gjatë. Por ideja që burrat kënaqen në luftime, nuk është një perspektivë që zakonisht eksplorohet në teoritë evolucionare apo kulturore të shkaqeve të luftës.
Edhe pse nga ana tjetër, ka shumë prova nga mijëra vitet e fundit, se lufta perceptohej nga shumë prej pjesëmarrësve të saj si psikologjikisht stimuluese dhe emocionuese, pavarësisht rreziqeve të saj. Ndërmarrja e veprimeve të rrezikshme, kishte një funksion evolucionar dhe siguronte një burim kënaqësie psikologjike.
Kur shpërbleheshin rreziqet, rezultati përmirësonte statusin e luftëtarit me gratë, dhe kontribuonte në imazhin e komunitetit për një agresion të suksesshëm. Joshja emocionale e luftës, mund të ketë luajtur në shumë raste një rol të rëndësishëm në shkakun e konfliktit, pasi udhëheqësit luftëtarë e prisnin me gëzim betejën e ardhshme, dhe kjo është një përshtatje psikologjike që nuk është zhdukur në epokën moderne.
Ajo meriton një trajtim më të detajuar në çdo analizë të rrënjëve psikologjike të luftës.
Kapitulli III
Antropologjia
“Lufta është thjesht një shpikje e njohur për shumicën e shoqërive njerëzore, me anë të së cilës ato i lejojnë të rinjtë e tyre ose të fitojnë prestigj ose të hakmerren për nderin e tyre apo të fitojnë plaçkë, gra ose skllevër ose toka, bagëti. Apo të qetësojnë epshin e gjakut të Perëndive të tyre ose të shpirtrave të shqetësuar së fundmi. Është thjesht një shpikje, më e vjetër dhe më e përhapur se sistemi juridik, megjithatë mbetet një shpikje”.
(Margaret Med, 1940)
Pretendimi i antropologes amerikane Margaret Med, se lufta ishte një shpikje, përfaqësonte një refuzim të idesë se lufta ishte diçka e programuar tek njerëzit nga biologjia ose psikologjia. Ishte një shpikje, argumentoi ajo, si çdo mjet tjetër me të cilin rregulloheshin jetët njerëzore: shkrimi, martesa, gjyqet me juri, përgatitja e ushqimit apo varrimi i të vdekurve.
Antropologjia e saj, i jepte pak rëndësi luftës ose dhunës dhe e dënonte këtë shpikje, dobia e së cilës ishte qartazi e padobishme. Ajo supozonte se njerëzimi, do të shpikte një mënyrë më të mirë për të zgjidhur konfliktin.
Pjesa më e madhe e antropologjisë dhe e disiplinave të lidhura ngushtë me arkeologjinë dhe etnografinë, ka synuar deri vonë, ashtu si Med, që të flasë për zhvillimin e shoqërive njerëzore në terma që kryesisht përjashtojnë ose e lënë në periferi luftën dhe dhunën, në favor të praktikave kulturore dhe strukturave shoqërore që përcaktojnë dhe përcaktojnë jetën e subjekteve të tyre.
Por Med gabohej në analizën e saj mbi luftën. Nëse është shumë i pafat, martesa ose gatimi mund të vrasin një person të caktuar, por lufta është vdekjeprurëse, shkatërruese dhe traumatike në një shkallë të gjerë. Pyetja që u bënte Med kolegëve të saj antropologë mbetet ende e rëndësishme: nëse lufta ishte një shpikje kulturore, kur u shpik ajo dhe për çfarë arsyesh?
Përgjigja e saj, është ende një objekt debati midis antropologëve dhe arkeologëve që i shohin shoqëritë njerëzore prehistorike si paqësore në thelbin e tyre, me konflikte të rralla dhe të papërshtatshme deri në shfaqjen e shtetit, dhe atyre që argumentojnë se konfliktet e dhunshme, të ngjashme me luftërat midis klaneve, fiseve ose mbretërive, i paraprijnë shumë kohë themelimit të shteteve, ndoshta në të kaluarën e largët.
Dhe ky debat nuk është vetëm një grindje midis studiuesve. Sepse të kuptuarit se kur
filloi lufta njerëzore dhe pse nisi ajo, e vendos në qendër të saj studimin e shoqërisë dhe kulturës njerëzore paraardhëse, në vend të shtysave të biologjisë apo psikologjisë.
Ndarja antropologjike, bazohet në disa çështje të rëndësishme praktike në vlerësimin e natyrës së provave të disponueshme, të cilat në shumë raste mbeten të paqarta. Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, që nga homininët më të hershëm e tutje, të dhënat arkeologjike janë jashtëzakonisht të kufizuara, dhe shumë të paqëndrueshme që të jemi në gjendje të flasim me siguri mbi ekzistencën ose natyrën e dhunës ndërgrupore, apo edhe për një të kaluar paqësore.
Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, deri në 10.000 vitet e fundit, njerëzit ishin gjuetarë-mbledhës ose peshkatarë, duke vepruar në grupe me madhësi të ndryshme dhe duke përdorur vegla prej guri, kocke dhe druri.
Mënyra e tyre e jetesës, shpjegon arsyen pse një specie nomade që kërkon ushqim, ka lënë çuditërisht pak skelete fosile që kanë mbijetuar deri në ditët tona. Veglat organike prej druri dhe kocke, qofshin vegla apo armë, janë dekompozuar shumë kohë më parë.
Ato prej guri kanë mbijetuar, ndonjëherë në sasi të mëdha, por nëse qenë vegla dhe armë me dy qëllime, ky është informacion që nuk mund të konfirmohet dot. Të përcaktosh si prehistorike komunitetet e së kaluarës, nuk do të thotë se ata ishin njerëz pa histori, por vetëm se historia e tyre është e panjohur.
Antropologjia arkeologjike, duhet të bëjë më të mirën që mundet me provat që ka në dispozicion. Për pjesën tjetër, siç e ka thënë arkeologia Elsa Redmond, ka “vende të padukshme” dhe “gjëra që nuk mund të gjenden”.
Ekzistojnë 4 lloje kryesore provash për konfliktin në të kaluarën prehistorike. E para, dhe më domethënëse, është trauma skeletore; e dyta është prova e ikonografisë, pra përfaqësimet simbolike të dhunës; e treta është prova e vendbanimeve të fortifikuara; dhe e katërta ekzistenca e armëve, prova që shpesh mbështeten në praktikën mortore, në rastet kur armët janë varrosur me trupin e një luftëtari.
Sidoqoftë, ka ende pasiguri se si të interpretohen provat materiale. Trauma skeletore, pra dëmtimi i qëllimshëm i shfaqur tek një skelet, mund t’i nënshtrohet interpretimeve të gjera. Studimet mbi skeleteve ekzistuese të Neandertalit, kanë treguar se në 55 për qind të rasteve viktimat kanë pasur lëndime në kokë, qafë, krahë dhe shpatulla.
Ndërsa kjo mund të sugjerojë në mënyrë të besueshme ekzistencën në atë kohë të një populli të dhunshëm, është argumentuar se lëndimet janë në përputhje me gjuetinë në distancë të shkurtër të gjitarëve të mëdhenj njëthundrakë. Bazuar në këtë interpretim, Neandertalët duket se kanë qenë të prirur ndaj aksidenteve, por dhe se kanë qenë shumë të dhunshëm.
Megjithatë, analiza e fundit shkencore e fragmenteve të kafkave dhe eshtrave të Neandertalit nga shpella e Krapinës në Kroaci, koleksioni më i madh i mbetjeve të Neandertalit të mbijetuar deri më sot, që datojnë nga rreth 130.000 vjet më parë, sugjeron se numri i madh i lëndimeve të dukshme dhe shpeshtësia e tyre, është në përputhje me dhunën ndërpersonale dhe jo me ndonjë aksident.
Edhe dëmtimi i kockave, është interpretuar si dëshmi e kanibalizmit. Gjithsesi debati mbi këtë çështje vazhdon. Oste-oarkeologjia, është në shumë kontekste të tjera e hapur ndaj të njëjtës gamë interpretimesh. Një kafkë e thyer, mund të jetë rezultat i një debati midis dy njerëzve,
një aksidenti apo një dhune të qëllimshme të ushtruar në grup.
Disa trauma skeletore, mund të jenë shkaktuar nga kafshët që kërkonin ushqim ose dëmtime dytësore të shkaktuara gjatë rivarrimit. Dhe ato duhet të dallohen nga dëmtimet e shkaktuar nga një forcë e madhe apo nga mjetet prerëse.
Prova më e mirë për këtë janë ciflat e armëve me guri të ngulitura në kockat e mbijetuara të viktimës, nga të cilat ka një numër të konsiderueshëm. Edhe pse shumica e dëmtimeve nga shtizat nuk lanë gjurmë në skelet. Gjurmë nuk lanë as plagët në indet e buta dhe organet e brendshme.
Përdorimi i shtizave, hedhësve të shtizave, shpatave dhe kamave që datojnë të paktën 5.000 vjet më parë do të kishte zvogëluar provat për traumat në kokë dhe dëmtimin e kockave, por jo realitetin e dëmtimeve vdekjeprurëse.
Një hulumtim i ushtrisë amerikane të shekullit XIX mbi efektet e plagëve me shigjeta, tregoi se 2/3 e tyre nuk linin shenja në kockat e viktimës, dhe 61 për qind e plagëve fatale me shigjeta kishin goditur barkun e viktimës.
Për pasojë, një pjesë e konsiderueshme e plagëve fatale të dikurshme sot janë të padukshme, siç janë edhe shumica dërrmuese e mbetjeve skeletore të atyre që vdiqën. Po aq problematike janë në këtë aspekt edhe ikonografia, fortifikimet dhe armatimet.
Në pikturat e shpellave, ekzistojnë prova vizuale të asaj që duket të ketë qenë një përleshje
apo betejë midis grupeve rivale. Por një shpjegim antropologjik, mund ta shohë atë si një përfaqësim simbolik, dhe jo si provë të dhunës reale, apo një skenë gjuetie e konceptuar gabimisht si luftë.
Arkeologjia në mbarë botën, ka treguar së fundmi se fortifikimet ishin një tipar i zakonshëm i vendbanimeve e Epokës Neolitike dhe të Epokës së Bronzit. Por domethënia e tyre mbetet e diskutueshme. Edhe ato mund të shihen si struktura simbolike, ndoshta duke mbrojtur hapësirat e shenjta të një fisi.
Në disa raste, fortifikimet konsiderohen si stalla bagëtish; në të tjerat ato janë shprehje të pushtetit apo e dallimit të një kryetari nga klani i tij, të destinuara për qëllime të dukshme dhe jo mbrojtëse. Ato kane qenë ose vende mbledhjeje për rituale fisnore ose kryesisht fisnore. Mungesa e majave të shigjetave apo e skeleteve me plagë në vendet e fortifikuara, mund të shtohet në listën e paralajmërimeve se si duhet të interpretohen ato. Lidhur me armët, paqartësia duhet të jetë më pak e theksuar. Por armët nuk janë domosdoshmërisht gjithçka
që duken nga jashtë.
Shpatat e Epokës së Bronzit në Evropë, kanë qenë një burim mosmarrëveshjesh midis shumë studiuesve. Është argumentuar se shpatat e përpunuara dhe të shtrenjta, ishin simbole të autoritetit për kryetaret e fiseve ose mbretërit, pra një shenjë statusi dhe jo lufte.
Megjithatë, një ekzaminim i kujdesshëm mjeko-ligjor i një game të gjerë shpatash nga arkeologu danez Kristian Kristiansen, ka treguar se ato mpriheshin rregullisht për shkak të dëmtimit ose konsumimit nga luftimet, ose u mungonin majat dhe pjesa anësore e dorezës.
Kjo duket si një provë bindëse, se ato përdoreshin në fushën e betejës, pavarësisht nga funksioni i tyre ceremonial. Antropologët janë të ndarë në interpretimin e tyre, se kur dhe pse u shfaq lufta, bazuar në debatet rreth asaj çfarë përbën lufta. Këtu ka çështje si të shkallës ashtu edhe të qëllimit.
Për ata që argumentojnë se lufta është një shpikje e kohëve të fundit, e bërë e mundur vetëm nga zhvillimi i shteteve të organizuara me kapacitetin administrativ, ekonomik dhe shoqëror për të ngritur dhe furnizuar forca të armatosura - një pikëpamje me të cilën do të pajtoheshin shumë historianë - provat e dhunës para shfaqjes së shtetit, përkufizohen si hakmarrje, armiqësi, prita ose bastisje nga grupe të përbëra nga vetëm disa njerëz, derisa ndoshta të arrihet njëfarë suksesi.
Këto janë ato që antropologu Rejmond Kelli i quan “shoqëri pa luftë”, të cilat sigurisht shfaqin akte dhune përmes vrasjes, ngacmimit ose ndëshkimit, por nuk bëjnë luftë. Për të tjerët, ekzistenca e konfliktit midis grupeve të përcaktuara quhet luftarake, qoftë nëse është një pritë vdekjeprurëse e fiseve rivale, asgjësimi i një fshati armik dhe masakrimi i banorëve të tij, një përleshje midis luftëtarëve rivalë që synojnë të vrasin rivalët, apo kapja e dhunshme e skllevërve dhe viktimave që më pas flijohen për ndër të Perëndive të tyre.
Shembulli i masakrës, ilustron shumë qartë problemin e të kuptuarit, pasi masakra të shumta janë zbuluar në arkeologjinë e fundit të Evropës, Kinës dhe Amerikës parahistorike. Sipas një interpretimi, masakrat duhet të tregojnë ekzistencën e dhunë luftarake kundër komunitetit të viktimave.
Nga ana tjetër, ato mund të shihen si produkte të proceseve kulturore dhe shoqërore, në të cilat masakra ndaj armikut, ndaj “tjetrit”, e forcon kohezionin shoqëror dhe normat rituale, duke e mbushur masakrën me një kuptim simbolik të ndryshëm nga thjesht kryerja e luftës.
Në fakt, ajo më shumë i ndan dy qasjet antropologjike ndaj luftës se sa thjesht debatet mbi provat dhe përkufizimet. Dallimet janë sa ideologjike aq edhe praktike, dhe ato mund ta kenë origjinën që në ditët e para të antropologjisë shkencore shumë përpara Luftës së Dytë Botërore.
Për shembull, puna e hershme në terren e Uilliam Perri dhe Elliot Smith midis komuniteteve fisnore në Afrikë dhe Paqësor, u përdor për të treguar se sjellja e komuniteteve të gjahtarëve-mbledhës nuk ofronte ndonjë bazë për të supozuar ndonjë predispozitë ndaj agresionit.
Lufta ishte “një teprim aksidental” i qytetërimit të hershëm, që ia detyronte origjinën Egjiptit
të lashtë, shkroi Perri në vitin 1924. Dy figurat e famshme të antropologjisë së hershme, Rut Benedikt dhe Margaret Med, që të dyja shumë aktive në vitet 1930, ndoqën një qasje të ngjashme duke zvogëluar rëndësinë e çdo dëshmie të luftës tek popujt që studiuan.
Duke shkruar për fiset e malit Arapesh të Guinesë së Re, Med pohoi se “lufta është praktikisht e panjohur” midis burrave dhe grave, të cilat ishin “natyrisht nëna, të buta, të përgjegjshme dhe jo agresive”. Studimi i Rut Benediktit i vitit 1934 mbi fiset e shteteve jugperëndimore të SHBA-së vlerësonte “Pueblot paqësorë”.
Ky gjykim mbijetoi deri në vitet 1970. Në vitin 1939, ajo i përshkroi konfliktet e popujve “primitivë” si “lloje jo vdekjeprurëse të luftës”, në kontrast të dukshëm me “larminë vdekjeprurëse” të luftërave moderne që do të shpërthenin.
Ashtu si Med, edhe antropologu polak me shumë ndikim Bronisllav Malinovski, shefi i katedrës së antropologjisë në Shkollën Ekonomike të Londrës, studioi në Shkollën Ekonomike Tribale në Londër. Në vitin 1929, ai arriti në përfundimin se përveç dhunës si ritual, banorët e ishullit Trobriand nuk ishin të përfshirë në luftë.
Ai përdori gjetjet e tij për të mbështetur një pikëpamje më të gjerë, sipas së cilës lufta nuk ishte as një tipar i domosdoshëm dhe as i përhershëm i gjendjes njerëzore. “Argumenti antropologjik është ky: Zhvillimi njerëzor shtrihet në rreth 600.000 vjet, nga të cilat rreth 400.000 janë pa luftë”.
Ngjashëm me Benedikt, edhe për Malinovskin, problemi qëndron tek lufta moderne: dukej
se ajo nuk i shërbente asnjë qëllimi evolucionar apo kulturor që mund të kuptohet nga një antropolog. Pikëpamja sipas të cilës shoqëritë parahistorike ishin paqësore u miratua gjerësisht, dhe lufta si një proces shoqëror apo realitet kulturor, u la mënjanë nga antropologët kryesore deri në vitet 1960.
Por që nga ajo kohë dhe në një shkallë në rritje, lufta dhe format e tjera të dhunës u përfshinë më plotësisht në degët kryesore të antropologjisë. Jo si një antropologji e veçantë e dhunës, por si një element kyç në të kuptuarit e proceseve njerëzore shoqërore dhe kulturore të së shkuarës dhe të tashmes.
Gjithsesi, ka mbijetuar koncepti i një “të kaluare paqësore”. Të nxitur nga modelet e luftimeve rituale midis fiseve ekzistuese, disa antropologë kanë argumentuar se luftimet para-shtetërore ishin gjithashtu të ritualizuara, me “vija fronti’ të zhurmshme, por pa luftime të vërteta, pra ishin më shumë lojë sesa luftë.
Dhuna midis popujve të thjeshtë, shkroi Uilliam Njukëmb në vitin 1960, është “primitive, sportive, e shkurtër në kohë dhe përgjithësisht e paorganizuar”. Edhe midis shoqërive më të zhvilluara - Roma republikane në mijëvjeçarin e parë të Erës Sonë apo qytetërimi Maja në Amerikën Qendrore - ishte e modës që ato të konsideroheshin të jo luftarake.
Vitet e fundit, dy antropologë amerikanë, Brajan Ferguson dhe Dagllas Fraj, e kanë ringjallur argumentin se lufta mbërriti vetëm me shfaqjen e qytetërimit, dhe se “gjuetarët e thjeshtë nomadë”, siç shprehet Fraj, “janë jo luftëtarë”. Dhe kjo përfshin 98 për qind të historisë njerëzore.
Asnjëri prej të dyve nuk e mohon ekzistencën e dhunës, por ata e shohin atë si të kufizuar, relativisht jo vdekjeprurëse dhe sporadike, pra jo një element thelbësor në shoqëritë e kaluara njerëzore, në të cilat duket se ka më shumë gjasa të ketë qenë normë neveria ndaj vrasjeve të njëpasnjëshme.
Ferguson, ka analizuar pjesën më të madhe të një periudhe të supozuar 10.000-vjeçare në Lindjen e Mesme, e cila përkon me periudhën e tranzicionit drejt bujqësisë, dhe që nga provat e kufizuara arkeologjike duket se ka qenë krejtësisht paqësore.
Po ashtu, ai ka zhvilluar teorinë e “zonës fisnore”, për të treguar se vetëm kontakti me perandoritë evropiane, inkurajonte dhunën midis popujve fisnorë mbi qasjen tek mallrat e njohura evropiane, tek rrugët tregtare, apo furnizimin me skllevër, duke i ndryshuar motivet
e luftës nën ndikimin keqdashës të imperializmit.
Të ashtuquajturat luftërat e mushqetave (armë zjarri primitive), midis popujve Maori në shekullin XIX, dhe lufta fisnore brutale në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara nga
shekulli XVII e tutje, mund të shihen si prova të mundshme.
Lufta në këto raste, por edhe midis principatave dhe shteteve të zhvilluara, kishte të bënte me qasjen tek të mirat materiale, kur kishte diçka për të cilën ia vlente të luftohej. Paraqitja e një
të kaluare kryesisht paqësore ka axhendën e saj.
E tillë ishte edhe për filozofin francez të shekullit XVIII, Zhan Zhak Ruso, i cili e krahasoi “egërsinë fisnike” me botën e degjeneruar të shteteve dhe klasave të pabarabarta që e pasuan. Në periudhën nga vitet 1920 dhe deri në vitet 1960, pikëpamja mbizotëruese mbi komunitetet
e lashta ishte evolucionare.
Antropologët, zgjodhën të vinin në dukje kontrastin midis botës së dikurshme me dhunën ekstreme të luftës, revolucionet dhe luftën civile të kohëve moderne. Njeriu ndërluftues modern, duhet të ketë evoluar nga komunitete më të thjeshta, më të barabarta, dhe më pak të dhunshme, të cilat duheshin kuptuar në termat e tyre, dhe jo si një krahasim me të tashmen aktuale kaotike dhe të dhunshme.
Studimi novator i Malinovskit në Guinenë e Re gjatë Luftës së Parë Botërore, e çoi atë në përfundimin se shoqëritë para-shtetërore duhej të studioheshin nga brenda për të kuptuar sisteme vlerash, normash kulturore dhe praktikash shoqërore shumë të ndryshme.
Për antropologët, “relativizmi kulturor” një tezë e ndjekur nga Malinovski, Med dhe Benedikt, ishte një përpjekje humaniste për të shpëtuar popujt e thjeshtë nga denigrimi i zakonshëm: ata duhej të ishin “të butë dhe dashamirës”, siç tha antropologu Keit Oterbein, dhe jo “të egër e brutalë”.
Në shumë raste të hulumtimeve në terren, u shpërfillën, u anashkaluan ose u riinterpretuan provat e dhunës luftarake, për t’iu përshtatur paradigmës së komuniteteve që nuk kishin përjetuar luftë.
Edhe i famshmi “Njeriu i Akullit”, Ötzi, i epokës pre-historike i ruajtur në një gjendje shumë të mirë në akullnajën alpine në vitin 1991, duhej të priste 10 vjet përpara se të mësohej se kishte një majë shigjete të vendosur në shpinë dhe gjurmët e gjakut të së paku 3 njerëzve të tjerë në tehun e thikës që kishte me vete.
Fakti që Malinovski, ndër shumë të tjerë, ishte një pacifist i bindur dhe aktiv, e bënte tërheqëse psikologjikisht pikëpamjen e një të kaluare paqësore të njerëzimit. Kohët e fundit, antropologjisë i është dashur të shmangë akuzat, se interesi për luftën mbështet militarizmin e sotëm, dhe se atribuimi i luftës tek popujt fisnorë, si bashkëkohorë ashtu edhe në të kaluarën, mbështet një pikëpamje raciste, post-koloniale perëndimore mbi popujt ekzotikë dhe barbarë.
Nëse “egërsia paqësore”, nuk mund të ruhet lehtësisht në shekullin XXI, besimi se për pjesën më të madhe të së kaluarës njerëzore nuk ka pasur luftë, sugjeron, siç e theksonte Med, se shoqëritë njerëzore kanë potencialin për të përqafuar një të ardhme të qetë.
Shpresohet që studimi i shoqërive paqësore (nuk ka pasur shumë të tilla), të mund të japë të dhëna se si mund të arrihet kjo e ardhme. Vala e kërkimeve antropologjike dhe arkeologjike mbi luftërat e tanishme dhe të kaluara midis popujve që nuk kishin krijuar shtete, dhe që e ka përfshirë këtë disiplinë gjatë 50 viteve të fundit, e bën tani të vështirë ruajtjen e imazhit të një “të kaluare të paqtë”.
Që në vitin 1915, sociologët Leonard Hobhauz, Moris Ginzberg dhe Xherald Uiller, zbuluan
në një studim mbi “popujt më të thjeshtë”, se vetëm 4 për qind e 298 shoqërive të studiuara
nuk kishin pasur luftëra. Që nga vitet 1950, studimi etnografik i shoqërive fisnore ekzistuese, është kombinuar me arkeologjinë e detajuar mjeko-ligjore, për të paraqitur një panoramë antropologjike shumë të ndryshme.
Dy studime popullore por edhe të debatueshme, i pari nga Lorenc Kellej, Lufta përpara qytetërimit, botuar në vitin 1996, dhe i dyti nga Stiven LeBlank dhe Konstant Batëlls, Pse luftojmë, botuar 7 vjet më vonë, kanë argumentuar se një lloj lufte ekzistonte shumë kohë përpara shfaqjes së shteteve dhe konfliktit të organizuar.
Në atë kohë, ekzistonte tashmë një grup i konsiderueshëm kërkimesh të reja, që përfshinin edhe dhunën luftarake, në lidhje me studimin e shoqërive të vogla të dikurshme dhe atyre të sotme.
Për komunitetet bashkëkohore në dukje paqësore, ishte e mundur të tregohej se ndërhyrja e shtetit, kishte kufizuar ose shfuqizuar format tradicionale të konfliktit midis popujve që kishin qenë jashtëzakonisht luftarakë deri në të kaluarën e afërt, përfshirë popujt e Malit Arapesh të përmendur nga Med.
Sjellja e tyre e dhunshme, u ekspozua nga bashkëshorti i saj antropolog disa vite pasi ajo bëri pretendimin e saj të parë. Për komunitetet e vjetra dhe klasike, integrimi i arkeologjisë së dhunës në interpretimin e mjedisit shoqëror dhe kulturor, i ka shtuar në shumë raste një dimension të munguar mënyrës se si funksiononin këto shoqëri dhe për çfarë qëllimesh.
Në fakt, shtysa kulturore konsiderohet tashmë si një nga shpjegimet më domethënëse pse shumica e shoqërive, të mëdha dhe të vogla, përfshihen ose janë përfshirë në akte dhune, një argument që është më shumë në përputhje me determinizmin kulturor të Med, sesa mund ta kishte argumentuar ajo vetë.
Një shembull, mund të tregojë se si studimi i dhunës ndërgrupore në të kaluarën, pavarësisht nëse përkufizohet si luftarake apo jo, është thelbësor për të kuptuar mjedisin më të gjerë shoqëror dhe kulturor që e miratoi atë.
Pikëpamja e Rut Benediktit mbi kulturën e popullit Pueblo si thelbësisht e qetë dhe paqësore, siç ishte në të vërtetë kur ajo studioi pasardhësit e fiseve të lashta, nuk i mbijetoi një shqyrtimi më të imtësishëm, madhe edhe në kohën kur ajo po shkruante mbi ta.
Dekadat e fundit, oste-oarkeologjia ka zbuluar prova të shumta të dhunës së dikurshme, qofshin prita, përleshje, bastisje, ekzekutime shtrigash apo sulme ndërgrupore, duke përfshirë masakrimin e komuniteteve të tëra që shtrihen deri të paktën 2.000 vjet më parë.
Në rajonin Anasazi, janë identifikuar 32 akte dhune që datojnë para vitit 900 të Erës
Sonë, përfshirë ato në Shpellën Uetherill në pjesën jugore të shtetit Jutah, ku u gjetën skeletet e 92 njerëzve, kryesisht meshkuj, që tregonin prova të goditjes në kokë deri në vdekje, heqjes së skalpit dhe prerjes së kokës.
Në vendin e quajtur Kreshta e Shenjtë në Kolorado, u zbulua masakra e të paktën 33 burrave, grave dhe fëmijëve rreth vitit 700 të Erës Sonë. Studimet treguan se vrasjet ishin rituale me goditje të mprehta në kokë. Pastaj u pasuan nga goditjet në këmbë, heqjen e zorrëve, veshëve, buzëve dhe skalpit të kokës, që të gjitha këto të dukshme tek mbetjet skeletore.
Trupat ishin prerë, ndërsa eshtrat ishin ndarë në copa të vogla. Vëmendja e veçantë që iu kushtua vrasjes dhe copëtimit, sugjeron se masakra ishte një vrasje rituale, ose ajo që tani quhet dhunë “performative”, e mbushur me një kuptim simbolik për fisin që e kreu atë, gati me siguri për motive që lidhen me kozmologjinë e fisit (për të cilën do flas më në detaje në kapitullin VI).
Një masakër e vitit 1100, e zbuluar në Mankos në Kolorado, tregoi praktika identike rituale, duke sugjeruar se kryerja e një masakre kuptohej në leksikun kulturor të fiseve dhe transmetohej si një traditë brez pas brezi.
Ndërsa masakrat nuk përfaqësonin një betejë klasike, është e vështirë që ato të mos shihen si një shprehje e konfliktit luftarak. Me sa duket, të masakruarit nuk ishin vullnetarë. Do të ishte e gabuar që ndarjet midis dy qasjeve ndaj dëshmive antropologjike dhe arkeologjike, të shiheshin si dy të kundërta ekstreme, siç duken shpesh, pra “skifterët” përkundrejt “pëllumbave” siç shprehet Oterbein.
Sot ky dallim është bërë më pak i rëndësishëm. Ka zona të përputhshme, dhe asnjë antropolog nga asnjëri kamp nuk i mohon dëshmitë e luftës, pasi principatat rerët dhe shtetet u bënë forma karakteristike të organizimit shoqëror, edhe nëse sjellja e tyre nuk ishte universalisht e njëjtë.
Ndërkohë, ekziston një pranim i përgjithshëm i tezës, se me kalimin e kohës dhe midis kulturave, dhuna luftarake shfaq një ndryshueshmëri dhe fleksibilitet të madh. Askush s’do ta kundërshtonte pretendimin se aty ku ndodh lufta, është thelbësore që të interpretohet kuptimi kulturor dhe qëllimet shoqërore të luftës për shoqëri të ndryshme, në vend se thjesht të renditen të gjitha luftërat dhe viktimat sikur të kishin të njëjtën origjinë.
Nuk ka asnjë mosmarrëveshje mbi faktin, që njerëzit ishin dhe janë të aftë për ndërveprime bashkëpunuese dhe sociale, dhe në fakt kjo është ajo që i mban shoqëritë njerëzore të bashkuara, edhe në aktin e luftimit. Dallimi kryesor qëndron tek gatishmëria apo e kundërta, për të pranuar se lufta është e zakonshme, jo një dukuri e rrallë.
Pra se ajo është një pjesë përbërëse e atyre shoqërive, që e praktikojnë atë, dhe si jo një lajthitje e momentit. Dhe që ajo ka ndodhur në mbarë botën në kohë dhe hapësirë. Për këtë provat tani janë të shumta.
Pyetjes se kur dhe pse lufta u shfaq si një realitet kulturor dhe shoqëror, mund t’i përgjigjemi me një siguri më të madhe sot se sa 50 vjet më parë. Megjithatë, vetëm për Epokën e Holocenit dhe ndoshta për 10.000 vitet e fundit të Pleistocenit. Pra në total 20.000 vitet e fundit.
Kjo e lë si një fletë bosh pjesën më të madhe të ekzistencës njerëzore, dhe pjesën më të madhe të 200.000 viteve të ekzistencës së Homo sapiensit. Arkeologjia ekzistuese, që lë të kuptohet praninë e një dhune të mundshme gjatë thuajse të gjithë Epokës së Pleistocenit, mund të përshkruhet në një faqe të vetme.
Kushtet që mund ta bëjnë konfliktin një mundësi, datojnë që disa miliona vjet më parë. Nga veglat e para prej guri të punuara nga homininët e hershëm, përdorimi i zjarrit, kalimi tek konsumi i mishit, zhvillimi i gjuhës dhe përdorimi i simboleve.
Njerëzit e hershëm, kanë qenë thuajse me siguri mbledhës në grup të bimëve dhe frutave për t’u ushqyer. Dhe me zhvillimin e mjeteve të gjuetisë, komuniteti tipik njerëzor do të bëhej
një grup i lëvizshëm i gjuetarëve-mbledhës.
Sëpatat e para datojnë thuajse 2 milionë vjet më parë; shtizat e para janë identifikuar rreth 500.000 vjet më parë. Ndërkohë armët apo mjetet e para prej druri datojnë rreth 400.000-300.000 vjet më parë; shenjat e para të majave të shtizave 200.000 vjet më parë; ndërsa harqet dhe shigjetat e para rreth 60.000 vjet më parë.
Por për shkak se këto ishin komunitete gjuetarësh, ka të ngjarë që armët të ishin instrumente për gjueti dhe jo armë për vrasje brenda specieve. Zbulimi i shtizave prej druri të paprekura dhe i një heshte që daton 300.000 vjet më parë në Shëningen të Gjermanisë, tregon një nivel relativisht të sofistikuar të të kuptuarit të peshës, gjatësisë dhe efektit vdekjeprurës të artefakteve.
Gjithsesi, nuk ka ndonjë përfundim nëse ato kishin një qëllim të dyfishtë, për gjueti apo nëse ishin të nevojshme edhe për luftime. Dëshmitë nga mbetjet skeletore janë të pakta, pasi janë zbuluar shumë pak skelete të paprekura ose të pjesshme.
Dëmtimi më i hershëm i identifikuar i një kafke nga veglat prej guri, daton rreth 600.000 vjet më parë në një fosil njerëzor etiopian. Njëmbëdhjetë skelete të çrregullta dhe të kanibalizuara, të zbuluara në Gran Dolina pranë qytetit spanjoll të Burgos, datojnë rreth 800.000 vjet më parë.
Por mbetet është e paverifikueshme, nëse kjo zbulon praninë e konfliktit. Ndërkohë ka dyshime edhe mbi rëndësinë e tij kulturore. Në Evropë, janë gërmuar vetëm 100 varreza nga Paleoliti i Mesëm dhe 100 nga Paleoliti i Sipërm (rreth viteve 100.000-15.000 Para Erës Sonë).
Nga 21 lëndimet e identifikuara për periudhën e parë, vetëm 2 rezultuan fatale. Ndërkaq, në mesin e 16 lëndimeve në periudhën e dytë, numri i fataliteteve ishte 3. Kjo përfaqëson gati të gjitha provat e disponueshme aktualisht, dhe është e hapur për spekulime çështja nëse një listë kaq e vogël sugjeron se homininët ishin të aftë për dhunë në grup apo jo.
Një nga mënyrat për të testuar prirjen e gjuetarëve-mbledhësve për dhunë ndërmjet grupeve të ndryshme, është të punohet me analogji duke përdorur prova mbi gjuetarët-mbledhës në botën moderne, edhe pse kjo nuk është aspak pa probleme, duke pasur parasysh mjedisin social dhe kulturor modern që i rrethon.
Ekzistojnë shumë shembuj të mendimit simbolik dhe praktikave kulturore që vendosin parametra të rëndësishëm për ushtrimin e dhunës ndërgrupore. Fiset Hivaro të pellgut të sipërm të Amazonës, i kanë bastisur rregullisht dhe deri vonë armiqtë që i akuzonin se e kishin mbushur tokën e tyre me shpirtra të këqij.
Një udhëheqës, zakonisht një luftëtar i njohur (kakáram), i cili i thërret luftëtarët në një shtëpi festimi, ku ata konsumojnë birrë manioke, së bashku me lëndën halucinogjene natéma. Aty
ata thërrisnin shpirtrat e paraardhësve, që të parashikojnë nëse bastisja do të kishte sukses apo jo.
Boja e zezë përdorej për maskim dhe për të forcuar guximin. Pas një bastisjeje dhe prerjes së kujdesshme të kokave të kufomave, ndahej plaçka e fitores. Thuhet se luftëtarët e suksesshëm kishin një fuqi të re, e cila u jepej nga paraardhësit e tyre. Ata që kishin vrarë më shumë, mund të bëheshin kakáram, luftëtarët më të fuqishëm.
Midis gjuetarëve-mbledhës të Australisë, dhuna ishte një dukuri e rregullt, dhe ajo merrte shumë forma. Kishte një betejë rituale, në të cilën ndoshta vetëm një person mund të vritej ose plagosej. Por kishte edhe vrasje për hakmarrje, prita apo bastisje vdekjeprurëse që çonin në masakrimin e një grupi të tërë.
Lufta e ritualizuar dhe dhuna vërtet vdekjeprurëse, nuk ishin të papajtueshme midis kulturave para-shtetërore. Në rastin e dhunës së qëllimshme ndaj të huajve, rituali simbolik luajti një rol të rëndësishëm, që nga lyerja e trupit para bastisjes, përdorimi i “heshtave të vdekjes” për luftë dhe jo për gjueti, deri tek nxjerrja e yndyrës nga veshkat e armiqve të masakruar për shkak të vetive të saj pretenduara si magjike.
Një nga motivet kryesore për dhunën midis fiseve të ndryshme, ishte dhunimi i vendeve të shenjta në “kohën e ëndrrave” të një fisi, të caktuara nga paraardhësit shpirtërorë që në fillim krijimit të botës. Mendoj se duhen marrë me njëfarë rezerve interpretimet mbi sjelljen e gjuetarëve-mbledhës në të kaluarën e afërt, deri në Epokën e Paleolitit.
Megjithatë është të paktën e besueshme të sugjerohet, se grupet njerëzore silleshin në mënyra jo krejtësisht të ndryshme. Midis gjuetarëve-mbledhës të kohëve modernë, 61 për qind e tyre përfshihen në luftë, ndërsa 27 për qind luftojnë vazhdimisht dhe shpesh.
Ndërkohë midis gjuetarëve-mbledhësve të lashtë, dhuna luftarake nuk ishte pa dyshim as universale dhe as e vazhdueshme, siç sugjerojnë edhe statistikat për pasardhësit e tyre modernë. Por me siguri që duhet të ketë ndodhur, edhe nëse janë zhdukur motivet dhe kulturat që e kanë nxitur atë.
Të argumentosh se mungesa e provave, është një dëshmi e mungesës së dhunë në grup nuk është bindëse, të paktën për shumë mijëvjeçarë të ekzistencës së racës sonë, Homo sapiens.
Sepse duket në thelb e pamundur që dhuna e rregullt dhe e dukshme në Epokat Mesolitike dhe Neolitike nga rreth 10.000 vjet më parë e këtej, për të cilën ka prova shumë më të bollshme,
të kishte një fillim të qëndrueshëm, në vend se të bazohej tek një linjë praktikash dhe sjelljesh të dhunshme midis njerëzve të Epokës së Paleolitit të vonë dhe klaneve, fshatrave dhe fiseve të organizuara.
Mbi ekzistencën e dhunës luftarake në Epokën Neolitike dhe më gjerë, nga të paktën 10.000 vjet më parë, ka pak vend për debat. Megjithëse pak studiues do të shkonin aq larg sa antropologu francez, Pier Klastre, që gjatë viteve 1970 shkroi: ”Shoqëria primitive nuk mund të mbijetonte pa luftë ... Ajo ishte një shoqëri bazuar tek lufta, edhe pse në thelbin e saj ishte e ngjashme me hortikulturën”.
Kalimi tek hortikultura dhe komunitetet e ngulitura në një vend të përhershëm, dhe pastaj tek bujqësia dhe sisteme më të gjera politike, shumë kohë para themelimit të qytetërimeve, shteteve dhe qyteteve, plotësohet nga provat e konflikteve të ngjashme hortikulturore, disa prej të cilave të shkaktuara nga kufijtë e ngushtë midis shoqërive të ngulitura në një vend të përhershëm dhe gamës së gjerë të gjuetarëve-mbledhësve që mbijetuan.
Këto prova, janë të lidhura ngushtësisht me kalimin në struktura të përcaktuara politike, qofshin fise egalitare apo mbretëri në të cilat u zhvillua një kulturë primitive. Evolucioni i këtyre shoqërive nuk ishte i njëtrajtshëm, dhe zhvillimi dhe koha ekzistencës së tyre ndryshonte nga rajoni në rajon.
Por në çdo pjesë të botës, ku kanë ndodhur gërmime arkeologjike, janë identifikuar fise dhe kryesisht komunitete bujqësore: në Evropë dhe Euroazi, Lindjen e Mesme, Kinë dhe Japoni, Polinezi dhe Australi, Amerikë, dhe në të gjitha rastet shumë kohë para kontaktit me kolonizatorët evropianë.
Madje në librin e tij ”10.000 vjet paqe në Lindjen e Afërt”, Brajan Ferguson, pretendon se pavarësisht se janë të pakta, provat sugjerojnë një nivel konflikti apo dhunë rituale në shkallë të vogël gjatë Epokës së Neolitit. Dëshmitë e gjetura, kanë të bëjnë me dëmtime të kafkës, frakturave të kokës dhe prerje kokash.
Përjashtimi i vetëm është arkeologjia e Afrikës Sub-Sahariane, nga e cila e kanë origjinën njerëzit. Ka ende shumë pak prova mbi zhvillimin e shoqërive afrikane në ekuivalentin afrikan të Epokës së Neolitit, që pastaj të ishim në gjendje të identifikonim kulturat përkatëse.
Besohet gjerësisht se shoqëritë fisnore, dhe veçanërisht ato etnike, ishin ‘rripi transmetues’ midis së kaluarës arkaike dhe zhvillimit të komuniteteve apo federatave më të mëdha shtetërore (në fakt, kjo është arsyeja pse shumë antropologë kanë zgjedhur të punojnë midis shoqërive fisnore bashkëkohore).
Aty ku mund të rindërtohet një pjesë e konsiderueshme e së kaluarës, duket se tregtia ka qenë endemike midis komuniteteve, të cilat militarizimi i ka bërë të paqëndrueshme ose të përkohshme, e karakterizuar nga aleanca jetëshkurtra të pasigurta dhe të dominuara nga mungesa e besimit.
Tregtia e vazhdueshme në nivelin fisnor apo midis udhëheqjes, i hapi rrugën shfaqjes së shteteve dhe tregtisë si institucione në Evropë, Azi dhe Amerikë. Kulturat që mbështetën bujqësinë në epokën e fiseve dhe mbretërive, mund të kuptohen më mirë duke u kthyer tek pasuria e materialit arkeologjik mbi fortifikimet, armët, ikonografia dhe traumat skeletore
që ofrojnë materialin për rindërtimin e konflikteve të së kaluarës.
Duke e vendosur arkeologjinë në një kontekst shoqëror, është e mundur të kuptohet jo vetëm arsyeja pse bujqësia dukej kaq e rrënjosur në shoqëritë në shkallë të vogël, por edhe se për çfarë qëllimesh duhej të shërbente.
Vendbanimet e fortifikuara, të lidhura me kalimin në hortikulturë ose bujqësi, gjenden në Evropë që nga rreth vitit 5500 Para Erës Sonë. Këtu, ashtu si në vene të tjera, ka një ndryshueshmëri të madhe në kohën dhe natyrën e fortifikimeve: ato ishin më të zakonshme në zonat ku kishte një kufi midis fermerëve dhe gjuetarëve-mbledhës, ose ku ka prova të migrimeve në shkallë të gjerë, të cilat ushtronin presion mbi vendbanimet ekzistuese.
Në shumë raste, mbrojtja natyrore u shfrytëzua për të ndërtuar vendbanime në kepe, faqe kodrash, maja shkëmbinjsh, ose në zona të mbrojtura nga lumenjtë dhe kënetat në dy ose
tre anët. Më pas mbrojtja natyrore, mund të plotësohej nga ndërtimi i gardheve me trungje, kullave etj. Gjurmë të tyre, shfaqen gjerësisht në zbulimet arkeologjike.
Midis zonave të banuara kishte ndonjëherë zona tampon, pra pa vendbanime, një ‘tokë e askujt’ që ofronte njëfarë mbrojtje nga largësia. Ndërsa popullsia në Evropë u zgjerua dhe u rrit konkurrenca për burime dhe tokë, fortifikimi u bë më i zakonshëm dhe më urgjente nevoja
për mbrojtje.
Në vendbanimin e lashtë Los Millares në Almeria të Spanjës që i përket mijëvjeçarit III
Para Erës Sonë, u ndërtua një mbrojtje shumë e hollësishme. E ndërtuar në një kep dhe e mbrojtur nga tre anët nga skarpate të pjerrët, vendbanimi kishte 3 rreshta muresh, bastione
dhe kulla të mbrojtura nga një hendek.
Niveli shumë i sofikstikuar i mbrojtjes, nuk kishte asnjë kuptim tjetër përveç përdorimit si një mbrojtje kundër ndonjë kërcënimi të perceptuar. Këtu, si kudo tjetër, dëshmitë e djegies së pjesëve të pajisjeve mbrojtëse sugjerojnë praninë e dhunës.
Ndërkohë, aty ku mbetën të paprekura fortifikimet, kjo ishte një dëshmi e efikasitetit të tyre.
Në rastet kur janë gjetur maja të shumta shigjetash ose ku trupat janë grumbulluar në mënyrë
jo ceremoniale në një kanal përreth, shpjegimi më bindës duket të jetë rrethimi dhe beteja.
Në sitin arkeologjik Kern Brae në Kornuoll, Britani, i mbrojtur nga një hendek, një mur guri, 6 porta komplekse dhe një mur i brendshëm 2 metra i lartë, gërmimi zbuloi 800 maja shigjetash prej stralli dhe shkatërrime nga zjarri, një dëshmi e qartë e zhvillimit të një konflikti.
Në një vendbanim tjetër të lashtë dhe i fortifikuar në Denbëri po e mijëvjeçarit të parë me 16 metra lartësi, pushtimi përfundoi kur një nga hyrjet me porta u dogj, dhe kur trupat e thuajse 100 burrave, grave dhe fëmijëve u hodhën në gropa nga sulmuesit.
Në Evropën Qendrore dhe Lindore, hendeqet, muret dhe gardhet me trungjet pemësh janë
tipare të zakonshme. Përgjatë vijës ndarëse midis mbledhësve të Epokës Neolitike dhe Mezolite, Linearbandkeramik, fortifikimi mbrojtës duket se ka qenë i zakonshëm, siç dëshmohet nga kanalet e mëdha rreth 2.8 metra të gjera dhe 1.6 metra të thella, disa me
pallate dhe me porta hyrëse komplekse.
Vendbanimi i lashtë në Zamaçek në Sllovaki, kishte një hendek të jashtëzakonshëm 4.5
metra të thellë dhe 10 metra të gjerë. Një vendbanim i mbrojtur neolitik në Dolauer Haide në Gjermaninë Perëndimore, kishte jo më pak se 6 kanale përpara një gardhi prej druri, sërish me një nivel angazhimi nga komuniteti që kishte kuptim vetëm në aspektin mbrojtës.
Edhe pse disa vende të mbrojtura duket se nuk ishin të banuara, ndoshta ato ishin strehë për fermerët vendas, nëse kërcënoheshin ndonjëherë nga të huajt. Përtej Evropës, fortifikimi përkoi sërish me kalimin tek vendbanimet e përhershme dhe rritjen e dendësisë së popullsisë.
Në Kinë, fortifikimet e para u shfaqën rreth vitit 4000 Para Erës Sonë, ndërsa fermerët dhe gjuetarët-mbledhës nisën të përlesheshin rregullisht midis tyre. Nga mijëvjeçari III para Erës Sonë, ndërsa lufta nisi të përhapej më shumë, fshatrat ishin të rrethuara me mure guri ose me ledhe dheu.
Në stepën e Uraleve, vendbanimet e fortifikuara u shfaqën në të njëjtën kohë, dhe kishin mure dhe kulla, kanale të thella në formë V-je si dhe argjinatura për të mbrojtur komunitetet e përqendruara në një vend. Fortifikimi ndodhi pak më vonë në kontinentin amerikan me rritjen e dendësisë së popullsisë, kur nisën të krijohen komunitete bujqësore të ngulitura në një vend të caktuar.
Edhe pse dëshmitë më të hershme të ndërtimeve mbrojtëse, datojnë që nga viti 4000 Para Erës Sonë. Dëshmitë për këtë janë përhapur gjerësisht nga fundi i mijëvjeçarit të parë të Erës Sonë. Konflikti midis gjuetarëve-mbledhës dhe fermerëve apo midis fiseve bujqësore rivale, inkurajoi zhvillimin e vendbanimeve të fortifikuara që nga shekulli X në gjithë pjesën qëndrore të Shteteve të Bashkuara - fillimisht me banesa të thjeshta dhe kanale, pastaj me mbrojtje më të forta me mure dhe kulla vëzhgimi.
Grupimi i fshatrave që u bashkuan kryesisht në qendrën e Kahokias, afër Sent Luisit të sotëm, mbrohej nga një pengesë prej 3 kilometrash e përbërë nga trungje të rëndë. Në luginat e Misisipit dhe Tenesit, lufta midis krerëve rivalë dhe fiseve u bë endemike për 600 vjet me radhë, duke filluar nga viti 90.
Kryeqendra Etouah e shekullit XIII në Alabama, kishte hapësira të fortifikuara me zona tampon kundër grupeve armiqësore. Pjesë kryesore ishte e rrethuar nga një gardh gjigant me trungje 3.7 metra i lartë dhe me një hendek 9.5 metra të gjerë. Por edhe ajo mbrojtje doli të ishte e pamjaftueshme.
Gardhi me trungje u dogj dhe vendbanimi u braktis në shekullin XV. Arkeologjia e fortifikimeve në Amerikës së Veriut, tregon se ndërtimi i mbrojtjeve luhatej sipas shkallës së kërcënimit apo shpërndarjes së popullsive. Por kur ishte e nevojshme, mbrojtja nënkuptonte fortifikim.
Në krahasim me mijëvjeçarët e epokave të Paleolitit dhe Mesolitit, dëshmitë mbi traumat skeletore janë të përhapura tek Neoliti (dhe më vonë për Epokën e Bakrit dhe Bronzit), dhe lidhen më qartë me luftimet e një lloji. Lëndimet e marra nga lufta, janë kryesisht goditje të mprehta në kokë, fraktura në krah për të shmangur goditjet, dhe maja shigjetash të ngulitura
në kockë ose të lidhura me skeletin.
Disa nga plagët nuk ishin vdekjeprurëse. Dhe dëmtimet jo vdekjeprurëse, përfaqësojnë ndonjëherë shumicën e lëndimeve midis një grupi skeletesh. Ndërsa kjo mund të sugjerojë
luftime të ritualizuara, plagët e shëruara mund të tregojnë mbijetesë nga një përleshje ose betejë, si në luftërat moderne, kur në përgjithësi plagosen më shumë ushtarë sesa vriten.
Prerja e kokës, heqja e skalpit dhe marrja e trofeve janë gjerësisht të pranishme. Ato ishin rezultat i konfliktit të dhunshëm apo i bastisjes për robër dhe viktima, të cilat do të përdoreshin për flijime për nder të Perëndive. Një theks i madh mbi origjinën e luftës, ka pasur pas zbulimit të masakrave, të cilat kanë tërhequr ndoshta një vëmendje jo proporcionale për shkak të natyrës së tyre spektakolare.
Megjithëse në terma antropologjikë, mund të përfaqësojnë forma të vrasjes rituale, ato mund të ishin gjithashtu fundi i tmerrshëm i konkurrencës ndërfisnore për burime apo një hakmarrje e egër për motive deri më sot të panjohura. Sigurisht, ato pasqyrojnë një shpërthim të papritur të konfliktit të dhunshëm midis vrasësve dhe viktimave.
Varrezat neolitike në Hercheim në Gjermani, që i përkasin vitit 5000 Para Erës Sonë, janë
nga më të njohurat, me 173 kafka dhe pjesë kafkash, dhe mbetjet gjymtyrësh të këputur dhe ndoshta të kanibalizuar të 334 burrave, grave dhe fëmijëve, të marrë peng për të përmbushur disa qëllime kulti nga zona shumë larg qendrës ceremoniale.
Në sitin arkeologjik Ashparn/Shlec, afër Vjenës, u gjetën në një hendek skeletet e 66 njerëzve të (ndoshta janë mbi 100), gati të gjithë të vrarë me sëpata. Në Talheim në luginën e Rhein, rreth vitit 5700 Para Erës Sonë, 16 fëmijë dhe foshnje, 9 burra dhe 7 gra u vranë me sëpata, shkopinj dhe shigjeta gjatë një bastisje në një vendbanim të vogël.
Në kontinentin e Amerikës, bazuar sërish në të dhënat arkeologjike, masakra kanë ndodhur nga veriu në jug. Në një vend në gjirin e Parakas në bregun e Perusë, një grumbull prej 56 trupash të njerëzve të rritur ishin varrosur në një dhomë rreth 7.000 vjet më parë, në atë që duket të jetë një shembull i hershëm i dhunës në Amerikën e vjetër.
Më domethënëse se masakrat për vërtetimin e tezës së lufta ka qenë një realitet i përhershëm për fiset dhe krerët e tyre, është detaji i traumave skeletore të rregullta, edhe pse në shkallë të vogël, të shkaktuara nga armët prej guri, kockash dhe së fundi metalet e hershme.
Ciflat e majave të ngulura në trup dhe dëmtimi i kafkës, janë treguesit kryesorë dhe në përgjithësi të mjaftueshëm për të treguar se dhuna luftarake nuk ishte as e kufizuar dhe as e rastësishme. Midis skeleteve paleo-amerikane të njerëzve që janë jetuar midis viteve 8000-7000 para Erës Sonë, është zbuluar se 58 për qind e tyre patën vdekje të dhunshme.
Në zonën e luginës së Misisipit, dhuna daton të paktën që 6800 vjet më parë. Copëzat e armëve, traumat skeletore dhe marrja e gjymtyrëve si trofe, janë që të gjitha të dukshme që
nga mijëvjeçari IV e tutje. Dhuna vazhdoi në mijëvjeçarin I të Erës Sonë.
Në kulturën Pylltarisë së Vonë (500 - 1000 Erës Sonë), një e katërta e skeleteve shfaqin fraktura në parakrahë dhe shenja të shtizave të ngulitura. Marrja e trofeut nga i munduri përfshinte kokat dhe duart. Në pjesën bregdetare të British Kolumbias, për periudhën fisnore midis viteve 3500 - 1500 Para Erës Sonë, 21 për qind e 57 skeleteve treguan plagë traumatike. Por më në veri, gjatë viteve 1500 para Erës Sonë deri në vitin 500 të Erës Sonë, një e treta e skeleteve të zbuluar kishin të dëmtuara nga dhuna. Në Evropën e Neolitit, Epokës së Bronzit dhe Epokës së Hekurit, thumbat e ngulura dhe traumat në kokë, tregojnë praninë e dhunës në të gjithë kontinentin, edhe pse ka pasur më pak përpjekje sistematike për të kataloguar dëmtimet skeletore.
Një studim mbi Spanjën e Neolitit të Vonë, zbuloi tek 40 skelete të gjetura në 13 zona të ndryshme vdekjen e njerëzve nga harqet, ndërsa disa të tjera treguan fraktura të shëruara nga dhuna e mëparshme. Gërmimet e fundit në një fshat spanjoll të Epokës së Hekurit, La Hoja, zbuluan një bastisje të dhunshme nga një fis fqinj i cili dogji fshatin dhe vrau fshatarët në rrugë, në kohë kur ata po përpiqeshin të shpëtonin.
Trembëdhjetë skeletet e gjetura deri më tani përfshijnë një prerje koke dhe dy krahë të amputuar. Hulumtimet në vendbanimin neolitik Jelsovce në Sllovaki, zbuluan se 27 për qind
e skeleteve kishin lëndime në kafkë, shumica e të cilave rezultuan në vdekje.
Midis varreve neolitike në Bergheim, Francë, që datojnë rreth 6.000 vjet më parë, u gjet njëra që përmbante skelete, me kockat e plotë të krahëve dhe duarve, të grumbulluara së bashku në të njëjtën kohë. Ato ishin me siguri për shkak të dhunës së armatosur se sa riteve të varrimit.
Lista është e gjatë, por ajo tregon një përfundim të qartë: që dhuna në shkallë të ndryshme, ndërmjet ose brenda komuniteteve fisnore dhe në rrethana që tani vetëm mund të supozohen, ishte një tipar i rregullt i mijëra viteve para evolucionit të proto-shteteve apo shteteve më të mëdha.
Evolucioni i armatimit në dispozicion të komuniteteve fisnore, tregon një zhvillim të qëndrueshëm nga mjetet prej guri, druri ose kocke që mund të përdoreshin si armë ose mjete, tek një arsenal i posaçëm instrumentesh të specializuara që ishin projektuar kryesisht për luftim.
Armët e hershme, ndaheshin midis atyre me rreze të gjatë, qofshin shtiza apo harku, dhe armëve luftarake që e godisnin një kundërshtar deri në vdekje, si sëpata prej guri, një bri i modifikuar apo një topuz i bërë nga një druri i fortë.
Harku dhe shigjeta, të ndërtuara për herë të parë në Afrikë, ndoshta deri në vitin 80.000 Para Erës Sonë, kishin një rëndësi të veçantë në mbarë botën, sidomos kur u përhapën në Euroazi dhe në Amerikë mijëra vjet më vonë. Sepse ato mund të përdoreshin si për gjuetinë ndaj kafshëve, ashtu edhe vrasjen e njerëzve.
Dhe majat e shigjetave të bërë me gurët e strallit, u modifikuan në disa raste për t’i dalluar njërën nga tjetra. Maja në formën e një gjetheje trekëndore, ishte krijuar enkas për t’u shpërbërë brenda plagës dhe kështu për të shkaktuar vdekjen e sigurt.
Shumica e harqeve janë zhdukur me kalimin e kohës, por ato që kanë mbijetuar deri në ditët tona, tregojnë një kuptim relativisht të sofistikuar të njerëzve të lashtë se si të maksimizohet ndikimi i tyre, duke zgjedhur drurin e duhur ose duke krijuar harqe të përbëra prej briri, druri dhe fijesh, një model që u bë shenjë dalluese e kalorësve harkëtarë në stepat euroaziatike.
Harkut dhe shigjetës, iu desh kohë për të kapërcyer Amerikën, që nga mbërritja e tij e parë në veriun Arktik nga Azia Verilindore në një moment pas vitit 9000 Para Erës Sonë. Teknologjia mbeti në veriun e largët deri në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë të Erës Sonë, kur harku dhe shigjeta u përhapën në të gjithë Amerikën e Veriut, duke zëvendësuar shtizën e përdorur në gjueti.
Dëshmitë arkeologjike, sugjerojnë se arma e re është përdorur në luftë në avantazh të fiseve që
e shfrytëzuan atë. Zhvillimi i teknologjisë së metaleve nga mijëvjeçari III Para Erës Sonë në Evropë dhe Azi, bëri të mundur zhvillimin e armëve luftarake që qëllonin nga afër dhe që shkaktonin një vdekshmëri më të madhe.
Kamat, shpatat, thikat, maja shigjetash metalike dhe shtiza metalike, gjenden shpesh në varrezat e Evropës së Epokës së Bakrit dhe asaj të Bronzit. Po ashtu edhe helmeta, parzmore trupi dhe mburoja të bëra prej druri, lëkure, pëlhure të rëndë ose metali të zhvilluara krah për krah me armatimin e ri.
Në Azinë Veri-Qendrore, përpunimi i metaleve prodhoi shtiza dhe ushta të rënda, dhe karrocat e para të luftës, mjaftueshëm të mëdha për të mbajtur karrocierin dhe hedhësin e shtizave. Më në jug në Kinë, armët prej nefriti dhe bronzi, helmetat prej bronzi, parzmoret prej lëkure dhe karrocat e luftës, u përhapën gjerësisht në mijëvjeçarin e dytë Para Erës Sonë.
Në mbarë Mesdheun dhe në Euroazi, u zhvillua ekuivalenti i hershëm i tregtisë së armëve, pasi u shfaqën fabrika të specializuara për gjithçka, nga stralli, kamat dhe sëpatat deri tek shpatat dhe thikat prej bronzi. Qasja tek tregtia apo tek mineralet dhe gurët, që bënin të mundur prodhimin e tyre, u shndërruan në një motiv për luftën e hershme.
Edhe aty ku nuk u zhvillua përpunimi i metaleve, mund të përmirësohej rrezja e armëve për të përballuar zgjerimin e luftës. Kur spanjollët zbarkuan në gadishullin Jukatan në vitin 1519, ata u ndeshën me një grup luftëtarësh Maja të armatosur me hobe, shtiza, harqe dhe shigjeta, dhe shpata prej druri.
Në kontaktin e parë me Zelandën e Re/Aotearoa, evropianët panë se Maorët ishin të armatosur me sëpata vdekjeprurëse të bëra nga kocka balenash, apo prej druri ose guri. Fiset e Amerikës së Jugut ishin të armatosura me hobe, shtiza, harqe dhe shigjeta, shigjeta helmuese, sëpata dhe topuzë shumë kohë përpara kontaktit me evropianët.
Ato ishin që të gjitha shoqëri fisnore, ose kryesisht shoqëri ku lufta ishte një praktikë e konsoliduar tashmë. Pra nuk u shpik vetëm për t’iu kundërvënë kolonizatorëve të rinj. Pyetja se kush e përdori armatimin e ri, ngre pikëpyetje akoma më të vështira për të identifikuar llojin e strukturës shoqërore ose hierarkike, që mund të ketë funksionuar në shoqëritë e hershme fisnore.
Disa fise ishin pa dyshim egalitare, pra të bazuara tek barazia midis anëtarëve, ashtu si disa bashkësi fisnore moderne, në të cilat të gjithë meshkujt e rritur mund të merrnin pjesë në bastisje ose sulme hakmarrëse. Por në momente të tjera, mund të kenë evoluar hierarkitë e hershme, në të cilat një elitë luftëtarësh u shfaqën si ndër burrat më të guximshëm apo më
të shkathët.
Dëshmitë nga varret e kësaj periudhe në Evropë dhe Azi, sugjerojnë se me kalimin e kohës, disa meshkuj u varrosën bashkë me armët e tyre në shenjë respekti për statusin e tyre shoqëror dhe ushtarak. Në një shembull të hershëm, që daton nga mijëvjeçari IV Para Erës Sonë në gadishullin danez të Jutlandës, luftëtarët varroseshin bashkë me maja shigjetash, sëpatat, kamat prej gurit dhe herë pas here një halberdë (kombinimi i një sëpatë dhe një shtize).
Në Evropën Veriore dhe Lindore, varret nga epoka e Neolitit të Vonë që përmbajnë armatime, dhe me sa duket edhe skelete luftëtarësh, përbëjnë 37 për qind të atyre të gërmuara. Vendvarrimet e Neolitit të Vonë dhe të Epokës së Bronzit, tregojnë rregullisht armët e luftëtarit të varrosura me luftëtarin që i mbante ato kur ishte gjallë.
Në të ashtuquajturën kulturë të Varrit të Vetëm, që daton nga mesi i mijëvjeçarit III Para Krishtit, luftëtarët identifikoheshin lehtësisht për një periudhë 1.000 vjeçare nga sëpatat, kamat, mbrojtëset e kyçeve të dorës dhe majat e shigjetave të varrosura bashkë me to.
Ikonografia e asaj periudhe, fillon që të tregojë më qartë statusin dhe imazhin e luftëtarit. Shembuj të tillë ka në të gjithë botën: 500 statujat prej bronzi të gjetura në Sardenja të Italisë, që datojnë që nga fillimi i mijëvjeçarit I Para Erës Sonë, me kama, helmeta, harqe, shigjeta dhe armatura.
Apo artefaktet prej ari në Amerikën e Jugut, të cilat përshkruajnë luftëtarë të armatosur me shkopinj, shtiza, kokat e viktimave të tyre në formën e trofeve, si dhe skulpturat monolitike të Andeve të luftëtarëve me armë dhe kufoma të copëtuara të armiqve, që datojnë rreth vitit 900 Para Erës Sonë.
Në Tokën Arnhem në Australi, vizatimet shkëmbore mbi dhunës luftarake, datojnë rreth 10.000 vjet më parë, me figurina primitive që tregojnë njerëz të shpuar nga shtizat dhe duke shmangur bumerangët. Duke nisur nga 6.000 vjet më parë, janë zbuluar skena të atyre që duken të jenë beteja të vërteta. Vetëm në një rast paraqiten 68 figura të vizatuara me njerëz që mbajnë armë.
Ndonëse kritikët sugjerojnë se imazhet janë metafora, domethënia e të cilave nuk mund të kuptohet tani, fiset e Tokës së Arnhemit në epokën moderne, u përfshinë në konflikte të rregullta vdekjeprurëse, të cilat përsëritën modelet e përshkruara në vizatimet shkëmbore.
Se kur dhe si u shfaq një klasë luftëtarësh, kjo ndryshonte qartazi nga kultura në kulturë.
Por ishte një përvojë e zakonshme, përveç rasteve kur norma diktonte pjesëmarrjen e gjithë meshkujve, si në komunitetet fisnore të dy Amerikave apo në shumë nga shoqëritë ndërluftuese të Skandinavisë dhe Euroazisë.
Edhe këtë rast, u dalluan në luftime disa luftëtarë, ndoshta duke vrarë disa armiq ose duke marrë rregullisht rolin e udhëheqësit të zgjedhur për të kryer një bastisje apo pritë. Këta ishin burra, zotësia ushtarake e të cilëve u hapi ndoshta rrugën për t’u bërë prijës të fisit.
Antropologjia e komuniteteve fisnore moderne, ka shumë shembuj si për shembull burrat e fisit Hivaro që përpiqeshin të bëheshin kakáram (udhëheqës) apo Janomamit në Venezuelë, që ishin vazhdimisht në luftë, sepse burrat duan imazhin e të fortit (uaiteri) apo të një vrasës i dallueshëm (unokai).
Lufta në Polinezi u konceptua për ta lejuar luftëtarin (toa) që të vriste armikun dhe të konsumonte fuqinë e tij, mana, duke e bërë veten më të fortë. Nuk është e vështirë të imagjinohet se botë të ngjashme simbolike, kanë vepruar në komunitetet fisnore, dhe veçanërisht në komunitetet kryesore mijëvjeçarët e fundit, për t’i dhënë luftëtarit një rol prestigji.
Por edhe për të legjitimuar kryerjen e luftës kundër armiqve, imagjinarë apo realë qofshin.
Elementet arkeologjike dhe antropologjike për të kuptuar evolucionin e luftës, janë sot më afër përcaktimit se sa një brez më parë.
Problemi qëndron tek përdorimi i këtyre elementëve, për të ndërtuar një panoramë të kulturave ndërluftuese që ato përfaqësojnë. Nëse lufta duhet të kuptohet si diçka e nxitur nga evolucioni kulturor, siç argumentojnë shumë antropologë, është ende e nevojshme të tregohet se si është zhvilluar ky proces me kalimin e kohës.
Antropologjia e shoqërive fisnore dhe veçanërisht atyre moderne, e cila përfshin një gamë
të gjerë kulturash, është një pikënisje, megjithëse një pakicë e vogël zakonisht nuk është luftarake. Këto kultura, mund të rezistojnë për periudha të gjata: vlerat, normat, besimet, kuptimet, pritshmëritë dhe kozmologjitë transmetohen nga brezi në brez, përmes asaj që antropologu Keltjon Robarçek e ka quajtur “përvoja e ndërtuar kulturalisht”.
Provat e përshtatjes kulturore ndaj luftës, tregojnë se dhuna nuk është vetëm materialisht e dobishme (konfiskimi i mallrave, ushqimit, robërve, grave), por është gjithashtu e rrënjosur tek praktikat shoqërore që e privilegjojnë luftën, siç janë ritet fillestare për të rinjtë, hakmarrja për akuzat për magji ose magji, apo kërkesa e pangopur e hyjnive lokale që robërit të sakrifikohen ose gjymtohen.
Lufta midis fiseve të Luginës së Lumit Kauka në Kolumbinë Veriore, e dokumentuar nga spanjollët pas mbërritjes së tyre në shekullin XVI, ofron një shembull të mënyrës se si dhuna përjetësohet dhe zbatohet në kontekstin e një kulture specifike.
Përgatitja për luftë, zhvillohej në këshillat e fshatrave, gjatë të cilave ofroheshin sakrifica gjaku për të thirrur në ndihmë një figurë të egër feline (mace ose tigër) për të mbështetur luftëtarët. Armët dhe furnizimet grumbulloheshin paraprakisht.
Vendbanimi i tyre mbrohej zakonisht nga gardhe druri, kulla dhe mure, sepse lufta ishte një kërcënim endemik. Përpara bastisjes, luftëtarët festonin dhe i lyenin trupat e tyre përpara se të niseshin për një sulm në agim. Fillimi i sulmit shpallej nga daullet, boritë prej briri dhe instrumente të tjera bëra nga eshtra njerëzore.
Banorët e vendbanimit të bastisur masakroheshin dhe copëtoheshin për t’u ngrënë, ndërsa disa robër çoheshin në selinë e shefit të fisit për t’u përdorur si skllevër apo si flijime për perënditë.
Në një luftë të zhvilluar nga fiset Karrapa dhe Pikara kundër udhëheqjes së Pozos u flijuan
300 viktima, ndërsa u morën me vete 200 ngarkesa mishi për t’u konsumuar nga fitimtarët.
Kokat në formën e trofeve, gjymtyrët dhe lëkurat e mbushura, u varën për të përforcuar prestigjin e luftëtarëve të komunitetit.
Kanibalizmi ritual që pasoi fitoren, supozohej të rriste fuqinë e atyre luftëtarëve që morën pjesë në sulm. Në këtë rast, kulturat ndërluftuese pasqyruan praktika që kishin një histori të gjatë.
Koka si trofe në kohët më moderne, priteshin shpesh në 3 rruazat e para të shtyllës kurrizore. Por shembulli i një kafke të tillë, u zbulua në sitin arkeologjik të distriktit të Azisë në Peru që daton në vitin 1400 Para Erës Sonë. Një dhunë e ngjashme, ekzistonte në kulturat fisnore të Amerikës së Veriut.
Midis popullit Jukpa, lufta ishte një mjet për të respektuar rendin ekzistues shoqëror dhe praktikohej ndër breza. Në të pritej të merrnin pjesë të gjithë të rinjtë. Fillimi përfshinte ngrënien e grerëzave të gjalla për t’i testuar ata. “Unë jam burrë. Unë jam trim, dhe unë do
të luftoj”- brohorisnin ata.
Kozmologjia e fiseve Apash, fliste për një botë të huajsh dhe rreziqesh jashtë fisit. Vrasësi i Përbindëshit, i mbante larg armiqtë dhe u jepte luftëtarëve të rinj të fisit forcë dhe dinakëri kur të përfshiheshin në luftime. Nevoja për luftë, ishte përcaktuar kulturalisht dhe kërkonte rregulla të rrepta përgatitjeje dhe sjellje, në të cilat merrnin pjesë të gjithë meshkujt e fisit.
Në fakt, në shumë raste të njohura, ritualet ishin thelbësore për t’i përgatitur burrat që të pranonin vrasjen e njerëzve të tjerë, qoftë përmes vallëzimit, pirjes, përdorimit të drogave haluçinogjene apo thirrjes së shpirtrave stërgjyshorë.
Në këtë kuptim, lufta shfaqet si një fenomen i programuar në kulturë, sa një produkt i organizimit shoqëror të brendshëm, po aq sa edhe një kundërpërgjigje ndaj rrethanave të jashtme. Kjo antropologji kulturore, mund të përdoret edhe për të analizuar dëshmitë nga kulturat më të lashta, edhe nëse funksioni dhe kuptimi i luftës është ende i hapur për interpretim.
Kokat e prera si trofetë të gjetura në Hercheim, sugjerojnë krahasimin me gjuetarët e kokave në luginën e Kaukas. Ikonografia e hershme që shfaq marrjen, copëtimin dhe sakrificën e trofeve regjistron praktika, të cilat zgjatën për mijëra vjet.
Në arkeologjinë e Britanisë së Epokës së Hekurit në mijëvjeçarin e parë të Erës Sonë, ka pamje të kësaj lloj dhune “performative”, e cila tregon bastisje të rregullta, përdhosje të fortesave dhe vdekje rituale. Robërit dhe skllevërit merreshin për flijim për nder të Perëndive apo për shitjen tek të tjerët për para dhe produkte të ndryshme.
Prangat e hekurta dhe zinxhirët në qafë të gjetura tek eshtrat e viktimave, tregojnë punën e tyre si robër apo viktimat e vrasjeve rituale. Dëshmitë skeletore, tregojnë një dhunë të ritualizuar në ceremoni flijimi si dhe shkëputje të gjymtyrëve të rriturve dhe fëmijëve.
Praktika e gjuetisë së kokave, mund të jetë kryer për të promovuar zhvillimin e fshatit dhe prestigjin e gjuetarëve, siç ka argumentuar antropologjia për gjuetarët e kokave në të kaluarën e afërt të njerëzimit.
Të dhënat janë më të plota mbi këtë çështje, nisën të shfaqen me kalimin gradual nga shoqëritë dhe mbretëritë fisnore në sisteme më të mëdha politike, të cilat zhvillonin rregullisht luftëra, ashtu siç kishin bërë paraardhësit e tyre fisnorë.
Në të vërtetë, evolucioni i kulturave të luftës, është i lidhur ngushtë me shfaqjen e strukturave
më të mëdha shoqërore dhe politike, që eliminuan praktikat, kuptimin dhe sjelljen e luftës fisnore dhe veçanërisht brenda tyre. Në atë periudhë, lufta ishte tashmë një element i pakthyeshëm në organizimin dhe sjelljen e shoqërive njerëzore, dhe ka mbetur e tillë që nga
ajo kohë.
Dy shembuj tregojnë mënyrën se si kulturat e luftëtarëve u artikuluan dhe më pas u transmetuan me kalimin e kohës, dhe që të dy janë shembuj që fillimisht mendohej se vërtetonin të kundërtën.
I pari vjen është Roma e lashtë nga origjina e saj fisnore. I dyti është kultura Maja e Amerikës Qendrore në mijëvjeçarin e parë të Erës Sonë. Gjatë periudhës nga rreth vitit 600 deri në vitin 300 Para Erës Sonë, Roma kaloi nga një federatë fisnore e strukturuar lirshëm, në një proto-shtet të përqendruar tek qytetet.
Interpretimi i mëhershëm i Romës si e përfshirë me ngurrim në luftë në shekujt e saj të parë të zgjerimit, është përmbysur në favor të një vizioni të Romës si një shoqëri shumë e militarizuar. Në fakt, vetë miti i famshëm i themelimit të Romës bazohej tek lufta.
Romuli dhe Remi, binjakët e Marsit, Perëndisë së luftës, formuan një grup grabitës për të themeluar qytetin. Miti i themelimit, u lidh me konceptin e heroizmit të luftëtarit, i cili u bë
një motiv i përsëritur në një kulturë të përkushtuar ndaj luftës. Miti, i shërbeu qëllimit të tij kulturor.
Në fakt, Roma nisi të forcohej kur në një moment midis shekujve VIII-VII Para Erës Sonë,
një numër fshatrash fisnore u bashkuan buzë lumit Tiber dhe rrugëve kryesore tregtare, për të krijuar një agregat më të madh urban. Federata fisnore u përfshi në bastisje dhe grabitje bagëtish ndaj klaneve fqinje.
Bandat komandoheshin nga luftëtarë të shquar, të cilët përfaqësonin njëzet klanet fisnore
nga fshati dhe qyteti, të udhëhequr nga një kryekomandant fisi ose “mbret”. Shumë luftëra të hershme u kufizuan në zonën përreth qendrës së fisit.
Madje deri në shekullin IV Para Erës Sonë, qyteti Vei i pushtuar në vitin 396 (i përjetësuar në veprën “Koriolanus” të Uilliams Shekspirit) ishte vetëm 15 kilometra larg Romës. Luftërat u mbështetën nga një milici qytetare, në të cilën pritej të shërbenin të gjithë burrat.
Dhe në fakt, me fjalën latine “populus” nënkuptohej fillimisht “ushtria”. Shfaqja e mëvonshme e zyrës së konsullit ishte e lidhur ngushtë me luftën, pasi prej tyre pritej që të zhvillonin luftë rregullisht dhe të drejtonin personalisht ushtritë romake.
Zyra e kuestorit u krijua për t’u siguruar enkas, që plaçka e luftës të shpërndahej në mënyrë të drejtë midis atyre që luftuan. Ajo e Romës së lashtë, ishte një kulturë e dominuar nga vlerat ushtarake. Lufta përfshinte rituale komplekse për të pasur sukses.
Para luftimit, kërkohej miratimi hyjnor nga fetialët, priftërinjtë që qëndronin në kufirin e territor armik, për të hedhur shtiza në tokën e këtyre të fundit si një lloj sfide. Në fund dhe në fillim të çdo sezoni të fushatës, kryheshin ceremoni të hollësishme kushtuar perëndisë Mars.
Dyert e tempullit të Janusit në qendër të Romës, mbylleshin sipas zakonit, vetëm kur Roma nuk ishte në luftë. Autorët e lashtë, konfirmojnë se ato u mbyllën vetëm një herë gjatë një ndërprerje të konfliktit, në fund të Luftës së Parë Punike në mesin e shekullit III Para Erë
Sonë.
Një shekull e gjysmë më vonë, pati një hendek prej 12 vjetësh pa luftë, gjë që e nxiti Senatin t’u shpallte luftë dalmatëve, sepse siç shkruan grek Polibit “ata nuk donin në asnjë mënyrë, që burrat e Italisë të bëheshin të dobët dhe femërorë, për shkak të një periudhe të gjatë paqeje”.
Perëndesha e paqes, Pax, respektohej pak kur hynte në panteonin romak drejt fundit të periudhës republikane. Lufta festohej shumë më tepër, siç tregohet nga festat e rregullta kushtuar komandantëve veçanërisht të aftë, kur të burgosurit dhe plaçka parakalonin nëpër rrugët e qytetit, mesatarisht një herë në një vit e gjysmë.
Disfatat, që ishin më të rralla, i atribuoheshin rregullisht dështimit për të respektuar mbikëqyrjen ose dështimit për të kryer me përpikëri ritualet para luftës. Lufta ishte shumë
e rrënjosur në kulturën romake, që nga fillesat e saj fisnore, deri në fillimin e zgjerimit perandorak në shekullin III Para Erës Sonë.
Shembulli i dytë i një kulture, në të cilën lufta dikur konsiderohej kryesisht e munguar mund të gjendet tek shoqëritë Maja të Gadishullit Jukatan (që përfshin pjesë të Meksikës, Belizes dhe Guatemalës së sotme). Duke i bërë jehonë Margaret Med, Tomas Gen dhe Erik Tompson, deklaruan në një rrëfim të vitit 1937 se “Majat ... ishin një nga kombet më pak luftarake që kanë ekzistuar ndonjëherë”.
Por kjo pikëpamje, është përmbysur nga provat arkeologjike të zbuluara në 5 dekadat e fundit, të cilat kanë transformuar jo vetëm të kuptuarit rreth shkallës dhe rregullsisë së luftës brenda këtij populli të famshëm, por edhe vendit që zinte luftimi si proces në kulturën dhe shoqërinë Maja.
Ashtu si në shembullin e Romës, luftërat e Majave u zgjerua me kalimin nga principatat e vogla lokale, një karakteristikë e periudhës para-klasike para vitit 250 të Erës Sonë, tek shtetet e vogla me qendra urbane, të cilat i karakterizuan periudhat klasike të 800 viteve të ardhshme.
Qytetet Maja që luftuan kundër njëri-tjetrit, shpesh në distanca kohore relativisht të vogla, në disa raste ndoshta për t‘u mbrojtur apo për të vënë nën kontroll rrugët tregtare (veçanërisht qasjen tek kripa dhe mineralet e obsidianit, një shkëmb magmatik që përdoret për të bërë armë), por me siguri për të siguruar robër për sakrifica ndaj Perëndive, për të kërkuar shpërblim për lirimin e tyre apo për të zgjeruar fuqinë e komandantëve vendas.
Konfliktet në disa rajone, mund të datojnë me më pak siguri në mijëvjeçarin e parë Para Erës Sonë nga dëshmitë e fortifikimeve, armatimeve dhe ikonografisë. Por natyra e konfliktit dhe kultura që e rrethon atë, kuptohen më mirë për shekujt klasikë nga viti 250 deri në 1000 të Erës Sonë, për të cilat ka të dhëna hieroglifike, të cilat kanë nisur që të deshifrohen.
Gjatë mijëvjeçarit të parë, lufta ka qenë një pjesë integrale e përvojës së Majave në të gjithë Gadishullin Jukatan, mbështetur nga një sërë kulturash ndërluftuese, ekzistenca e të cilave nuk është më në dyshim. Edhe pse shtrirja dhe kuptimi i dhunës, është ende e hapur për interpretim midis ekspertëve.
Lufta e Majave u mbështet nga një elitë luftëtarësh, duke përfshirë mbretin dhe skribët (shkruesit e ngjarjeve) dhe artistët që banonin në oborrin e tij. Mbretërve u shërbente një kastë ushtarake, nakomët, nga mesi i të cilëve mund të zgjidheshin udhëheqësit e luftës, dhe një forcë kryesore ushtarake, holkanët.
Imazhet e mbretërve dhe princave në murale dhe stema, i shfaqin ata me kostume të rafinuara ushtarake, duke mbajtur armë, ndonjëherë duke pasur përkrah robër të lidhur apo kufomat e tyre të copëtuara.
Ikonografia, dhe veçanërisht pikturat murale të zbuluara në Bonampak, janë një burim i pasur për të gjitha fazat e konfliktit: beteja midis grupeve rivale, kapja e të burgosurve, procesioni me priftërinjtë që drejtojnë viktimat drejt flijimit për nder të zotave, dhe ekzekutimi ritual i viktimave.
Zbulimi i provave të mëtejshme murale, ka treguar shkallën në të cilën lufta ishte ngulitur
në qendër të vëmendjes publike të fiseve Maja. Në rajonin kodrinor Puuk të Jukatanit Veriperëndimor, që dikur mendohej se kishte qenë më pak luftarake se sa ultësirat në veri dhe jug, murale të ngjashme tregojnë zotër-luftëtarë, të shoqëruar nga luftëtarë me shtiza, mburoja dhe stema të thjeshta dhe të dekoruara.
Vëmendja e madhe ndaj kostumeve të përpunuara dhe armatimit të personalizuar, flet për një shoqëri në të cilat shfaqja dhe performanca ushtarake, si dhe një “ekonomi” ushtarake, ishin elemente qendrore. Në tekstet dhe gdhendjet hieroglifike, tani janë identifikuar glife që tregojnë konfliktin dhe pasojat e tij, dhe ato shfaqen rregullisht.
Sëpata, ch’ak, simbolizonte fitoren. Ajo shfaqet në trajtat e foljeve, ch’akah (të presësh me sëpatë ose të presësh kokën), dhe më të përpunuar ch’akah kun, që mendohet se sinjalizon shkatërrimin e një rivali për pushtet.
Një listë e ngjarjeve të luftës, përdor glifët për të përshkruar prerje kokash, rënie nga pushteti ose kapje rob, duke renditur 107 ngjarje në 28 qendra të banuara nga shekulli VI deri në shekullin IX të Erës Sonë. Në këto komunitete, lufta ishte e lidhur ngushtë me praktikat dhe besimet e mbinatyrshme, të cilat duheshin vëzhguar edhe nëse motivi kryesor për konflikt ishte përfitimi material.
Udhëheqësit identifikoheshin me hyjnitë, duke adoptuar emrat e tyre dhe duke i personifikuar
në ritualet fetare. Përpara një bastisjeje ose beteje, ata konsultoheshin orakujt për udhëzime dhe mbështetje hyjnore, shpesh të vendosura brenda ose afër shpellave.
Orakulli Hobol (Barku i zbrazët) kishte një zgavër të posaçme për viktimat e flijimit. Një tjetër i quajtur Ah Hulneb (Shigjetari), përfaqësohej me një shigjetë të pikturuar në të gjithë imazhin.
Banderolat dhe imazhet e figurave të mbinatyrshme barteshin në betejë për t’u konsultuar ndërsa fillonte konflikti. Një nga objektivat e luftës, ishte pushtimi dhe shkatërrimi i vendeve të shenjta të armikut, duke siguruar kështu mbrojtjen e vendeve të shenjta dhe forcës shpirtërore të sulmuesve.
Humbja e hapësirës së shenjtë, sinjalizonte kolapsin e komunitetit të sulmuar. Një ushtri fitimtare e përdhoste ritualisht qytetin armik dhe kryente ritet e asgjësimit, për t’i mohuar armikut pasjen e çdo lloj fuqie shpirtërore.
Zakonisht kjo praktikë përdorej kur një ndërtesë ose tempull i ri, do të zëvendësonte një të vjetër, por në luftë asgjësimi ishte një fjalë e zymtë. Në një varr të zbuluar në qytetin verior të fiseve Maja, Jaksuna, që datojnë rreth vitit 400 të Erës Sonë, arkeologët zbuluan trupat e vrarë të 11 burrave, grave dhe fëmijëve, përfshirë edhe drejtuesin e madh, që të gjithë me kokat e prera.
Varri përmbante imazhin e Perëndeshës së Madhe të kozmologjisë Azteke, dhe një imazh të
një luftëtari të veshur për nder të kultit të luftës Talok-Venus, që shënonte rënien e dinastisë së pushtuar Jaksuna dhe triumfin e mundshëm të qytetit të afërt të Oksikintok, aleat i aztekëve.
Në qytetin Kolha, qendra e prodhimit të veglave dhe armëve prej guri, një sulm i papritur në shekullin VIII të Erës Sonë, çoi në eliminimin ritual të elitës dhe shkatërrimin e ndërtesave.
Një gropë që përmbante 30 kafka burrash, grash dhe fëmijësh që iu ishte prerë koka dhe ishin shpërfytyruar, zbuloi rolin e rëndësishëm të ritualit pas fitores ose humbjes. Në një gropë tjetër, u zbuluan më shumë skeletet të përdhosur, të gjymtuar dhe të copëtuar sipas ritualeve fetare.
Qyteti nuk u banua më në të ardhmen. Në të dyja rastet, në Romë dhe tek fiset Maja, shoqëria sillej rreth perspektivës ose praktikës së dhunës në emër të perëndive. Rituali që promovonte luftën dhe luftëtarët që e zhvillonin atë, u rrënjosën në evolucionin afatgjatë të komunitetit, duke ua transmetuar brezave, për të cilët ajo u bë një pjesë thelbësore e leksikut kulturor. Pikërisht këtu, pra në pikën ku kulturat e luftës u ngulitën në realitetin shoqëror dhe kozmologjinë mbizotëruese të komuniteteve kryesisht fisnore dhe proto-shtetërore, antropologjia ka diçka për të na treguar rreth origjinës dhe evolucionit të luftës.
Pasi “xhindi doli nga shishja”, ishte e pamundur për ta futur sërish brenda. Ndoshta kjo shpjegon edhe arsyen pse antropologjia ka folur më pak për luftën historike gjatë 2.000
viteve të fundit.
Kjo është në një kontrast me vëmendjen e madhe, që i është kushtuar etnografisë së shoqërive bashkëkohore në shkallë të vogël, dhe interesit antropologjik në rritje në përpjekjen për të shpjeguar se si shoqëri të ngjashme në të kaluarën, e bënë ose jo diçka të dallueshme si një formë lufte.
Kur antropologjia moderne analizon luftën në kohërat moderne, ndodh më shpesh që ajo që kuptojë efektet e saj antropologjike mbi viktimat e luftës, sesa të marrë në konsideratë arsyet pse njerëzit e sotëm vazhdojnë të luftojnë dhe të vrasin në një shkallë gjithnjë e më të madhe.
A shkakton kultura luftën? Dhe nëse po, më shumë sesa gjenet apo mënyra e funksionimit
të mendjes? Pikëpamja e Med mbi luftën si një shpikje, e cila një ditë mund të ç’shpiket, e pranonte se kultura mbizotëruese, ishte formësuar në një masë të madhe nga lufta:
“Lufta është këtu me ne, si pjesë e mendimit tonë. Veprat e luftëtarëve janë të përjetësuara në fjalët e poetëve tanë, lodrat e fëmijëve tanë janë modeluar sipas armëve të ushtarit, korniza e referencës brenda së cilës veprojnë burrështetasit dhe diplomatët tanë, përmban gjithmonë luftën”.
Shembujt e shumtë nga e tashmja dhe e kaluara të analizuara nga antropologët, përqendrohen
tek mënyra se si kultura u jep formë besimeve, pritshmërive dhe praktikave që e bëjnë të mundur, të dëshirueshme ose në disa raste pak a shumë të pashmangshme luftën në shoqëritë e rrënjosura thellë tek kjo praktikë.
Provat arkeologjike të luftës, që shtrihen në të kaluarën e largët, nuk mund të hidhen më poshtë. Disa ekspertë argumentojnë se kultura funksionon si natyra: kulturat e suksesshme luftarake, sigurojnë mbijetesën e komunitetit, në kurriz të konkurrentëve më pak luftarakë ose më pak të aftë.
Kjo ide e darvinizmit kulturor, është po aq deterministe sa teoria e përzgjedhjes natyrore, dhe i nënshtrohet kritikës së dukshme, se shumë kultura me një përzgjedhje të dukshme për agresion nuk arrijnë të mbijetojnë.
Kulturat krijohen nga njerëzit që i banojnë ato, dhe ka prova të mjaftueshme se një pjesë e vazhdueshme e zhvillimit kulturor njerëzor gjatë 10.000 viteve të fundit, qoftë me imitim apo përhapje, ka qenë preferenca për një formë lufte - qoftë bastisje, armiqësi, beteje e hapur, ose në shumë raste të tria - që formëson dhe formësohet nga kultura mbizotëruese.
Ndryshueshmëria kulturore, përcakton se si mund të shihet lufta në kohë dhe kontekste të ndryshme. Ndërsa që të ndodhë lufta, janë të nevojshme motivet materiale ose jo materiale. Por kulturat e luftës janë universale, gjë që sugjeron se biologjia dhe psikologjia, mund të kenë ende diçka për të kontribuar, së bashku me kulturën, në shpjegimin e një fenomeni që është më shumë se sa thjesht një shpikje.
Kapitulli IV
Ekologjia
“Ndryshimet klimatike, veprojnë si një kërcënim i shumëfishtë për paqëndrueshmërinë në disa
nga rajonet më të trazuara të botës.…Në dallim nga shumica e kërcënimeve të zakonshme të sigurisë që përfshijnë një entitet të vetëm që vepron në mënyra dhe pika specifike, ndryshimi i klimës ka potencialin të prodhojë në probleme të shumta kronike, të cilat ndodhin globalisht dhe në të njëjtin kuadër klimatik të rajonit. Ndryshimi i parashikuar i klimës, do të shtojë tensionet edhe në rajonet e qëndrueshme të botës”
(Qendra për Raportin e Analizave Detare, 2007)
Mundësia që një katastrofë ekologjike të çojë në konflikt, qoftë brenda ose midis shteteve,
është bërë një obsesion i shekullit XXI. Në vitin 2007, 11 gjeneralë dhe admiralë amerikanë në pension, hartuan një raport mbi ndryshimet klimatike dhe sigurinë, për ta njoftuar Pentagonin për pasojat e paqëndrueshmërisë dhe konflikteve të mundshme të shkaktuara nga ndryshimet e shpejta në kushtet mjedisore.
Ata rekomanduan që qeveria amerikane të niste menjëherë nga puna për integrimin e pasojave të ndryshimeve klimatike në “strategjitë e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes kombëtare”. Institute studimore dhe organizatat e sigurisë në mbarë botën, e kanë vendosur ndryshimin e klimës dhe pasojat e tij politike në qendër të shqetësimeve aktuale për të ardhmen e konfliktit. Gjithsesi, këto shqetësime shtrojnë pyetjen nëse ekziston një lidhje thelbësore midis ekologjisë dhe luftës gjatë mijëra viteve katastrofa klimatike dhe krizash mjedisore. Shkenca e ekologjisë ka një origjinë relativisht të re (termi “ekologji” u krijua në vitet 1860 nga shkencëtari gjerman Ernest Hekel).
Por ideja, se një marrëdhënie e drejtpërdrejtë dhe potencialisht e rrezikshme, mund të vërehej midis qenieve njerëzore dhe mjedisit të tyre, u argumentua më së miri më herët nga kleriku anglez Tomas Maltus.
Eseja e tij mbi “Parimin e popullsisë”, botuar fillimisht në vitin 1798 dhe ribotuar shumë herë, pretendonte se kur popullsia njerëzore e tejkalonte kapacitetin e tokës për ta mbështetur atë, një kombinim i urisë, murtajës dhe luftërave, do ta rregullonte atë në një nivel që mjedisi mund të mbante edhe një herë, dhe do ta bënte këtë gjithmonë përmes presionit ciklik mbi jetën.
Në këndvështrimin e tij, ishte një realitet i ashpër: “Zhvillimi i luftës është një ves, dhe efekti i saj është mjerimi. Askush nuk mund të dyshojë në mjerimin e mungesës së ushqimit!”. Por lufta ishte një nga mekanizmat nga të cilat njerëzimi përfitoi, duke rivendosur një ekuilibër midis popullatave njerëzore dhe mjedisit ku ata banonin.
Midis popujve barbarë, argumentoi Maltus, fituesit do të bëheshin “të mëdhenj dhe të fuqishëm ... të kënaqur në luftë, ashtu si humbësit do të vdisnin nga vështirësitë dhe uria”. Lufta si një nga 3 mekanizmat e kontrollit që përmend Maltus mbi rritjen e popullsisë njerëzore nuk funksionoi për hir të saj, por si një agjent i jashtëm që do të ndihmonte në zbutjen e një krize ekologjike.
Britaniku shkroi shumë përpara se të ishte e mundur të vlerësohej me një saktësi më të madhe, nëse rritja e popullsisë e tejkalonte gjithmonë zgjerimin e prodhimit të ushqimit, dhe me çfarë pasojash. Për shkencën e ardhshme të ekologjisë, kjo ishte një çështje biologjike.
Çdo ekosistem, varej nga vendosja e një ekuilibri për speciet bimore dhe shtazore që banonin në të. Ndërvarësia e këtyre elementeve natyrore, mund të prishet nga krizat mjedisore, ndryshimet afatgjata mjedisore ose pushtimi i specieve ekzogjene, pra që vijnë nga ekosisteme të tjera.
Aty ku popullatat e bimëve ose kafshëve, e tejkalonin atë që mund të mbështeste ekosistemi, përshtatja natyrore do të krijonte një ekuilibër të ri. Ky argument, është në përputhje me mënyrën e të menduarit biologjik të Çarls Darvinit.
Një zgjidhje, ishte gjetja e më shumë “hapësire” për një specie që të mbijetojë duke ndryshuar madhësinë e zonës ekologjike. Shprehja më e famshme e idesë për një territor më të madh, erdhi nga zoologu gjerman Fridrih Racel, që në vitet 1890 shpiku termin Lebensraum - “hapësirë jetike” - për ta përshkruar atë.
Racel argumentoi se për të mbijetuar, çdo specie duhej të balanconte hapësirën e saj të jetesës me madhësinë e popullsisë së saj. Nëse kjo provokonte konkurrencë për burime, rezultati ishte ajo që ai e quajti Kampf um Raum (një “luftë për hapësirë”).
Racel e konsideronte luftën për hapësirë, dhe jo luftën darviniane për ekzistencë, si faktorin me jetik në natyrë. Sipas tij lufta për ekzistencë, vjen nga kërkimi i një hapësire më të madhe. Çdo specie ose e zgjeronte hapësirën e saj, ose do të përballej me zhdukjen graduale.
Edhe pse shkroi kryesisht për bimët dhe kafshët, siç bëjnë ende sot ekologët modernë, argumenti i Racel iu përshtat lehtësisht specieve njerëzore. Në librin e tij “Der Lebensraum”, botuar në vitin 1901, ai aplikoi teorinë e tij ekologjike për sjelljen e njerëzve teksa ata konkurronin për hapësirën: “Në luftën për ekzistencë, hapësirës duhet t’i jepet një rëndësi e barabartë në ato pika vendimtare në luftën midis popujve, të cilat ne i quajmë beteja”.
Ashtu si zogjtë, bimët ose gjitarët e tjerë, njerëzit konkurronin natyrshëm. Megjithëse në rastin e tyre, e bënë këtë me dhunë të vetëdijshme, dhe jo si një shtysë natyrore evolucionare. Termi Lebensraum (hapësirë jetike), u bë më pas i njohur si koncept që nxiti vizionin e Adolf Hitlerit mbi pushtimin perandorak, gjë që ndoshta shpjegon edhe arsyen pse emri i Racel është zhdukur kryesisht nga çdo diskutim mbi ekologjinë njerëzore.
Kur ekologjia u shfaq në vitet 1960 - 1970 si një fushë kyçe e debatit brenda shqetësimeve më të gjera mbi mjedisin, vëmendja kryesore ishte tek historia natyrore e ekosistemeve të botës, të cilën kërcënonte ta prishte aktiviteti njerëzor.
Përdorimi i shkencës ekologjike për të kuptuar marrëdhëniet njerëzore me mjedisin u fokusua,
siç kishin bërë dikur Maltus dhe Racel, tek çështja e presionit demografik mbi burimet e pamjaftueshme të tokës. Kjo ngriti pyetjen, nëse ose në çfarë mase ekzistonte një lidhje historike midis mungesës së ushqimit, rritjes së nivelit të popullsisë dhe konfliktit njerëzor, siç sugjeruan teoritë e mëparshme.
Teoria moderne e përshkruan këtë çështje si “kapaciteti mbajtës i tokës”. Pra shkalla në të cilën territori ekzistues i një popullsie njerëzore, mund të sigurojë mjaft ushqime thelbësore dhe burime për ta mbështetur atë. Ky është një koncept i përkthyer lehtësisht në kohën kur njerëzit ishin më të varur nga kërkimi i ushqimit ose gjuetia apo nga forma më pak produktive të bujqësisë.
Rritja e dendësisë së popullsisë, mund të kërcënonte stabilitetin e zonës ekologjike në të cilën jetonin komunitetet e kaluara, ndërsa presionet mjedisore (ndryshimi i klimës, fatkeqësitë natyrore, etj.) mund të bëjnë të njëjtën gjë, ose dalëngadalë ose përmes një krize të papritur mjedisore.
Për shembull, shpërthimi masiv i vullkanit Ilopango në Amerikën Qendrore në vitin 536 të
Erës Sonë, shkaktoi sipas një tregimi bashkëkohor “një Diell në eklips” në Botën e Vjetër dhe u shoqërua me “murtajë dhe luftë”. Shpërthimi më i njohur në vitin 1815 i vullkanit Tambora në Indonezinë e sotme, shkaktoi një “vit pa stinën e verës”, një shkatërrim të gjithë prodhimeve bujqësore dhe protesta të dhunshme në të gjithë Evropën.
A kanë nxitur konflikte në të kaluarën krizat në “kapacitetin mbajtës të tokës”? Është e vështirë të imagjinohet që kjo gjë të mos ketë ndodhur, pavarësisht mungesës së dëshmive të sigurta historike për popujt parahistorikë dhe proto-shtetërorë.
Edhe aty ku popullatat ishin të pakta, konkurrenca për burimet ushqimore gjithnjë e më në rënie - për shembull për shkak të pakësimit të faunës nga gjuetia e tepërt - mund të ketë shkaktuar konflikte po aq sa edhe presioni i një popullsie të dendur dhe në rritje.
Migrimet në një shkallë të gjerë, në kërkim të më shumë tokave, nënkuptonin zhvendosje apo një sfidë për banorët që i zotëronin tashmë ato. Madje edhe lëvizja nga një luginë në tjetrën, mund të shkaktonte në konflikt, diçka që ka qenë e dukshme në zona të ndryshme si në Kilin parahistorik apo në Gjermaninë e Epokës Neolitike.
Në mbarë botën, zhvillimi i njësive fisnore nëpërmjet bashkimit të klaneve të vogla të gjuetarëve-mbledhës solli krijimin e territoreve fikse. Ndonëse është thuajse e sigurt se njerëzit kishin krijuan shumë kohë më parë territore imagjinare, edhe si mbledhës ushqimesh apo gjuetarë të thjeshtë, siç janë sot komunitetet e shimpanzeve.
Në kushtet e betejës për territore, veçanërisht midis vendbanimeve bujqësore ose hortikulturore sedentare, përvetësimi i territorit shtesë për të shfrytëzuar ose mbrojtur ato ekzistuese, shoqërohej në një shkallë apo tjetrën me akte dhune.
Në rast se territori nuk mund ta mbështeste më popullsinë me ushqim të mjaftueshëm, dhe do të kishte pak perspektivë për përmirësimin e rendimentit të ushqimit, ndryshimin e zakoneve të jetesës apo lëvizjen në rajone të pabanuara, ka të ngjarë që “hapësira jetike” do të zgjerohej në kurriz të dikujt tjetër.
Konflikti nuk do të shpërthente gjithmonë, siç mund të vërehet edhe nga studimet etnografike të popullsive fisnore moderne. Megjithatë, ai ishte i nënkuptuar në natyrën e zgjedhjes, si për ata që synonin të zgjeronin burimet e tyre, ashtu edhe për ata që kishin kundër ndërhyrësve
në territorin e tyre.
Kërkimet mbi komunitetet bashkëkohore paramoderne, kanë treguar se kur dendësia e popullsisë ishte në maksimum, gjahtarët-mbledhës e rritnin me 6 përqindjet rastet e luftës. Ndërkohë në mesin e shoqërive të avancuara hortikulturore dhe agrare, kjo dukuri vërehet në 85 për qind e rasteve.
Në Guinenë e Re, një vend-laborator për etnografët modernë, një studim mbi 26 fise tregoi gjasat e mëdha të luftës për tokë në 19 raste, kur dendësia e popullsisë ishte e moderuar ose
e lartë, por vetëm në një rast ku dendësia e popullsisë është e ulët.
Dhe nga kërkimet aktuale etnografike, ekzistojnë shumë shembuj të presioneve ekologjike që mund të nxisnin dhunë ndërgrupore. Por të dhënat arkeologjike, sugjerojnë gjithashtu si një burim konflikti edhe krizën ekologjike, kur popullatat u përpoqën të zgjidhnin sfidën e pasjes së shumë gojëve për të ushqyer, ndryshimet negative në mjedisin e tyre natyror, apo edhe konkurrencën për të njëjtat burime ushqimi, uji ose pylli.
Sërish e theksoj se dëshmitë shumë të hershme janë të paqarta, ndërsa rëndësia e kësaj teze mbetet e kontestuar, për shkak të mosbesimit të studiuesve ndaj çdo lloj shpjegimi që sugjeron peshën vendimtare të ndryshimeve mjedisore.
Por ndërsa ekologjia njerëzore e ka përqafuar evolucionin që nga njerëzit e parë, teza se ç’ekuilibri ekologjik mund të nxisë dhunë, të rastësishme apo të vazhdueshme, duhet të ketë qenë me një probabilitet të lartë, edhe pse nuk mund të vërtetohet shkencërisht.
Arkeologjia ofron disa shembuj të mundshëm vetëm nga periudha e Holocenit në epokën e Homo sapiens. Njëra na vjen nga rreth 10.000 vjet më parë, në Nataruk, në perëndim të liqenit Turkana në Kenian e sotme. Në vitin 2012, atje janë zbuluar mbetjet e një grupi gjuetar-mbledhësish prej 27 burrash, grash dhe fëmijësh.
Ata duket se kanë qenë viktima të një masakre. Dhjetë nga dymbëdhjetë skeletet ende në formë të rregullt, tregonin se kishin pësuar lëndime në kohën e vdekjes, disa nga armë të mprehta dhe disa nga instrumente të mprehtë. Ata ishin lënë aty ku u vranë buzë një lagune. Gjashtë fëmijët dhe katër gratë të veçuar nga burrat.
Një numër majash prej guri u gjetën të ngulitura në kockat e skeleteve, duke sugjeruar se kjo ishte një masakër e kryer nga një grup tjetër që lëvizte jashtë territorit të tij, edhe pse edhe në këtë rast interpretimi kontestohet ashpër mbi provat shkencore.
Një shembull tjetër, ndonëse shumë larg nga të qenit i sigurt, shfaqet në Euroazi, ku migrimet e nomadëve të stepave të kulturës Suvorovos në mijëvjeçarin IV Para Erës Sonë, e zhvendosën kulturën e lulëzuar të popullit Tripolie, që kishte krijuar shumë vendbanime të mëdha në Evropën Juglindore dhe në rajonin e Detit të Zi.
Zbutja dhe përdorimi i kuajve nga nomadët rreth vitit 4000 Para Erës Sonë, i lejoi ata të mbarështonin tufa shumë më të mëdha delesh dhe bagëtish. Por njëkohësisht krijoi nevojën për më shumë kullota, gjë që provokoi një dhunë fisnore në rritje, ndërsa nomadët shtyheshin drejt perëndimit nga stepa e Kaspikut.
Në shpellën Verteba në Ukrainën Jugore, është zbuluar një masakër tjetër, me 25 kafka të identifikuara të burrave, grave dhe fëmijëve. Arkeologët identifikuan 18 goditje vdekjeprurëse në kokë. Shumica e viktimave u gjetën të shtirë mbi shpinë, gjë që tregon se viktimat ishin masakruar të shtrirë me fytyrë nga poshtë ose të gjunjëzuar.
Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në vitet kur u shkatërrua kultura lokale e asaj që quhet Evropa e Vjetër, duket e besueshme të supozohet se masakra në shpellën Verteba, ishte rezultat i një bastisjeje nga nomadët që ushtronin presion në rajonet pjellore të fiseve Tripolie.
Në vitin 3300 Para Erës Sonë, ishin braktisur vendbanimet e mëdha. Dëshmitë e masakrave të tjera në Hotnica në Bullgarinë Veriore dhe në Junacite në Ballkanin e Sipërm, ku në këtë të fundit u gjetën të shpërndara në dyshemenë e vendbanimit të shkatërruar 46 skelete grash, fëmijësh dhe të moshuarish, tregojnë intensifikimin e bastisjeve të dhunshme në kohën
kur kultura e Suvorovos, e transformoi një rajon bujqësor të konsoliduar në një tokë
kullotash me popullsi të rrallë.
Më së afërmi në kohë, ndikimi i presionit mjedisor dhe mungesës së ushqimit, është një element kyç në shpjegimin e provave të dhunës së përhapur në pjesën qendrore dhe jugperëndimore të Shtetet e Bashkuara, midis viteve 900 - 1300 të Erës Sonë, e shkaktuar pjesërisht nga ndryshimet e rënda klimatike dhe pjesërisht nga tensionet midis gjuetarëve-mbledhësve dhe fermerëve që jetonin në vendbanime të përhershme në konkurrencë për
tokë dhe ushqim, ndërsa popullsia po rritej.
Presioni i madh për mbijetesë u rrit më tej, kur grupet migruan në kërkim të tokës më të punueshme ose u detyruan të zhvendoseshin në zona bujqësore më pak produktive, ku një klimë më e ftohta dhe më e thata e dëmtoi kapacitetin e tyre mbajtës për popullatat njerëzore.
Në kushtet e një mjedisi në përkeqësim të vazhdueshëm dhe nevojës së mbrojtjes territoriale, kufijtë midis grupeve fisnore, ishin vazhdimisht vatra të nxehta konflikti. Masakra e njohur e mesit të shekullit XIV në Krau Krik në Dakotën e Jugut, e përshkruar edhe në prologun e këtij libri, ishte një pasojë e një tensioni të mundshëm emigrantëve që shkuan atje të nxitur nga presionet mjedisore dhe popullsia vendase.
Qyteti i vogël u sulmua, u dogj, dhe më shumë se 400 njerëz u masakruan dhe trupat e tyre
u copëtuan nga grupi i sulmuesve. Një fat të ngjashëm tragjik, pati një vendbanim përgjatë lumit Misuri në Fej Tolten po në Dakotën e Jugut, ku trupat e viktimave u gjetën të shtrirë në dyshemenë e shtëpive të tyre, mes tyre një fëmijë, të cilit pas vrasjes i ishte hequr skalpi i kokës.
Më në perëndim, në Koloradon Jugperëndimore, vendbanimet e popullit Pueblo në shekullin XII, ishin vendi i bastisjeve dhe i dhunës, në një kohë kur bio-arkeologjia ka treguar prova të mungesës së madhe të ushqimit. Kultura e lulëzuar e fisit Çako në Mesa Verde, u shemb nga mesi i atij shekulli.
Masakra dhe prova të kanibalizmit, janë zbuluar në disa prej vendbanimeve të tij, përfshirë njërin ku 7 burra, gra dhe fëmijë ishin vrarë, prerë në copa dhe ngrënë, ndoshta nga një fis vendas që mbronte territorin e tij. Rrafshnalta e Kolorados, ishte një skenë e dhunës luftarake ku konteksti ekologjik u përkeqësua në shekullin XIV, kur edhe u braktis kryesisht nga popullsia e tij njerëzore.
Në të gjitha këto raste, midis arkeologëve ekziston një konsensus në rritje, se presioni ekologjik nga ndryshimet klimatike, rritja e popullsisë dhe problemet me ushqimin, përcaktuan motivet e pjesës më të madhe të konflikteve të armatosura në zonat kryesore të Amerikës së Veriut.
Po ashtu, ka një shembull të fortë në lidhje me luftën e nxitur nga motivet ekologjike nga Maorët e Zelandës së Re. Ishujt u kolonizuan fillimisht midis viteve 800 dhe 1200 të Erës Sonë dhe për rreth 300 vjet apo më shumë, Maorët jetuan si gjahtarë, duke shfrytëzuar 13 llojet e zogjve gjigantë moa, të cilët i gjuajtën derisa i çuan drejt zhdukjes si specie.
Konkurrenca për ushqim, solli edhe shkaqet e para të dhunës ndërgrupore. Ndërsa megafauna u zhduk, Maorët u përball me problemin e shpyllëzimit të gjerë dhe rritjes së popullsisë. Kthesa e vëmendjes drejt hortikulturës dhe ruajtjes së ushqimit, zgjidhi një krizë të menjëhershme ekologjike, por në të njëjtën kohë shkaktoi edhe një dhunë të vazhdueshme.
Depot e ushqimit mbroheshin në vendbanime të fortifikuara që quheshin Pa. Ato ishin ndërtuar mjeshtërisht për mbrojtjen nga armiqtë. Konkurrenca mbi tokën dhe ushqimin e ruajtur ishte e madhe, ndaj lufta midis fiseve të ndryshme u bë endemike në një përpjekje
për të kapërcyer kufizimet ekologjike.
Kanibalizmi u praktikua gjerësisht që nga periudha e vonë parahistorike, ndoshta si një shtesë e një diete ushqimore të privuar tashmë nga zogjtë gjigantë. Kur në vitin 1542, eksploruesi holandez Abel Tazman dërgoi një ekuipazh në bregun e ishullit, marinarët fatkeq u vranë dhe trupat e tyre u hëngrën menjëherë.
Nëse ky ishte “kanibalizëm ushqimor”, siç quhet, apo një sakrificë e ritualizuar, kjo nuk mund të dihet me siguri. Por ngrënia e njerëzve për ushqim, ishte e zakonshme në kontekstin e Polinezisë, ku presioni për gjetjen e ushqimit u bë një problem ekologjik.
Në një vend në Ishujt Kuk, arkeologjia prehistorike tregon dëshmi se njerëzit e të gjitha moshave dhe të të dy gjinive janë ngrënë, thuajse me siguri si rezultat i stresit ushqimor kronik. Ngrënia e njerëzve të tjerë, është ndoshta prova më ekstreme e krizës ekologjike, ku territori nuk mund të sigurojë më ushqimin e duhur.
Midis antropologëve, ka pasur rezistencë për të pranuar shtrirjen e dukurisë së kanibalizmit, por osteo-arkeologjia ofron shembuj të gjerë të hershëm. Dhe rezulton se praktika është shumë e pranishme në të dhënat historike, siç dëshmon fati i marinarëve të Tasmanit.
Natyra e kanibalizmit ka nxitur shumë debate, sepse ekzistojnë shpjegime kulturore për kanibalizmin si një element në ritualet fetare, festimin pas konfliktit apo në nderimin e të vdekurve të fisit, dhe jo si një formë ushqimi.
Dallimi kryesor është midis atij që quhet endo-kannibalizëm (ngrënia e të afërmve për hir të respektimit të riteve të grupit) dhe ekzo-kanibalizmit (ngrënia e mishit të robërve të siguruar në konflikt). Kjo e fundit, mund të ndahet sërish midis konsumimit ritual të “tjetrit” pra armikut, dhe ngrënies për mbijetesë, apo kanibalizmit ushqimor/gastronomik.
Në secilin rast, viktimat e robëruara mund të ishin marrë vetëm si rezultat i ndonjë forme konflikti, qoftë një bastisje e papritur, një pritë apo një vrasje për grabitje, prandaj ekzo-kanibalizmi është i lidhur ngushtë me modelet e luftës.
Shkalla në të cilën çdo kanibalizëm ndodhte për qëllime jetese mbetet e paqartë, ndoshta përveç atyre rasteve kur gërmimet kanë zbuluar mbetje njerëzore të hedhura njëlloj si ato
të kafshëve, me shenja të prerjeve, thyerjeve dhe dëshmi të nxjerrjes së palcës së eshtrave.
Një nga shembujt më të hershëm të mundshëm, vjen nga shpellat e lumit Klasies në Afrikën e Jugut, ku fragmentet e kafkave tregojnë dëshmi të therjes dhe djegies së viktiave nga rreth 115.000 vjet më parë. Shembuj të tjerë janë të kohëve më të afërta.
Në shpellën Frontbregua në Francë, mbetjet e prera dhe të shpërndara të deri 14 njerëzve nga fillimi i mijëvjeçarit IV Para Erës Sonë, tregojnë të njëjtin trajtim si fauna tjetër e gjetur në atë vend. Në Hercheim të Gjermanisë, gërmimet në një fshat neolitik rreth 5000 Para Erës Sonë, kanë gjetur një numër kockash njerëzore të ç’artikuluara, ku shenjat e thyerjeve dhe nxjerrjes së palcës së eshtrave dhe trurit, tregojnë një konsumim të qëllimshëm për ushqim.
Në shpellën Al Mirador në Spanjë, janë gjetur eshtrat e prera të gjashtë burrave dhe një fëmije, me sa duket të ngrënë për ushqim. Në kocka u gjetën shenja dhëmbësh njerëzorë të lëna nga mishngrënësit. Në Evropën e Mesjetës, të paktën një duzinë kronikash franceze dhe gjermane të shkruara midis viteve 793 - 1052, përshkruajnë raste të kanibalizmit të shkaktuara nga uria e madhe.
Në Masakrat e Mesa Verdes në Kolorado, të dhënat sugjerojnë se viktimat e bastisjeve u hëngrën gjatë një periudhe të mungesës ekstreme të ushqimit. Në 30 nga 40 vendet e gërmuara, ka prova të kanibalizmit gjatë shekullit XII. Por në shekullin që pasoi, nuk gjendet thuajse asnjë provë, duke sugjeruar një krizë jetese të përkohshme.
Në të kundërt, zbulimi i kanibalizmit në shkallë të gjerë në vendet e gërmuara në Arizona dhe pranë Meksikës nga në kulturë Anasazi, e cila lulëzoi afërsisht midis viteve 900 - 1300 të Erës Sonë, duket se është nxitur më shumë nga praktikat rituale të huazuara nga kulturat meksikane.
Kjo sepse mbetjet e shumta nga eshtrat e kafshëve, sugjerojnë se uria nuk ishte një motiv kryesor. Edhe ky rast i kanibalizmit të mundshëm ritual, ndodhi në vitet kur Amerika Jugperëndimore përjetoi një periudhë të krizës mjedisore në rritje dhe të mungesës së ushqimit. Kësisoj, nuk mund të përjashtohet mundësia që një pjesë e kanibalizmit të ndodhte për arsye ushqimore. Faktorët ekologjikë, dëshmohen më lehtë nga etnografët dhe antropologët në studimin e komuniteteve fisnore moderne.
Edhe pse ekziston një debat i vazhdueshëm nëse presioni i popullsisë, mungesa e ushqimit
ose mungesa e “hapësirës së jetesës”, është shkaku i vërtetë i objektivave të luftës se sa i praktikave kulturore. Mbrojtja e hapësirës ekologjike është qartësisht e rëndësishme, pasi ai vend është burimi i jetesës, jo domosdoshmërisht për t’u ndarë me të tjerët.
Ndaj ndërhyrja ose shkelja në territorin ku ushqeheshin fiset e tjera, mund të jetë vetë një shkak për luftë. Midis folësve të gjuhës eskimeze dhe atapaskane në Alaskën Perëndimore, një zonë me popullsi të rrallë por me rezerva ushqimore të kufizuara, lufta në mbrojtje të territorit apo burimeve ushqimore ishte një dukuri e zakonshme.
Burrat ishin gjithmonë të armatosur. Ata vendosnin roje për grupet dhe vendbanimet e gjuetisë, mbanin armatura fildishi dhe kama, karroca dhe shkopinj për vrasje nga distanca ose ballë për ballë. Hakmarrja për shkeljen e territorit, ishte një motiv i zakonshëm, dhe zakonisht sulmuesit e masakronin të gjithë vendbanimin që kishin në shënjestër.
Lufta deri në zhdukjen e rivalëve, i lejonte fitimtarët që të shfrytëzonin territorin e pushtuar. Lufta e egër për territorin e gjuetisë, ndodhi edhe më larg në lindje në nën-Arktik, ku popullsia inuite e Gjirit Hadson në nisi të lëvizte në shekujt XVI-XVII më në jug në territorin e Lulend Kri në kërkim të burimeve detare të peshqve, zogjve dhe fokave.
Në një bastisje legjendare, inuitët prenë gjinjtë e nënave që u jepnin ende gji fëmijëve dhe i hodhën në atë që quhet ende sot si “Liqeni i qumështit” (Vabagamushusagangan), duke e reduktuar në mënyrë simbolike popullsinë armike. Në këtë mënyrë, inuitët mund të shfrytëzonin burimet ekologjike për veten e tyre apo për të zgjeruar një popullsi që kishte pësuar rënie nga sëmundjet ose konfliktet.
Në shumë rrëfime të bastisjeve fisnore në periudhën historike, objekti i sulmuesve ishte kapja e grave dhe fëmijëve të vegjël për të përmirësuar profilin demografik të agresorit. Lulend Kri i masakruar nga Inuitët, u bë më vonë objekt i një sulmi në të cilin u vranë të gjithë burrat dhe gratë e moshuara, ndërsa gratë e reja dhe fëmijët u kapën robër.
Fiset Irokua në lindje të Liqeneve të Mëdha, zhvilluan një luftë të egër kundër grupeve fisnore fqinje në shekullin XVII, në mënyrë që të rikuperonin humbjet e rënda demografike midis tyre, të shkaktuara nga sëmundjet epidemike të sjellja nga Evropa.
Territori u spastrua nga grupet rivale dhe burrat u vranë, ndërsa popullsia iroke u rrit sërish përmes kapjes si robër të grave dhe fëmijëve. Në luftën fisnore në Amerikën Jugore dhe Qendrore, në të cilën mund të masakroheshin vendbanime të tëra, shpeshherë kurseheshin
gratë e reja dhe fëmijët për të rimbushur rezervën e gjeneve të vetë fisit.
Dëshmitë arkeologjike, sugjerojnë se kjo ishte një praktikë me një histori të gjatë. Shumë
nga vendet e masakrave në epokat e Neoliti dhe Mezolitit, kanë një numër jo proporcional
të skeleteve mashkullore, gjë që tregon se gratë janë marrë për të përmirësuar demografinë e fisit.
Në raste të tjera, e gjithë popullata, nga të dyja gjinitë dhe të gjitha moshat, u vra për të zvogëluar konkurrencën për burimet e nevojshme nga sulmuesit, si dhe për të promovuar përfitimin ekologjik të tyre. Ashtu si mbrojtja e territorit dhe e burimeve ushqimore, manipulimi demografik ka një motiv të dukshëm ekologjik.
Megjithatë, është veçanërisht shkelja e territorit të dikujt tjetër, ajo që ka shkaktuar shpesh një reagim të dhunshëm. Midis popujve indigjenë të Australisë, ndërhyrësit në territoret e të tjerëve mund të përballeshin në formë hakmarrje me sulme gjatë natës, të cilat synonin të shfarosnin vendbanimet e tyre.
Fisi Mundaruku në Brazil, i varur nga gjuetia e derrave për proteina, zhvilloi një luftë shfarosëse në fshatrat lokale, sa herë që numri i kafshëve të egra binte ndjeshëm, për të rivendosur monopolin e tyre në gjuetinë e tyre.
Ata merrnin si trofe kokat e armiqve, sepse çdo kokë simbolizonte më shumë argëtim për fisin, dhe më pak për fshatarët e sulmuar. Fisi Karimajong në Ugandë, bashkëpunoi në ndarjen e bagëtive dhe grurit midis grupeve të tyre, por reagonte me një dhunë ekstreme kur ndonjë i huaj përpiqej të kalonte perimetrin e territorit fisnor.
Njëkohësisht, dhuna mund të shmanget nëse mund të arrihet një marrëveshje mbi të drejtat territoriale ose në rastet e tregtisë ndërfisnore. Midis eskimezëve të Alaskës Perëndimore, ishte e mundur që një të huaji t’i jepej e drejta e përkohshme e kalimit tranzit. Madje edhe përdorimi i burimeve ushqimore, për sa kohë që kërkohej zyrtarisht leja.
Në Australi, grupet aborigjene mund të negocionin të drejtën për të hyrë dhe vendosur në një territor tjetër fisnor, por vetëm nëse do të ishte kryer një “ceremoni përshëndetëse”. Pa prova të përshëndetjes formale, cënimi i territorit sillte dhunën.
Në shumë raste kur mbrojtja e territorit dhe e burimeve ushqimore dhe ujore provokonin konflikte, ekzistonin tradita kulturore që rregullonin reagimin dhe kushtet sociale që mund të përcaktonin shkallën e dhunës. Megjithatë, shkaku kryesor ishte prishja e hapësirës ekologjike.
Është më e vështirë të përcaktosh një shkak ekologjik për luftën në periudhën historike, ndonëse ndryshimet klimatike, që do të diskutohen pak më tej në këtë kapitull, siguruan padyshim një stimul për konflikte në Euroazi, në Amerikë dhe në pellgun e Mesdheut.
Shfaqja e perandorive, mbretërive të konsoliduara apo e udhëheqësve të tyre, kur lufta nisi të
ketë shpjegime komplekse antropologjike dhe historike, e errësoi lidhjen e drejtpërdrejtë me presionet ekologjike. Megjithëse ato kanë ekzistuar gjatë gjithë periudhës historike, siç e kuptonte edhe Robert Maltus.
Uria, degradimi i mjedisit dhe sëmundjet vdekjeprurëse, janë të zakonshme në narrativën e
së kaluarës më të afërt. Megjithatë, popullsia globale u rrit për mijëra vjet, me pengesa të herëpashershme dhe nganjëherë serioze, derisa më në fund pati një bum nga shekulli XIX
e tutje, pa kontrollet maltusiane që e pengonin në mënyrë të konsiderueshme.
Njësitë më të mëdha politike dhe sociale, gjetën mënyrat për të zgjeruar prodhimin e ushqimit,
për të tregtuar në një mënyrë më të rregullt, ose për të shfrytëzuar territoret koloniale siç bëri Perandoria Romake apo perandoritë e mëvonshme përtej shteteve evropiane.
Luftërat e pushtimeve kolonial që pasuan, mund të klasifikoheshin si “luftëra ekologjike”, vetëm duke injoruar shumë faktorë të tjerë që e nxitën zgjerimin territorial. Një përjashtim, ka të bëjë me përqafimin në shekullin XX të idesë së “Lebensraum” (hapësirës së jetesës), kur teoria ekologjike e Racel mbi evolucionin e specieve u përvetësua nga politikanët nacionalistë dhe mbështetësit e tyre ushtarakë për të justifikuar zgjerimin e dhunshëm territorial.
Pikëpamja e Hitlerit mbi të ardhmen e Gjermanisë, buron drejtpërdrejt nga popullarizimi i konceptit të “hapësirës së jetesës” midis gjeografëve dhe biologëve gjermanë në vitet 1920.
Në “Librin e dytë” që mbeti i pabotuar, i shkruar në vitin 1928, Hitleri paraqiti një skicë të qartë ekologjike të marrëdhënies midis popullsisë, territorit dhe luftës. Sipas tij, lufta e një populli për mbijetesë përcaktohet kryesisht nga fakti i mëposhtëm:
“Pavarësisht nga niveli i kulturës së një populli, lufta për bukën e përditshme, është në krye të gjithë nevojave jetike që i duhen një populli për të jetuar. Por buka që i nevojitet një populli për të jetuar përcaktohet nga Lebensraum-i që ka në dispozicion...
Menaxhimi i marrëdhënies midis popullsisë dhe sipërfaqes tokësore, është e një rëndësie të madhe për ekzistencën e një populli...Në jetën e një populli, ekzistojnë disa mënyra për të korrigjuar çekuilibrin midis popullsisë dhe sipërfaqes tokësore. Mënyra më e natyrshme, është përshtatja herë pas here e tokës ndaj rritjes së popullsisë. Kjo kërkon vendime për luftë...dhe nga mjerimi i luftës, rritet buka e lirisë”.
Hitleri arriti në përfundimin, se kërkimi për më shumë tokë, kur një popullsi nuk mund të ushqehej më në mënyrë adekuate i bindej “ligjeve të natyrës”, të cilat për mijëvjeçarë i kishin nxitur njerëzit të zgjeronin territorin e tyre.
Analiza e tij i detyrohet shumë Racel, puna e të cilit iu prezantua Hitlerit nga gjeografi gjerman Karl Haushofer gjatë vizitave të tij të rregullta për të takuar Hitlerin dhe Rudolf Hesin në burgun e Landsberg në vitin 1924, pas përpjekjes së dështuar të Hitlerit për një grusht shteti në nëntor 1923.
Gjatë gjithë viteve të hershme të diktaturës naziste, ambicia ishte të sigurohej hapësira e duhur e jetesës për popullin gjerman. Në shkurtin e vitit 1933, ai u tha udhëheqësve ushtarakë se qëllimi i tij përfundimtar ishte pushtimi i sa më shumë territoreve.
Në nëntor 1937, ai e vazhdoi planin e tij për të pushtuar Austrinë dhe Çekosllovakinë si një hapësirë jetike. Ndërsa në maj 1939, gjatë prezantimit të planit për të pushtuar Poloninë, ai
u tha gjeneralëve të tij se qëllimi ishte zgjerimi i hapësirës gjermane të jetesës.
Pushtimi i mëvonshëm i Bashkimit Sovjetik në qershor 1941, ishte faza përfundimtare në sigurimin e hapësirës së nevojshme për mbijetesë, ku ushqimi dhe toka do të gjendeshin me bollëk në shkallë kontinentale.
Ndërkohë zgjerimi i territorit dhe i furnizimeve ushqimore, kishte edhe një motiv biologjik, të fiksuar në sloganin popullor “Gjaku dhe dheu”, pasi do të siguronte një zonë për një rritje të pakufizuar të popullsisë gjermane, si bimët dhe fauna për të cilat fliste Racel.
Hajrih Himler, kreu i SS, dhe në vitin 1939 i emëruar Komisar i Rajhut për Mbrojtjen e Gjermanisë, përhapi vizionin ekologjik të një hapësire euroaziatike, në të cilën racat gjermane do të mbijetonte në kurriz të të tjerëve. Ai imagjinonte se në disa qindra vjet, territori i ri do të mbështeste një popullsi prej 600 milionë gjermanësh, ndërsa hebrenjtë dhe sllavët do të vriteshin ose do të ishin shfarosur nga uria shumë kohë më parë.
Ajo ishte një fantazi ekologjike groteske, por përpjekja për të transformuar kontekstin fizik
që mbështeste jetesën e popullin gjerman, ishte një imitim i qartë, edhe pse i shtrembëruar, i imperativave ekologjike në natyrë.
Luftërat e zhvilluara nga Japonia dhe Italia në vitet 1930 – 1940, u justifikuan gjithashtu si luftëra për të siguruar jetën e ardhshme në një toke të mjaftueshme dhe një popullsie të uritur. Versioni italian i Lebensraum ishte “lo spazio vitale” (hapësira jetike).
Imperializmi i Musolinit në vitet 1930, ishte projektuar në mënyrë të vrazhdë për t’i dhënë
më shumë tokë bujqësore një Italie të mbipopulluar. Pushtimet italiane në Libi dhe Etiopi supozohej të siguronin tokë për të paktën 6 milionë fermerë italianë.
Shqipëria u aneksua në prill të vitit 1939, për të siguruar hapësirë për 2 milionë të tjerë. Edhe kjo ishte një hapësirë biologjike për popullin italian, grupi i gjeneve të të cilit duhej të mbrohej me rregulla strikte të Aparteidit. Në Japoni, vend me një popullsi shumë të dendur nga fillimi i shekullit XX dhe që po përballej me një krizë në sektorin e bujqësisë, sigurimi i “hapësirës
së jetesës” dukej një veprim i vetëkuptueshëm.
Pushtimi i Mançurisë nga ushtria japoneze Kuantung në shtatorin e vitit 1931, ishte vetëm fillimi i një programi të zgjerimit territorial, i projektuar për të mbështetur emigracionin e 5 milionë fermerëve japonezë, dhe për të zgjeruar hapësirën e disponueshme për zhvillimin e racës japoneze në kurriz të atyre që tashmë e zotëronin tokën.
Sigurimi i mjaftueshëm i “kapacitetit mbajtës të tokës” për popullatat me gjoja shumë pak territor, dhe me ankthin e përditshëm për furnizimin me ushqim, ishte mbi të gjitha një ambicie ekologjike. Por në fund rezultoi një dështim i madh.
Që nga viti 1945, bota e zhvilluar e kupton se presioni i rritjes së popullsisë dhe i furnizimit me ushqim, mund të zbutet lehtësisht përmes tregtisë dhe përmirësimit të bujqësisë, siç ndodhte tashmë në praktikë edhe në kohën kur shkruante Maltus.
Marrëdhënia midis presionit mjedisor dhe konfliktit, ka qenë më e dukshme në botën më pak të zhvilluar që nga viti 1945, ku degradimi i mjedisit nëpërmjet shpyllëzimit, mungesës së ujit, rënies së rezervave të peshkut ose përdorimit të tepërt të tokës së punueshme, ofrojnë një kontekst në të cilin konflikti, veçanërisht në nivel lokal, bëhet një mundësi reale.
Mbi të gjitha, rritja e shpejtë e popullsisë sugjeron, siç argumentojnë neo-maltusianët, probabilitetin e urisë, përhapjen e sëmundjeve epidemike dhe rritjen e mundësisë së konfliktit në ato zona të globit ku ekziston presioni mbi burimet e një lloji apo tjetri (edhe pse sipas teorisë së Maltusit, popullsia nuk duhet të kishte qenë kurrë në gjendje të rritej kaq shpejt).
Një shembull, mund të jetë konflikti i mundshëm për qasjen tek uji, ndërsa kërkesa për të po rritet në mënyrë eksponenciale. Deri në vitin 2030, kërkesa për ujë të ëmbël, parashikohet të jetë 64 për qind më e lartë se sa në vitin 2009 kur Grupi i Burimeve të Ujit, i sponsorizuar nga Banka Botërore, raportoi për herë të parë mbi të ardhmen e furnizimit me ujë të ëmbël.
Në zonat ku ekziston konflikti i mundshëm për qasjen tek ujërat e lumenjve - për shembull, tensioni midis Uzbekistanit dhe Kirgistanit mbi ujërat e Sir Daria, i nevojshëm nga i pari për ujitje, nga i dyti për energjinë hidroelektrike - mosmarrëveshjet nuk kanë çuar ende në një konflikt të armatosur.
Midis 310 pellgjeve ujëmbledhëse ndërkombëtare të lumenjve, të ndarë nga 150 shtete të ndryshme, është i përhapur bashkëpunimi mbi mënyrën e shfrytëzimit të ujit, ndërsa konfliktet janë të kufizuara apo të nxitura nga faktorë të tjerë.
Kur kërkesa e lartë për ujëra nëntokësore nga puset, përkon me një disponueshmëri të kufizuar dhe mungesë të burimeve të tjera të ujit, konflikte midis zonave me kullota dhe atyre bujqësore kanë ndodhur në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Megjithatë, tensionet janë zbutur nga nismat e komunitetit apo shtetit.
Shembulli i ujit, tregon se ka shumë paqartësi në vlerësimin nëse një krizë mjedisore do të çojë apo jo në rritje të dhunës. Në mesin e viteve 1990, Projekti i Mjedisit dhe Konflikteve me bazë në Zyrih të Zvicrës, argumentoi se ekzistonte një marrëdhënie e drejtpërdrejtë midis degradimit mjedisor, presioneve ekologjike dhe gjasave për konflikt.
Dhe kjo sidomos në komunitetet që jetojnë në zona ekonomikisht të varfra dhe me një qasje të dobët ose të paparashikueshme në burime. Po ashtu, është argumentuar se mungesa, qoftë e shkaktuar nga kërkesa e tepërt, furnizimi i kufizuar apo pabarazia, e bën konfliktin civil 20 për qind më të mundshëm, ndërsa atë të armatosur 45 për qind më të mundshëm.
Statistika të tilla janë të vështira për t’u verifikuar historikisht, pavarësisht provave të shumta
të dhunës në shtetet më pak të afta për t’u përballur me ndryshimet mjedisore. Kritikët e shpjegimeve aktuale ekologjike neo-maltusiane të konfliktit, gjejnë pak lidhje të drejtpërdrejta midis mungesës së burimeve, rritjes së popullsisë dhe dhunës.
Ky përfundim, hedh poshtë argumentet themelore të paraqitura nga Robert Maltus dy shekuj më parë. Gjithsesi edhe ky është gati me siguri një vlerësim tejet optimist. Konflikti në Bririn e Afrikës dhe dhuna në komunitet e Bengalit dhe Bangladeshit, janë vetëm dy shembuj të nxitur dukshëm dhe pjesërisht nga problemet e krizës mjedisore, edhe nëse nuk ka ende “luftëra për ujin”, apo përpjekje të dhunshme për garantimin e hapësirës shtesë të jetesës.
Në qendër të debateve mbi krizën mjedisore dhe konfliktin që nxit ajo, qëndrojnë pasojat e ndryshimeve klimatike. Ndryshimi i klimës, qoftë një tranzicion afatgjatë apo krizat klimatike afatshkurtra, kanë ndikuar në krizën ekologjike në mënyra të dukshme gjatë miliona viteve të ekzistencës së njerëzve.
Një rënie e gjatë e temperaturës, e kombinuar me një thatësirë më të madhe, mund të dëmtojë disponueshmërinë e produkteve ushqimore kryesore, të zvogëlojë sipërfaqet e pyjeve tropikale, të zgjerojë shpërndarjen e kullotave lokale si dhe të ndryshojë shpërndarjen e faunës (botës së kafshëve).
Ndryshimet në ciklet e Musonit, mund të shkaktojnë përmbytje shkatërruese dhe të degradojnë mjedisin lumor. Shkrirja e akullit nga akullnajat dhe në të dyja polet, mund të ketë shkaktuar një rritje të konsiderueshme të nivelit të detit, duke përmbytur ultësirat bregdetare apo duke mbuluar tokat afër bregut të banuara nga fermerë dhe gjuetarët-mbledhës.
Gjatë periudhave të zgjerimit të akullnajave, popullatat njerëzore në Hemisferën Veriore duhej të mbijetonin në tundër, duke iu përshtatur një mjedisi rrënjësisht të ndryshëm. Duke nisur nga rreth 3 milion vjet më parë, një cikël periudhash akullnajore dhe ndër-akullnajore, afërsisht çdo 100.000 vjet, sfidoi njerëzit dhe shumë specie të tjera që të mbijetonin duke iu përshtatur ndryshimeve ose duke u zhdukur.
Në mes të atij cikli pati luhatje të forta të motit, të cilat mund të sillnin një krizë klimatike afatshkurtër. Në kundërpërgjigje të ndryshimeve klimatike, ndonjëherë popullata njerëzore u tkurr ndërsa u zvogëluan zonat e banuara.
Rreth 40.000 vjet më parë, Homo sapiens, i mbijetuari i fundit i homininëve, sigurisht në Evropë, u detyrua të përballej me periudhë tjetër të gjatë klime shumë të ftohtë dhe me maksimumin e epokës së fundit akullnajore, që ndodhi rreth 20.000 vjet më parë.
Deri në 10.000 vjet më parë, popullsia globale ishte e vogël, e përllogaritur në 4.6 milionë, e përhapur në çdo kontinent. Një klimë më e parashikueshme, më e lagësht dhe më e ngrohtë, nisi afërsisht 11.600 vjet më parë, pas periudhës së fundit shumë të ftohtë dhe të thatë, e cila reduktoi ndjeshëm zonat ku mund të jetonte njeriu.
Që nga ajo periudhë e tutje, pra deri në fillimin e fundit të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, klima në përgjithësi ka mbetur relativisht e qëndrueshme, me valë afatshkurtra të ftohjes thatësirës dhe thatësirës, reshjeve të tepërta, apo ndikimit të herëpashershëm katastrofik të aktivitetit të madh vullkanik, i cili mund ta ftohë planetin për vite me radhë.
Sot është kuptuar shumë mbi kushtet klimatike të dikurshme, për shkak të përparimeve në paleoklimatologji, dhe kryesisht falë shkencëtarit të klimës Hubert Lamb, Instituti i Kërkimeve Klimatike i të cilit në Universitetin e Anglisë Lindore, i themeluar në vitin 1972, u fokusua në lidhjen e klimës me zhvillimet historike.
Por se si saktësisht reaguan komunitetet njerëzore në terma evolucionare ndaj ndryshimit të klimës, kjo mbetet e hapur për interpretim. Nëse përshtatja ndaj kushteve në ndryshim, inkurajoi konfliktin midis komuniteteve të sfiduara ose midis linjave të ndryshme të homininive, ky është kryesisht spekulim, megjithëse jo i papranueshëm, veçanërisht
në kontekste të tilla si Evropa e 40.000-45.000 viteve më parë.
Në atë kohë klima shumë e ftohtë, e shtoi konkurrencën për kafshët në zvogëlim e sipër midis Homo Sapiens dhe Homo Neandertalis, zhdukja e të cilit mendohet të ketë ndodhur gjatë kësaj periudhe tranzicioni dhe jo gjatë epokës së fundit të madhe akullnajore.
Për të gjetur lidhje më të dukshme midis ndryshimit klimatik dhe konfliktit, është parë e nevojshme të fokusohemi tek mijëra vitet e fundit, ku është e mundur të maten ndryshimet klimatike krahas dëshmive arkeologjike dhe atyre historike.
Konfliktet e përshkruara tashmë midis nomadëve nga stepat euroaziatike dhe kulturës Tripolie në mijëvjeçarin IV Para Erës Sonë, përkoi me një ndryshim të madh klimatik - Luhatjen e Pioras - që çoi në një klimë më të ftohtë, rrezatim më të dobët të Diellit, përmbytje që gërryenin fushat e lumenjve, dhe nga viti 3960 deri në 3822 Para Erës Sonë në një periudhë
të gjatë shumë të ftohtë.
Dëshmitë arkeologjike, tregojnë një rritje të fortifikimit të vendbanimeve, të armëve të reja dhe shumë vendeve të djegura ose të braktisura. Për sulmuesit nomadë që mbështeteshin tek mbledhja e ushqimit për tufat e tyre të bagëtive, klima mund të ketë nxitur lëvizjen e tyre të dhunshme drejt perëndimit.
Më në lindje, në stepën e Uraleve, ndryshimet klimatike ndikuan gjithashtu mbi popullsinë lokale, pasi kushtet e thata dhe më të ftohta të motit, reduktuan pyjet dhe kënetat dhe i shtuan kullotat. Barinjtë kishin nevojë për qasje tek kënetat për ushqimet dimërore, dhe me tkurrjen e kënetave, duhej mbrojtur qasja në to.
Duke filluar nga rreth 4.000 vjet më parë, vendbanimet e kulturës Sintashta në luginat e lumenjve Tobol dhe Ural u fortifikuan rëndë me kulla dhe mure të larta. Po ashtu, u zhvilluan mjete të reja luftarake (përfshirë karrocat e hershme). U shfaq një shtresë luftëtarësh, e dukshme në bollëkun e armëve të varrosura së bashku me meshkuj të rritur në moshë.
Në këtë rast, mund të gjurmohet arkeologjikisht, lidhja midis një klime në ndryshim dhe provave të bujqësisë së intensifikuar si një mjet për të mbijetuar në një mjedis të ndryshuar. Prova të ngjashme se ndryshimi i klimës mund të inkurajojë zgjerimin e luftës, mund të shihen tek konfliktet midis fiseve nomade në Azinë Qendrore Lindore dhe popullatave kineze Han gjatë 2.000 viteve të fundit.
Periudhat kryesore të ndryshimit të temperaturës, datojnë në periudha të gjata kohore, të cilat ishin dukshëm më të ftohta dhe më të thata. Ndryshimi preku fiset nomade që vareshin nga importimi i ushqimeve dhe kullotat pjellore. Ata banonin në një vend të brishtë ekologjik, shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të befta të motit.
Një klimë më e keqe, e pakësonte madhësinë e tufave të bagëtive dhe çonte herë pas here në thatësira të rënda dhe uri. Pushtimet e Mongolisë dhe të Mançurisë në Kinë, përkuan me periudha të krizës klimatike, kur ra ndjeshëm kapaciteti mbajtës i një territori gjithnjë e më
të thatë dhe kur bastisjet ose migrimi drejt jugut u bënë të nevojshme për të garantuar mbijetesën.
Ndërkohë një klimë më e ftohtë, nxiti konfliktin e brendshëm brenda Kinës, kur popullsia e madhe nuk mund të mbështetej më tek 2 të korrat e orizit gjatë një viti. Pasoja ishin revoltat kundër taksave dhe kryengritjet lokale në përgjigje të gjendjes së urisë, e fundit prej të cilave, Rebelimi Taiping në vitet 1850, solli rënien e popullsisë së Kinës nga 440 milionë në vitin 1850, në 360 milionë 15 vjet më vonë.
Gjatë 1.000 viteve të historisë kineze, është dëshmuar se 453 vitet me mot të ftohtë, shkaktuan gjithsej 603 luftëra të të gjitha llojeve. Ndërkohë, 459 vitet më klimë më të ngrohtë, shkaktuan vetëm 296 luftëra. Madje është argumentuar se lufta e lidhur me ndryshimet klimatike, ndikoi edhe në shembjen e 3 dinastive të mëdha të Kinës: Song, Ming dhe Qing.
Zija e bukës dhe temperaturat e ulëta, ndoshta i shtynë mançutë të pushtonin Pekinin në vitin 1644 dhe të themelonin dinastinë e tyre. Degradimi i mjedisit, që shkaktoi luftëra në pjesën perëndimore të Amerikës së Veriut, kishte gjithashtu një lidhje të madhe me krizën e klimës.
Midis viteve 800-1350 të Erës Sonë, rajoni përjetoi thatësira të gjera dhe të zgjatura, pasi Anomalia Klimatike Mesjetare prodhoi një klimë të thatë dhe periodikisht pa reshje. Ekonomitë e gjuetarëve-mbledhësve dhe fermerët e zonës, ishin shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të papritura të klimës. Ndërsa jeta u bë më sfiduese, vendbanimet u braktisën,
u tentua migrimi, u rritën konfliktet dhe u ndal rritja e popullsisë.
Një grup provash nga pemët, tregon periudha të rënda thatësire në vitet 1020-1070, 1197-1217 dhe 1249-1365, ndërsa dëshmitë e temperaturave të larta dhe zjarreve të shpeshta në pyje, konfirmojnë një panoramë klimatike që ndryshonte në mënyrë dramatike.
Rritja e konkurrencës për burime, veçanërisht për qasjen tek uji, çoi në nivele më të larta të luftës, të dukshme në vendbanimet e mbrojtura, tek traumat në skeletet e zbuluara dhe në përhapjen e teknologjisë së harkut dhe shigjetës.
Rrafshnalta e Kolorados, u braktis së bashku me territoret e tjera jugperëndimore, pasi klima i dëmtoi modelet lokale të jetesës dhe uli nivelet e popullsisë. Arkeologjia, tregon se në Kaliforninë Qendrore dhe Jugore, kushtet e thatësirës provokuan një përzierje të ngjashme vendbanimesh të braktisura, rritje të dëshmive të përdorimit të armëve dhe rënie të tregtisë midis rajoneve.
Në të gjitha këto raste historike, efekti i ndryshimeve klimatike, ndonëse mjaft real, duhet të përputhet me faktorë të tjerë që ndikojnë në vendimin për të nisur luftë. Ekzistojnë shumë debate, nëse ishte vetëm përkeqësimi i mjedisit, ai që i nxiti fiset nomade të zhvendoseshin drejt perëndimit nga Azia Qendrore gjatë periudhës 5000-vjeçare, në të cilën mund të gjurmohen migrimet njerëzore.
Apo të shpjegojnë konfliktin 2.000-vjeçar midis nomadëve të Azisë Lindore dhe qytetërimit kinez. Rajone të tjera, tregojnë gjithashtu se një klimë më e ftohtë, përkoi me nivele më të larta të luftës - në Evropë gjatë periudhës së vonë mesjetare të së ashtuquajturës Epoka e Vogël Akullnajore - edhe pse shkaku nuk është i lehtë për t’u zbuluar.
Pjesërisht sepse ndryshimi klimatik shtrihej shpesh në disa qindra vjet, në vend se të shkaktonte një tronditje të papritur që mund ta bënte më lehtë një konflikt të caktuar.
Një studim i luftës dhe klimës evropiane gjatë mijëvjeçarit të kaluar, ka gjetur një lidhje midis periudhave më të ftohta dhe konfliktit, si në rastin e Kinës.
Por kjo lidhje është e dobët si shpjegim, dhe zhduket ndërsa shtetet evropiane u modernizuan në shekullin XIX. Mund të thuhet me siguri tezat maltusiane klasike, funksionuan në shekullin XIV, siç dëshmohet nga uria, murtaja dhe lufta gjatë fazave të hershme të ftohjes së madhe të motit në Epokën e Vogël Akullnajore.
Por edhe gjatë “Krizës së Përgjithshme” të mesit të shekullit XVII, kur 3 mekanizmat e kontrollit demografik, ishin sërish të dukshme përkundrejt një sfondi ndryshimit të klimës. Gjithsesi, historianët nuk duan që ta shpjegojnë luftën vetëm si rezultat i ndryshimeve klimatike, të cilat mund të duken si shumë deterministe.
Kur Hubert Lamb përmblodhi ndikimin e ndryshimeve klimatike në fund të studimit të tij
për lidhjen midis klimës dhe historisë, nuk e përmend luftën si një “ndikim kryesor”. Një vështirësi e ngjashme në të kuptuarit e mekanizmave që lidhin ndryshimin klimatik me konfliktin, ekziston edhe në analizën e gjendjes aktuale të klimës globale.
Supozohet gjerësisht, se kriza mjedisore e shkaktuar nga ngrohja e shpejtë e klimës, do të çojë në një moment në konflikt ose midis shteteve ose ndërmjet aktorëve jo-shtetërorë që reagojnë ndaj kushteve të rrezikut në rritje.
Por ashtu si me dëshmitë e degradimit mjedisor të shkaktuara nga njeriu, shkalla në të cilën klima si e tillë, në vend të faktorëve socialë, politikë ose institucionalë, shkakton konflikte, është e hapur për një interpretim të gjerë.
Kjo edhe për shkak të argumentit, se ndryshimi klimatik afatgjatë (makroprocesi) dhe katastrofat afatshkurtra të motit (ndryshueshmëria e motit) nuk duhet të ngatërrohen me njëra-tjetrën kur shpjegohen lidhjet ekologjike midis presioneve ekologjike.
Në vitet 1970, rreziqet për mjedisin u theksuan si një problem i ardhshëm mbi sigurinë, por shqetësimi zyrtar mbi të, është një dukuri e shekullit XXI. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka debatuar rregullisht ndryshimet klimatike dhe sigurinë, në vitet 2007, 2011, 2013, 2020 dhe 2021.
Në diskutimin e tretë, delegati gjerman pretendoi se klima përbënte “një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë’. Në debatin e zhvilluar në shtator 2021, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se lidhja midis ndryshimeve klimatike dhe konfliktit “ishte një kod i kuq alarmi për njerëzimin”.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, i themeluar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1988, ka raportuar 6 herë mbi çështjet e ngritura, dhe Raporti i Pestë të Vlerësimit në vitin 2014, trajtoi drejtpërdrejt çështjen nëse ndryshimi i klimës po kontribuon ose do të kontribuojë në nivele më të larta konflikti, edhe pse me përfundime kryesisht negative.
Drejtori i parë i Programit Ndërkombëtar të Gjeosferës-Biosferës (IGBP), i krijuar në vitin 1987 nga komuniteti ndërkombëtar i shkencës, sugjeroi se “shumica e konflikteve kanë lidhje me klimën”. IGBP i publikoi në vitin 2006 gjetjen e studimit të tij mbi klimën dhe historinë, dhe arriti në përfundimin se nëse ekosistemi njerëzor detyrohej të dilte jashtë ekuilibrit “një nga pasojat mund të ishte përfundimisht një krizë mjedisore”, siç kishte qenë për qytetërimet e mëparshme.
Pesimizmi zyrtar, nuk ishte plotësisht në përputhje me mënyrën se si komuniteti i shkencës e ka parë këtë marrëdhënie. Interesi studimor për lidhjen ndërmjet ndryshimeve klimatike moderne dhe konfliktit, i ka paraprirë dhe ka inkurajuar pjesërisht njohjen zyrtare të kësaj mundësie, por tani është bërë një pjesë kryesore e kërkimit në të gjithë shkencat humane.
Fokusi nuk ka qenë mbi dhunën e mundshme ndërshtetërore, për të cilën kishte prova të papërfillshme, por mbi konfliktet lokale në zonat ku problemet e zhvillimit ekonomik dhe presioni i burimeve ka të ngjarë të shtohen.
Konfliktet mund të shkaktohen edhe nga ndryshueshmëria afatshkurtër e modeleve të motit ose ndryshimi i vazhdueshëm, i vazhdueshëm i klimës. Disa nga këto konflikte i kalojnë kufijtë shtetërorë, por nuk janë përhapur deri në një përballje ndërshtetërore.
Shumica e studimeve mbështeten në prova nga Afrika, dhe veçanërisht Afrika Lindore, ku reshjet e parregullta dhe thatësia në rritje, kanë dëmtuar rëndë një sistem ekologjik tashmë të brishtë. Apo nga Azia Jugore, ku reshjet me nivele të ndryshueshme kanë shkaktuar dhunë midis komuniteve nga Filipinet dhe Paqësori Jugor, ku ato varen në një shkallë të lartë nga bujqësia, ndaj preken në mënyrë disproporcionale nga moti.
Në rastet e studiuara, ka zakonisht mungesë të aftësisë institucionale, financiare dhe sociale për t’u përballur me rezultatet e krizës. Deri tani shtetet e dobëta janë edhe më të cenueshmet. Por ka një mosmarrëveshje serioze mbi atë nëse klima e gjeneron vërtet konfliktin e dhunshëm.
Për të ilustruar ndarjen e opinioneve, një studim i vitit 2016 mbi ndryshimet klimatike dhe konfliktet, zbuloi se 62.3 për qind e studimeve e vërtetojnë një lidhje të tillë, ndërsa 37.7 për qind pretendojnë se variablat socialë, politikë dhe institucionalë, ishin më domethënës se sa moti.
Nga të gjitha studimet lokale, më shumë vëmendje ka tërhequr Afrika. Atje diskutimi është përqendruar tek grabitja e dhunshme të bagëtive, që ndodh midis grupeve fisnore në kufijtë e Kenias, Etiopisë, Somalisë dhe Sudanit. Kjo mund të përfshijë një dhunë në një shkallë të konsiderueshme.
Në 109 konfliktet e regjistruara midis viteve 1978-2009, pati 1.307 të vdekur dhe vjedhjen e rreth 20.000 bagëtive nga bastisja e grupeve rivale, që mund të përfshinin deri në 500 njerëz. Në Turkana dhe Marsabi, bastisjet ndodhën më shpesh gjatë periudhave të thatësirës së vazhdueshme ose muajve më të thatë se normalja, kur grabitësit kërkonin kullota dhe ujë ose kapnin bagëti shtesë për të kompensuar humbjet.
Vetëm një grup, Borana, sulmonte në kohë me mot të lagësht. Por ai ishte i vetmi që mbështetej më shumë tek bujqësia sesa në blegtoria, dhe në këtë rast bastisja duket se ishte e lidhur më shumë me ritet e fillimit të karrierës për çdo grup të ri luftëtarësh. Pra kemi të bëjmë me një zgjedhje kulturore dhe jo ekologjike.
Megjithëse në rastin e Afrikës Lindore, ndryshimi klimatik mund të mos e shpjegojë drejtpërdrejt përdorimin e dhunës, ai duhet të konsiderohet gjithsesi si një faktor kontribues, dhe ndoshta kryesori, në kushtëzimin e vendimit për të ndërmarrë veprime të dhunshme.
E njëjta gjë duket e vërtetë për luftën civile të gjatë në Sudan, ku temperaturat e ngrohta dhe thatësira e rregullt e shoqëruan konfliktin dhe nxitën konkurrencën për burimet ujore midis fermerëve blegtorë në rajon.
Një përllogaritje, sugjeron se ndryshueshmëria e motit, ndikoi mbi çerekun e ngjarjeve të dhunshme të regjistruara, ndërsa kriza mjedisore luajti një rol në të gjitha rastet. Por klima ishte padyshim një nga shumë elementët në shpjegimin e një lufte, e cila ka zgjatur për më shumë se 20 vjet, dhe që deri më tani ka kushtuar jetën e rreth 1.9 milionë njerëzve.
Edhe në shembullin afrikan, përfundimet e arritura janë objekt i debateve të forta. Disa studiues, kanë zbuluar se bastisja identifikohet më afër me kushtet jashtëzakonisht të lagështa të motit, pra reshjeve të pazakonta, edhe pse tani konsensusi anon nga rritja e temperaturave, thatësira dhe shkretëtirëzimi i tokave si nxitësit kryesorë.
Sigurisht, në ruajtjen e konflikteve ekzistuese dhe jo në shkaktimin e konflikteve të reja. Po ashtu, ekzistojnë dallime të rëndësishme edhe midis zonave fisnore për shkak të praktikave të larmishme kulturore dhe normave sociale. Prandaj, reagimi ndaj ndryshimeve klimatike nuk do të jetë universalisht i njëjtë.
Një paqartësi e ngjashme, është zbuluar në studimin e 4 kryengritjeve ende në vazhdim në Filipine, të udhëhequra veçmas nga Ushtria e Re Popullore Komuniste, dy lëvizje islamike
dhe Fronti Nacional Çlirimtar Moro nga ishujt jugorë të arkipelagut.
Incidentet e dhunshme pasojnë ose reshjet e jashtëzakonshme dhe tajfunet, të cilat dëmtojnë bujqësinë dhe reduktojnë furnizimet me ushqime, apo vitet më të thata, të cilat kanë një efekt
të ngjashëm në prodhimin bujqësor.
Rekrutimi i kryengritësve, mund të rritet në vitet me reshje që sjellin dëme. Por në raste të tjera mund të zvogëlojë gatishmërinë për të rrezikuar, në një kohë që jetesa është e kërcënuar. Për 3 nga 4 grupimet, për kryengritjen ka shpjegime ideologjike dhe një lidhje të dobët me klimën. Një variabël më i besueshëm, ka qenë gatishmëria e forcave rebele për të rekrutuar luftëtarë dhe luftuar pas përmbytjeve të mëdha, kur kishte më shumë gjasa të dilnin vullnetarë. Në të dyja rastet, reshjet e pazakonta përputhen me një rritje të incidenteve të dhunshme, që përfshijnë vdekje dhe viktima gjatë betejës.
Në këtë rast, si shkak i luftës konsiderohet uji dhe jo thatësira. Nëse mbetet dyshimi se sa
e drejtpërdrejtë është lidhja midis ndryshimeve klimatike dhe dhunës, parashikimet për të ardhmen rreth planetit që po ngrohet dhe thahet me shpejtësi, sugjerojnë se lidhja do të bëhet më e dukshme.
Një përllogaritje e bërë në vitin 2015, bazuar në analizën e konflikteve që nga vitet 1950, sugjeron se rritja me çdo 1 gradë celsius e temperaturës së tokës, solli një rritje prej 11.5 për qind të konflikteve ndërgrupore.
Duke i ekstrapoluar këto shifra për të llogaritur efektin e rritjes së parashikuar të temperaturës, llogaritet që deri në vitin 2030 të ketë një rritje të mundshme prej 54 për qind të konflikteve në Afrikë dhe 393.000 vdekje të mëtejshme nga luftërat.
Një variabël me të cilin bien dakord shumica e studiuesve, është roli i reshjeve ose mungesa e tij në nxitjen e konfliktit. Reshjet ekstreme prishin të korrat, shkaktojnë përmbytje të rënda dhe përhapin sëmundje, në një kohë që thatësira shkatërron të korrat dhe mjetet e jetesës dhe inkurajon konfliktin mbi furnizimet më ta paktë me ujë, veçanërisht për shoqëritë baritore
dhe fermerët e vetë-mjaftueshëm.
Studimi i 47 shteteve afrikane nga viti 1991 deri në vitin 2007, tregon se në vitet që kanë përjetuar reshje shumë të mëdha ose shumë të pakta, ka një rritje të numrit të ngjarjeve konfliktuale midis komuniteteve lokale ose midis protestuesve dhe qeverisë.
Megjithatë, çështja e konfliktit lidhet ngushtë me nivelin e zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërinë institucionale në çdo shtet. Aty ku ndryshimet klimatike mund të përballohen duke ndryshuar teknologjitë, investimet në kërkime dhe inovacione dhe iniciativa të bazuara kryesisht tek shteti, konflikti në përgjithësi mungon.
Ndërsa në botën para-moderne, ndryshimet klimatike apo katastrofat natyrore preknin çdo
lloj shoqërie, efektet negative të saj në këtë shekull janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë.
Kontributi ekologjik në përgjigjen ndaj pyetjes “Pse luftojmë?”, është larg të qenit i drejtpërdrejtë, pavarësisht pikëpamjes së përbashkët, se mungesa e ushqimit, presioni demografik, degradimi i mjedisit dhe ndryshimi i klimës, duken si shkaktarë të dukshëm për dhunën e mundshme.
Në pjesën më të madhe të së kaluarës njerëzore, mungojnë provat, edhe nëse duhet të ketë ekzistuar mundësia e konfliktit mbi furnizimet me ushqime, mbrojtjen e territorit apo migrimin mjedisor. Siç ka ndodhur tek e fundit edhe në 10.000 vitet e fundit, periudhë për të cilën janë të paktën të disponueshme provat arkeologjike dhe klimatologjike, edhe pse shpesh ato janë të rralla.
Ndryshimi klimatik nga afër fundit të Epokës Akullnajore, rreth 120.000 vjet më parë, deri në fillimin e Epokës së Holocenit, 10,000 vjet më parë, ndodhi aq ngadalë sa që komunitetet njerëzore kishin mijëra vjet kohë për t’u përshtatur me mjedisin në ndryshim.
Një argument më i fortë, mund të përdoret për mbrojtjen e hapësirës ekologjike, kur presionet mjedisore krijuan fërkime midis popullatave njerëzore. Ndikimi në këtë rast, ishte shumë më i madh në njësitë e vogla shoqërore, qofshin grupe farefisnore apo fise, pragu për ekzistencë i të cilave ishte shumë më i brishtë se sa për popullatat e mëvonshme të vendosura në vendbanime të përhershme.
Dhe në këtë kontekst, ekologjia kishte (dhe ende ka) më shumë gjasa të nxiste luftën. Në rastet e komuniteteve para-shtetërore, si për shembull shoqëritë fisnore të Zelandës së Re dhe Alaskës, ishte e zakonshme mbrojtja e dhunshme dhe shpeshherë e egër e territorit dhe rezervave ushqimore nga konkurrenca për një vend të caktuar ekologjik.
Në rrethana të tilla, konflikti mbi burimet ekologjike, do të kishte qenë një nga çelësat kritikë të mbijetesës për popujt fisnorë. Megjithatë, përvoja anormale e luftërave për “hapësirën e jetesës” të shekullit XX, tregon se edhe në epokën moderne, kufizimi ekologjik mund të merret si justifikim për zgjerimin e dhunshëm.
Sa i përket ndryshimeve klimatike, lidhja me dhunën është më e dobët. Sipas dëshmive më të fundit, duket se një krizë klimatike e papritur - një thatësirë disavjeçare, ose një “vit pa verë”, pra me hi vullkanik në qiej, dhe reshje të dendura të vazhdueshme - do të nxiste konfliktin, pasi papritmas burimet u thanë ose u shkatërruan dhe duhej të gjendeshin alternativa duke bastisur të tjerët ose duke siguruar Lebensraum (hapësirën jetike), nëpërmjet pushtimit të territorit të një komuniteti tjetër.
Përgjatë historisë, uria e shkaktuar nga klima ka nxitur zakonisht protesta civile të dhunshme. Në kontekste të tjera - për shembull, shekujt e konflikteve midis Kinës dhe fiseve nomade të Azisë Lindore dhe Qendrore - thatësira periodike dhe zgjerimi i shkretëtirave, nxitën përpjekjet e dhunshme të fiseve nomade për të gjetur më shumë ushqime ose kullota.
Edhe në këtë rast, ndonjëherë ka qenë e mundur të arrihej të sigurohej strehë për të gjithë, në
vend se të shpërthente lufta. Kur mundeshin, autoritetet perandorake kineze i përdorin rezerva ushqimore ose mallrat e prestigjit për të blerë paqe nga nomadët apo për t’i lejuar fiset nomade të vendoseshin në territorin Han, duke e zbehur kështu ndikimin e çdo lloj krize klimatike.
Konteksti ekologjik ka ndikuar në mënyra të ndryshme tek rrethanat që mund të shkaktojnë dhunë, në disa raste drejtpërdrejt, dhe më shpesh në mënyrë indirekte. Dallimi midis popullatave njerëzore dhe kafshëve dhe bimëve për të cilat flet Racel, është se vendimi për të pushtuar më shumë hapësirë jetese, apo për të plaçkitur të tjerët për ushqim ose gra ishte i vetëdijshëm, dhe jo një kundërpërgjigje natyrore.
Presionet ekologjike kuptoheshin dhe ndonjëherë ndërhynin, kur dukej e nevojshme, me një nivel të caktuar dhune. Sot, ndryshimi i klimës paraqet kushtet më të vështira ekologjike, ashtu si në të kaluarën.
Por mundësia e bashkëpunimit ndërkombëtar për të adresuar efektet e tij, e ka zvogëluar dhe mund të vazhdojë ta zvogëlojë mundësinë e “luftërave klimatike”, përveçse në ato rajone të botës më të prekura nga goditjet klimatike dhe më pak të afta për të zbutur efektet e tyre.
Pjesa II
Kapitulli V
Burimet
“Atë që nuk e ka, por i duhet, duhet ta pushtojë!”
(Adolf Hitler, 1 qershor 1941)
Pak luftëra në epokën moderne, kanë synuar kaq hapur përvetësimin e burimeve - tokës, mineraleve, naftës, ndër të tjera - sa pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik, i nisur më 22 qershor 1941.
Në një takim me komandantët e lartë të ushtrisë gjermane më 9 janar 1941, Hitleri u kujtoi i ngazëllyer “pasuritë e pamatshme”, që do të sillte pushtimi i zonës sovjetike. Në këtë aspekt, qasja e tij ishte tërësisht në përputhje me pikëpamjet që kishte pasur të paktën që nga fundi i viteve 1920.
Në “Librin e dytë”, në të cilin shpjegoi domosdoshmërinë ekologjike për hapësirën e jetesës për kombin gjerman, ai arriti në përfundimin se “kjo hapësirë mund të shtrihet vetëm në Lindje”. Perandoria që planifikoi të ndërtonte në Rusi, kishte në themel shfrytëzimin.
Pra përdorimin si skllevër të popullsisë sllave, ndërsa sundimtarët gjermanë do t’i dërgonin popullit gjerman sasi të mëdha burimesh për të cilat kishin nevojë. Kërkimi i burimeve materiale nëpërmjet konflikteve të dhunshme ka një histori shumë të vjetër. Në fakt, një nga shpjegimet kryesore për historinë e gjatë të luftës njerëzore ka qenë ambicia, siç e tha edhe Hitleri, për të marrë atë që është e nevojshme - ose thjesht e lakmuar - përmes pushtimit.
Në një studim ndërkulturor të kryer në vitet 1990 mbi 186 shoqëri, Kerol dhe Melvin Ember zbuluan se frika nga mungesa e burimeve përbënte shumicën e shkakut të konflikteve. Midis shoqërive jo shtetërore, pra fisnore, fitimtarët morën burime në 85 për qind të rasteve, dhe përvetësuan territore në 77 për qind të rasteve.
Dëshmitë etnografike, mund të gjurmohen tek analogjitë me luftërat e njohura të periudhës historike dhe duke nënkuptuar konfliktet e parahistorisë, ku provat janë më të vështira, por jo të pamundura për t'u gjetur. Baza materialiste ose ekonomike për luftën, ka qenë dhe vazhdon të jetë një përgjigje e favorizuar gjerësisht për pyetjen që shtroi dikur Ajnshtajni.
Argumenti ekonomik mbi zhvillimin e luftës - rrëmbimi i burimeve në kuptimin më të gjerë
të fjalës - ndryshon nga shpjegimi ekologjik i “pamjaftueshmërisë së burimeve”, i eksploruar në kapitullin e mëparshëm. Konflikti ekologjik, përfshin burimet natyrore thelbësore për të mbështetur jetesën në një mjedis të caktuar.
Dhe ai shfaqet kur një burim në sasi të pakët por jetik, kontrollohet nga të tjerët, duke e kufizuar kësisoj qasjen e favorshme; ose kur burimet dikur të bollshme, janë reduktuar ndjeshëm nga gjuetia e tepërt apo ndryshimet klimatike.
Apo kur një rritje e popullsisë i gllabëron burimet e nevojshme, të cilat duhen gjetur diku tjetër. Por në rastet kur pamjaftueshmëria e burimeve është më pak e dukshme, beteja për burime, siç ishin pushtimet e Adolf Hitlerit, është projektuar për të forcuar pushtetin perandorak, kombëtar ose fisnor në kurriz të të tjerëve.
Është natyra grabitqare e ambicieve materiale, ajo që qëndron më shumë në themel të luftës sesa presionet e krizës ekologjike. Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e diskutimit fokusohet tek 10.000 vitet e fundit, kur kishte diçka që ia vlente të merrej, qoftë lëndë e parë, thesare, skllevër apo një shpërblim vjetor në para.
Ndjekja e burimeve duke përdorur luftërat - qoftë për plaçkitje, ushtruar kontroll ekonomik
apo për të nxjerrë një fitim - ka një shpjegim të thjeshtë. Motivet materiale, duken si racionale ashtu edhe të demonstrueshme, qoftë në një përleshje midis gjahtarëve-mbledhës, një ekspedite fisnore apo një luftë masive moderne.
Motivet materiale të Hitlerit, e dominuan strategjinë që ai ndoqi në vitet 1941 - 1942 përkundër këshillave nga ana e gjeneralëve të tij. Ndërsa ata donin një sulm ndaj Moskës që në vjeshtën e vitit 1941 dhe shkatërrimin e asaj që kishte mbetur nga Ushtria e Kuqe, Hitleri këmbënguli që të vazhdohej përparimi në jug, për të pushtuar në fillim rajonin e pasur me qymyr dhe hekur të Donbasit në Ukrainë.
Edhe në verën e vitit 1942, udhëheqësit e tij ushtarakë donin të rinisnin me më intensitet luftën kundër forcave sovjetike në Rusinë Qendrore, por sërish Hitleri donte të lëvizte më në jug për
të kompletuar pushtimin e Donbasit, dhe për të shtënë në dorë depozitat e pasura të naftës të Rusisë në rajonin e Kaukazit.
Në këtë rast, ambicia për të kapur burimet nxiti strategjinë, megjithëse në fund nafta nuk u vendos dot nën kontroll, dhe pjesa më e madhe e Donbasit u humb një vit më vonë. Edhe ambicia për të marrë drithëra dhe ushqime për popullatën gjermane dështoi, sepse forcat e mëdha të armatosura në lindje, e konsumuan pjesën më të madhe të asaj që ishte në dispozicion.
Nëse kjo strategji analizohet bazuar tek masa që pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik ishte kryesisht një “luftë për burime”, atëherë arrijmë në përfundimin se ajo dështoi në çdo front. Nëse fiksimi pas burimeve i nervozonte komandantët gjermanë, ai u kuptua shumë qartë si një motiv për luftë nga armiku komunist.
Teoria ortodokse leniniste pretendonte se si rezultat i kontradiktave të natyrshme në sistemin ekonomik, kapitalizmi do të detyrohej që të bënte luftë. Stalini e kuptoi krizën ekonomike dhe politike të viteve 1930 si “një krizë të përgjithshme të kapitalizmit”, dhe supozoi se “gjërat
po shkojnë drejt një lufte të re imperialiste”.
Kjo qasje ishte në përputhje me pikëpamjen e Leninit në librin “Imperializmi: Faza më e lartë
e kapitalizmit” (botuar gjatë Luftës së Parë Botërore), sipas së cilës imperializmi kapitalist shpjegonte edhe origjinën e konfliktit modern.
Argumenti marksist-leninist, që pretendonte se shkaqet e epokës moderne mund të gjendeshin tek motivimet materiale të një sistemi ekonomik, i cili kërkon burime për të shfrytëzuar, tregje për të dominuar, fitime kapitale për të realizuar dhe territore për të pushtuar, u shndërrua në një ortodoksi të politikës së krahut të majtë në mesin e shekullit XX, dhe ka mbetur ende një shpjegim funksional.
Thuhej se paqja do të ishte e mundur, vetëm pasi proletariati apo pararoja e tij politike të zëvendësonte shtetin borgjez me një alternativë socialiste, në të cilën burimet do të ndaheshin,
në vend se të grumbulloheshin nga të pasurit.
Interpretimi marksist i arsyeve të luftës i detyrohej pak drejtpërdrejt Karl Marksit, që ashtu
si bashkëkohësi i tij Darius, ishte po aq pak i interesuar për luftën si të tillë. Vëmendja e tij kryesore ishte mbi materializmin historik, i cili shpjegonte zhvillimin afatgjatë të formave të luftës së klasave në epoka të ndryshme ekonomike të historisë njerëzore.
Së pari ekonomitë klasike skllavopronare, pastaj feudalizmin dhe së fundmi kapitalizmin borgjez. “Është teoria jonë, se organizimi i punës përcaktohet nga mjetet e prodhimit”- i shkruante Marksi bashkëpunëtorit të tij Fridrih Engels në vitin 1866, “dhe kjo nuk është konfirmuar në mënyrë më të dukshme askund tjetër se sa në industrinë e masakrimit të njerëzve”.
Por pas Leninit, grabitja ekonomike si shkak i luftës u mor si diçka e mirëqenë. “Mos e harroni luftën imperialiste!”, ishte thirrja e parë drejtuar klasës punëtore evropiane nga Internacionalja Komuniste e sapothemeluar në vitin 1919.
Në Kongresin e Shtatë Botëror të Internacionales, në gusht 1935, komunisti italian Erkole Erkoli (pseudonimi politik i Palmiro Toljatit), mbajti një fjalim të gjatë duke analizuar shpjegimin komunist mbi dukurinë e luftës. Përqendrimi i kapitalit në truste dhe korporata të mëdha, e forconte luftën për të kontrolluar tregjet dhe burimet përmes pushtimit perandorak.
Kriza e shkaktuar nga përplasja midis blloqeve rivale kapitaliste, vazhdoi Erkoli, i shtynte elementët më reaksionarë të borgjezisë, të pranonin se në momente të caktuara lufta ishte
“mjeti më i mirë”, dhe ndonjëherë “mjeti i vetëm” për ta kapërcyer atë.
Shumica e marksistëve supozonin se lufta ishte një pasojë e pashmangshme. Në një libër tjetër të titulluar “Pse ekziston lufta?”, botuar dy vjet pas korrespondencës Frojd-Ajnshtajn, socialistët britanikë Elen Uillkinson dhe Eduard Konze, iu përgjigjën pyetjes së Ajnshtajnit me argumentin se “imperializmi kapitalist prodhon një luftë, e cila është po aq të pashmangshme sa edhe reaksioni midis oksigjenit dhe hidrogjenit që prodhon ujin”.
Për komunistët, lufta e nxitur nga agresioni i Hitlerit kundër Polonisë, dhe më vonë kundër Bashkimit Sovjetik, nuk ishte aspak një befasi. Ajo ishte e nevojshme, shkroi Uillkinson, për
të kuptuar “faktorët e thellë, themelorë ekonomikë … cilido qoftë justifikimi i çastit”.
Materializmi historik, mund të zbatohej për luftërat si të së kaluarën ashtu edhe të së tashmen, sepse përgjatë gjithë historisë lufta është varur sipas Marksit nga “karakteri i interesave klasore dhe raporti i forcave klasore të përfshira në të”.
Analiza marksiste, është përdorur për të shpjeguar përdorimin e skllevërve në botën e lashtë
në shërbim të ekonomisë klasike, të dominuar nga një elitë shfrytëzuese urbane dhe tokash. Ekzistojnë narrativa marksiste për kapjen e robërve të luftës nga aztekët, dhe për flijime masive si një mjet për të demonstruar fuqinë e klasës sunduese.
Marksizmi mund të përdoret për të shpjeguar arsyet pse klasa sunduese feudale, u angazhua në
një konflikt të vazhdueshëm për tokën dhe bujkrobërit që duhej ta punonin atë. Më vonë, kapitalizmi i hershëm, duke e tejkaluar epokën feudale, e përdori dhunën për të kontrolluar burimet e huaja kundër konkurrentëve dhe për të shtypur rezistencën vendase në territoret e shfrytëzuara globalisht nga klasa e pasur tregtare evropiane.
Ekzistojnë shpjegime marksiste edhe për shpërthimin e luftërave civile, ku u përplasën interesat ekonomike të klasave, si në Luftën Civile Amerikane midis kapitalistëve rivalë, ose më vonë në luftën civile pas-revolucionare në Rusi midis proletariatit dhe borgjezisë.
Gjithsesi, është epoka historike pasuese e kapitalizmit monopolist, e cila u shfaq nga fundi i shekullit XIX-të, ajo që ofron bazën për pikëpamjen marksiste-leniniste, jo vetëm të shkakut të luftës në përgjithësi, por edhe të atyre specifike. Në këtë interpretim, Lufta e Parë Botërore ishte një model për konfliktin, e nxitur nga lakmia materiale e të pasurve.
“Ajo ishte që nga fillimi deri në fund një epokë imperialiste”- argumentoi historiania dhe komunistja britanike Dona Torr në vitin 1942, “sepse në të dyja anët forcat që dominuan dhe udhëhoqën epokën, ishin klasat kapitaliste të secilit vend, të interesuara vetëm për qëllimet e tyre rivale të plaçkitjes dhe shtypjes koloniale”.
Lufta e Dytë Botërore në vitin 1939, u përkufizua përsëri si një garë midis dy “grupeve imperialiste” rivale, derisa pushtimi i Bashkimit Sovjetik nga Hitleri, e transformoi atë në një konflikt hibrid, pjesërisht një luftë imperialiste dhe pjesërisht një luftë socialiste çlirimtare.
Pas vitit 1945, linja zyrtare marksiste-leniniste vazhdoi të këmbëngulte se ekzistonte një krizë e përgjithshme e kapitalizmit, një sistem “në kalbje dhe në vdekje”, agresiviteti në rritje i të cilit në Kore apo Vietnam, u nxit nga krahu më ekstrem imperialist i kapitali të monopoleve, dhe përpjekjet militariste të të cilit ishin “të dukshme e në rritje të vazhdueshme”
Sa më shumë që kriza bëhej e dukshme, aq më shumë kapitalistët, veçanërisht ata në Shtetet e Bashkuara, ushtronin presion mbi qeveritë që të shpenzonin shuma të mëdha për ushtrinë dhe që të ndiqnin një politikë të jashtme agresive.
Pasojat ishin luftërat e Gjirit Persik, që sipas ekonomistëve neo-marksistë Shimshon Bishler dhe Xhonathan Nican, ishin emblemë e fuqisë së “kapitalit dominues” dhe “koalicionit midis kompanive kryesore të armëve dhe naftës”, që ushtruan presion mbi Shtëpinë e Bardhë që ta pranonte konfliktin në mënyrë që të rriteshin fitimet e korporatave, ashtu siç edhe ndodhi.
Për marksistët modernë, kontradiktat e një rendi ekonomik në rënie, e kanë sjellë sërish epokën e luftës dhe do ta bëjnë sërish. “Kapitalizmi nuk merret me bujqësinë për të mirën e vet” - tha organizatori i Komitetit për një Internacionale të Punëtorëve në vitin 2006, “por për të kapur tregjet e për të rritur të ardhurat e tij”.
Shpjegimi komunist, sipas të cilit lufta shkaktohet nga forca ekonomike të përcaktuara nga kontradiktat e një sistemi të caktuar ekonomik, nuk e përjashton idenë e luftës të zhvilluar nga të shtypurit për t’u çliruar nga shtypja ekonomike si dhe për të përvetësuar burimet e shtypësit.
Një luftë i tillë, mund të shpjegohet si refuzimi i marrëdhënieve aktuale të klasave nga viktimat e fazës mbizotëruese ekonomike, siç ishte kryengritja e skllevërve romakë e viteve 73-71 Para Erës Sonë e udhëhequr nga gladiatori Spartak, dhe e cituar shpesh nga marksistët si një shembull i luftës së parë të klasave.
Në shpjegimin e tij mbi leninizmin, Stalini bënte dallimin midis luftërave të drejtë dhe të padrejta. Të dytat, zhvilloheshin për konsolidimin e një sistemi të shfrytëzimi ekonomik, ndërsa të parat për çlirim kombëtar. Në të dyja rastet, marrëdhëniet e klasave dhe interesat e klasave e shpjegojnë origjinën e konfliktit.
Sipas teorisë sovjetike, Lufta e Ftohtë, ishte një përplasje midis sistemit shoqëror komunist dhe sistemit dekadent të imperializmit kapitalist. Nëse do të ndodhte një luftë e vërtetë, ajo do të ishte një luftë çlirimtare për forcat progresive të njerëzimit, një luftë klasash në shkallë ndërkombëtare.
Në rastin e një lufte bërthamore, detyra e forcave progresive kudo do të ishte “shkatërrimi i të gjithë sistemit të kapitalizmit, i cili nuk mund të ekzistojë pa një epokë”. Edhe pse Lufta e Ftohtë është parë nga perëndimorët si një epokë ideologjish, pikëpamja e qëndrueshme komuniste mbështetej tek qasja se ideologjia ishte dhe është dytësore, një “derivat i kontradiktave ekonomike”.
Shpjegimi marksist i luftës si një shprehje e realitetit mbizotërues ekonomik dhe shoqëror,
mezi i mbijetoi rënies së sistemit sovjetik në Evropë në vitet 1990 - 1991. Ideologjia komuniste, ose më saktë ajo sovjetike, rreth marrëdhënies së epokës me imperializmin kapitalist, konsiderohet në përgjithësi si teorikisht e shtrembëruar, tepër përshkruese dhe njëdimensionale për të qenë bindëse.
Po aq problematik në aspektin empirik, është edhe vazhdimi i argumentimit, se burimet janë gjithmonë rezultat i “burimeve ekonomike themelore”. Pavarësisht gjithë problemeve të tij aktuale, kapitalizmi nuk ka treguar një krizë të përgjithshme si ajo drejt luftës, sidomos gjatë viteve 1939 - 1945.
Argumenti se klasa sunduese në sisteme të ndryshme ekonomike, lufton për burime shtesë
ka një besueshmëri të dukshme, por sugjeron një determinizëm ekonomik, i cili jo vetëm
që minon çdo ide mbi ndikimin e faktorit njerëzor, por është gjithashtu i vështirë për t’u demonstruar historikisht përveçse në terma përshkrues, të cilët janë shumë të përgjithshëm për të qenë të dobishëm.
Dhe as nuk mund të shpjegojë në mënyrë të kënaqshme burimet para shfaqjes së shtetit, kur burimet mund të bliheshin nga komunitete egalitare, në vend se të bazoheshin në klasa shoqërore të dallueshme.
Epoka e “kapitalizmit të monopoleve”, është ndoshta më problematikja për interpretimin marksist, sepse barra e provës për tezën sipas së cilës luftërat specifike janë shkaktuar nga bizneset e mëdha, ka rezultuar vazhdimisht e vështirë për t’u vërtetuar, pavarësisht pranisë së organizatave të fuqishme industriale dhe financiare që merren me prodhimin dhe kërkimin në sektorin ushtarak.
Nuk ishin “baronët” e armatimeve, ata që e shtynë Evropën në luftë në vitin 1914. Pushtimi i mëvonshëm i Bashkimin Sovjetik nga ana e Hitlerit u nxit nga një agjendë radikale nacionaliste, dhe jo nga ambicia kapitaliste.
Udhëheqësit kryesorë të biznesit në Gjermani, edhe pse mund të shpresonin se do të përfitonin nga fitorja, nuk iu imponuan Hitlerit. Argumenti se një koalicion midis kompanive të armëve dhe atyre të naftës, komplotoi për të provokuar Luftën e Dytë të Gjirit, mund vetëm të përmendet por jo të provohet.
Tek e fundit, prodhimi ushtarak, nga majat e shigjetave prej guri të strallit deri tek mitralozat, i bëri vërtet të mundura luftërat duke inkurajuar përdorimin e armëve të prodhuara, por janë aktorët shtetërorë dhe jo shtetërorë, ata që gjatë të kaluarës së gjatë historike, kanë vendosur se kur dhe për çfarë arsye do të përdoren armët.
Teza se kapitalistët kanë ngurruar të ushtrojnë presion vetëm për një luftë bërthamore, pasi e dinë se kjo do të shkatërrojë tregjet dhe do të vrasë klientët e tyre nuk është bindëse: ata duan ta shmangin luftën bërthamore për arsye që janë më se të dukshme.
Sigurisht, nuk është e nevojshme të jesh marksist për ta shpjeguar luftën në terma materialiste. Teza se mund të ekzistojnë motive ekonomike prapa aspiratës grabitqare për të pushtuar ose shfrytëzuar burimet përmes luftës, është një argument logjik. Sepse ka pasur pak konflikte, në të cilat burimet nuk janë përvetësuar nga fituesi në një fazë të caktuar, edhe nëse marrja e burimeve nuk ishte shkaku kryesor, por pasojë e fitores.
Për njerëzit që kanë jetuar përpara Epokës së Holocenit, lufta për burime ndodhte thuajse me siguri kryesisht për burimet natyrore të nevojshme në aspektin ekologjik, ndërsa popullsia po rritej, klima i pakësoi furnizimet bazë për jetesën apo thatësira ndikoi në qasjen e njerëzve tek uji.
Përpara vendbanimeve bujqësore të ngulitura në një vend, ka shumë të ngjarë të kenë ndodhur sulme për të rrëmbyer bagëtitë e një komuniteti fqinj. Megjithatë dihet shumë pak për komunitetet e hershme njerëzore si barinj apo gjuetarë, ndaj nuk mund të jemi të sigurt për këtë pretendim.
Sulmet dhe kapja e kafshëve, shfaqet me shumë gjasa në stepat euroaziatike që nga mijëvjeçari IV Para Erës Sonë, kur bagëtitë kishin një rol qendror për ekonominë dhe strukturën sociale të komuniteteve fisnore që i banonin ato.
Sipas mitologjisë indo-evropiane, figura Trito (I Treti ose Luftëtari), rrëmbeu bagëtitë që i përkisnin një gjarpri gjigant, sepse augurët (orakujt), konfirmuan se ato ishin të tijat me të drejtë. Në këtë kozmologji, Trito ishte luftëtari i parë, që vrau përbindëshin dhe ia mori bagëtitë.
Por në të njëjtën kohë, ky akt u përcaktua si një funksion legjitim për të gjithë luftëtarët që e pasuan atë. Lufta për të marrë ose për të kontrolluar burimet materiale, mund të provohet më lehtë vetëm me fillimin e bujqësisë, kalimin tek vendbanimet më të mëdha fisnore apo tek qytetet e para të formuara fisnore, dhe më pas me shfaqjen e shteteve.
Që nga ajo periudhë, plaçkitja e materialeve apo e vendbanimeve të armikut ishte e zakonshme dhe gjeografikisht e përhapur. Plaçka ishte një mënyrë për të shpërblyer ushtarët dhe për të motivuar pjesëmarrjen e tyre. Por një shpërblim mund të kërkohej për të mbushur thesarin e fitimtarit, edhe në kohën kur kishte rifilluar paqja.
Kështu, ka pasur konflikte mbi kontrollin e rrugëve tregtare, qasjen ose kontrollin mbi materialet e vlefshme si kripa ose burimet minerale si minerali i bakrit, por edhe kapjen e skllevërve ose viktimave të flijimit për Zotat, praktikë që duket se ka qenë pothuajse universale deri disa qindra vite më parë.
Me zhvillimin e politikave të para të mëdha fisnore dhe më pas të shteteve të para, burimet nënkuptonin edhe thesare: ar, gurë të çmuar, mallra prestigji. Për shtetet moderne, burimet mund të nënkuptojnë territorin për të furnizuar nevojat e konsumatorëve për popullsinë vendase, apo kontrollin mbi një burim kyç energjie, siç është nafta.
Ose si në rastin e pushtimit gjerman të Bashkimin Sovjetik, një force punëtore të robëruar. Në lidhje me komunitetet para-shtetërore, ka një mbështetje të madhe në provat arkeologjike për të zbuluar dhunën e mundshme për të marrë ose mbrojtur burimet.
Në Evropën e Epokës së Neolitit, modeli i vendbanimeve dhe shkatërrimeve, sugjeron ndodhjen e konflikteve mbi mineralet e pakta, veçanërisht mbi strallin dhe gurët e tjerë të fortë, kripën, dhe xeheroret metalike.
Në Sllovaki dhe Moravi, në Evropën Qendrore, dëshmitë e luftimeve përputhen me vendndodhjen e mineraleve të bakrit në luginën e lumit Nitra, ndërsa tregtia me mallra prestigjioze - armë, rruaza, stoli - duket se ka provokuar konflikte midis komuniteteve fqinje mbi kontrollin e rrugëve.
Midis skeleteve të zbuluara të luftëtarëve, traumat në prag të vdekjes janë më të dukshme
në zonat që përmbajnë xeherorë bakri. Në kohën e kulturave të përdorimit të këtij metalit në 3 mijëvjeçarët e fundit Para Erës Sonë, fillimisht bakrit, pastaj bronzi dhe në fund hekurit, lufta për kontrollin e burimeve të vlefshme apo furnizimin e tyre, ndihmuan në krijimin e një modeli endemik të luftës, përfshirë aneksimin e tokave të pasura kudo ku ato ishin në dispozicion.
Modeli i armatimit, armaturës dhe pajimeve të kuajve, sugjeron se sulmet e dhunshme u bënë një praktikë zakonshme. Në Itali, tregtia dhe pasuria u bënë gjithnjë e më të rëndësishme duke filluar nga Epoka e Bakrit dhe Epoka e hershme e Bronzit, dhe rrugët kryesore përmes Ligurias apo Venetos mbroheshin nga qytetet bregdetare shumë të fortifikuara.
Bastisjet u kryen edhe përgjatë vijës bregdetare italiane për të kapur skllevër, bagëti dhe sende me vlerë. Një model i ngjashëm u shfaq me luftën e rregullt në Kinë dhe në Botën e Re (dy Amerikat). Në luftën midis proto-shteteve të hershme në Kinë, një rol me rëndësi luajti kontrolli i metaleve kryesore, veçanërisht i bakrit dhe kallajit.
Një mbishkrim i hershëm në një vendbanim të lashtë në Shang në Aniang (që daton nga mijëvjeçari i dytë Para Erës Sonë) flet për luftëra të shpeshta për të fituar tokë, punë, mallra të transportueshme dhe viktima për sakrifica. Në një rast, 300 nga njerëzit e dinastisë Qiang u kapën për t’u flijuar nga paraardhësit e dinastisë Shang.
I njëjti numër viktimash, të zhveshur, të gjymtuar dhe të vrarë, përshkruhej në disa blloqe guri në Monte Alban në Meksikën jugore, ku kultura e fisit Zapotek, e themeluar rreth vitit 500 Para Erës Sonë, ushtroi një dominim brutal mbi popujt fqinjë, duke kërkuar shpërblim, skllevër dhe të burgosur për flijime, duke shkatërruar fshatrat që i rezistonin kërkesës për të mira materiale dhe pasuri.
Midis fiseve Majave në Gadishullin e Jukatanit, lufta nënkuptonte kapjen e njerëzve që do përdoreshin apo shiteshin si skllevër si dhe kontrollin e rrugëve të vlefshme tregtare dhe burimeve kyçe, veçanërisht kripës. Ashtu si kultura e fisit Zapotek, edhe lufta e Majave përfshinte shkatërrime dhe grabitjen e fiseve të tjera.
Qendrat e banuara të fiseve rivale digjeshin dhe popullatat e tyre vriteshin ose skllavëroheshin nëse nuk paguanin një haraç. Në Amerikën e Jugut, kulturat më të fundit para-shtetërore merreshin rregullisht me sulme për qëllime plaçkitëse.
Në luginën Kauka në Kolumbinë Veriore, luftërat kronike midis krerëve të fiseve kishin motive të qarta materiale në kapjen e skllevërve, viktimave të flijimeve për Perënditë e tyre, konkubinave, kontrollin e tregtisë apo marrjen e tokës.
Tairona-t luftuan për kontrollin e të drejtave të peshkimit, duke kapur gratë (të cilat do të shpërndaheshin midis luftëtarëve që merrnin pjesë) dhe duke plaçkitur mallrat e fshatrave fqinje përpara se t’i digjnin dhe të vrisnin banorët e tyre.
Krerët e fisit Kueva në Panama, luftonin për zonat e peshkimit dhe gjuetisë, për tregtinë, por edhe për arin dhe konkubinat. Kontrolli mbi mallrat e tregtuara ishte pothuajse me siguri një motiv kryesor, aq më tepër që duke nisur nga shekulli XVI, kontakti me evropianët siguroi
një furnizim me mallra prestigjioze të bëra prej metali.
Është pohuar se fiset famëkeqe Janomami të Amazonës së Sipërme, bastisin me më shumë intensitet kur kishte mosmarrëveshje mbi qasjen apo shpërndarjen e mallrave të çelikut dhe armëve ose për shkak të konkurrencës me ndërmjetësit.
Nga ana tjetër fiset Hivaro të Ekuadorit, veçanërisht Shuar-ët, e intensifikuan luftën dhe gjuetinë e kokave në fund të shekullit XIX, teksa mallrat perëndimore u bënë më të disponueshme, madje duke shkëmbyer koka njerëzish të thara në diell, të konsideruara
si një produkt prestigji në këmbim të armëve.
Ishte një tregti e çuditshme, e cila vazhdoi deri në fillim të shekullit XX. Shpronësimi sistematik i popujve të pushtuar, arriti në një nivel të ri pas shfaqjes së qytetërimeve të
para të mëdha në Lindjen e Mesme dhe pellgun e Mesdheut.
Shembulli më i mirë është Roma republikane në mijëvjeçarin e parë Para Erës Sonë, ku sekuestrimi i thesareve dhe burimeve, apo edhe kërkesa për pagimin e një haraçi vjetor arritën një nivel të jashtëzakonshëm. Zgjerimi i hershëm i Romës, bazohej në bastisjet e qyteteve dhe fshatrave lokale.
Lufta ofronte jo vetëm mundësinë e kërkimit të haraçit, por edhe mallra për t’u shpërndarë midis ushtarëve pjesëmarrës në fushatë, një element kyç jo vetëm tek ushtritë romake. Lufta ishte e nevojshme për të ushqyer vazhdimisht aftësinë për të bërë luftë.
Traktatet e hershme që nënshkruanin romakët me armiqtë e mundur, specifikonin në detaje plaçkën që do të ofrohej, si materiale ashtu edhe njerëzore. Disfata e Kartagjenës në vitin 202 Para Erës Sonë, solli për Romën një pasuri materiale në shkallë të madhe, e cila do të ndahej midis shtetit romak, udhëheqësve ushtarakë dhe ushtarëve të zakonshëm.
Në luftërat romake në Dalmaci dhe Greqi, një nga motivet kryesore ishte të sigurohej siguria e tregtisë së pasur në zonën përreth detit Adriatik, të cilën Roma synonte që ta dominonte përkundër veprimtarisë së piratëve përgjatë bregdetit të Ilirisë.
Zgjerimi në Greqi, edhe pse i nxitur nga ambiciet politike, solli pasuri të mëtejshme. Vlerësohet se pasuria e sekuestruar midis viteve 229 - 167 Para Erës Sonë, arriti në 70 milionë denarë, përveç veprave të artit dhe statujave të plaçkitura në Romë.
Gjatë pushtimit të Epirit, 150.000 njerëz u morën robër dhe u shitën si skllevër për të arkëtuar të ardhura për thesarin e Romës. Gjenerali pushtues romak Lusius Emilius Paulus i siguroi Romës aq shumë “pasuri”, sa që Senati pezulloi për një kohë të pacaktuar taksimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve romakë.
Kur Korinti vazhdoi të rezistonte, u plaçkit në vitin 146 Para Erës Sonë, njerëzit e tij u vranë ose u skllavëruan, dhe pasuritë e tij u plaçkitën sistematikisht. Natyra grabitqare e luftës së Romës ishte thelbësore për strategjinë e saj perandorake. Lufta e bëri të pasur Romën, elitën romake dhe gjeneralët e ushtrive të saj.
Dështimi për të kompensuar burimet e harxhuara nga fushata ushtarake ishte një shenjë çnderimi, përveç sfidës së pagimit të ushtarëve që prisnin të merrnin një pjesë të plaçkës së luftës. Republika Romake dhe Perandoria Romake, vendosën një model që mbijetoi gjatë gjithë periudhës historike.
Lufta për 2000 vitet që pasuan, nuk ishte universalisht vetëm për përfitime materiale dhe strategji grabitqare. Megjithatë ka shumë shembuj të luftërave, në të cilat motivet ekonomike kanë luajtur një rol, pavarësisht nga interesat politike, ideologjike ose të sigurisë të përfshira.
Në shumë luftëra të epokës mesjetare, premtimi për plaçkë lufte në mungesë të pagave të rregullta, ishte mënyra e vetme për të mbajtur ushtrinë ose milicinë të fokusuar tek fushata.
Nëse mbretërit apo princat kishin motivet e tyre, për shumë ushtarë të zakonshëm, më shumë rëndësi kishin interesat materiale.
Disa nga mercenarët zviceranë që iu bashkuan ushtrive të huaja në shekullin XIV, e bënë këtë pa pagesë. Megjithatë, ata prisnin të merrnin si shpërblim një pjesë të plaçkës së luftës. Pushimi osman i Kostandinopojës në majin e vitit 1453, pas një rrethimi 7-javor të udhëhequr nga sulltan Mehmeti II, që synonte të hiqte pengesën e vetme të mbetur ndaj sundimit mysliman në Lindjen e mesme, ishte një model i luftës plaçkitëse.
Sipas ligjit islamik, lejoheshin vetëm 3 ditë plaçkitjeje, por duke shpresuar ta bënte qytetin kryeqytetin e tij, Mehmeti lejoi vetëm një ditë të tillë. Por ushtrisë së tij, e cila kishte qenë në prag të rebelimit, teksa premtimi për plaçkë nisi të zbehej gjatë rrethimit të zgjatur, i mjaftoi edhe vetëm një ditë.
Ajo rrëmbeu çdo gjë që mund të transportohej. Mijëra burra dhe fëmijë, u lidhën së bashku në grupe të vogla, për t’u zvarritur nga robëruesit e tyre drejt një jete si skllevër dhe konkubina. Pjesa tjetër e popullsisë u masakrua. Këto skena mund të përsëriteshin në çdo kohë në histori
dhe do të mbushnin vëllime të tëra me libra.
Muzetë dhe galeritë e botës lindore, janë të mbushura me antikitete dhe thesare të vjedhura gjatë shekujve të zgjerimit të dhunshëm perandorak. Qytetet ishin thuajse gjithmonë në shënjestër, pasi aty ishte përqendruar pasuria.
Trashëgimia e gjerë kulturore e Pekinit u plaçkit nga ushtritë pushtuese evropiane dhe japoneze, ndërsa ato shtypnin rebelimin anti-oriental të “Boksierëve” në vitin 1900. Pasi
u mposhtën rebelët kinezë, pasoi ajo që një gazetë e quajti “një karnaval plaçkitjeje”.
Ndërsa ushtarët dhe diplomatët endeshin nëpër Qytetin e Ndaluar, qendrën e sundimit perandorak kinez, mbushnin xhepat me çfarëdolloj gjëje që gjenin. “Grupe plaçkitësish po shfaqen dalin çdo ditë. Unë vetë kam bërë tashmë plaçkitje të shkëlqyera”- i shkruante një anglez nënës së tij.
Plaçkitja u bë shpejt një praktikë sistematike. Ushtria japoneze e gjeti thesarin e dinastisë Qing dhe e dërgoi në Japoni. Autoritetet britanike, shisnin çdo ditë përveç të dielës mallra
me vlerë nga këto plaçkitje, një praktikë që vazhdoi edhe vitin pasardhës pa asnjë brejtje ndërgjegje.
Të ardhurat, të cilat arritën në 330.000 dollarë me kursin e kohës, u ndanë midis personelit ushtarak britanik që mbeti në Pekin sipas rangut dhe racës. Plaçkitja ishte padyshim një pasojë e fitores dhe jo një shkak i fushatës. Gjithsesi, u bënë shumë pak përpjekje për ta ndalur atë, as atëherë dhe as në konfliktet më të fundit.
Në Botën e Dytë, plaçkitja ishte e përhapur dhe konsiderohej e pashmangshme, edhe kur ajo kryhej bëhej ndaj aleatëve ose armiqve që kishin pak gjëra për t’u plaçkitur. Në Rusi, ushtarët gjermanë plaçkitën fshatrat, por gjetën pak gjëra me vlerë.
Sulmi i afërt ndaj Moskës në fundin e vitit 1941, u përshëndet nga trupat gjermane në vijën e frontit si një moment mundësie për të gjetur diçka që ia vlente më në fund, por Moska nuk u pushtua dot. Në luftën e Paqësorit, plaçkitja konsistonte në nxjerrjen e dhëmbëve të artë nga trupat e ushtarëve të vrarë japonezë.
Marinsat dhe ushtarët amerikane i mbanin dhëmbët në qese të vogla ari, për t’i shitur kur të ktheheshin në shtëpi. Lufta moderne, nuk kishte më pak mundësi ekonomike sesa ajo në të kaluarën klasike ose mesjetare, edhe pse shumë luftëra të shekullit XX ishin shkatërruese në një shkallë të gjerë dhe jo fitimprurëse.
Kjo kryesisht për shkak të bombardimeve nga ajri, i cili rrafshonte qytete të tëra në përmasa të krahasueshme me sulmet barbare në Mesjetë. Por kjo edhe si pasojë e strategjitë së “tokës së djegur” në luftën sovjeto-gjermane dhe atë midis Kinës dhe Japonisë, të cilat synonin t’i mohonin armikut burimet e tyre.
Më e zakonshme në zonat e dominimit të Boshtit, ishte përdorimi i punës skllavëruese nga punëtorët e rekrutuar, të burgosurit e kampeve të përqendrimit apo në disa raste të burgosurve të luftës. Pra burimet njerëzore, u kapën dhe u përdorën ashtu siç ishin përdorur për mijëra vjet në të kaluarën.
Qeniet njerëzore si një “burim”, pronë ose produkt, përfaqësonin një lloj të veçantë të shfrytëzimit të burimeve. Kjo mënyrë e grabitjes, ka marrë historikisht forma të ndryshme. Gjuetia e trofeve njerëzore - koka ose pjesë të trupit - ka një histori të lashtë, megjithëse ndoshta në shumicën e rasteve grabitqari diktohej nga praktikat rituale dhe armiqësia zakonore.
E njëjta gjë ishte e vërtetë edhe për kapjen e robërve për t’u sakrifikuar për nder të Perëndive, një praktikë e shumë-përhapur në shoqëritë para-shtetërore dhe ato të hershme. Por ai ishte një burim vetëm në një kuptim të kufizuar, pasi viktimat nuk ofronin punë ose vlerë përtej vrasjes së tyre gjatë ritualit.
Forma kryesore e grabitjes për qeniet njerëzore si burim ishte skllavërimi. Skllavëria në format dhe fazat e saj të shumta të dallueshme, nuk ishte gjithmonë pasojë e luftës, qofshin fushata të mëdha apo bastisje të vogla. Skllavëria në rajonin e Oqeanit Indian apo në Kinë, mund të vinte për shkak të borxheve, varfërisë.
Por ka pasur edhe raste të skllavërimit vullnetar. Në shumë raste, skllavëria është e vështirë të dallohet nga format e punës së detyruar ose robërisë. Por në shumicën e zonave, ku tregtia e skllevërve furnizonte burimet njerëzore, skllevërit kapeshin fillimisht me dhunë.
Edhe pse trajtimi i tyre i mëvonshëm ose përvoja sociale, ndryshonte gjerësisht midis atyre që u shitën në kultura të tjera, dhe atyre që mbaheshin për t’i shërbyer shoqërisë që i kapi. Skllevërit që u shitën ose shkëmbyen - si skllevërit e marrë nëpër Sahara për shekuj me radhë për të plotësuar kërkesat nga shtetet islamike të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme, ose
9.5 milionë skllevër afrikanë që vlerësohet se u shpërngulën në Botën e Re (Amerikë) midis shekujve XVI-XIX, ose rreth 1 milion ose më shumë evropianë të kapur dhe të shitur nga piratët midis viteve 1630 dhe 1780 - ishin gati të gjithë viktima të akteve të dhunshme.
Nuk ka një datë të qartë, se kur ka nisur kapja e njerëzve për t’u përdorur si skllevër. Ndoshta kjo ka ndodhur në mesin e principatave të hershme, kur princat u përpoqën të fitonin pushtet dhe prestigj. Gjithsesi, nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur me siguri, përveçse të analizojmë shembuj etnografikë më modernë.
Arkeologët kanë gjetur modele të grave të “Venusit” në Epokën Mezolite me duar të lidhura, duke përfshirë një nga Kostenki në lumin Don, që daton 25.000 vjet më parë, megjithëse kjo nuk mund të tregojë me asnjë siguri ekzistencën e skllavërisë.
Dëshmia e parë historike mund të gjurmohet tek politikat më të hershme të njohura në Lindjen e Mesme dhe Kinë. Në shkrimin kuneiform të kulturave të para të Mesopotamisë, ka fjalë që duket se tregojnë skllevërit, si “burrë, kokë” dhe “grua, kokë”, që zakonisht përdoren për të numëruar bagëtitë.
Nganjëherë termat “burrë” dhe “grua”, shoqërohen me fjalën “mal”, duke sugjeruar se skllevërit u kapën nga rajonet malore në veri, në Iranin e sotëm. Një ”tekst këshillash” nga mbretëria babilonase e Hamurabit në mijëvjeçarin I Para Erës Sonë, i paralajmëron lexuesit të mos shkojnë në male nëse duan të shmangin skllevërit.
Në Egjiptin e lashtë, në mijëvjeçarin I Para Erës Sonë, ka dëshmi të skllevërve të kapur në rajonin e Nilit të Sipërm ose nga mbretëritë e tjera të Lindjes së Mesme si rezultat i luftës.
Dhe po në atë periudhë, skllavëria u vendos plotësisht në shoqërinë faraonike.
Të dhëna më të sigurta kemi për botën helenistike dhe romake, ku skllavëria ishte e ngulitur në strukturën dhe praktikat shoqërore. Në shtetet greke, skllavëria ishte thelbësore për ekonominë dhe gjenerimin e pasurisë. Skllevërit shiheshin si një mall, pra si objekte shkëmbimi dhe tregtimi.
Në shekullin I Para Erës Sonë, gjeografi grek Straboni përshkroi disa takime midis tregtarëve dhe nomadëve grekë rreth Detit Azov në Rusinë jugore, ku lëkurët dhe skllevërit tregtoheshin në këmbim të verës dhe rrobave.
Ata ishin kapur diku në brendësi të Euroazisë, por tregtarët mund të përfitonin drejtpërdrejt
nga lufta greke, nëse një numër i madh i armiqsh të kapur robër mund të bliheshin, dhe të dërgoheshin për shitje në qytetet greke.
Disa bastisje luftarake synonin qëllimisht rrëmbimin e njerëzve, siç ishte bastisja e shekullit V Para Erës Sonë nga ushtari-historian Ksenofoni në Bitini, Turqinë e sotme, i projektuar enkas për të rrëmbyer njerëz dhe shfrytëzuar ata si skllevër për përfitime kapitale.
Nga të dhënat që kanë mbërritur deri në ditët tona, duket se pak grekë u bënë skllevër, pasi tregtia, bastisja ose lufta përgjatë periferisë së shteteve greke siguronin një furnizim të rregullt me ta. Thuajse i njëjti model mbizotëronte edhe në periudhën e Republikës Romake, kur mund të skllavëroheshin popullsi të tëra armike.
Lufta e tretë kundër popullit samnit në lindje të Romës, e cila përfundoi në vitin 293 Para Erës Sonë, solli shndërrimin në skllevër të 58.000 - 77.000 njerëzve. Ndërkohë Lufta e Parë Punike midis viteve 264 dhe 241, i dha Romës edhe 100.000 skllevër të tjerë.
Pretendimi i Jul Çezarit, se kishte kapur 1 milion skllevër gjatë pushtimit të Galisë në shekullin I Para Erës Sonë, nuk mund të verifikohet. Por skllavërimi masiv, ishte një karakteristikë e luftës së romakëve. Tregtarët (merkatorët) i shoqëronin rregullisht ushtritë romake në fushatat
e tyre, duke blerë skllevër të kapur menjëherë për t’i shitur më pas në tregjet e shumta të perandorisë.
Oreksi i madh në Romë për skllevër, i inkurajoi shoqëritë fisnore përtej kufirit që të luftonin njëra-tjetrën, që të ushqenin tregtinë e skllevërve përgjatë arterieve të furnizimit në Itali. Në Britaninë e Epokës së Hekurit, në mijëvjeçarin I Para Erës Sonë, ekzistonte ajo që një historian e quajti “peizazh grabitqar”, në të cilin sulmuesit kapnin skllevër për t’i tregtuar me Perandorinë Romake apo për t’i përdorur për punë nga krerët vendas.
Në një pjesë të rajonit Eseks në Anglinë Juglindore, ka dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të braktisura, ndoshta për shkak të shpopullimit të shkaktuar nga bastisjet e rregullta të skllevërve dhe tregtia në të gjithë rajonin.
Një vlerësim i përafërt, sugjeron se rreth 100 milionë burra, gra dhe fëmijë (megjithëse zakonisht shumë më pak meshkuj, të cilët shpesh masakroheshin) u skllavëruan gjatë epokës
së imperializmit romak.
Lidhja midis skllavërisë dhe dhunës, është më pak e lehtë për t’u demonstruar në kontekste të tjera, sepse shumica e të dhënave historike, kanë të bëjnë me skllevërit, kur dhuna fillestare kishte përfunduar dhe ata ishin robër tashmë.
Kjo është e vërtetë për skllavërinë brenda Afrikës, e cila ishte e përhapur shumë kohë përpara fillimit të tregtisë së skllevërve në Atlantik. Dihet pak mbi luftën ose bastisjen, që sillte skllavërimin e viktimave apo për format e ndryshme që mori skllavëria.
Vetëm me fillimin e transportit në shkallë të gjerë të skllevërve përtej Atlantikut nga fundi i shekullit XVII e tutje, ka më shumë informacione, megjithëse pak të detajuara, se ku dhe pse u kapën skllevërit. Ndonëse duhet theksuar se shumë prej tyre, ishin të destinuar të punonin si skllevër brenda shoqërive afrikane, dhe jo për eksport në vende të tjera.
Lufta midis mbretërive afrikane ose lufta islame kundër jobesimtarëve e ndihmuan tregtinë, sepse skllevërit mund të shkëmbeheshin me mallra perëndimore të lakmuara nga afrikanët. Shitja tek evropianët e meshkujve të kapur robër në luftë, i eliminoi ata si një kërcënim në të ardhmen për fisin që i kishte kapur.
Luftërat e Asantes në Afrikën Perëndimore nga vitet 1680, lufta midis mbretërisë së Kongos dhe fqinjëve të saj në shekullin XVIII dhe luftërat e xhihadit të Sudanit Perëndimor, sollën një rritje të papritur të numrit të robërve të kapur që iu shitën tregtarëve evropianë.
Bastisja u shndërrua në një praktikë endemike derisa skllavëria në Atlantik përfundoi më në fund në vitet 1880. Në disa raste, ekzistojnë dëshmi historike se si kryheshin bastisjet për të marrë skllevër.
Kërkesa e madhe e holandezëve dhe portugezëve për ta në shekullin XVII në ishullin e Timorit dhe ishujt përreth tij, mbështetej tek iniciativa e vendasve për gjetjen dhe tregtimin e skllevërve, zakonisht nga zona të largëta ose terrene malore, ku komunitetet ishin periferike ose armiqësore ndaj pushtetarëve vendas.
Në Suva, kalorësia vendase kërkonte për robër nëpër kodra. Në Solor, malësorët u kapën dhe iu dorëzuan atyre. Edhe evropianët kryen bastisjet e tyre, shpeshherë me qëllime ndëshkuese. Në vitin 1665, Mateus Da Costa sulmoi mbretërinë e Ueuiku-Uehali, duke kapur robër për t’i dërguar në enklavat portugeze në Goa dhe Makau.
Në vitin 1676, në ishullin Suva, holandezët mposhtën suvanezët e mbretit Dimu, dhe kapën 240 njerëz si skllevër, për t’u dërguar në Batavia (Xhakarta) ose gjetkë në Azinë Juglindore.
Në një rast tjetër, zona kufitare midis Birmanisë dhe Tajlandës në fillim të shekullit XIX, dy zyrtarë britanikë të radhës siguruan të dhëna mbi sulmet për skllevër për fiset lokale.
Në rajonet malore dhe pyjore jashtë kontrollit të shtetit, sulmuesit skllevër nga populli Karen dhe nga mbretëria e Çang Mait, në atë që tani është Tajlanda Veriore, kryen operacione që synonin ekskluzivisht të kapnin njerëz për shitje ose shfrytëzim.
Fjalët lokale për skllav, kha në gjuhën tajlandeze dhe that në gjuhën khmer, do të thoshte gjithashtu ”skllav lufte”, për të treguar lidhjen kulturore midis dhunës dhe skllavërisë. Në vitin 1839, një dëshmitar britanik raportoi se një grup prej 7.500 ushtarësh nga mbretëria e Çang Mait sulmoi 3 qytete, duke kapur 1.815 meshkujt dhe femra të të gjitha moshave për t’i përdorur apo shitur si skllevër.
Edhe pse interpretimet e fundit, janë përpjekur të tregojnë se kushti i të qenit skllav në Botën
e Vjetër, ishte shpesh më pak shtrëngues dhe penalizues sesa puna në plantacionet në SHBA, mbetet fakti se shumë, ndoshta shumica e skllevërve gjatë 4.000 viteve të fundit, e filluan gjendjen e tyre si viktimë e dhunës luftarake.
Problemi me shpjegimin e burimit ekonomik ose materialist të luftës, qëndron tek veçimi i motiveve të tjera nga akti i thjeshtë i grabitjes. Nuk ekziston një rregull i përgjithshëm. Luftërat
në parahistori apo qytetërimet e hershme, janë më të lehta për t’u parë si konflikte grabitqare për shkak të provave të asaj që u kap pas tyre.
Disa konflikte mbi burimet minerale apo rrugët tregtare, mund të konsideroheshin si luftëra burimesh, nëse do të ishte ky objekti kryesor. Lufta për të kapur skllevër apo viktima të ritualeve të flijimit, mund të jetë gjithashtu motivi kryesor për bastisjet nga parahistoria deri
në shekullin XIX.
Por në shumë raste, përfitimi ekonomik ishte një bonus apo një vlerë e shtuar ndaj një bastisjeje ose një fushate. Diçka e shpresuar, por jo shkaku kryesor. Edhe në rastin e grabitjeve të Romës në Greqi, kishte çështje politike dhe sigurie që shpjegonin vendimin e Senatit. Fillimisht për të dobësuar një monarki rivale në Iliri, më pas për të pushtuar Greqinë me synim parandalimin e perandorive më në lindje që ta shfrytëzonin gadishullin si një pikë kërcimi për luftë kundër Romës, siç kishte bërë Pirro i Epirit në mbështetje të fushatës së Italisë dhe Siçili në vitin 270 Para Erës Sonë.
Në luftërat mesjetare dhe të fillimit të epokës moderne në Evropë, plaçkitja pritej dhe nevojitej për të kënaqur komandantët dhe burrat, por zakonisht nuk ishte arsyeja e parë pse ushtritë ishin në fushën e betejës.
Edhe lidhja e pretenduar midis bastisjes dhe furnizimit me produkte metalike në shpjegimin e luftës midis fiseve Janomamo dhe Hivaro, shpërfill një traditë të gjatë të bastisjes për territore apo koka njerëzore ose hakmarrje, e cila u intensifikua nga kontakti, por jo domosdoshmërisht shkaktohet nga ai.
Që në shekullin XVI, vëzhguesit spanjollë përshkruanin një rajon veçanërisht luftarak të territorit të fisit Hivaro si “tierra de guerra” (vendi i luftës). Në periudhën e mëvonshme historike, kërkimi i burimeve ishte një strategji e ndryshueshme, por shkonte rregullisht krah për krah me synime të tjera.
Njëfarë kuptimi i paqartësive të pranishme në çdo teori ekonomike mbi luftën, mund të gjendet tek 2 shembuj nga epoka moderne që janë konsideruar gjerësisht si luftë mbi burimet: Lufta e Afrikës së Jugut (ose Lufta e Dytë Boere) gjatë viteve 1899-1902 dhe “Lufta e Çakos” midis Bolivisë dhe Paraguait nga viti 1932 deri në vitin 1937 mbi diamantet dhe më vonë mbi arin.
Në të dyja këto raste, ndërhyrja e pretenduar e kapitalistëve, u mor si një dëshmi se ambicia materiale duhet të shpjegojë konfliktin. Teoria konspirative e bashkëpunimit kapitalist, u publikua për herë të parë për Luftën e Afrikës së Jugut nga gazetari liberal J.A.Hobson në një libër të botuar në vitin 1900.
Ai pretendoi se lufta u shkaktua nga një “konfederatë e vogël financierësh ndërkombëtarë”, të cilën donin të merrnin pushtetin në republikën afrikane të Transvaalit, ku kishin interesa në zonën e pasura të minierave të arit.
Vite më vonë, historiani britanik Erik Hobsbaum i bëri jehonë tezës së Hobsonit, kur argumentoi se “cilado qoftë ideologjia, motivi për Luftën e Boerëve ishte ari”. Në Luftën
e Çakos, ideja e një komploti kapitalist u përhap nga senatori amerikan nga Luiziana, Hui Long.
Në 4 fjalime të veçanta në Senat gjatë vitit 1934 dhe në fillim të vitit 1935, ai pretendoi se “bota e financave imperialiste”, dhe konkretisht kompania Standard Oil, e kishte nxitur qëllimisht luftën për të çuar më tej interesat e saj ndaj naftës boliviane.
Teoria e konspiracionit, vazhdoi shumë kohë pas mbarimit të konfliktit, duke u rrënjosur në folklorin latino-amerikan rreth arsyeve të shpërthimit të saj. Por asnjëra nga këto pretendimet nuk i ka rezistuar kohës.
Hulumtime të gjera mbi origjinën e luftës në Afrikën e Jugut, nuk kanë gjetur prova se kompanitë e minierave apo të investimeve, t’i kenë bërë presion qeverisë britanike për të përdorur luftën si një mjet apo që politikanët britanikë të ishin ambiciozë për të kontrolluar prodhimin dhe eksportet e arit.
E vërtetat ishte se të gjithë ata që kishin interes për minierat në Transvaal, donin të shmangnin luftën, megjithëse shpresonin se qeveria britanike do të ushtronte presion mbi qeverinë Afrikaner të Pol Krugerit, për të miratuar politika që do të inkurajonin modernizimin e vazhdueshëm të ekonomisë dhe do t’i kushtonin vëmendje më të madhe nevojave të popullsisë jo-holandeze, uitlander (“të jashtmit”).
Në lojë ishin ambiciet perandorake britanike për kontrollin e Afrikës Jugore, të përfaqësuara nga Komisioneri i Lartë në Kejp, Lordi Milner. Prioriteti për qeverinë e Londrës ishte politik dhe jo ekonomik.
Ajo synonte të konfirmonte sovranitetin britanik në të gjithë rajonin, përfshirë Transvaalin, dhe të mbronte interesat strategjike britanike nga konkurrenca perandorake e vendeve të tjera, veçanërisht Gjermanisë, në atë që shihej si një zonë gjeopolitike kyçe.
Përplasja në rritje midis regjimit të Krugerit dhe britanikëve në vitet që çuan drejt shpërthimit të luftës, buronte nga kërkesat britanike për reforma dhe njohje të supremacisë britanike, gjë që e dëmtoi aspiratën e holandezëve të Transvaalit për të mbetur sa më të pavarur nga ndërhyrja britanike.
Përndryshe, shkroi politikani afrikan Jan Smuts, “Afrika do të dominohet nga kapitalistët pa ndërgjegje”. Në vitin 1899, Transvaal po bëhej me shpejtësi fuqia kryesore ushtarake dhe ekonomike në Afrikën Jugore. Prandaj lufta u pa si mënyra e vetme për të frenuar atë fuqi,
dhe për të rikthyer epërsinë e britanikëve.
Pronarët e minierave, ishin një mjet përmes të cilit establishmentit kolonial britanik, mund të këmbëngulte për ndërmarrjen e reformave dhe ruajtjen e epërsisë politike. Megjithatë mbrojtja e interesave të kapitalit, nuk ishte elementi vendimtar për fillimin e konfliktit.
Një sasi e paktë e arit, përfundonte në rezervat e mëdha të Bankën e Anglisë, qoftë para ose
pas konfliktit, sepse ai nuk ishte thelbësor për synimet e britanikëve. Pra burimet nuk ishin rrënja e një konflikti, që në fakt buronte nga orekset perandorake të shtresave qeverisëse të Britanisë së Madhe.
Në Luftën e Çakos, motivet ekonomike ishin më të dukshme, por besimi se konflikti ishte produkt i manipulimit kapitalist, ishte një fantazi, e nxitur nga nevoja për të gjetur dikë që
të fajësohej për një luftë e cila pati pasoja katastrofike për regjimin bolivian të Daniel Salamankës.
Ky i fundit ushtroi presion për fillimin e luftës që në vitin 1932, si një zgjidhje për krizën sociale dhe politike në vend. Sigurisht, kompania “Standard Oil” kishte negociuar një marrëveshje me qeverinë boliviane në vitin 1924 për një koncesion 55-vjeçar, për të shfrytëzuar rezervat e vogla të naftës në Bolivi, si dhe për të eksploruar më tej në gjysmën lindore dhe më fushore të vendit.
Megjithatë kompania bëri vetëm disa përpjekje të ndrojtura në këtë drejtim. Dhe kur çmimet e naftës ranë më vonë gjatë saj dekade, qeveria boliviane nuk kishte interes të shtonte “tepricën globale të furnizimit”. Nafta ishte e rëndësishme për qeverinë boliviane sepse premtonte të lehtësonte varësinë e saj të madhe nga tregtia e kallajit, sidomos kur edhe çmimet e kallajit ranë pas krizës ekonomike globale të vitit 1929.
Meqë Bolivia është një vend pa dalje në det, qasja në Atlantik për të eksportuar naftën, do të ishte e mundur vetëm duke siguruar një port në lumin Paraguaj. Kjo nënkuptonte kalimin e Çako Boreal, një rajon gjysmë-tropikal shumë i ashpër, i rrënuar nga sëmundjet, pronësia e të cilit kontestohet për dekada mes Paraguait dhe Bolivisë.
Në disa vatra të nxehta në vitet 1920, të dyja vendet gati u futën në luftë në Çako, ku të dyja vendet kishin posta ushtarake, megjithatë paqja u ruajt falë ndërmjetësimit ndërkombëtar. Kur Salamanka u bë president në kulmin e krizës ekonomike, lufta u pa si një mjet për ta shmangur vëmendjen nga krizën sociale, dhe ndoshta për të hapur një rrugë drejt oqeanit nëse Paraguaj mund të dëbohej nga rajoni i konstestuar.
Në prillin e vitit 1932, të dyja ushtritë u përleshën në një liqen të vogël në Çako Boreal, dhe
kur Paraguai u kundërpërgjigj 2 muaj më vonë, nisi një luftë në shkallë të plotë, e mbështetur në të dyja kampet si një garë nacionaliste se kush do të zotëronte zonën aspak mikpritëse për njerëzit.
Në të gjitha këto zhvillime, kompania Standard Oil nuk luajti asnjë rol. Edhe pse në Paraguaj dhe Argjentinë, mediat bëri një lojë të madhe me idenë e imperializmit të naftës që drejtonte vendimin e Bolivisë për të hyrë në luftë. Kompania u deklarua neutrale në atë konflikt, dhe
për siguri i zhvendosi pajisjet e saj në Argjentinë.
Kur kamionët e kompanisë u vendosën nën kontrollin e ushtrisë boliviane, Standard Oil e paditi qeverinë për humbjen e tyre. Në vend se të zgjerohej prodhimi në puset e pakta që zotëronte kompania, ai u kufizua derisa qeveria boliviane këmbënguli për zgjerimin e tij, dhe mori nën kontroll rafineritë, për t’u siguruar që do të furnizohej më shumë naftë e nevojshme për luftën që po zhvillonte.
Në ndryshim nga këndvështrimi jashtë vendit, regjimi bolivian e akuzoi kompaninë Standard Oil për sabotimin e luftës. Paraguai kontrolloi shumë shpejt thuajse të gjithë zonën Çako Boreal, falë naftës së dërguar nga Argjentina (disa nga operacionet e Standard Oil zhvilloheshin atje), dhe u ndal vetëm në ultësirat e Andeve, si pasojë e mbrojtje të fortë në
një fushe nafte të vogël boliviane nga njësitë e quajtura “Mbrojtësit e Naftës”.
Armëpushimi dhe marrëveshja që e ndoqi, e cila parashikonte se Paraguaj mund të merrte pjesën më të madhe të Çako Boreal, u pasua nga një vendim i qeverisë boliviane në vitin 1937 për të shtetëzuar asetet e Standard Oil në vend.
Ishte shtetëzimi i parë i një kompanie të huaj në historinë e Amerikës së Jugut. Edhe pse vazhdoi të përhapej miti se Standard Oil, kishte shkaktuar enkas një luftë për të marrë territorin për shfrytëzimin e naftës, mosbashkëpunimi i kompanisë me operacionet luftarake të ushtrisë së Bolivisë dhe dëbimi i mëvonshëm nga vendi, tregon një histori tjetër.
Bolivia e pa luftën si një mjet për të shpëtuar një ekonomi të dështuar, duke iu drejtuar nacionalizmit popullor. Por vendimi për fillimin e saj, ishte po aq politik sa edhe ekonomik. Ishte një luftë për naftën vetëm në mënyrë indirekte, pasi Bolivia tashmë e zotëronte naftën, dhe Paraguai nuk kishte plane ta merrte atë.
Asnjë sasi nafte nuk është zbuluar ndonjëherë në Çako. Ideja e “luftërave mbi burimet”, është bërë megjithatë një argument qendror në shpjegimin e dukurisë së luftës në dekadat e fundit, veçanërisht të dhunën midis aktorëve jo shtetërorë në luftërat civile ose kryengritjet.
Ashtu si në “luftërat e ndryshimeve klimatike”, ajo është shndërruar në një mënyrë për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, teksa tensioni i mundshëm midis rritjes së madhe të popullsisë, kërkesës globale të konsumatorëve, dhe rënies së ofertës së burimeve të pa ripërtëritshme - nafta është më e njohura prej tyre - shkakton konflikte midis ose brenda kombeve moderne.
Termi “luftërat e burimeve”, u përdor për herë të parë në vitet 1980 për të përshkruar luftën e mundshme mbi burimet si pjesë e Luftës së Ftohtë. Por ajo u përdor më shumë në vitet 1990 për të shpjeguar konfliktin e vazhdueshëm civil në zona të pasura me burime të pa ripërtëritshme, si Nigeria ose Sierra Leone.
Që nga ajo kohë, ai është përdorur në një mënyrë më pak diskriminuese për çdo konflikt, ku kontestohet dhunshëm kontrolli mbi prodhimin, shpërndarjen ose tregtinë ndërkombëtare të burimeve të pa rinovueshme.
Banka Botërore zbuloi në një raport të saj në vitin 1999, se shtetet e varura nga ato që quhen “pasuri të grabitshme”, si druri, diamantet apo mineralet e rralla, kishin 4 herë më shumë gjasa të përjetonin konflikte. “Luftërat e së ardhmes”- shkroi Majkëll Kler, autor i librit “Luftërat e burimeve” në vitin 2001, botimi kryesor mbi këtë temë, “do të zhvillohen kryesisht për zotërimin dhe kontrollin e mallrave jetike ekonomike”.
Shoqëria moderne e burimeve, ka diçka të përbashkët me konfliktet e një kohe shumë më të hershme, kur kontrolli i rrugëve tregtare ose i vendeve të nxjerrjes së mineraleve, apo kapja e njerëzve për t’u përdorur si skllevër apo flijim, mund të ketë qenë shkaku kryesor i konfliktit.
Por në parahistori, gama e burimeve ishte e kufizuar dhe nxjerrja e tyre e bollshme. Konteksti për luftërat moderne mbi burimet është realiteti i zymtë, i parashikuar nga Instituti Botëror i Burimeve në vitin 2000, se deri në vitin 2050 do të ketë 9 miliardë njerëz të furnizuar nga një rritje me 4 herë e prodhimit industrial, që do të konsumojë jo vetëm burime minerale dhe energjie jo të rinovueshme, por edhe ato të rinovueshme, si pyjet, të cilat po zhduken më shpejt sesa mund të rigjenerohen.
Në këtë skenar, konflikti përfundimtar mbi burimet mund të duket i pashmangshëm. Një raport i Kombeve të Bashkuara i vitit 2009, arriti në përfundimin se 18 nga 35 konfliktet gjatë dekadës së mëparshme, kishin të bënin me shfrytëzimin ose kontrollin mbi burimet natyrore
Dhe ato nuk përfshinin Luftën e Dytë të Gjirit të vitit 2003, në të cilën ishin të përfshira edhe furnizimet me naftë. Megjithatë, siç ka theksuar ekologu politik Filip Lë Bijo, vetë burimet nuk shkaktojnë konflikt: dhuna ka motive politike dhe tregtare, dhe përfshin kontrollin mbi burimin rajonal, rrjedhën e tregtisë së mallrave apo destinacionin e eksporteve.
Dhe është ambicia politike apo lakmia tregtare, ose në disa raste aktiviteti ushtarak, ato që e bëjnë një mall një objekt për të cilin duhet luftuar. Në çdo lloj vlerësimi të argumentit modern mbi burimet e konfliktit, është e rëndësishme të bëhet dallimi midis llojeve të ndryshme të burimeve, llojeve të ndryshme të konfliktit dhe kushteve të ndryshme gjeopolitike.
Shumica e burimeve, tregtohen në mënyrë paqësore dhe të ligjshme, edhe aty ku ka tension midis furnizuesit dhe konsumatorit. Shumë burime janë mjaftueshëm të bollshme për të mos pasur konflikt mbi to. Burimet e lidhura më ngushtë me konfliktin, gjenden në zona të botës ku ekzistojnë tashmë tensione politike ose etnike ose ankesa sociale.
Këto përfshijnë diamantet dhe gurët e tjerë të çmuar, drurët e vjetër, dioksidin e titanit, bakrin, kafshë të rralla apo pjesë të tyre dhe mbi të gjitha naftën. Lidhja e tyre me konfliktin, gjendet kryesisht tek rajonet ish-koloniale, ku fuqitë perandorake, veçanërisht Britania dhe Franca, mbanin një pozicion dominues politik dhe tregtar: Lindja e Mesme, Afrika koloniale, Azia Jugore, Paqësori.
Këto nuk janë të vetmet vende - tensione mbi furnizimet me naftë, ka edhe në rajonin e Kaspikut dhe në rajonet që kanë naftë në Amerikën Latine - por ato janë vende të luftërave civile, kryengritjeve dhe ndërhyrjeve të jashtme ushtarake, që zakonisht konsiderohen si pjesë e repertorit të luftërave të burimeve.
Konfliktet ndryshojnë shumë në shtrirje dhe ambicie, por ato zakonisht nuk kanë të bëjnë thjesht me marrjen ose kontrollin e burimeve. Në disa raste, ato shoqërohen me kërkesa për shkëputje, si në rastin e Luftës së Biafras apo kryengritjet në ishullin e Paqësorit të Bugenvilit.
Në raste të tjera, nevojiten burime për të nxitur një rebelim të vazhdueshëm ose një luftë civile,
si në Sierra Leone ose Angola. Ndonjëherë, kontrolli i një burimi motivohet nga lakmia materiale; në raste të tjera, konfliktet civile vijnë nga efekti dëmtues që i imponon varësia nga burimet dhe dëmtimi mjedisor një pjese të madhe të popullsisë, e cila nuk gëzon asnjë përfitim nga të ardhurat nga burimet.
Një ndryshim i madh, mund të vërehet edhe tek kostoja njerëzore nga konfliktet mbi burimet gjithashtu, por që mund të jetë jashtëzakonisht e madhe. Lufta civile në Sudan gjatë viteve 1983 - 2002 pati mesatarisht 3.000 të vrarë në vit nga radhët e ushtarëve. Ndërsa në Biafra, lufta i mori jetën rreth 70.000 njerëzve në 4 vjet.
Aty ku burimet përdoren për të nxitur konfliktin dhe jo për ta shkaktuar atë, ekziston një varësi e madhe nga bizneset ndërkombëtare që janë të gatshme të mbyllin sytë ndaj dhunës ekstreme, në mënyrë që të përfitojnë nga gurët e çmuar ose mineralet ose druri që ofrohen nga grupe rebele ose burimet jozyrtare.
Pa mundësinë e shitjes së burimeve, zakonisht në mënyrë të paligjshme, nuk do të kishte asnjë kuptim kontrolli i tyre. Luftërat mbi burimet, ku shitjet e aseteve në shtete të huaja janë thelbësore dhe varen nga rrjetet e ndërmjetësve, disa prej tyre kriminale, në mënyrë që të realizohet fitimi i mundshëm nga shitja e mallrave.
Në disa raste, ka pasur shumë pak nxitje për t’i dhënë fund një rebelimi ose lufte civile nëse kjo do të sillte humbje të të ardhurave, siç ishte e dukshme në luftën për kontrollin e rajoneve të nxjerrjes së diamanteve në Sierra Leones gjatë periudhës së luftës civile nga viti 1991, deri në paqen përfundimtare të ndërmjetësuar në vitin 2002.
Lufta e Afrikës Perëndimore, ka ofruar një model për studimin e luftërave civile, por këto të fundit nuk zhvillohen në lidhje me vendosjen nën kontroll të të ardhurave nga diamantet (dhe mineraleve të tjera të vlefshme) për të mbështetur një kryengritje kundër një qeverie të konsideruar gjerësisht si të korruptuar dhe të pandjeshme në një nga shtetet më të varfra të botës.
Kryengritja e nisur nga Fodaj Sankoh në vitin 1992 kundër regjimit të gjeneralit Xhozef Momah, u nxit nga protesta sociale mbi mënyrën sesi të ardhurat nga diamanti nuk kishin shkuar për ndihmën e popullit të Sierra Leones.
Fronti i Bashkuar Revolucionar i Sankohit (RUF), pushtoi shpejt rajonin e diamanteve në juglindje të vendit, dhe e përdori kontrabandën e diamanteve për të siguruar armë për lëvizjen
si dhe për të blerë kundërshtarët. Sankoh mori ndihmë nga Çarls Tejlor, udhëheqësi rebel në Liberinë fqinje, i cili kishte nevojë për të ardhura e diamanteve për të ndihmuar kryengritjen e tij.
RUF kontrollonte edhe minierat e dioksidit të titanit si një burim tjetër financimi. Rajoni u pushtuar sërish nga qeveria në vitin 1997, me përdorimin e një ushtrie mercenare private që vepronte nga Afrika e Jugut, por dy vjet më vonë falë një marrëveshje të negociuar të nënshkruar në Lome të Togos, Sankoh u bë zëvendës president dhe iu dha kontrolli i produkteve kryesore të Sierra Leones.
Në vitin 2002, presidenti Ahmed Kabah, siguroi ndërhyrjen nga forcat britanike, dhe karriera revolucionare e Sankohit mori fund pas një dekade dhune të egër, që i kushtoi vendit të vogël rreth 50.000 të vdekur.
Një lidhje e ngjashme midis diamanteve, mineraleve dhe konfliktit, u shfaq në luftën civile në Angola midis lëvizjeve rivale Movimento Popular de Libertação de Angola (MPLA) dhe União Nacional par a Independêcia Total de Angola (UNITA), ku shitjet jashtë vendit u përdorën për të blerë armë në një luftë që në këtë rast shkaktoi rreth 1 milion të vdekur.
Po ashtu kjo luftë, u nxit nga shitjet dhe jo nga lakmia. Megjithatë shfrytëzimi i burimeve në Angola dhe në shumë raste të tjera e zgjati dhe e përshkallëzoi luftën, duke e bërë më të mundshëm përvetësimin korruptiv të fitimeve. Një shembull shumë i ndryshëm i konfliktit mbi burimet, ekzistonte në kryengritjen në Bugenvil.
Një ishull malor dhe tropikal, Bugenvil administrohej nga Territori Australian i Guinesë së Re përmes një mandati të dhënë që në vitin 1919, kur kolonitë gjermane u rishpërndanë tek fuqitë e tjera. Pas vitit 1945, ishulli u bë pjesë e një kujdestarie nga ana e OKB-së por të menaxhuar nga Papua Guinea e Re.
Një leje shfrytëzimi iu dha një dege të korporatës britanike të minierave Rio Tinto Zinc, për të krijuar një minierë të madhe bakri në Bugenvil, Panguna, e cila i garantoi të ardhura të mëdha kompanisë dhe qeverisë, por thuajse asgjë për banorët e ishullit.
Kur Papua Guinea e Re fitoi pavarësinë në 1975, të ardhurat nga minierat vazhduan që të mbështesin qeverinë, por miniera që zinte një sipërfaqe prej 22.6 km2, shkaktoi dëme të rënda mjedisore në Bugenvil. Në vitin 1988, Ushtria Revolucionare e Bugenvilit pushtoi minierën, ndaloi prodhimin, dhe dy vjet më vonë shpalli pavarësinë.
Pas një lufte të zgjatur me forcat mbrojtëse të Papua Guinesë së Re, në vitin 2000 u arrit më në fund marrëveshja për ta bërë ishullin një rajon autonom. Në një referendum të mbajtur në vitin 2020, 98 për qind e qytetarëve u shprehën në favor të pavarësisë, e cila do të arrihet në vitin 2027.
Megjithatë, betejat mbi burimet ishin jo pak të kushtueshme. Ato i morën jetën rreth 20.000 njerëzve nga të dyja palët. Një kryengritje e ngjashme separatiste në vitin 1976 në provincën indoneziane Aceh në ishullin Sumatra, bazohej gjithashtu tek shqetësimi mbi burimet.
Rajoni banohej pothuajse tërësisht nga myslimanët, dhe në të kaluarën kishte një histori si një monarki e pavarur, derisa u aneksua brutalisht nga kolonizatorët holandezë në vitet 1890. Kjo ndjenjë dallimi, shpjegon pjesërisht edhe dëshirën e banorëve të Aceh për të kërkuar të drejtën e shkëputjes nga Indonezia.
Zbulimi i një fushe të madhe gazi natyror në këtë provincë në vitin 1971, e shfrytëzuar nga kompanitë e huaja dhe nga qeveria qendrore, provokoi formimin e Lëvizjes për Pavarësinë e Aceh (Gerakan Aceh Merdeka; GAM), të udhëhequr nga Hasan di Tiro.
Me bumin e madh të nxjerrjes së gazit, presidenti Suharto anuloi autonominë e kufizuar të rajonit Aceh, dhe të ardhurat e gjeneruara nga gazi u morën nga Mobil Oil (më vonë Exxon-Mobil) dhe qeveria qendrore, duke i lënë shumë pak para rajonit autonom.
Lëvizja bëri thirrje për çlirimin kombëtar, si dhe për t’i dhënë fund shfrytëzimit ekonomik neokolonial që karakterizonte kompleksin e ri industrial të ndërtuar rreth fushës së gazit.
Pasoi një kryengritje ushtarake, me luftime midis forcave indoneziane të sigurisë dhe GAM. Pas një periudhe qetësie, kur di Tiro shkoi në mërgim, konflikti rifilloi në vitin 1989 dhe
nga fundi i shekullit të kaluar dhuna u drejtua edhe ndaj punonjësve të Exxon-Mobil dhe instalimeve të gazit. Në vitin 2001, prodhimi në tokë u ndërpre përkohësisht nga guerilët e GAM.
Ky akt, nxiti një kundërpërgjigje të fuqishme nga një qeveri, e cila ishte e shqetësuar dhe nuk donte të humbte pjesën e saj të konsiderueshme të të ardhurave. Deri në vitin 2003, GAM dominonte në rreth 80 për qind të Aceh, dhe i grumbullonte fondet e saj nëpërmjet gjobave, zhvatjes dhe “taksimit” të korporatave të mëdha industriale, që tani popullonin zonën industriale.
Pasoi një operacion i ri kundër kryengritjes që i shkaktoi dëme të rënda forcave rebele. Në vitin 2005 u arrit një marrëveshje paqeje, ku rajonit Aceh iu dha autonomia brenda Indonezisë si një “territor i veçantë”, dhe e drejta për të jetuar sipas ligjit islamik të Sheriatit.
Ashtu si në Sierra Leone, burimet natyrore nuk ishin shkaku i menjëhershëm i konfliktit të armatosur. Por kontrolli i të ardhurave u shndërrua në një çështje qendrore, ndërsa shfrytëzimi
i burimeve nga kompanitë e huaja u përdor për të justifikuar kryengritjen e vazhdueshme.
I vetmi burim në shekujt XX-XXI që ka prodhuar luftë ndërshtetërore, në vend të konfliktit
në nivel nën-shtetëror, është nafta. Së bashku me furnizimet me gaz natyror, të shfrytëzuara gjerësisht vetëm duke filluar nga vitet 1960, nafta luan një rol kritik në mbështetjen e industrive dhe stilit të jetesës së botës së zhvilluar dhe gjithnjë e më shumë të botës në zhvillim.
Janë bërë akoma më shumë zbulime për të kompensuar rritjen e konsumit, por për çdo dy fuçi naftë të konsumuar, po zbulohet vetëm një fuçie e re. Prodhimi global i naftës, arriti në mes të rezervave të njohura të disponueshme rreth vitit 2010, dhe parashikohet gjerësisht të mbarojë në një moment midis viteve 2040-2060.
Gazi natyror mund të gjendet ende në sasi të mëdha, por pjesa më e madhe e tij gjendet shumë thellë, dhe nxjerrja e tij do të varet nga evolucioni i teknologjisë që mund ta rikuperojë atë. Për shtetet më të varura nga nafta, në Evropë, Azinë Lindore dhe Shtetet e Bashkuara, siguria e naftës ka qenë një prioritet i madh strategjik.
Kjo jo vetëm sepse një përqindje e lartë e rezervave të naftës, gjendet në zona me një histori të gjatë konflikti dhe paqëndrueshmërie të mundshme, sidomos në Lindjen e Mesme, ose në zonat ku kolonializmi ka lënë një trashëgimi të konfliktit etnik ose fetar dhe dështimit demokratik në vende si Libia, Sudani, Nigeria dhe Kongo.
Nafta qëndronte në qendër të të ashtuquajturës Doktrina Karter, të shpallur nga presidenti amerikan Xhimi Karter në vitin 1980 pas Revolucionit Islamik në Iran: ndërprerja e qëllimshme e rrjedhës së naftës nga Gjiri Persik, do të “ndalet me çdo mjet të nevojshëm, përfshirë forcën ushtarake”.
Gjenerali Robert Kingston, komandanti i parë i Komandës Qendrore të SHBA-së, që mbulonte Lindjen e Mesme, e kuptoi se roli i tij ishte “të siguronte rrjedhjen e lirë të naftës nga Gjiri Arabik”. Në vitin 2000, doktrina ushtarake ruse, e miratuar nga presidenti i sapozgjedhur, Vladimir Putin, specifikoi ruajtjen e sigurisë së zonës ekskluzive territoriale të Rusisë jashtë ujërave të saj të pasura dhe të pasura ekonomike të naftës dhe gazit.
Në vitin 2007, dy nëndetëse ruse vendosën flamurin rus 4.000 metra nën Polin e Veriut,
ku dihet se ndodhen depozita të mëdha të gazit natyror dhe naftës, si një parashtrim për pretendimin ndaj Kreshtës Lomonosov, një varg malor nënujor që pretendohet se është i
lidhur me territorin rus.
Ky pretendim kontestohet fort nga Kanadaja, dhe mbetet një vend i mundshëm konflikti.
Historia e luftërave ndërshtetërore mbi naftën në shekullin XX është shumë e njohur. Në Luftën e Dytë Botërore, rreth 90 për qind e prodhimit natyror të naftës kontrollohej nga Aleatët.
Shtetet e Boshtit, Gjermania, Italia dhe Japonia, kontrollonin vetëm 3 për qind të prodhimit
dhe 4 për qind të kapacitetit të rafinimit. Gjermania dominonte eksportet e aleates së saj, Rumanisë, por kjo e fundit ofroi shumë pak për të kënaqur kërkesën ushtarake dhe ekonomike të konsumatorëve gjermanë.
Pushtimi i Bashkimit Sovjetik, u nxit nga një sërë motivesh, ideologjike dhe materiale. Por kapja dhe shfrytëzimi i naftës sovjetike në rajonin e Kaukazit ishte një prioritet, edhe pse industrisë gjermane i mungonte teknologjia dhe ekspertiza e nevojshme për të nxjerrë naftën me shpejtësi.
Për Japoninë, ku varësia nga nafta ishte edhe më e theksuar, sanksionet e vendosura nga Shtetet
e Bashkuara në verën e vitit 1941, ndryshuan ekuilibrin në argumentet strategjike të forcave të armatosura japoneze, në favor të përballjes me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë koloniale, Britaninë dhe Holandën, kolonitë e të cilave në Azinë Juglindore kishin sasi të mëdha nafte.
Ashtu si në rastin gjerman, konflikti me Perëndimin ishte një çështje më e ndërlikuar sesa thjesht kërkimi për naftë. Megjithatë asnjë motiv tjetër, nuk ishte më domethënës në zgjedhjen që bëri Japonia në verën e vitit 1941 për të sulmuar bazat e SHBA-së në Paqësor.
Krahas naftës, ekzistonte edhe perspektiva e burimeve të tjera që i nevojiteshin luftës që kishin nisur japonezët: mineral hekuri, boksiti për prodhimin e aluminit dhe minerali i manganit. Por rezultati nuk ishte ai që menduan ata.
Nafta u vendos nën kontroll, por treçereku i saj u përdorën për të mbështetur luftën e ushtrisë japoneze në rajonin e Paqësorit dhe jo për ishujt japonezë. Ndërkohë pjesa më e madhe e flotës së madhe japoneze të cisternave, përfshirë tonazhin e ri të tankerëve prej 1 milion tonë, ishte në fund të oqeanit deri në vitin 1945, e shkatërruar nga flota e nëndetëseve amerikane.
Për aleatët, shumë të varur shumë nga fuqia ajrore, lëvizshmëria tokësore dhe rrugët e gjata oqeanike, nafta nuk ishte pothuajse kurrë një problem. Kur në Irak shpërtheu një rebelim në vitin 1941, duke e kërcënuar furnizimin me naftë të ushtrisë së Perandorisë Britanike në Lindjen e Mesme, ai u shtyp me shpejtësi, dhe Iraku u pushtua për pjesën e mbetur të luftës.
Që nga viti 1945, të paktën 3 luftëra midis shteteve kishin të bënin me sigurinë e naftës për Perëndimin. E para, në vitin 1956, përfshinte vendimin e Egjiptit për shtetëzimin e Kanalit të Suezit, të menaxhuar bashkërisht nga Britania dhe Franca.
Për shkak se kjo kërcënonte sigurinë e furnizimeve me naftë nga Lindja e Mesme në Evropë,
të dyja shtetet, së bashku me Izraelin, filluan një luftë për të rimarrë kontrollin e kanalit. Vetëm ndërhyrja sovjetike dhe ajo amerikane - në rastin e Shteteve të Bashkuara për shkak të frikës se vetë lufta mund të destabilizonte vërtet furnizimin me naftë - e pengoi rimarrjen e kanalit dhe i dha fund luftës së shkurtër.
Dy Luftërat e Gjirit në vitet 1991 dhe 2003 ishin - pavarësisht protestës së fuqishme nga
disa prej aktorëve politikë në Perëndim, se në lojë kishte faktorë të tjerë më të rëndësishëm - dukshëm të lidhura me shqetësimet për ruajtjen e furnizimit me naftë nga zona më e madhe e rezervave të naftës në botë.
Vendimi i diktatorit irakian, Sadam Husein, për të marrë nën kontroll shtetin e vogël por shumë të pasur me naftë të Kuvajtit, i cili zotëronte një pjesë të pellgut naftëmbajtës në Irakun Jugor, pasoi një luftë 8-vjeçare kundër Iranit, në të cilën luajti një rol edhe kontrolli i burimeve të naftës në zonat kufitare.
Pushtimi i Kuvajtit, do t’i jepte Irakut kontrollin mbi një të pestën e rezervave globale të naftës. Ndërsa një sulm i mundshëm ndaj Arabisë Saudite, do të nënkuptonte vendosjen e një pjese edhe më të madhe të naftës nën kontrollin e një autokrati të paparashikueshëm.
Ndonëse synimi i supozuar për dëbimin e forcave irakiane, ishte rivendosja e sovranitetit të Kuvajtit, forcat e armatosura amerikane kishin hartuar tashmë një plan operacional për një luftë Irak-SHBA, OpPlan 1002-90, që do të aktivizohej nga Komanda Qendrore e SHBA në rastin e një krize ushtarake.
Kur Sadami pushtoi Kuvajtin në gushtin e vitit 1990, ky plan operacional u aktivizua dhe 4 muaj më vonë në Luftën e Parë të Gjirit, operacioni “Stuhia e Shkretëtirës”, pushtoi Katarin dhe e dëboi prej andej ushtrinë irakiane.
Marrëdhëniet mbetën të tensionuara gjatë gjithë viteve 1990, ndërsa Sadam Husseini u përpoq të ruante legjitimitetin dhe pushtetin e tij. Ndërkohë gjatë Luftës së Dytë të Gjirit në vitin 2003, përmes operacionit “Liria e Irakut”, Perëndimi synoi ndryshimin e regjimit si e vetmja mënyrë për të ofruar një siguri më të madhe për një zonë thelbësore për interesat ekonomike perëndimore.
Pretendimi i supozuar, se Iraku zotëronte armë të shkatërrimit në masë, dhe se do t’i përdorte ato nëse regjimi ndodhej në prag të rrëzimit, u konsiderua seriozisht në atë kohë, por më pas u vërtetua se ishte i pabazë.
Lufta e Dytë e Gjirit, përfundoi po aq shpejt sa e para, por ajo solli përmbysjen e Sadam Huseinit dhe pushtimin e Irakut nga një aleancë ndërkombëtare, përfshirë forcat britanike, të cilat kishin një traditë të gjatë të operacioneve mbi sigurinë e naftës në rajon.
Ajo që pasoi, nuk ishte skenari që shpresonte Perëndimi, pra një rrjedhë e sigurt dhe në rritje
e naftës irakiane, por fillimi i atyre që Merri Kaldor i ka quajtur “luftërat e reja të naftës”. Këto luftëra, nuk kanë të bëjnë aspak me ruajtjen e sigurisë së naftës për shtetet e pasura që kanë nevojë për të, por me përdorimin e të ardhurave nga nafta për t’i shërbyer interesave sektoriale dhe lokale.
Në Irak, kjo nënkuptonte kërkesat e kurdëve për kontroll mbi të ardhurat dhe shpërndarjen nga qendra kryesore e naftës në Kirkuk, ose zhvendosjen e të ardhurave nga nafta për të financuar terrorizmin islamik ose kryengritjen anti-perëndimore, ose devijimin kriminal të naftës nëpërmjet Gjirit Persik ose Turqisë për përfitime private.
Kostoja për irakianët ishte rreth 600.000 të vdekur, kryesisht nga dhuna dhe kaosi i pasluftës. “Lufta e re e naftës”, ka një përzierje motivesh, si politike, fetare etj. Prandaj lufta që e karakterizoi Irakun që nga viti 2003, nuk ka të bëjë thjesht me të ardhurat nga nafta.
Ashtu si shumica e luftërave moderne mbi burimet, nuk ekziston ndonjë lidhje e thjeshtë apo e drejtpërdrejtë midis kontrollit të të ardhurave nga burimet dhe faktit të dhunës. E njëjta gjë mund të thuhet për “luftën e re të naftës” në deltën e Nigerit, e cila ka një histori të gjatë konfliktesh etnike dhe të fragmentimit politik.
Për shumicën e 3 dekadave të para pas pavarësisë në vitin 1962, Nigeria ishte subjekt i një sundimi ushtarak që ishte i ashpër, i korruptuar dhe i paaftë. Zbulimi i burimeve të pasura
të naftës në deltën e Nigerit, krijoi një situatë në të cilën të ardhurat e mëdha të naftës u përvetësuan nga regjimi ushtarak, u shpërndanë përmes një sistemi kompleks patronazhi dhe nuk u ri-investuan gati aspak në zonat e deltës, ku nafta shkaktoi degradim të gjerë mjedisor.
Kompanitë e mëdha ndërkombëtare të naftës bashkëpunuan me regjimin, që kishte nevojë për ekspertizën dhe investimet e tyre. Nafta dëmtoi një ekonomi të bazuar më parë tek eksporti i produkteve bujqësore kryesore. Prandaj në fillim të shekullit XXI, prodhimi bujqësor në Nigeri ishte shkatërruar plotësisht, ndërsa nafta kontribuoi në gjysmën e PBB-së dhe në 95 për qind të të ardhurave nga valuta.
Gjatë bumit të gjatë të prodhimit të naftës, numri i nigerianëve nën kufirin e varfërisë u rrit nga 1/4 në vitin 1980, në 2/3 deri në vitin 1996. Kjo solli protesta të vazhdueshme lokale në zonat më të prekura nga industria e naftës, ku mungesa e investimeve dhe shërbimeve lokale shkaktoi pakënaqësi popullore.
Një protestë e njerëzve të një fshati në vitin 1990 kundër një impianti të kompanisë “Shell”, solli një ndërhyrje brutale të policisë, e cila vrau 80 njerëz dhe shkatërroi 400 shtëpi. Në të njëjtin vit, Lëvizja për Mbijetesën e Popullit Ogoni, një nga popujt etnikë të dëmtuar nga industria e naftës, nisi një lëvizje proteste paqësore që shkaktoi një reagim të ngjashëm të ashpër dhe eliminim e saj përfundimtar.
Lëvizja rinore Ijau, një tjetër etni nga delta, shpalli në vitin 1998 Deklaratën Kaiama duke kërkuar drejtësi ekonomike për rajonin dhe rishpërndarjen e të ardhurave nga nafta në zonat ku ajo nxirrej. Dhuna e të rinjve kundër kompanive shumëkombëshe të naftës, shkaktoi një raund të mëtejshëm shtypje nga qeveria.
Megjithëse Nigeria kaloi në sundimin kushtetues pas vitit 1999, përpara zgjedhjeve të vitit 2003, në zonës përreth deltës ndodhnin ende 1.000 vdekje në vit. Debati mbi të ardhurat nga nafta, të cilat e ushqenin sistemin politik, vazhdoi dhe delta mbetet ende sot një nga zonat më të paqëndrueshme të nxjerrjes së naftës, e karakterizuar nga sulmet e rregullta dhe instalimet e paligjshme për të përfituar nga nafta.
Tensionet ndërshtetërore mbi naftën dhe gazin, mund të shfaqen sërish pasi të bjerë furnizimi. Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, nuk po ndodh për burimet, por zgjerimi i konfliktit për të përfshirë luftën me delegim nga ana e NATO-s, krijoi një krizë në furnizimin me naftë dhe gaz nga Rusia në Evropë.
Lufta ishte një kujtesë se “luftërat e reja të naftës”, nuk kufizohen domosdoshmërisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Ato mund të shfaqen kudo ku furnizimi me energji dhe të ardhurat, kanë potencialin të bëhen objekte të përplasjes politike ose ushtarake.
Shumica e parashikimeve në lidhje me burimet dhe konfliktin e ardhshëm, luajnë në hendekun midis furnizimit, kryesisht, të burimeve të papërsëritshme dhe natyrës së kontrollit - lokal, kombëtar ose transnacional - që ushtrohet mbi to.
Historikisht, luftërat mbi burimet kanë marrë forma të ndryshme. Dhe burimet e përfshira në konflikt, kanë dallime të mëdha në varësi të faktit nëse ato janë asete të rrëmbyeshme apo të paluajtshme.
Ashtu si në rastin e krizës ekologjike, e ardhmja mund të karakterizohet nga inovacione
të mëtejshme teknike në furnizimin me energji, nga një zëvendësim në shkallë të gjerë i mineraleve apo i metaleve të rralla, apo nga marrëveshje ndërkombëtare mbi prodhimin dhe shpërndarjen.
Shumica e burimeve tregtohen ende jashtë këtij rrethi vicioz. Nuk ka asnjë dyshim se gjatë gjithë historisë së regjistruar të njerëzimit, por madje dhe më herët, burimet kanë qenë objekt i drejtpërdrejtë i shumë formave të ndryshme të luftës.
Është e besueshme të argumentohet se burimet, duhet të kenë qenë një objekt i grabitjes së dhunshme edhe përpara të dhënave historike, pasi kishte stoqe kafshësh, mallrash apo tregti të krijuar, për të cilat ia vlente të luftohej për t’i marrë apo për t’i mbrojtur.
Tregtia e njerëzve, i parapriu ndoshta rritjes së pushtetit të krerëve të fiseve, por edhe shfaqjes më vonë së shteteve më të organizuara. Ekzistojnë shumë të përbashkëta midis konflikteve fisnore për përfitime materiale dhe luftërave moderne për burime, ku shtetet e dobëta kanë shumë pak gjëra në dorë për të parandaluar konfliktin mbi të ardhurat që vijnë nga mallrat që kanë tregje të gatshme ndërkombëtare.
Vështirësia kryesore në përshkrimin e luftës si një pasojë e ambicies materiale, qëndron tek ndarja e dëshirës për përfitim nga motivet e tjera që e nxisin konfliktin. Nëse për ushtarët dhe udhëheqësit e rregullt, plaçkitja ishte një pasojë e domosdoshme e luftës, dhe shpeshherë mjeti i vetëm për të ruajtur besnikërinë, fushatat në të cilat ata luftuan mund të ishin gjithsesi kryesisht për përfitime politike, imperativa fetare apo ambicie dinastike, në të cilat grabitja ishte një nënprodukt i kënaqshëm, por jo vetë produkti.
Disa lloje të dhunës, mund t’i atribuohen me një siguri të madhe përfitimit, dhe kryesisht
atij material. Për shembull, bastisja e vikingëve në Evropën Veriore, nëse nuk ndodhte për vendbanimet, kishte të bënte me marrjen e burimeve për t’i shërbyer interesave të tyre
në sigurimin e mallrave, nga skllevërit dhe konkubinat, deri tek kripa dhe ari.
Analet e Ulsterit, regjistrojnë bastisje të rregullta në brigjet e Irlandës. Në vitin 821, ata “morën si robina shumë gra”. Bastisjet në Britaninë e shekullit IX, u kryen për të rrëmbyer produkte dhe kripë. Ndërkohë një bastisje në Sevilje në vitin 844 siguroi shumë gra dhe fëmijë robër, disa prej të cilëve u shitën përmes rrjeteve tregtare vikinge, deri në territoret arabe dhe bizantine në Lindjen e Mesme.
Kjo formë e asaj që mund të quhet “luftë tregtare”, ka ekzistuar në të gjitha kohërat dhe vendet. Por është edhe një aspekt i luftës historike, për të balancuar motivet strategjike, politike apo ideore. Nafta ka qenë shembulli kryesor modern.
Ajo është jetike si burim, por vetëm sepse pa të ushtritë moderne nuk mund të funksionojnë, dhe do të ndërpritej komunikimi në jetën civile. Po flasim pra për burime, që me kalimin e kohës e kanë nxitur grabitqarin ta bëjë këtë për shkak të vlerës që u jepet atyre kulturalisht, ekonomikisht dhe politikisht.
Ndërtimi i vlerës, shpjegon edhe arsyen se përse luftërat bëhen për burime, nga grabitja e skllevërve në botën klasike, deri tek ajo e diamanteve dhe naftës sot.
Kapitulli VI
Besimi
“Ju që besoni, luftoni jobesimtarët që janë pranë jush. Le ta shohin ata ashpërsinë e tyre tek ju, dhe dijeni se Allahu është i mëshirshëm”.
(Sure Teube, Kuran, 9:123)
“Me çfarë qortimesh do të na mbulojë Zoti, nëse nuk i ndihmoni ata që bashkë me ne përhapin fenë e krishterë! Ata që janë mësuar të luftojnë padrejtësisht kundër besimtarëve, dhe të kthehen kundër të pafeve dhe ta përfundojnë këtë luftë me fitore”.
(Papa Urbani II, 27 nëntor 1095)
Besimi si një nxitës i luftës, nuk është një karakteristikë e përgjithshme e të gjitha luftërave të kaluara ose të tashme, por besimi fetar, besimet mbinatyrore ose ideologjia politike, mund të shpjegojnë qartë vendimin për të zhvilluar luftë në një sërë kontekstesh të ndryshme gjatë mijëra viteve të historisë njerëzore.
Kur në Këshillin e Klermontit në nëntor 1095, Papa Urbani II i qortoi të pranishmit për luftën midis komuniteteve të krishtera, ai kishte në mendje një thirrje për të mbrojtur besimin, Vendet e Shenjta të të cilit në Palestinë dhe shumë zona të tjera, dyshohej se ishin përdhosur nga myslimanët.
Epoka e Kryqëzatave filloi atë vit dhe vazhdoi për qindra vjet. Pushtuesit myslimanë të territoreve përreth Vendeve të Shenjta, iu kundërpërgjigjen, siç kërkohet nga Kur’ani. Koncepti mysliman i xhihadit, i përkthyer gabimisht si “luftë e shenjtë”, është fajësuar shpesh ndër shekuj në lidhje me dhunën e myslimanëve ndaj të tjerëve.
Edhe pse i nënshtrohet interpretimit në ligjin islamik, ideja e xhihadit lejonte një konflikt mbrojtës të një lloji shumë të ashpër e të pa kompromis kundër atyre që e shkelnin dhe kërcënonin fenë islame, apo që vepronin në keqbesim ose e shtypnin da’wah-un, thirrjen e Profetit Muhamed.
Për të dyja rastet, të krishterë dhe myslimanë, mbrojtja e interesave fetare përfundoi duke përcaktuar historikisht përballjen, edhe pse këtë ambicie e shoqëruan aspirata dhe orekse të tjera, më laike. Besimi si një motiv për luftë, shtrihet përtej përballjes historike midis Krishterimit dhe Islamit, dy fetë më luftarake të botës.
Qoftë në kozmologjitë e shoqërive fisnore apo në fetë politike të shekullit XX, besimi mund
të mobilizojë angazhimin popullor në luftë dhe të justifikojë teprimet e nevojshme. Për të zhvilluar luftë në këto kushte, nuk është e nevojshme që besimi të ruhet me të njëjtën shkallë nga të gjithë ata që marrin pjesë në të, por që kauza të ndahet midis udhëheqësve dhe të udhëhequrve.
Vetë besimi nuk të çon domosdoshmërisht në konflikt. Besimi, qoftë besimi i lashtë apo ideologjitë moderne, kanë një plasticitet të caktuar. Aty ku shfaqet lufta, ajo është shpesh afatshkurtër, si rezultat i entuziazmit të shtuar, forca e të cilit zbehet pas spazmave të para të dhunës.
Të pushtuarit mund të braktisin një besim dhe të përqafojnë një tjetër; besimi mund të braktiset apo të zbehet nëse Perënditë duket sikur nuk i favorizojnë luftëtarët që luftojnë në emër të tyre, dhe ideologjia moderne mund të shpërbëhet jashtëzakonisht shpejt, siç ishte nacional-socializmi në Gjermani pas vitit 1945, ose leninizmi-marksizmi pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Pjesërisht për këto arsye, historia moderne perëndimore, kryesisht laike në pikëpamje, ka evoluar në një qëndrim skeptik ndaj shprehjeve të besimit, pikërisht për shkak të luftës. Zakonisht, supozohet se besimi përdoret për të maskuar motive reale, të cilat kanë një kuptim më të madh në një epokë të vetëdijshme racionale dhe post-iluministe: interesi i klasës, ambicia politike, lakmia grabitqare apo nevoja materiale.
Historiani britanik Kristofer Hill, u shpreh në vitet 1980 kundër idesë se Lufta Civile angleze ishte një “luftë fetare”. Ai u dha më shumë përparësi shpjegimeve ekonomike dhe kushtetuese, siç kanë bërë shumë historianë. “Feja”, argumentoi ai, “nuk ishte një faktor motivues i vetë-mjaftueshëm”, por thjesht një idiomë e përshtatshme për borgjezinë e saj politike dhe sociale
për të maskuar ambiciet e saj të mëdha.
Sigurisht, besimi fetar mund të manipulohet edhe për qëllime të tjera, siç ka ndodhur në luftën civile në Irlandën e Veriut ose në luftën e dytë civile në Sudan nga viti 1983 e tutje, ku Islami u përdor nga elita politike për të justifikuar konfliktin.
Gjithsesi, edhe në këto raste dallimet fetare nuk u krijuan artificialisht. Antropologët, kanë më pak gjasa t’i shohin popujt që studiojnë si të strehuar pas një fasade besimi, pasi të kuptuarit e kulturave sipas termave të tyre, është pikërisht ajo që ata bëjnë çdo ditë.
Megjithatë, edhe antropologjia mund t’i kthejë besimet përmbys. Riti kanibalesk i flijimit tek Aztekët, është interpretuar si pasojë e urisë për proteina në Meksikën Qendrore ose si një simbol i fuqisë së klasës sunduese. Por asnjëra nga arsyet nuk qëndron për një popull që i kishte rrënjët tek një kulturë lufte e sanksionuar nga shtysa të thella fetare.
Besimi nuk është vetëm një epifenomen i komuniteteve njerëzore, por edhe mënyra se si
kulturat e ndryshme i japin kuptim botës dhe asaj që ndodhet përtej saj, si natyrore ashtu edhe mbinatyrore, shpirtërore dhe mistike. Shoqëritë njerëzore të së kaluarës, kanë shfaqur një formë shpjegimi kozmologjik, dhe shumë prej tyre e bëjnë ende.
Sado ekzotike ose fantastike që mund t’u duken shumë besime audiencës moderne, ato duhet
të kuptohen nga brenda, në vend të vlerësimit në terma të jashtëm, universalë ose “etikë”.
Shumë nga këto besime shoqërohen me një angazhim ndaj dhunës së luftës, që nuk mund të kuptohet veçmas nga besimi, besimi ose idetë që e gjenerojnë atë.
Pa e pranuar fuqinë e besimit për të mobilizuar dhe mundësuar dhunën, shpjegimet për shumë lloje luftërash do të jenë të paplota ose pak të kuptuara. Ndoshta nuk ka shembull më të mirë
se sa Kryqëzatat mesjetare, për të ilustruar problemin e rindërtimit të mentalitetit dhe botëkuptimit të atyre që morën pjesë në të dyja anët e konfliktit.
Në shkrimet historike mbi Kryqëzatat, ka pasur një traditë të qartë për t’i parë ato si produkt i ambicies materiale për tokë dhe plaçkë, të udhëhequr në shumë raste nga njerëz, kredencialet e krishtera të të cilëve ishin të vështira për t’u identifikuar, por motivet materiale dhe epshi për pushtet, dukeshin më të lehta për t’u pranuar.
Analizat e fundit historike, e kanë përmbysur këtë pikëpamje mbi kulturën e kryqëzatave. Pa shpërfillur aspak provat se kalorësit e kryqëzatave rrëmbyen pasuri materiale nga zonat që pushtuan ,dhe u përpoqën të kishin më shumë pushtet në mbretëritë e reja të Lindjes së Mesme që ata themeluan, sot po vihet një theks shumë më i madh tek ndikimi i elementi fetar në atë lëvizje të madhe.
Dhe kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Kryqëzatën e Parë, të nisur nga Papa Urban II gjatë predikimit të tij në Klermont. Si një nga reformatorët e Kishës së shekullit XI, Papa kishte qartazi motivet e tij: ai po përpiqej t‘i jepte fund luftës midis princave të krishterë në Evropë,
dhe të drejtonte energjitë e tyre kundër armiqve, paganë dhe myslimanë, të cilët kërcënonin mbijetesën e botës së krishterë.
Madje paraardhësi i tij, Gregori VII, shpresonte se ndërhyrja në lindjen me shumicë myslimane, mund t’i jepte mundësi Romës që të kishte një udhëheqje shpirtërore mbi të gjithë botën e krishterë, përfshirë Bizantin Ortodoks.
Pra predikimi i Kryqëzatës, ishte në përputhje me një dëshirë më të gjerë për të konfirmuar autoritetin e Kishës, dhe për të rigjallëruar traditë e luftës së shenjtë tek të krishterët. Është një paradoks themelor, fakti që Krishterimi u themelua mbi urdhrin pacifist për ta dashur të afërmin si vetja, dhe për të hequr dorë nga dhuna.
Por pas shekujve të parë nisi mbështetja me armë e besimit. Luftëtari i shenjtë, i armatosur dhe i blinduar për qëllimin e Zotit, u shndërrua në një figurë qendrore në kulturën mesjetare të krishterë, dhe mund të shihet ende në shëmbëlltyra dhe dritare të shumta në kishat e krishtera të Evropës.
Lidhja midis besimit të krishterë dhe luftës, u shfaq me konvertimin e Perandorisë Romake në Krishterim në shekullin IV, në kohën e sundimit të perandorin Konstandin. Edhe pse lufta konsiderohej ende zyrtarisht si një akt mëkatar, nëse ajo kryhej për një kauzë të drejtë - në këtë rast për mbrojtjen e besimit kundër paganëve dhe heretikëve - ajo nuk ishte më e ndotur.
Duke shkruar pas konvertimit në këtë fe, Shën Agustini, pohonte se urdhëresa biblike që
e ndalonte vrasjen “nuk shkelej nga ata që kanë bërë luftë në emër të autoritetit të Zotit.”
Në fundin e shekullit IV, peshkopi (dhe më vonë Shenjtor) Ambrozi i Milanos, një kontribuues i madh në doktrinën e hershme të krishterë, nuk hasi vështirësi në pajtimin e dhunës me besimin fetar. Sipas tij, të krishterët ishin të detyruar që të mbronin besimin kur sfidoheshin.
Për Ambrozin, Kisha dhe shteti kishin një përgjegjësi të përbashkët për të zhvilluar luftën e shenjtë, dhe monarku model ishte në të vërtetë një i krishterë i armatosur dhe militant në raport me besimin e tij.
Që nga kjo periudhë, krishterët e zellshëm dhe asketë, shumë prej të cilëve nga urdhrat e hershëm të manastireve, iu drejtuan torturave ose vrasjeve të atyre që i konsideronin si heretikë ose hipokritë, në atë që ata e konsideronin si një dhunë të justifikuar.
“Torturuesit janë jashtëzakonisht të zgjuar për të hedhur poshtë pretendimet e të akuzuarve” - shkroi peshkopi grek i fillimit të shekullit V, Sinesius. Në këtë kuadër luftëtarët e krishterë, sado brutalë që mund të ishin, mund të shpalleshin shenjtorë dhe martirë për besimin e krishterë dhe nderoheshin si heronj.
I tillë ishte mbreti i Anglisë Lindore, Edmundi, i vrarë së në luftë kundër vikingëve në shekullin IX dhe i shenjtëruar shumë shpejt. Nëpërmjet perandorisë karolingiane të shekujve VIII-IX, lufta e shenjtë u zhvillua për të mbrojtur dhe zgjeruar Evropën e krishterë.
Sipas Papës së shekullit IX, Gjoni VIII, luftëtarët e Krishtit fitonin faljen e të gjithë mëkateve për “mbrojtjen e të ashtuquajturit Krishterim”. Gjatë 200 viteve që pasuan, Krishterimi luftoi kundër kërcënimeve të mëdha, nga paganët në veri dhe lindje të Evropës, deri tek pushtimi mysliman i Spanjës mesdhetare dhe Francës.
Por koncepti i “luftës së shenjtë”, nisi të zinte një rol qëndror në ambiciet e Kishës vetëm
gjatë periudhës së reformimit të Kishës në mesin e shekullit XI. Kur Papa Urbani II predikoi Kryqëzatën, ishte krijuar tashmë terreni për nevojën që elita princërore dhe ushtarake e Evropës duhej të luftonte kundër të pafeve dhe jo ndaj njëri-tjetrit.
Kryqëzata e Parë, ishte pjesërisht një fushatë ushtarake dhe pjesërisht një pelegrinazh fetar.
Rreth 70.000 - 80.000 të krishterë evropianë, iu përgjigjën thirrjes që në vitin e parë duke “marrë kryqin”. Në fakt ishin arna materialesh të ndryshme me një imazh në formë kryqi,
që do të visheshin në armaturë apo veshje.
Qëllimi i deklaruar ishte tërësisht fetar. Ata që merrnin kryqin, do të fitonin faljen e të gjitha mëkateve të tyre të shumta. Objektivi ishte çlirimi i Vendeve të Shenjta në Palestinë nga kontrolli i “saraçenëve”, termi i përgjithshëm i përdorur për të përshkruar përzierjen e arabëve dhe turqve selxhukë që mbanin të pushtuar Lindjen e Mesme.
Arabët myslimanë e kishin pushtuar Jeruzalemin që në vitin 638, duke e kthyer atë në një qytet të shenjtë të Islamit. Në vitin 1009, kalifi mysliman i Kajros urdhëroi shkatërrimin e Kishës së Varrit të Shenjtë. Për të krishterët, qyteti ishte vendi i kryqëzimit dhe ringjalljes së Krishtit.
Po ashtu, kishte shkrime që sugjeronin se Jerusalemi do të ishte vendi i Ditëve të Fundit
të parashikuara në Librin biblik të Zbulesës. Rimarrja e qytetit, pritej të ishte një moment transformimi.
Igumeni i manastirit, Kluni, duke iu drejtuar kalorësve që ishin bërë gati për të marrë pjesë në Kryqëzatën e Parë, tha se fushata e tyre ishte një përmbushje të fragmentit të Dhiatës së Vjetër tek Isaia, në të cilin të gjithë ata që do të shpëtoheshin duhet të vinin “në malin e Jeruzalemit”.
Rrugës për në Tokën e Shenjtë, kryqtarët shoqëroheshin nga priftërinj dhe murgj, të cilët siguruan liturgjinë, praktikat e përkushtimit fetar, agjërimet dhe meshat për të mbështetur karakterin fetar të procesionit.
Liturgjitë e reja u krijuan rrugës (njëra ishte “Festa e Shpikjes së Heshtës së Shenjtë”) dhe përpara çdo rrethimi apo beteje, kryqtarët agjëronin, luteshin, rrëfenin dhe merrnin pjesë në meshë. Në shtëpi, autoritetet e kishës këmbëngulnin që të krishterët t’i mbështesnin kryqtarët me lutjet e ndërmjetësimit hyjnor, agjërimit dhe akteve të bamirësisë.
Që të gjitha ato, synonin të krijonin idenë se Kryqëzatat ishin një përgjegjësi e të gjithëve në Evropën e krishterë. Rruga për në Jerusalem ishte e gjatë dhe e mundimshme, e shoqëruar
nga beteja dhe rrethime të rregullta. Kryqtarët dhe pelegrinët u rraskapitën nga sëmundjet, dehidratimi, pritat dhe hilet e përdorura nga armiku.
Këmbëngulja e Kryqëzatës së Parë, flet shumë për kauzën e synuar fetare, pasi nuk kishte asnjë arsye tjetër të dukshme për të luftuar aq larg shtëpisë nëpër shkretëtirë dhe në male e kodra të ashpra, me shumë viktima dhe me kosto të konsiderueshme personale.
Ata mbërritën më në fund në Jeruzalem në qershor 1099, i cili u çlirua pas një rrethimi të shkurtër. Kryqtarët, të cilët i ishin nënshtruar për shumë vite propagandës për ardhjen e Antikrishtit në qytet, e masakruan sistematikisht popullsinë myslimane.
Po ashtu, ata dogjën të gjallë hebrenjtë e Jeruzalemit në sinagogën kryesore, dhe i torturuan të krishterët lindorë që të tregonin vendndodhjen e asaj që kishte mbetur nga Kryqi i Vërtetë mbi të cilin u kryqëzua Jezusi. Kryqtarët u kthyen në shtëpi me relike të shenjta dhe me shumë pjesë të Kryqit të Vërtetë.
Historitë e bëmave të tyre u shprehën në letra dhe predikime. Konti Bohemond, i cili u bë sundimtar i qytetit të pushtuar të Antiokisë, i tha një kongregacioni në Francë kur u kthye
se kryeëngjëlli Mikael (nga Libri i Zbulesës), u erdhi në ndihmë të kryqtarëve me një grup engjëjsh, dhe ata që vdiqën në kryqëzatë “Mikaeli do t’i çojë me ngazëllim në Parajsë”
Ajo ishte fryma brenda së cilës u zhvillua Kryqëzata. Dhuna ekstreme që shfaqën kryqtarët, u lehtësua nga shërbimi i tyre ndaj qëllimit të Zotit dhe pranisë hyjnore që e dorëzoi Jeruzalemin në duart e tyre. Besimi fetar, duket parësor në shpjegimin e origjinës dhe karakterit të luftës së Kryqëzatave dhe objektit të saj përfundimtar.
Përgjigja e Islamit ndaj një pushtimi krejtësisht të papritur, qëllimin e të cilit myslimanët e kishin të vështirë ta kuptonin, ishte jo koherente dhe joefektive. Çdo histori e karakterit fetar të luftërave të zhvilluara për t’i dëbuar kryqtarët nga mbretëritë e tyre të reja në Antioki, Edesë, Jerusalem dhe Tripoli në bregdetin sirian, do të niste disa dekada pasi kryqtarët kishin arritur qëllimin papnor.
Por ashtu si Kryqëzatat, edhe lufta e myslimanëve u përqendrua përfundimisht në luftën në kauzën e Allahut për të rimarrë Jeruzalemin, një simbol i garës fetare midis dy palëve. Në Islam kishte shumë më pak vështirësi në pajtimin e fesë dhe luftës, pasi krijimi i territorit mysliman u mbështet që në fillim mbi vullnetin kolektiv të myslimanëve për të mbrojtur dhe zgjeruar besimin.
Në traditën islame, profeti Muhamed gjatë periudhës së jetës së tij të njohur si “bastisjet” u angazhua në 27 fushata dhe autorizoi 59 tjera (30 ose 38 sipas disa rrëfimeve) për ndjekësit e tij. Një detyrim kolektiv i myslimanëve për t’u përfshirë në luftë në mbrojtje të besimit, daton që nga shekulli VII dhe u ndërtua në ligjin e Sheriatit nga juristët islamikë gjatë shekujve në vijim.
Rrënja e “dhunës së shenjtë” qëndronte në tekstet e shenjta të Islamit, si në Kur’an ashtu edhe në hadithe, thëniet e profetit Muhamed të riprodhuara pas vdekjes së tij. Në suren 9 të Kur’anit, myslimanët urdhërohen të luftojnë idhujtarët:
“Luftojini ata! Allahu do t’i ndëshkojë ata me duart tuaja, do t’i ulë ata dhe do të bëjë që ju të fitoni mbi ta”. Ndër thëniet e profetit Muhamed është edhe deklarata: “Unë jam urdhëruar të luftoj njerëzit (jo besimtarët) derisa ata të thonë: Askush s’ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut!”.
Mbrojtja e besimit, sipas një thënieje tjetër, sjell shpërblimin më të madh për “dyert e Xhenetit që gjenden nën hijen e shpatave”. Termi i përdorur për të përshkruar mbrojtjen e besimit është xhihad, që në gjuhën arabe do të thotë “të përpiqesh të jesh në rrugën e Allahut”.
Megjithatë kuptimi varet nga konteksti. “Xhihadi i madh”, do të thotë lufta e brendshme personale për t’u bërë një mysliman më i mirë. “Xhihadi i vogël”, është lufta kundër jomyslimanëve. Dhe është një detyrim kolektiv i besimtarëve për të mbrojtur “Shtëpinë e Islamit” (Dar Al-Islam) kundër “Shtëpisë së Luftës" (Dar Al-Harb).
Përhapja e Islamit në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Spanjë gjatë 2 shekujve që pasuan u bazua tek ky “xhihad i vogël”. Lufta për të mbrojtur besimin, u zhvillua në kufijtë e Azisë Qendrore pagane dhe Perandorisë Bizantine, si dhe kundër të krishterëve në Evropën Jugperëndimore.
Ajo mund të shpallej vetëm nga një autoritet, qoftë politik (kalifët) apo fetar (imamët). Në një botë myslimane të përçarë nga rivaliteti midis kalifatit Sunit në Bagdad dhe atij Shi’it në Kajro, si dhe nga ndërhyrja e turqve selxhuk në rajon, luftës për të mbrojtur besimin iu deshën dekada që të maturohej si koncept.
Ashtu si koncepti i “luftë së drejtë” tek të krishterët, lufta e myslimanëve lejohej vetëm kur Islami kërcënohej nga jobesimtarët, sidomos përmes shkeljes së “tokës së Islamit”. Por ashtu si Evropa e krishterë e Mesjetës së hershme, territoret myslimane përjetuan konflikte të rregullta midis vetë myslimanëve, veçanërisht përgjatë vijës ndarëse midis Islamit Sunit dhe atij Shi’it, që u shfaq që në shekullin VII pas vdekjes së Muhamedit.
Në kohën e kryqëzatave, kishte rënë koncepti i xhihadit, si në kuptimin e tij mëshirues, ashtu edhe si një justifikim për luftën. Megjithatë, shembulli i luftëtarit besnik për Islamin, ghāzi, që mbronte kufirin mbeti pjesë e kulturës islame, dhe u ringjall në kundërpërgjigje të ardhjes së kryqtarëve, ose “Frankëve” siç i përshkroi ata bota arabe.
Udhëheqësit myslimanë që luftuan kundër kryqtarëve, u nderuan ndonjëherë në këto terma, siç ishte Princi Barak i Alepos, i vrarë në vitin 1124, në varrin e të cilit shkruhej: “Shpata e atyre që luftojnë luftën e shenjtë ... fitues ndaj jobesimtarëve dhe politeistëve”.
Megjithatë nuk kishte asnjë përgjigje kolektive myslimane të xhihadit. Udhëheqësit fetarë të Islamit, ashtu si Papët e Evropës së shekullit XI, e shpjeguan dështimin për të zhvilluar luftë në mbrojtje të besimit, me mungesën e devotshmërisë dhe besimit të vërtetë tek Zoti. Koncepti u ringjall vetëm nën sundimin e dy udhëheqësve turq, Imad Al Ding Zengi dhe djali të tij Nur Al-Din. Zengi rimori të parën nga mbretëritë e reja të kryqtarëve, Edesën, në vitin 1144. Ndërkohë djali i tij kaloi pjesën më të madhe të kohës duke luftuar me myslimanët e tjerë me synim bashkimin e Lindjes së Mesme.
Por Nur Al-Din, lidhi një aleancë të ngushtë me klerikët myslimanë për ta pastruar Islamin dhe për të ringjallur misionin e tij për një model mysliman tjetër. Ambicia simbolike ishte rimarrja e kontrollit të Jerusalemit, që ishte qyteti i tretë i shenjtë në Islam pas Mekës dhe Medinës, vendi i “fillimit të udhëtimit në qiej” të Muhamedit, dhe i xhamisë së shenjtë Al-Aksa.
Ashtu si në traditën e krishterë, Jeruzalemi zinte një vend qendror në eskatologjinë myslimane, pasi atje do të ndodhte ringjallja dhe “Dita e Fundit”. Në vitet 1160, tradita islame e “meritave të Jeruzalemit”, u ringjall si propagandë për ripushtimin e tij.
Nur Al-Din vdiq para se të mund të drejtonte xhihadin për të rimarrë qytetin. Por ndjekësi i tij i adoptuar, udhëheqësi kurd Salah Al-Din (Saladin), u angazhua për të luftuar për hir të besimit islam dhe arriti të rimarrë qytetin në tetor 1187 pas betejës vendimtare të Hitinit.
Djali i tij do të kujtonte më vonë se para betejës, Saladini kishte deklaruar “Djalli nuk duhet
të fitojë!”. Në një predikim të bërë më pas në xhaminë e restauruar Al-Aksa, imami përmendi Allahun si burimin e fitores dhe forcat e Saladinit si ushtrinë e Allahut.
Kur kryqtarët u dëbuan më në fund, me rënien e portit të Akras në vitin 1291, xhihadi militant, sipas fjalëve të juristit Ibn Tajmijah, prodhoi ose “fitore dhe triumf, ose martirizim dhe Parajsë”. Pushtimi dhe rimarrja e Jerusalemit, ishte një luftë e bazuar tek ambicia fetare
për të zotëruar një vend të shenjtë si për Krishterimin ashtu edhe për Islamin.
Për të dyja palët, lufta përfshinte një ringjallje të traditave fetare të dhunës së shenjtë, dhe
formimin e identiteteve fetare në përputhje me atë ringjallje. Konflikti përfshinte gjithashtu edhe çështje diplomatike, politikë pushteti dhe ambicie personale.
Por tek e fundit, vetëm besimi shpjegon arsyen se përse kryqtarët ishin atje dhe pse u dëbuan.
Kryqëzatat vazhduan në Lindjen e Afërt dhe Afrikë për disa shekuj, pa ndonjë sukses të qëndrueshëm, ndërsa më vonë turqit osmanë i shtynë kufijtë e botës myslimane thellë në Evropën Juglindore, duke mbijetuar deri në shekullin XX-të.
Në shekujt XVI-XVII, bota e krishterë u përfshi në një seri konfliktesh të brendshme midis katolikëve dhe besimeve të ndryshme protestante mbi çështjen themelore të reformës së Kishës.
“Luftërat fetare”, që pasuan sfidën e reformatorëve ndaj Krishterimit perëndimor, i janë nënshtruar të njëjtit lloj shqyrtimi si Kryqëzatat, sa i përket masës në të cilën feja, në vend
të diplomacisë, politikës dinastike dhe rebelimit popullor, ishte shkaku kryesor i konfliktit.
Ashtu si me Kryqëzatat, edhe ky mbetet një dallim i padobishëm. Sepse ato qenë epoka
fetare, në të cilat politika, struktura shoqërore dhe feja, ishin elementë të një botëkuptimi të përbashkët. Ajo që i bën luftërat fetare të ndryshme nga konfliktet e tjera të Mesjetës së Vonë, është thjesht se këtu besimi mbizotëronte si një motivim për dhunën.
Ato ishin luftëra, ose në shumicën e rasteve luftëra civile, që ndodhin sepse armiku përcaktohej në termat e besimit, praktikës dhe përkatësisë fetare. Mobilizimi në mbështetje të konfliktit, varej kryesisht nga rrjetet e bazuara në identitetin fetar.
“Luftërat fetare” zgjatën nga mesi i shekullit XVI, deri në mesin e shekullit XVII: në Francë,
me ndërprerje të gjata gjatë viteve 1560 - 1630; në Holandë nga vitet 1560 deri në 80 vitet që pasuan; në Angli, në luftërat civile të viteve 1640; dhe në Evropën Qendrore gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare.
Dallimet teologjike, që tashmë ishin të thella, u politizuan me përfshirjen e mbretërve dhe princave në mbrojtje të njërit besim apo tjetrit apo në shtypjen e rebelimit fetar. Por armiqësitë u kultivuan me një zell të jashtëzakonshëm nga komunitetet fetare lokale, të cilat morën pjesë me dëshirë në akte dhunë, duke e parë tjetrin në termat e idhujtarisë, herezisë ose adhurimit të Djallit.
Në Francë, protestantët (të njohur zakonisht si hygenotë) e cilësuan Ungjillin si të vërtetën absolute, dhe marshuan nëpër rrugë duke bërtitur “Rroftë Ungjilli!”, ndërsa mesha e Kishës Katolike u tall si një “ndyrësi e neveritshme”.
Katolikët, e shihnin armikun e tyre protestant si një instrument që nxit kaos, ndot rendin shoqëror dhe përdhos të shenjtën. Madje thuhej se protestantët, angazhoheshin gjithë natën në dehje dhe prostitucion. Shpesh, protestantëve të vrarë në Normandi dhe Provansë u futeshin në gojë faqe të Biblës, për të treguar se sa pak fuqi kishte Ungjilli për t’i shpëtuar ata nga fundi tragjik.
Në Paris, një bukëpjekës që gatuante ëmbëlsira për meshat katolike, u rrethua nga një grup hygenotësh të cilët i thanë të thërriste në emër Zotin e tij, përpara se ta rrihnin për vdekje. Pjesa më e madhe e dhunës së luftës civile, u krye nga elitat ndërsa përçarja sektare u zgjerua, ku katolikët dhe hygenotët morën ligjin në duart e tyre.
Në Francën e shekullit XVI, kishte edhe burime të tjera të dhunës urbane, por shumica e historianëve bien sot dakord se konflikti fetar kishte të bënte me fenë. Në fundin e viteve 1560, militantët katolikë formuan Lidhjen e Shenjtë për të luftuar, edhe me dhunë nëse do të ishte e nevojshme, protestantët reformistë.
Ata hodhën poshtë çdo përpjekje për kompromis: “A duhet të jemi atëherë neutralë midis Zotit dhe Djallit?”. Mbështetësit e Lidhjes, e shihnin armikun e tyre në termat e Ditëve të Fundit biblike, pra që duhej zhdukur për të shmangur zemërimin e Zotit.
Predikuesit katolikë, i ndezën flakët e urrejtjes sektare me urdhra biblikë: “Vritni profetët e rremë, duke mos kursyer asnjë prej tyre!”. Më 24 gusht 1572, Lidhja e Shenjtë, e udhëhequr nga Henri, Duka i Guizës, masakroi udhëheqësit dhe pasuesit e lëvizjes hygenote të mbledhur në Paris në Ditën e Shën Bartolomeut, për të festuar martesën e motrës së mbretëreshës së Francës me Henrin e Navarës, po ashtu një kalvinist.
Turma katolike, ndoqi shembullin me një militantizëm të egër kundër çdo protestanti që mund të gjenin. Retorika katolike që shoqëroi masakrën i bënte jehonë asaj të Kryqëzatave: “I krishteri katolik gëzohet për vdekjen e paganit dhe heretikut, sepse në një akt të tillë lavdërohet Zoti!”.
Në më shumë se një duzinë qytetesh dhe qytezash të tjera franceze, katolikë të zellshëm vendas imituan Parisin duke masakruar komunitetet hygenote. Në disa raste, zyrtarët mbretërorë u përpoqën që të parandalonin trazirat duke i futur në burg protestantët.
Por turmat e tërbuara i shkatërruan dyert dhe vranë ata që ishin brenda. Papati i miratoi masakrat, në terma që zakonisht rezervohen për jobesimtarët myslimanë. Në fakt, kërkimi i pranisë së Satanait ose Anti-Krishtit nga ata që e shihnin veten si besimtarë të vërtetë, rikrijoi momentin eskatologjik të fillimit të Kryqëzatave.
Një konflikt fetar edhe më i egër u zhvillua në Holandë, ku mbreti spanjoll, Filipi II, trashëgimtari i trashëgimisë së Habsburgëve në Vendet e Ulëta, nuk do të bënte asnjë kompromis për çështjen e besimit fetar.
Kur kalvinistët rebelë pushtuan qytetet e mëdha në Brabant dhe Holandë, guvernatori i përgjithshëm spanjoll, Duka i Albës, i lejoi trupat e tij të masakronin shumë nga banorët e çdo qyteti që pushtuan, deri më 2 dhjetor 1572, një të njëjtin vit që ndodhi edhe Masakra e Shën Bartolomeut, kur mijëra burra gra dhe fëmijë u masakruan në qytezën e vogël Narden.
Shkalla e dhunës së shfaqur atje por edhe në Francë, tregon shkallën në të cilën dallimet fetare nxitën urrejtjen e thellë ndaj një armiku që shihej jo vetëm si rebel apo politikisht i rrezikshëm, por si një armik i Zotit të vërtetë, dhe ndaj të cilit duhej të luftohej për të mbrojtur kufirin e besimit, njëlloj si kufijtë e mëparshëm mesjetarë midis paganëve, myslimanëve dhe të krishterëve.
Dhuna ikonoklastike e turmave kalviniste kundër imazheve të kishës në Francë dhe Holandë, ishte një përpjekje popullore për të përforcuar kufirin, “më shumë një vepër e Zotit sesa e njeriut”.
Pjesa më e madhe e shpjegimit aktual mbi ringjalljen e luftës islamike, ashtu si shpjegimet materialiste për Kryqëzatat, e sheh fenë si një idiomë, në të cilën mund të fshihet protesta më e rëndësishme politike dhe shoqërore, në vend se të merret në vlerë nominale elementi fetar i dhunës.
Në përgjithësi, sociologët supozojnë se ata që priren të bëhen pjesë e grupeve radikale islamike, e bëjnë këtë sepse janë viktima të globalizimit perëndimor, që i ka lënë të varfëruar, të mënjanuar dhe të pakënaqur (siç janë në fakt shumë njerëz).
Ose sepse kanë nevojë për një identitet të veçantë, që të sfidojnë kërcënimin e paraqitur nga ndërhyrja e dhunshme e perëndimorëve, ose sepse janë të joshur nga ideologjia e njohur e politikës myslimane. Tundimi është të ndiqen lëvizjet që pretendojnë se bazohen në mbrojtjen historike të Islamit nga fetarët e rremë, që të ekspozohen nga motivet “reale” të atyre që marrin pjesë si aktorë socialë dhe politikë.
Interpretime të tilla, vështirë se mund të përputhen me qëllimet dhe veprimet (ekstreme) të atyre grupeve që kanë shpallur xhihadin, përveçse nëse i gjithë besimi duhet të hidhet poshtë si një retorikë e papërshtatshme dhe jo si një shpjegim thelbësor për sjelljen, sepse përndryshe është e vështirë të kuptohet nënvlerësimi apo shpërfillja e detyrave fetare.
Ndërsa nuk ka asnjë dyshim se njerëzit mund të detyrohen të mbështetin një kauzë fetare ose
të bashkohen me të për shkak të pakënaqësisë shoqërore, kur shpjegohet lufta fetare, më shumë rëndësi ka kauza që qëndron prapa saj. Natyra me një motivim fetar, është e dukshme në disa shembuj të mirënjohur.
Lëvizja nigeriane Boko Haram (që në gjuhën vendase do të thotë “Arsimi perëndimor është i ndaluar”), emri popullor për “Njerëzit e përkushtuar ndaj përhapjes së mësimit dhe xhihadit të Profetit”, është ndikuar nga shkrimet e reformatorit islam të shekullit XVIII, Sheha Uthman Dan Fodio, i cili përcaktonte karakterin e pabesisë midis myslimanëve dhe apostazinë e sundimtarëve që nuk i njihnin ligjet e Zotit.
Po ashtu, Boko Haram është mbështetur tek traditat e ringjalljes islamike në Afrikën Perëndimore, të cilat u zhvilluan nën sundimin britanik në vizionin apokaliptik të përplasjes me Perëndimin, dhe me të gjithë ata që në sytë e myslimanëve akuzohen për degjenerim apo braktisje të besimit.
Në këtë rast, xhihadi kryhet për të pastruar fenë, për të imponuar ligjin e Sheriatit, dhe për të ndëshkuar ata që kanë tradhtuar fenë e vërtetë, shpeshherë me një dhunë ekstreme kundër atyre që konsiderohen të pafe. Ideja e luftës kundër jobesimtarëve dhe fe-mohuesve, shënoi kulmin e saj me themelimin e Al-Kaidës dhe më pas me ISIS-in.
Të dyja janë lëvizje puritane të përkushtuara për ripushtimin e territoreve ish-myslimane dhe vendosjen e ligjit të Sheriatit. Po ashtu, ato përbëhen nga myslimanë sunitë, gjë që i vendos kundër myslimanëve shiitë, si dhe botës së “kryqtarëve” dhe aleatëve të tyre myslimanë apostatë, ndonëse edhe xhihadistët shiitë e nisën gjithashtu versionin e tyre të luftës fetare
në vazhdën e konfliktit të parë në Gjirin Persik.
Figura kryesore e Al-Kaidës, Osama bin Laden, publikoi në vitin 1996 një “Deklaratë të Luftës kundër Amerikanëve”, pasuar dy vjet më vonë nga “Fronti Botëror Islamik për Kryqëzatën Kundër Hebrenjve dhe të Krishterëve”, duke i dhënë një substancë të drejtpërdrejtë politike zhvillimit të luftës fetare dhe dhunës terroriste.
ISIS shkoi edhe më tej në ambicien për të themeluar një kalifat të ri, si thelbin e një shteti të ri islamik që do të nxiste një reformim dhe ringjallje të Islamit të vërtetë. ISIS synoi një formë puritanizmi islamik që rrjedh nga leximet e Kur’anit dhe hadithëve profetike.
Si në të gjitha luftërat fetare të përshkruara më sipër, mbështetësit e ISIS-it e shihnin veten
si besimtarë të vërtetë. Po ashtu, ata ndanin vizionin apokaliptik të përplasjes midis Shtetit Islamik dhe botës së të pafeve dhe apostatëve, që pasqyronte imagjinatën eskatologjike nga kryqëzatat deri në Luftën Civile Angleze.
ISIS krijoi një kalifat, ringjalli atë që e shihte si një shoqëri pushtuese të iniciuar nga Muhamedi, dhe u bëri thirrje të gjithë myslimanëve që të luftonin për një “vendbanim të Islamit” në nivel global. Anëtarët e saj, besonin se beteja përfundimtare e parathënë në
Kur'an do të zhvillohej në fshatin e vogël sirian Dabiq, të përmendur në një hadith.
Emrin e tij mori edhe revista e përmuajshme e grupit radikal në internet. Gjatë luftës së fundit apokaliptike me forcat e Satanait, si Jezusi ashtu edhe Mehdiu (“udhëheqës mesianikë”), do
të shfaqeshin për të ndihmuar në mposhtjen e armikut jobesimtar dhe ndaj të gjithë myslimanë heretikëve.
Kohët e fundit do të zbuloheshin vetëm nga Zoti, kur xhihadi do të zëvendësohej, siç e shpjegon Kur’ani, nga qitāl, një gjendje lufte e vërtetë. Dhuna që vriste myslimanët e tjerë - një kamikaz, një bombë me makinë - mund të justifikohej në mënyrë të çuditshme duke iu referuar rrethimit nga Muhamedi të qytetit Taif në vitin 630, ku mangonelët (katapultat e rrethimit që hidhnin gurë) u përdorën pa dallim kundër njerëzve të rrethuar.
Udhëheqësit e ISIS-it, supozonin se shoqëria pushtuese që ata kishin krijuar, do ta fitonte konfliktin me jobesimtarët nëpërmjet ndërmjetësimit hyjnor të Allahut. Për luftëtarët e Islamit që vdiqën në konflikt, shpërblimi ishte parajsa, një premtim që mbështetej tek një traditë e gjatë në shkrimet e shenjta fetare islame.
Dihet mjaft mirë se shumica e madhe e myslimanëve në mbarë botën, nuk e pranuan dhe nuk u pajtuan me vizionin e një shteti të ardhshëm botëror islamik, apo me dhunën ekstreme përmes të cilës luftëtarët e rinj islamikë, njëlloj si ata të Mesjetës, shpresonin që ta arrinin.
Në Islam, ashtu si në Krishterim, ekziston një traditë teologjike e tolerancës dhe paqes, sado e brishtë që mund të duket. Por historianët e së ardhmes, do t’i shohin 50 vitet e xhihadit modern si një periudhë tjetër lufte e frymëzuar fetarisht, pavarësisht nga motivet politike, sociale ose ekonomike që mund të ndërlidhen me të.
Militantizmi islamik nuk është një lajthitje, por pjesë e një tradite të gjatë, që e ka origjinën që nga koha kur jetoi vetë Muhamedi dhe në themelimin e shoqërisë së parë pushtuese. Ashtu siç Krishterimi ka një traditë militantizmi në emër të njërit apo tjetrës rrymës brenda tij.
Në të gjitha këto raste, nga kryqëzatat tek ISIS, shumica e analizave shkencore mbi shkaqet e tyre janë mbështetur tek një besim tjetër: se në fakt njerëzit nuk shkojnë në luftë për hir të fesë, ideologjisë apo të mbinatyrshmes, por për arsye të kuptueshme mbi këndvështrimin modern perëndimor të sjelljes njerëzore, të nxitur nga interesat materiale, ambiciet politike apo protestat sociale.
Ka pasur një ngurrim të dukshëm për të braktisur modelin e “aktorit racional”. Apo për të pranuar se për ata që zgjedhin luftën, mund të ketë realitete të tjera. “Mitet” që qëndrojnë në zemër të të gjitha feve dhe kozmologjive mund të hidhen poshtë lehtësisht, siç ka sugjeruar kritiku letrar Dejvid Leming, si “besime të rremë dhe besëtytni”, në përgjigje të “trajnimit shkencoro-racionalist”, të cilit i nënshtrohen përgjithësisht popullatat moderne.
Megjithatë, në dekadat e kaluara, historianët dhe sociologët, nisën të argumentojnë se besimi fetar duhet të rifutet në çdo lloj analize mbi luftën, në të cilën mund të shihen si mbizotëruese motivimet fetare ose ideologjike. Kjo është pothuajse me siguri mënyra se si shumë nga ata që zhvillojnë “luftërat fetare”, do t’i kishin interpretuar ngjarjet në të cilat morën pjesë.
Antropologët e kanë kuptuar prej kohësh, se besimet që ata vëzhgojnë tek një pjesë e vogël të shoqërive njerëzore, që motivohen ende nga një perceptim i lashtë mbinatyror i botës përreth tyre, janë mjaft të vërteta për individët që jetojnë sipas këtyre besimeve.
Në të gjitha këto kontekste, besimi mund të çojë ndonjëherë në dhunë, shpeshherë ekstreme, sado që një vëzhgues modern mund të jetë i gatshëm ta konsiderojë atë të palidhur me motivimet materiale “reale|.
Besimi fetar nuk ka çuar kurrë universalisht në dhunë, por në momentet kur ai shihet i kërcënuar apo ka nevojë të forcohet nga pushtimi ose sakrifica, mund të bëhet një shkak kryesor që në asnjë mënyrë nuk mund të racionalizohet.
Kapitulli VII
Fuqia
“Mos harroni asnjëherë një fakt: nëse e mposhtni armikun, jo vetëm që do të jeni zotëruesit e plotë të Afrikës, por do të fitoni për veten tuaj dhe për udhëheqjen dhe sovranitetin e padiskutueshëm të Romës në pjesës tjetër të botës”
Fjalimi që Polibi ia atribuon Shipion Afrikanusit.
Pasi trupat e udhëhequra nga Publius Kornelius, ose siç njihet më shumë më nofkën Shipion Afrikani, mposhti ushtrinë kartagjenase në Zama në vitin 202 Para Erë Sonës, Afrika e Veriut u bë një pjesë tjetër e botës e dominuar nga perandori romak.
Republika Romake, u bë fuqia dominuese në pjesën më të madhe të pellgut të Mesdheut.
Sipas historianit të mëvonshëm grek, Polibit, në librin e shekullit XV mbi historinë e Romës, Shipioni i bëri të qartë trupave të tij në prag të betejës, se fitorja do t’i sillte fuqinë botërore Romës dhe popullit të saj.
E vërtetë apo jo, Zama ishte pika më e lartë në ngritjen e gjatë të Romës nga një qytet-shtet i vogël i shekullit VI Para Erës Sonë, në një perandori republikane që shtrihej rreth bregdetit të Mesdheut. Ishte një arritje, besonte Polibi, “që nuk ka asnjë paralele në historinë e njerëzimit”.
Iliria në Ballkanin Perëndimor dhe më pas Greqia, iu shtuan listës së fuqisë dhe ndikimit romak në shekullin II Para Erës Sonë. Ndërsa arsye të tjera mund t’i atribuohen luftërave thuajse të vazhdueshme, të zhvilluara nga Roma dhe aleatët e saj, është e vështirë të mos arrish në përfundimin se ndjekja e fuqisë dhe pushtetit në kurriz të bashkësive të tjera politike, të mëdha dhe të vogla, ishte forca lëvizëse prapa luftërave romake në 6 shekujt e parë të ekzistencës së saj si perandori.
Vetë fuqi, është padyshim një koncept elastik, i vështirë për t’u matur dhe subjekt i përkufizimeve të shumta në të gjitha gjuhët. Kuptimi semantik i fuqisë, pushtetit është aq kompleks, sa që politogu amerikan Robert Dahl, autor i njërit prej studimeve të para shkencore të këtij konceptit në vitet 1950, arriti në përfundimin se për disa studiues “i gjithë studimi i fuqisë është si një moçalishte e pafundme”.
E megjithatë, është një koncept kyç në të gjitha diskutimet mbi luftën dhe politikën kombëtare
në epokën moderne. I përdorur për herë të parë në kuptimin e fuqisë kombëtare në fillim të shekullit XVIII, ndryshimi gjuhësor është e njohur tashmë: fuqitë e mëdha, fuqitë në ngritje, fuqitë në rënie, ekuilibri i fuqisë, tranzicioni i fuqisë dhe fuqia ushtarake, janë thelbi i çdo diskutimi mbi marrëdhënien midis shteteve dhe mbi mundësinë e luftës midis tyre.
Në këtë kontekst, termi origjinal romak imperium, ose e drejta e komandës, mbetet një përkufizim kryesor, qoftë i përdorur për shoqërinë brenda vendit apo dominimin mbi një fqinj apo armik më të largët. Ky ishte edhe thelbi i përkufizimit të Dahl-it mbi pushtetin: “A-ja ka pushtet mbi B-në, në masën që ai mund ta detyrojë B-në të bëjë diçka që B-ja nuk do ta bënte në rrethana të tjera”.
Kjo nuk duhet të përfshijë fare luftë ose presion ushtarak, pasi vetë shembulli i Dahl-it, synonte të shpjegonte “fuqinë” që kishin senatorët amerikanë kur bëhej fjalë për ndikimin e politikës. Në rastin e shteteve, dhe kur diskutohet për pushtetin, është më e dobishme të bëhet dallimi midis “fuqisë së fortë” dhe “fuqisë së butë”, e para e shprehur si aftësi ushtarake, e dyta si fuqi e ushtruar përmes presionit politik, hierarkisë sociale, dominimit ekonomik ose imperializmit kulturor.
Për të kuptuar marrëdhënien midis luftës dhe pushtetit, ai që ka rëndësi është versioni i parë: përdorimi i luftës apo kërcënimi i saj për ta shtrirë dhe ushtruar pushtetin mbi të tjerët, ose ai
që quhet “pushtet imponues”. Kjo formë pushteti, ishte një element qendror për formimin e principatave, mbretërive dhe perandorive të para.
Në një kontribut tjetër themelor, antropologu Robert Karneiro, pohoi se origjina e shtetit qëndronte tek shtrirja e pushtetit nga një komunitet fisnor mbi të tjerët, zakonisht nëpërmjet njerëzve që ishin dalluar në luftë dhe që tani pretendonin rolin e prijësit.
Sipas tij, themelor ishte kalimi nga “autonomia e fshatit në integrimin përtej fshatrave”. Çdo gjë tjetër që pasoi, nga principatat tek mbretëritë dhe në perandoritë, pati një ndryshim në shkallë, por jo në lloj.
Evolucioni i shkallëve të ndryshme të pushtetit mbi të tjerët, ndodhi pothuajse tërësisht për shkak të luftës, e mundësuar përmes gjenerimit të një tepricë ekonomike nga popullsi më të mëdha dhe më të përqendruara. Forca, përfundoi ai, ishte ajo që i zhvendosi njerëzit nga fshatrat tek shtetet.
Karneiro nuk e pa këtë si luftë vetëm për hir të pushtetit, por si një kundërpërgjigje ndaj presioneve ekologjike apo konkurrencës së burimeve, në të cilat njësi më të mëdha dhe më efektive ushtarakisht, dominonin mbi ato që ishin më të dobëta.
Pra fuqia ishte pushtet për diçka, për më shumë tokë, haraç, skllevër, burime. Pushteti nuk është një mall, por një gjendje e qenies, që përcakton marrëdhënien midis atyre që komandojnë dhe atyre që komandohen. Zotërimi i pushtetit imponues bën të mundur luftën.
Por motivet për ushtrimin e këtij pushteti, janë zakonisht ato që shpjegojnë zgjidhjen e konfliktit, qoftë material, ideologjik apo politik. Për pjesën më të madhe të ekzistencës së njerëzimit, ideja e pushtetit ka munguar midis komuniteteve të vogla egalitare, ku mundësia e migrimit e bënte të pamundur dominimin fizik nga një grup mbi një tjetër.
Megjithëse ajo nuk përjashtonte përleshjet dhe bastisjet për të siguruar nevojat materiale.
Kalimi tek vendbanimet më të mëdha me më shumë segmentim social, siç i përshkruan Karneiro, kanë të bëjnë ende me qasjen dhe konkurrencës për burime, por fuqia për elitat në zhvillim, nënkuptonte aftësinë dhe vullnetin për t’i detyruar të tjerët të pranonin shpërndarjen e pabarabartë të vlerësimit shoqëror dhe pasurive materiale dhe legjitimitetin e sundimit të tyre. Në këtë kuptim, fuqia manifestohet në dy mënyra të dallueshme në lidhje me luftën. Së pari, ajo mund të përfitohet dhe ushtrohet mbi bashkësitë e jashtme nëpërmjet luftës, një tipar i përbashkët që nga krerët e parë fisnorë e deri tek shteti i parë në histori.
Në këtë rast, pushteti nënkuptonte edhe fuqinë për të mbrojtur komunitetin nga kërcënimi i pushtetit të të tjerëve, ndoshta shfaqja më e rëndësishëm nëse neglizhohet pushteti imponues.
Së dyti, pushteti mbi bashkësinë e brendshme, qoftë një principatë apo një shtet më i madh, në disa dhe ndoshta shumë raste, mund të varet nga princi, mbreti ose elita më e gjerë që kryen luftë për të vërtetuar pretendimin e tyre për udhëheqje, për të qenë në gjendje të shpërblejë luftëtarët dhe ndjekësit, kënaqë popullin dhe kur është e nevojshme, të qetësojë Zotat.
Presioni mbi udhëheqësit për të zhvilluar luftë, është i dëshmuar më mirë tek shoqëritë arkaike dhe para-moderne, ku zgjedhja për të vepruar ndryshe ishte e kufizuar nga ana kulturore. Sundimtarët aztekë, me të hipur në fron, pritej që të shpallnin luftë menjëherë për të demonstruar legjitimitetin e tyre. Pas përfundimit të sundimit romak, udhëheqja midis principatave të vogla dhe mbretërive të Evropës, mbështetej kryesisht në aftësitë për të
bërë luftëra që zakonisht drejtoheshin nga vetë udhëheqësi.
Dështimi për të bërë luftë, po aq sa dështimi në luftë, mund të minonte pretendimin e udhëheqësve për të sunduar. Fuqia duhej të dëshmohej, dhe jo thjesht të gëzohej, dhe për pjesën më të madhe të 5000 viteve të fundit kjo ka nënkuptuar luftën kundër fqinjëve, shpesh dhe rregullisht.
Është më sfiduese të gjesh dëshmi të luftërave vetëm për të shtrirë pushtetin dhe jo për
ndonjë ambicie materiale, ideologjike ose politike për të cilën pushteti është kusht, por jo motiv. Në shumicën e luftërave përgjatë historisë, ndjekja e pushtetit luajti një rol, qoftë edhe vetëm si një përshkrim i rezultatit të tij në një mënyrë a tjetrën.
Por për të kuptuar ndjekjen e pushtetit si një synim në vetvete, është e nevojshme t’i rikthehemi Shipionit dhe humbjes së Kartagjenës. Në përshkrimin e fitores së Romës, Polilbi i ngacmoi lexuesit e tij me pyetjen, se përse Roma kishte arritur brenda disa dekadash të dominonte “gati të gjithë botën e banuar”.
Historianët kanë ngritur të njëjtën pyetje. Ekziston një traditë e gjatë për ta parë zgjerimin e Romës nga shekulli V Para Erës Sonë si për motive kryesisht mbrojtëse, duke krijuar një perandori të gjerë, sikur të ishte e shtyrë ta bënte këtë nga të tjerët, se sa si një këndvështrimi po aq jo bindës i Perandorisë Britanike, si diçka e ndërtuar “pa mendje” gjatë rrjedhës së shekujve të imperializmit.
Kjo është një pikëpamje e vështirë për t’u pajtuar me luftën dhe zgjerimin e vazhdueshëm agresiv që u pa në të gjithë pellgun e Mesdheut, Afrikën e Veriut, Ballkanin, Azinë e Vogël dhe pjesën më të madhe të Evropës perëndimore dhe qendrore. Një tezë e tillë, e shtrin idenë e “mbrojtjes”, shumë përtej çdo kufiri të arsyeshëm.
Kjo nuk do të thotë se duhet të përjashtohen luftërat e zhvilluara në kundërpërgjigje të agresionit të të tjerëve. Megjithatë në shumicën e rasteve, pasoja ishte shtrirja e fuqisë romake mbi popujt e rinj. Shumë më bindës është argumenti se Roma ishte vërtet e nxitur nga ndjekja e pushtetit, për të siguruar epërsinë e saj mbi atë që romakët e konsideronin si “orbis terrarum”, ose e gjithë bota e njohur prej tyre.
Për të kuptuar më mirë natyrën e asaj fuqie, ekzistojnë tipare dalluese të atij zgjerimi, të cilat rrjedhin nga natyra e shoqërisë romake dhe mënyra se si elita romake dhe qytetarët e shihnin atë. “Perandoria” nuk u përshkrua si e tillë të paktën deri në shekullin I Para Erës Sonë, kur u shfaq për herë të parë termi “imperium popoli romani”.
Dhe këtu sërish kuptimi është ai i komandimit romak. Zgjerimi i Romës, nuk bazohej mbi idenë e territorit - në një epokë kur hartat ishte ende të panjohura - por mbi popujt e pushtuar dhe “nën komandë”.
Kjo mund të përfshinte edhe popujt që ishin të detyruar të paguanin një haraç periodik, por ende të ndarë politikisht, të cilët iu nënshtruan perandorisë romake, siç ishte Kartagjena për 50 vjet pas disfatës së saj në Zama, derisa u sulmua dhe u shkatërrua në vitin 146 Para Erës Sonë për arsye që mbeten të errëta.
Ishte i njëjti vit kur romakët plaçkitën Korintin në Greqi dhe vendosën nën kontroll gjithë gadishullin përpara se të kalonin në Azinë Lindore. Lufta për pushtet dhe lavdi, ishte pjesë përbërëse e shoqërisë romake dhe nderohej si e tillë.
Ajo ishte gjithashtu thelbësore edhe për mënyrën se si aristokracia romake dhe udhëheqja ushtarake gëzonin fuqinë e tyre të brendshme. Kjo ishte e vërtetë për Jul Çezarin, kur pushtoi Galinë (Francën e sotme) në shekullin I Para Erës Sonë ose Pompein, i cili la një mbishkrim ku pretendonte se nënshtroi 1538 qytete, fshatra dhe kala gjatë fushatës për pushtimin e Spanjës dhe Lindjes së Mesme.
Ai nuk ishte një zgjerim i planifikuar, dhe as nuk kishte një model standard. Por kur u arrit, Roma republikane nuk e braktisi thuajse asnjëherë pushtetin e saj që buronte nga një forcë ushtarake, organizimi, teknologjia, dhe taktikat e së cilës në shekullin IV Para Erës Sonë i dalluan ushtritë romake nga të tjerat për qindra vjet me radhë.
Dy konsujt e emëruar nga Republika Romake çdo vit, pritej që të bënin luftë ose të shpjegonin arsyen pse nuk do ta bënin. Suksesi për ta ose apo gjeneralët që emëruan, kurorëzohej me një ceremoni makabre, në të cilin krerët dhe mbretërit e kapur robër çoheshin të lidhur me zinxhirë në Forum, dhe në shumicën e rasteve ekzekutoheshin publikisht si një shprehje e pushtetit romak mbi popujt e tjerë.
Simbolet kulturore të sundimit, ishin thelbësore për imazhin e pushtetit romak. Komandantët romakë ndërtuan harqe për të festuar atë që kishin arritur. Të paktën 300 prej tyre kanë mbijetuar deri në ditët tona. Suksesi nënkuptonte gjithmonë shtrirje përtej kufijve të zonës që ishte tashmë nën kontrollin e tyre, në mënyrë që fuqia, brenda dhe jashtë vendit, të evoluonte në të njëjtën kohë.
Në atë kohë u zhvillua ndjenja se Roma mund të zgjerohej pafundësisht. Tek Eneida, e shkruar në shekullin I Para Krishtit, Virgjili shkruan se Jupiteri u garantoi romakëve “një perandori të pakufishme”. Kuir Augusti u bë perandor në vitin 14 Para Erës Sonë, zgjerimi thuajse kishte mbaruar, përveç pushtimit romak të Britanisë së Madhe dhe Dakisë në lumin Danub.
Epitafi i tij ishte gdhendur me titullin e mëposhtëm: “Vepër e Augustit hyjnor, me anë të të cilit
ai ia nënshtroi botën sundimit të popullit romak”. Përhapja e perandorisë romake u gjurmua nga rrjeti i ndërlikuar i rrugëve, të sinjalizuara në intervale të rregullta, së pari nëpër gadishullin italian, pastaj nëpër Greqi deri në Azinë e Vogël, ku tabelat ishin në latinisht ndërsa nëntituj në gjuhën greke.
Rrugët zëvendësuan hartat, duke përcaktuar rajonet ku besohej se ekzistonte fuqia komanduese. Ndjenja romake e pushtetit të pakufizuar, e nxitur nga favori i perëndive, ishte gjithashtu një mision civilizues.
Supozohej se zgjerimi i perandorisë romake, ishte diçka e mirë për ata që ishin nën sundimin e saj, dhe në fakt kishte avantazhe për ata që ruanin besimin (fides) tek fuqia romake. Por ata që rebeloheshin, iu nënshtruan një ndëshkimi të pamëshirshëm.
Roma nuk ishte e vetmja fuqi agresive në epokën klasike të ekspansionit romak, por ishte sigurisht më e suksesshmja. Ideja e krijimit të një sistemi universal, të një bote të drejtuar nga një mbret, nuk kufizohej vetëm tek Roma, por ishte karakteristikë e fantazive të shumë perandorive ndërluftuese.
Grekët kishin idenë e një kozmopolisi, një qyteti superfuqi, vizion të cilin për botën helenistike në shekullin II Para Erës Sonë filloi që ta përfaqësonte Roma. Në Azinë Lindore, “shtetet ndërluftuese” kineze kishin vizionin e sundimit universal.
Perandoria Qin, që u krijua nga bashkimi i tyre krijoi titullin “perandor” për të sunduar të gjithë botën e njohur si “biri i qiellit”. Shtëpia perandorake japoneze, që daton që nga perandorët legjendarë të shekullit VII Para Erë Sonë, zhvilloi konceptin e “botës nën një çati”, atë të Japonisë perandorake.
Më vonë, perandoria e Xhengiz Khanit pati pretendimin për një sundim universal pas pushtimit të pjesës më të madhe të Euroazisë në fillim të shekullit XIII të Erës Sonë. Vetë emri i tij në gjuhën mongole do të thotë “sundimtar universal”.
Perandoria Mongole, mbështetej si ajo e Romës tek lufta e rregullt dhe shkatërruese në ndjekje të pushtetit kundër të gjithë atyre që nuk e pranonin autoritetin e Khanit. Xhengiz pretendoi se kishte një mandat nga Perëndia i qiellit, Tengri, për të sunduar gjithë stepën.
Por ndërsa perandoria u zgjerua, mandati ndryshoi dhe ai synoi të pushtonte dhe sundonte të gjithë botën, “nga vendi ku lind dielli, deri në vendin ku perëndon”. Një dekret, shpallte se në Tokë “ka vetëm një zot, Xhengiz Khan”, dhe ideologjia mongole e ndau botën në dy pjesë, ato tashmë të pushtuara dhe një pjesë që duhej ende të nënshtrohej.
Për pasojë, lufta e vazhdueshme ishte e pandashme nga projekti perandorak mongol, siç ka qenë për pothuajse të gjitha perandoritë e njohura në një moment të caktuar të historisë së tyre, duke përfshirë edhe Perandorisë Britanike, për të cilën thuhej se “dielli nuk perëndonte asnjëherë”.
Megjithatë rasti i Xhengiz Khanit, nxjerr në pah një formë pushteti të ndryshme nga ai i Romës apo i shumicës së perandorive të tjera klasike ose moderne, të cilat u ndërtuan me kalimin e kohës nga breza të tërë udhëheqësish, ushtarësh dhe zyrtarësh.
Ajo përshkruhet më së miri në termin “fuqi arrogance”; pra një pushtet i lidhur me ambiciet personale dhe arritjet e një individi të vetëm, që e përdori luftën për të krijuar një perandori të madhe, por të përkohshme.
Termi grek i lashtë për arrogancën, ‘hubris’, tregonte një sfidë arrogante ndaj Perëndive nga njeri një i vdekshëm i thjeshtë, i dënuar të kishte një fund katastrofik, peripete. Por ai mund të zbatohet pa shumë shtrembërime gjuhësore tek një numër i madh shembujsh historikë.
Në dallim nga thuajse të gjitha shpjegimet e tjera për luftën që paraqiten në këtë libër, ‘lufta hubriste’ ka të bëjë me kontekstin personal dhe jo me sistemet personale. Fuqia e tyre në kërkim të luftës, buron nga një grup i caktuar rrethanash historike; ndihmohet nga të tjerët, përfshirë ushtrinë; dhe mund të maskohet nga një sërë motivesh të supozuara përtej ndjekjes së thjeshtë të pushtetit.
Por ambicia individuale, arrogante, është motori që drejton makinerinë e luftës. Shembujt më të mirë të kësaj lloje lufte janë të njohura: Aleksandri i Madh, Napoleon Bonaparti dhe Adolf Hitleri. Edhe pse në distancë historike larg njëri-tjetrit, karriera e tyre ka disa paralele që përmbajnë mësime të vlefshme.
Të tre vinin në skajet e rajoneve që do të pushtonin, i pari në mbretërinë e Maqedonisë në Greqinë veriore, Napoleoni në Korsikë, ndërsa Hitleri në Austri. Dhe po të tre ishin autorë të krijimit të perandorive të mëdha territoriale në një kohë të shkurtër - Aleksandri brenda 9 vjetësh, Napoleoni 10, ndërsa Hitleri në 5 vjet - të cilat u shembën në mënyra të ndryshme
kur ata vdiqën ose u mundën.
Të tre nuk ditën kurrë se kur të ndalonin pasi e nisën luftën, edhe pse do të fajësonin të tjerët që i detyronin të bënin luftë vazhdimisht. Ambiciet e tyre, nxitën ndër luftërat më brutale në histori dhe në një shkallë shumë të madhe, ndërsa autoriteti i tyre personal i nxiti ushtritë e tyre të luftonin pavarësisht kostos së madhe.
Ata kishin të përbashkët prirjen për periudha zemërimi të kotë, nëse dyshonin për mashtrim ose rezistencë midis atyre që kishin përreth. Të tre kishin ndjenjën se ishin zgjedhur në mënyrë hyjnore për të përmbushur rolin e tyre.
Aleksandri e kuptoi se pretendimi se mund të kishte lindur nga Zeusi, mbreti i Perëndive, mund të konfirmonte fatin e tij për të pushtuar botën. Napoleoni u kurorëzua si perandor në vitin 1804, siç u shpreh vetë “në fronin mbi të cilin më ka vendosur Zoti”.
Hitleri zhvilloi që në fillim të karrierës së tij ndjenjën se vetëm ai ishte zgjedhur, ndoshta nga Zoti, për ta shpëtuar Gjermaninë me përpjekjet e tij. Të tre tërhiqeshin nga realiteti dhe simbolet e pushtetit personal, qoftë Aleksandri në tendën e tij mbretërore që kërkonte përulësi nga nënshtetasit e tij, qoftë Napoleoni që krijoi një oborr luksoz pavarësisht nga simpatitë e tij republikane, apo Hitleri në ndërtesën e re të kancelarisë, ulur në një studio gjigante për të mahnitur çdo vizitor nga imazhi material i pushtetit.
Të tre i mbijetuan dështimit të projekteve të tyre perandorake për shkak të magjepsjes së publikut nga ndikimi i tyre historik. Biografitë mbi Aleksandrin, filluan të shkruheshin para vdekjes së tij të parakohshme dhe vazhduan gjatë antikitetit grek dhe romak, deri në ditët e sotme.
Për Napoleonin u shkruan 50 biografi të shkruara që në vitet e para të karrierës së tij, ndërsa historia mbi jetën e Hitlerit zinte raftet e librarive në mbarë botën. Marrëdhënia midis pushtetit dhe luftës që demonstrojnë këto histori personale, kërkon megjithatë një analizë më të afërt. Nuk ka asnjë dyshim që midis tyre kishte edhe shumë dallime, të diktuara kryesisht nga konteksti unik historik në të cilin evoluoi pushteti që zotëronin. Aleksandri III i mbretërisë së Maqedonisë, i njohur jo shumë kohë pas vdekjes së tij, por jo më parë, si Aleksandri i Madh, ishte një pushtues shumë i ri në moshë në krahasim me të tjerët.
Pasi e pasoi në front të atin, Filipin II, në moshën 20-vjeçare në vitin 336 Para Erës Sonë, ai pushtoi gati 5.2 milionë km2 territor brenda më pak se një dekade, para se të vdiste në moshën 32-vjçare në qershorin e vitit 323 Para Erës Sonë.
Burimet rreth Aleksandrit nuk janë të shumta, dhe shumica e autorëve kanë shkruar shekuj pas vdekjes së tij, duke u bazuar tek rrëfimet më të hershme dhe shpesh në variante të ndryshme. Megjithatë, nëse përdoren me kujdes, mund të nxirren informacione të mjaftueshme si për historinë personale të Aleksandrit, ashtu edhe për rrugën e pushtimeve të tij.
Aleksandri i detyrohej shumë për suksesin edhe babait të tij, Filipit II, i cili e bashkoi Maqedoninë, mposhti kërcënimet ndaj kufijve të shtetit dhe ndërtoi një forcë ushtarake të fuqishme, bazuar në një falangë këmbësorësh të armatosur rëndë me sarisën, një shtizë 5-6 metra të gjatë me një teh të rëndë prej hekuri, të cilën e mbanin me të dyja duart.
Filipi e përdori forcën e tij të re për të nënshtruar qytetet e tjera greke, dhe në vitin 336, planifikoi një fushatë kundër Perandorisë Akamenide në Persi, me sa duket me synimin e çlirimit të qyteteve greke në bregdetin e Turqisë së sotme, dhe për t’u hakmarrë për dëmin e shkaktuar nga persët në Greqi një shekull më parë.
Një ushtri prej 10.000 burrash u dërgua përtej Bosforit nën komandën e gjeneralit maqedonas Parmenion. Por Filipi u vra përpara se të niste fushatën. Aleksandri trashëgoi pushtetin e Maqedonisë dhe planin për të pushtuar territorin persian.
Nuk ka të dhëna të qarta mbi qëllimet e Filipit, por duket se Aleksandri po niste jo thjesht një luftë hakmarrjeje, por një betejë për të shkatërruar Perandorinë e madhe Akamenide. Përpara se të zbarkonte në anën aziatike të Helespontit, thuhet se ai hodhi një shtizë në tokë si simbol të “tokës së pushtuar nga shtiza” që do të vinte nga pushtimi i Azisë.
Pas një vizite në varret e Akilit dhe Ajaksit në rrënojat e Trojës, një akt që synonte ta lidhte mbretin e ri me heronjtë grekë të së kaluarës, Aleksandri nisi një fushatë që solli fitore të
mëdha mbi ushtritë persiane të Darit III në lumin Granik, Isus (që të dyja në Turqi) dhe më e rëndësishmja, në Gaugamela në fushën e Mesopotamisë.
Ndërkohë, ai pushtoi bregdetin lindor të Mesdheut (duke shkatërruar Tirin pas një rrethimi 7-mujor, duke masakruar burrat dhe duke skllavëruar gratë) dhe pushtoi Egjiptin. Rreth ambicieve të Aleksandrit ka shumë spekulime.
Ai u rrit në një botë të bëmave ushtarake, e zhytur në një kulturë perëndish dhe heronjsh ushtarakë, që thuhet se rrjedhin nga Akili nga ana e nënës dhe Herakliu (Herkuli) nga ana e babait, madje edhe nga Zeusi. Qëkur lindi, ai u parashikua se do të ishte “i pamposhtur”.
Më vonë, fallxhori i oborrit të tij, Aristandri, siguroi me kujdes mbështetje për të çimentuar ndjenjën e pamposhtshmërisë së Aleksandrit. Një biograf klasik i mëvonshëm, Arriani, e përshkroi Aleksandrin si “të etur për nderim” dhe me një “oreks absolutisht të pangopur”,
për lavdi, karakteristika që sigurisht nuk janë të papajtueshme me etjen e tij të dukshme për pushtime.
Ai ishte një komandant i jashtëzakonshëm në fushën e betejës, mishërimi i heronjve të fëmijërisë që ai i adhuronte dhe imitonte. Çdo fitore e ushqeu ndjenjën e tij të fatit, dhe një fushatë që nisi me çlirimin e qyteteve greke nga sundimi persian, u shndërrua në një fushatë arrogante për të pushtuar pjesën më të madhe të botës së njohur.
Kur arriti në Gordium në Anadoll, ai zgjidhi të famshëm “Nyjë Gordiane”, thjesht duke e prerë litarin me shpatën e tij, duke shpresuar se kështu do të përmbushte parashikimin e orakullit se kushdo që do ta bënte këtë do të bëhej “sundimtar i Azisë”.
Shkalla e ambicies, u bë e qartë që nga mbërritja e Aleksandrit në Egjipt, ku ai u shpall si faraoni i ri. Më pas e kapërceu shkretëtirën për të shkuar tek orakulli i Sivas në Libinë e sotme dhe për të zbuluar nëse lindja e tij ishte vërtet e veçantë.
Thuhet se priftërinjtë e kanë cilësuar atë si birin e Zeusit ose Amunit (mbretit të perëndive egjiptiane). Disa burime sugjerojnë se ai nuk donte të konsiderohej si zot, por si i ngjashëm me ta, gjë që mjaftonte për ta dalluar nga njerëzit e zakonshëm.
Nëse midis historianëve ka ende debate nëse ai kërkonte apo jo statusin hyjnor, ekziston një konsensus më i madh mbi faktin se kur mbërriti në Siva, ai kërkonte të ishte mbret i Azisë dhe jo vetëm i dinastisë persiane.
Pushtimi prej tij i Perandorisë Akamenide, u pasua nga fushatat në Baktria dhe Sogdiana në Azinë Qendrore, dhe më pas nga ëndrra e tij për të vazhduar për të pushtuar Indinë, kur ai dhe ushtritë e tij ishin tashmë më shumë se 1600 km larg Maqedonisë.
Është e qartë se Aleksandri e cilësoi si dehës pushtimin e territoreve të reja. Arriani shprehej kështu për të shekullin II Para Erës Sonë: “Aleksandri nuk kishte koncepte të vogla apo të këqija, dhe as nuk do të ishte i kënaqur me ndonjë nga zotërimet e tij … por do të kërkonte gjithmonë për diçka të panjohur”.
Megjithatë, fushata për të pushtuar Indinë, rezultoi të ishte një hap shumë i madh për një ushtri greke të rraskapitur dhe shumë larg vendit të saj. Me të mbërritur në lumin Hidaspes, ai e mundi mbretin vendas, Porus, por trupat e tij nuk pranuan të shkonin më larg në lindje, pasi kishin arritur në limitet e tyre fizike.
Synimet e Aleksandrit mbeten ende objekt debati, por duket se ka pak dyshim se fiksimin e
tij, pushtetin e ardhur nga pushtimet, mund ta kishte çuar më tej nëse do të ishte e mundur. Dëshmitë e kohës, tregojnë mbi pakënaqësinë e tij që po detyrohej të kthehej prapa, kur e gjithë bota dukej se ishte në duart e tij.
Ai flijoi një dele, pretendoi se gjeti shenja të këqija në të brendshmet e saj, dhe e përdori atë si justifikim për atë që e shihte si dështim. Më pas i ktheu forcat e tij të lodhura më në jug për një udhëtim rraskapitës në luginën e Indusit, duke shfarosur çdo komunitet që e kundërshtonte.
Kur mbërriti në oqean si kufiri i botës së njohur, ai sakrifikoi disa dema për nder të perëndisë së detit, Poseidon. Udhëtimi i kthimit nëpër shkretëtirën Gedrosian, ishte një burim vuajtjesh të gjata për njerëzit e tij, të cilët nuk kishin përfituar asgjë nga ndjekja e ambicieve të mbretit të tyre.
Me kthimin e tij në Babiloni dhe Suzë, qytete që i kishte pushtuar nga persët, duket se Aleksandri po mendonte për fushata të reja për të pushtuar Arabinë ose rajonin e Detit Kaspik, qoftë edhe për t’u zhvendosur në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.
Por nëse maqedonasit dhe ushtritë e larmishme aleate nën komandën e Aleksandrit do ta kishin ndjekur atë, kjo është një çështje e diskutueshme. Në atë kohë, pretendimet e Aleksandrit për një fuqi demonstrative, po armiqësonin shumë njerëz përreth tij.
Gjatë pushtimeve të tij, Aleksandri ndërtoi të paktën 20 qytete ose fortesa të quajtura Aleksandri (përfshirë më të famshmen në Egjipt), kur asnjë qytet tjetër në botën helenistike nuk u emërtua sipas një individi të vdekshëm. Madje ai i emëroi qytetet sipas kalit të tij, Bucefalit, dhe qenit të tij të preferuar.
Pas disfatës së Darit, Aleksandri përvetësoi stilin e oborrit persian, të vendosur në një tendë të madhe, me 50 kolona të praruara, 100 divane dhe një gardë të madhe që e mbronte.
Atje ai e kufizoi qasjen e të tjerëve (dikur kishte qenë më i barabartë dhe më i arritshëm), mbante veshur një kostum persian, dhe në vitin 327 u përpoq të fuste zakonin persian të proskinezës, ose homazhit, që nënshtetasit e tij të përkuleshin para tij.
Ajo praktikë doli të shumë e vështirë për maqedonasit në rrethin e tij, por Aleksandri ishte i pamëshirshëm në ndjekjen dhe ekzekutimin e kundërshtarëve të tij. Iluzionet e madhështisë në rritje të një njeriu që tani ishte më shumë mbret i Azisë sesa i Maqedonisë, përfunduan me vdekjen e tij të papritur në vitin 323 Para Krishtit, thuajse me siguri nga sëmundja dhe jo nga helmimi.
Ai nuk la pasardhës të caktuar, dhe brenda pak vitesh perandoria jetëshkurtër u shpërbë në disa mbretëri ndërluftuese midis tyre, duke lënë pas vetëm trashëgiminë e ambicies së jashtëzakonshme personale të Aleksandrit.
Ajo ishte një trashëgimi thuajse me siguri e njohur për të riun Napoleonin Bonapart, i cili sipas të gjitha rrëfimeve të kohës, lexonte me entuziazëm të madh historitë e gjeneralëve të mëdhenj të epokës klasike, veçanërisht të pushtuesve grekë dhe romakë. Ai zotëronte pak nga avantazhet e hershme të Aleksandrit.
Djali i dytë i një fisniku të vogël korsikan, ai i kaloi 10 vjet të fëmijërisë së tij në një shkollë ushtarake të rreptë në Brien të Francës, ku u ngacmua nga shokët e klasës si një kadet i vrerosur dhe i vetmuar që preferonte më shumë leximin sesa lojërat.
Shumica e burimeve mbi rininë e Napoleonit (dhe në fakt mbi gjeneralin e ardhshëm, dhe pastaj perandor që nga viti 1804) janë të dorës së dytë, megjithëse shpesh bashkëkohore, por më të besueshme sesa ato mbi Aleksandrin.
Ato bien dakord se Napoleoni ishte një i ri i pazakontë, i prirur ndaj arrogancës, periudhave të herëpashershme të temperamentit të pakontrollueshëm dhe ambicies për t’u bërë dikushi. Pushteti duket se ka zënë një rol qendror në pikëpamjen e tij për jetën.
Ai mori pjesë në rrethimin e suksesshëm të Tulonit në vitin 1793 si komandant artilerie, ku u tregua autoritar dhe i guximshëm, por suksesi nuk i solli asnjë shpërblim. Në kulmin e karrierës së tij ushtarake, në vitin 1794, ai i tha vëllait të tij të madh, Xhozefit: “E vetmja gjë që mund të bësh në këtë botë është të vazhdosh të fitosh... pushtet dhe akoma më shumë pushtet. Çdo gjë tjetër është e pakuptimtë!”.
Zbulimi i tij erdhi në tetor 1795, kur ai mori pjesë aktive në shtypjen e revoltës në Paris kundër qeverisë revolucionare. U emërua gjeneral major, dhe brenda një viti e bindi qeverinë ta lejonte të udhëhiqte një ushtri në Itali, për t'i dhënë fund krizës ushtarake që kishin pësuar atje Luftërat Revolucionare për shkak të ushtrive Habsburgase.
Luftërat Revolucionare, të zhvilluara me rezultate të përziera që nga viti 1792 e tutje, i ofruan atij mundësinë për të shkëlqyer. Fitoret e jashtëzakonshme, treguan se Napoleoni kishte një dhunti të natyrshme operacionale, dhe ai e përdori ato për të rritur reputacionin e tij në Paris
si një hero dhe shpëtimtar.
Më vonë do të pranonte se fitorja në Lodi afër Milanos në majin e vitit 1796, ishte një pikë kthese në pikëpamjen e tij për të ardhmen: “Vetëm në mbrëmjen e Lodit, nisa të besoj se jam njeri superior, dhe më lindi ambicia për të vënë në jetë planet e mëdha, që deri në atë moment më kishin kaluar nëpër mendje vetëm si ëndrra fantastike”.
Kishte një prirje të dukshme arrogance tek një komandant, që shqetësohej gjithmonë për suksesin e tij. “Fuqia ime”, do të pohonte më vonë, “varet nga lavdia ime, dhe lavdia ime nga fitoret e mia”. Ashtu si Aleksandri para tij, edhe Napoleoni synoi vazhdimisht të zgjeronte kufijtë e perandorisë së tij me një energji të pandërprerë.
Kontrolli i Francës u shtri në Itali, Gjermani, Vendet e Ulëta, Zvicër dhe më vonë në Spanjë. Në vitin 1799, Napoleoni planifikoi pushtimin e Egjiptit, ndoshta duke i bërë jehonë Aleksandrit (“Ne duhet të shkojmë në Lindje; e gjithë fama e madhe vjen nga ajo anë”), dhe pavarësisht disfatave në tokë dhe në det, arriti të bindte popullin francez se ajo do të ishte një tjetër aventurë e lavdishme napoleonike.
Shumica e historianëve, bien dakord se ai nuk kishte ndonjë plan të veçantë për pushtim, dhe kjo nuk ishte dhe aq për t’u habitur, duke pasur parasysh kthesat e vazhdueshme të politikës së aleancave midis aleatëve, vasalëve dhe armiqve francezë.
Napoleoni ankohej shpesh se ishte i detyruar të luftonte për shkak të kokëfortësisë së të tjerëve, gjë që në një farë mënyre ishte e vërtetë. Megjithatë rezistenca ishte pasojë e përhapjes së pushtetit francez dhe refuzimit të Napoleonit për t’u frenuar nga asnjë shtet tjetër në rrugën e tij.
Pasi u bë konsulli i parë në vitin 1799, kreu ekzekutiv i një sistemi të ri kushtetues, vendimet
për paqe ose luftë ishin në thelb të tijat. Ai kishte një anglofobi të madhe - sepse Britania ishte vazhdimisht kundër projektit të tij perandorak - dhe një përzierje të mosbesimit dhe përbuzjes
për shumë nga mbretërit e Evropës.
Paqja e Amiensit, e nënshkruar midis dy kundërshtarëve të rraskapitur, Britanisë dhe Francës, në vitin 1802, u prish shpejt dhe kështu rifilloi lufta. Fitorja ndaj Austrisë dhe Rusisë në Austerlic në vitin 1805 dhe ndaj Prusisë në Jena-Oershtad në vitin 1806, pastaj sërish ndaj Rusisë në vitin 1807, e lejoi Napoleonin të rivizatonte hartën politike të Evropës, duke i vendosur vëllezërit e tij në fronin e mbretërive vasale.
Në vitin 1808, perandoria kishte arritur kulmin e saj, por Napoleoni nuk ishte asnjëherë i kënaqur pa luftë. Ende në luftë me Britaninë, ai u përpoq t’i shtonte perandorisë edhe Spanjën, duke hapur të një front të ri lufte. Katër vjet më vonë, erdhi lufta katastrofike me Rusinë, të cilën Napoleoni nuk kishte nevojë ta zhvillonte, përveçse nëse do të pranonte kundërshtimin ndaj pushtetit të tij.
Napoleoni e zbuloi këtë gjatë ushtrimit të atij pushteti. “Kudo që kam qenë, kam komanduar”- i tha ai këshilltarit të oborrit Pier Rederer. “Unë kam lindur për këtë gjë!”. Që në fillim të ngjitjes së tij në pushtet, ai përvetësoi tiparet e një udhëheqësi të madh.
Baza e tij në Itali, në pallatin Mombello në periferi të Milanos, u shndërrua në një oborr mbretëror, ku Napoleoni filloi të distancohej nga kolegët e tij, të darkonte veçmas nga ndihmësit e tij dhe të kontrollonte rreptësisht ata që shkonin ta takonin.
“E pashë të madh, të plotfuqishëm, të rrethuar nga homazhet dhe lavdia”- shkroi sekretari i tij ushtarak, Luis Dë Burrien, por jo më “të barabartë me të barabartët”. Gjatë 2 viteve që kaloi Napoleoni në Itali në vitet 1790, u botuan jo më pak se 76 pamflete mbi triumfin e tij.
Ai u krahasua me Shipion Afrikanusin, megjithëse kundërshtarët e tij e krahasuan atë më pak në mënyrë të favorshme me Aleksandrin, Hanibalin ose Çezarin. Stili i komandës autoritare, mbeti një element qendror për fuqinë në rritje të Napoleonit në Francë, fillimisht si konsull i parë për 10 vjet, më pas si konsull i përjetshëm në vitin 1802, dhe më në fund si perandor
nga maji i vitit 1804, duke e vendosur atë në një pozitë të barabartë me perandorët e tjerë të Evropës ose ndoshta në një mënyrë më domethënëse për Napoleonin, në një bazë krahasimuese më të gjerë në krahasim me perandoritë klasike.
Kurorëzimi i tij, u përgatit me shumë luks dhe në të mori pjesë edhe Papa, i cili ia dorëzoi kurorën Napoleonit për t’ia vënë vetes, një gjest që synonte të tregonte se pushtetin e tij nuk ia detyronte askujt.
Një vit më pas, ai vendosi të kurorëzohej në Milano si mbret i Italisë, duke përdorur kurorën
e hekurt të Lombardisë, të trashëguar nga koha e Perandorit Romak të Shenjtë Frederik Barbarosa. Ai nuk fliste më për qytetarë, por për subjekte.
Vetë Napoleoni luajti një rol në zhvillimin e propagandës, e cila ishte themeli i evolucionit drejt kulti të personalitetit. Regjimi monitoronte nga afër atë që publikohej, duke censuruar kritikat ndaj perandorisë dhe duke kontrolluar informacionin që ndikonte mbi opinionin publik. Procesi ishte i pamëshirshëm. Në vitin 1789, në Francë botoheshin 130 revista. Nga këto, vetëm 4 mbetën në shtyp deri në vitin 1811. Imazhi i shpëtimtarit dhe heroit zbukurohej vazhdimisht. Në vitin 1806, Senati Francez votoi për ngritjen e një monumenti për “Napoleonin e Madh”, shprehje që më pas u bë e zakonshme.
Në vitin 1802 u përmend për herë të parë termi “Shën Napoleon”, dhe në vitin 1806 ditëlindja e Napoleonit, 15 gushti, u festua zyrtarisht si dita e Shën Napoleonit, e krijuar enkas për të eklipsuar festën katolike të Zonjës në të njëjtën ditë, megjithëse shumë klerikë e kundërshtuan ndryshimin.
Një shtesë e katekizmit katolik u hartua në vitin 1806, dhe ajo u bë e detyrueshme për t'u mësuar fëmijëve në të gjithë perandorinë, duke e lidhur Napoleonin me hyjnoren, ashtu
siç Aleksandri ishte i lidhur me Zeusin.
Fëmijët pyeteshin nga mësuesit pse duhej të ishin të lidhur me Napoleonin dhe përgjigjja e tyre ishte: “Sepse është ai që e krijoi Zoti… Ai është bërë i përzgjedhuri i tij”. Ndërkohë pati një diskutim të gjerë mbi “perandorinë universale” ose “dominimin botëror”, në të cilën ishte protagonist Napoleoni.
Nëse ai e shihte fuqinë e tij të shtrihej gjithnjë e më larg, në Lindjen e Mesme dhe Indi dhe në Euroazi, kjo është e hapur për debat. Në vitin 1811, ai i tha klerikut Dominik Dyfor Dë Prad: “Brenda 5 vjetësh, unë do të jem zot i botës. Mbetet vetëm Rusia, dhe unë do ta shkatërroj atë!”.
Pushtimi i Rusisë nga një ushtri prej 610.000 vetash, të mbledhur nga e gjithë perandoria, pati jehonën e fushatës së Aleksandrit të Madh në Indi. Dhe që të dyja përfunduan si aventura të dështuara, pjellë e arrogancës.
Ka pasur shumë spekulime se përse Napoleoni tentoi të luante një bast aq të madh siç ishte shkatërrimi i fuqisë ruse, kur ajo kishte pak kuptim nga pikëpamja strategjike, pasi Rusia vështirë se mund të gllabërohej e gjitha nga Perandoria Franceze.
Pikëpamja se humbja e Rusisë, do t’i hapte disi rrugën disfatës ose një pakti përfundimtar
me Britaninë e Madhe, një ambicie kryesore në dëshirën e Napoleonit për pushtet të pakrahasueshëm në Evropë, është e besueshme, por e vështirë për t’u vërtetuar.
Motivi në dukje, ishte të detyronte Carin Aleksandër I që të ndalonte tregtinë me britanikët. Megjithatë është e vështirë të mos e shohësh fushatën si një shprehje të ambicies së vetë Napoleonit për të kapërcyer sfidat ndaj fuqisë dhe madhështisë së tij perandorake.
Ai e pa ushtrinë e tij, Grande Armée, në terma klasikë, si “një ushtri si ajo e perandorit
pers Kserksit, e cila do të performojë në mënyrë spektakolare si ajo e Aleksandrit”.
Ai u paralajmërua nga gjeneralët mbi rreziqet e shumta të luftimeve në Rusi, problemet e logjistikës, fakti që ushtria franceze ishte e trajnuar dobët dhe që përbëhej nga një përzierje kombësish, shumë prej tyre armiqësorë ndaj francezëve.
Pak komandantë apo ushtarë të gradave të larta, mund ta kuptonin vërtet se përse iu kërkua të luftonin në thellësi të Rusisë me pak furnizime dhe pa veshje dimërore. Napoleonit i vinte
keq që “shumë pak njerëz ishin të aftë t'i kuptonin projektet e tij të mëdha në tërësinë e tyre”.
Fushata ishte një katastrofë me përmasa kolosale. Vetëm një e gjashta e ushtrisë franceze u kthye nga Rusia. Napoleoni kishte të drejtë kur thoshte se fuqia e tij mbështetej tek fitorja dhe triumfi personal, ashtu si edhe fuqia e perandorisë që ndërtoi.
Fushata ushtarake në Rusi i dëmtoi të dyja: brenda një viti, një koalicion i ri e shkatërroi ushtrinë franceze në Gjermani, pavarësisht nga një përpjekje e dëshpëruar dhe e gabuar nga Napoleoni në verën e vitit 1813 për të rimarrë iniciativën. Më pas koalicioni i aleatëve hyri në Francë.
Parisi kapitulloi në fundin e marsit 1814, Napoleoni u lejua që të sundonte nga ishulli Elbë
dhe të mbante formalisht titullin perandor. Ai u rikthye në Francë në 1815, por u mposht përfundimisht në Vaterlo.
Në internimin e tij të përhershëm në ishullin e largët të Shën Helenës në Atlantikun e Jugut, ai reflektoi për fatin e tij nëse do të kishte fituar në Rusi: “Po të kisha pasur sukses, do të kisha vdekur me reputacionin e njeriut më të madh që ka jetuar ndonjëherë. Nga askushi, u bëra me përpjekjet e mia, monarku më i fuqishëm në botë”.
Adolf Hitleri kishte edhe më pak kredenciale për të marrë pushtetin, por dhe për të drejtuar një fushata ushtarake krahasuar me Aleksandrin apo Napoleonin. Edhe pse luftoi në Luftën e Parë Botërore, duke arritur gradën “kapiten i klasit të parë”, ai nuk kishte asnjë përvojë ushtarake të udhëheqjes së trupave në betejë apo të menaxhimit të rreziqeve që e shoqërojnë luftën.
Në krahasim me dy të parët, Hitleri ishte një strateg amator. Akti i vetëm i dhunës që ai pa nga afër gjatë Rajhut të Tretë ishte përpjekja për ta vrarë në korrik 1944, mbijetesën nga e cila ai
ia atribuoi menjëherë Zotit.
Megjithatë, në atë kohë ishte komandanti suprem i forcave të armatosura, një rol që e mori në shkurt 1938 dhe që e mbajti deri në ditët e fundit të Rajhut të Tretë. Hitleri, ashtu si Aleksandri dhe Napoleoni, vendoste i vetëm për fillimin e luftërave, sepse struktura e pushtetit që ai krijoi në diktaturë nuk lejonte asgjë tjetër.
Ai bëri luftë për të zgjeruar fuqinë e Gjermanisë dhe sa më i suksesshëm ishte, aq më i madh ishte fuqia që donte të siguronte për perandorinë e re gjermane që krijoi dhe e sundoi në Evropë. Fuqia e tij personale bëri të mundur luftën, ndërsa lufta konfirmoi fuqinë perandorake gjermane dhe të tijën.
Hitleri, ashtu si Napoleoni, nuk dyshoi kurrë ndaj tezës së lufta ishte shprehja kryesore dhe e nevojshme e fuqisë, gjë që e bënte strategjinë e të dyve kaq të rrezikshme për pjesën tjetër të botës, edhe sepse tërhoqën pas vetes një rreth të domosdoshëm dhe të gjerë ushtarësh dhe civilësh që i mbështetën ose përfituan nga luftërat që ata zhvilluan.
Ka pak të dhëna mbi jetën e hershme të Hitlerit që të paralajmëronin shfaqjen e diktatorit dhe komandantit të ardhshëm të luftës. Shumica e kujtimeve nga bashkëkohësit, flasin për një njeri të turpshëm, të mbyllur në vetvete, dhe që zakonisht predikonte pikëpamje që pasqyronin një angazhim të thellë, ndonëse jo shumë të kultivuar, ndaj një game të gjerë çështjesh që
e dallonin nga kolegët e tij në Vjenën para vitit 1914 dhe në kohën e luftës.
Disfata gjermane e vitit 1918, ngjalli tek ai një urrejtje të thellë për ata që ai besonte se i kishin “ngulur thikën pas shpine Gjermanisë”. Është e vështirë të dihet saktësisht, se kur Hitleri vendosi se ai do të ishte ai i zgjedhuri nga Zoti për të shpëtuar popullin gjerman nga mjerimi dhe pafuqia pas Luftës së Parë Botërore.
Në fillim, ai duket se e pa veten si lajmëtari i asaj që do të ndodhte. Më pas i hapi rrugën një shpëtimtari të Gjermanisë. Ndërkohë në vitin 1920, mori drejtimin e një partie të vogël radikale, emrin e së cilës ai e ndryshoi në Partia e Punëtorëve Nacional Socialiste Gjermane, dhe nisi ta shihte veten si i destinuar për të shpëtuar atdheun e tij adoptiv.
Kjo ishte një ambicie narcisiste, e dukshme në dëshirën e tij për të qenë një udhëheqës i pakufizuar nga të tjerët, duke imponuar bindje, dhe duke e zmadhuar ndjenjën e tij për veten. Ata që e sfiduan pushtetin e tij në parti u mënjanuan, dhe pas vitit 1934 u vranë ose u burgosën. Nuk është rastësi që ai zgjodhi që në fillim titullin e thjeshtë Fyhrer (“Udhëheqës”) dhe e mbajti atë gjatë karrierës së tij deri në vitin 1945. Titulli nënkuptonte një vokacion të veçantë, një stil unik udhëheqje, që nuk toleronte asnjë rival dhe që kërkonte besnikëri absolute.
Nuk është rastësi që libri që ai shkroi gjatë burgosjes së tij pas grushtit të dështuar të shtetit kundër Republikës së Vajmarit u titullua Mein Kampf (Lufta ime), dhe historia e tij personale përfaqësonte sfidën më të madhe me të cilën përballej populli gjerman.
Në vëllimin e dytë të Mein Kampf dhe në “Librin e Dytë” që e pasoi, të shkruar në vitin 1928, Hitleri këmbënguli se lufta ishte një pasojë e natyrshme e konkurrencës midis racave. Dështimi i një race për të luftuar për mbijetesën e saj ishte një shenjë degjenerimi: ”Ai që dëshiron të jetojë duhet gjithashtu të luftojë, dhe ai që nuk dëshiron konflikte në këtë botë të luftërave të përjetshme, nuk meriton të jetojë!”.
Në botëkuptimin e Hitlerit, lufta ishte çelësi i mbijetesës dhe i përparimit të racës, dhe kjo e dominoi vizionin e tij mbi të ardhmen e Gjermanisë kur u ngjit në pushtet në vitin 1933. Rastësia luajti një rol të rëndësishëm në sjelljen e Hitlerit me pushtetin politik që pati, ashtu
siç ndodhi me Napoleonin,
Megjithatë Hitleri u bë i aftë që t’ia atribuonte Zotit ngritjen e tij në krye të vendit, një referencë që ai e përdori rregullisht gjatë diktaturës së tij për të konfirmuar se fati e kishte thirrur dhe e kishte mbrojtur atë.
Më 3 shkurt 1933, në një nga takimet e tij të para pasi u bë kancelar, Hitleri i shpjegoi komandës së lartë ushtarake, se si e kishte ndërmend të ushtronte pushtetin: së pari, pushtetin për të krijuar një popull të bashkuar dhe për të shkatërruar armiqtë e brendshëm të racës gjermane; së dyti, zgjerimin e pushtetit gjerman jashtë vendit, gjë që mund të nënkuptonte vetëm luftë.
Me një shkallë të dukshme arrogance, Hitleri u shpjegoi gjeneralëve: “Nuk do të gjeni më kurrë një njeri si unë, që me gjithë forcat lufton për qëllimin e tij madhor: shpëtimin e Gjermanisë!”. Dhe në përgjithësi ai e mbajti premtimin e parë.
Ai mori pushtet absolut në gushtin e vitit 1934, kur pas vdekjes së presidentit të moshuar Paul von Hindenburg, bashkoi postin e presidentin dhe kancelarit nën titullin e vetëm Der Führer (udhëheqësi). Pastaj arriti unitetin politik përmes një terrori të pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve të tij.
Në vitin 1938, Hitleri mori titullin e komandantit suprem të forcave të armatosura, dhe brenda disa javësh filloi zgjerimin e premtuar të Gjermanisë, duke pushtuar dhe përfshirë Austrinë në Rajhun e Madh Gjerman.
Hitleri e kuptoi se udhëheqja karizmatike, kërkonte një demonstrim të vazhdueshëm të sukseseve. Edhe pse nuk kishte një plan të qartë për ta udhëhequr, ai i ndërtoi forcat e tij të armatosura nga themelet e dobëta që ato kishin kur erdhi në pushtet, për të bërë të mundur
një zgjerim të mëtejshëm.
Pas Austrisë, ai synoi menjëherë të pushtonte Çekosllovakinë, por u pengua vetëm nga ndërhyrja e britanikëve në Konferencën e Mynihut, kur iu desh të kënaqej vetëm me aneksimin e zonave me shumicë gjermane. Ai e konsideroi atë përvojën si një disfatë, dhe vendosi të mos lejonte fuqi të tjera që të pengonin qëllimet e tij ndërkombëtare.
Vullneti i tij për luftë, çoi në pushtimin e asaj Çekosllovakie që kishte mbetur ende e pavarur në marsin e vitit 1939, dhe më pas në urdhrin për t’u përgatitur për luftë kundër Polonisë, një vendim që përkundër pritshmërisë së tij, e futi në luftë edhe me perandoritë britanike dhe franceze 6 muaj më vonë.
Ai reagoi me një stil të parashikueshëm pas fitores në Poloni: “Zoti e ka thënë fjalën e fundit dhe më solli sukses... Vetëm ata që luftojnë kundër fatit mund të favorizohen nga Perëndia. Vitet e fundit, kam përjetuar shumë shembuj të ndihmës së Zotit”.
Në shtatorin e vitit 1939, ditën kur forcat gjermane pushtuan Poloninë, Hitleri u betua në një fjalim kombëtar, duke thënë se nuk donte “të ishte asgjë më pak se ushtari i parë i Rajhut Gjerman”.
Angazhimi i tij ndaj luftës si një mjet për të siguruar pushtet për Gjermaninë, nënkuptonte sipas tij asnjë kompromis apo paqe për ta kufizuar këtë ambicie. Ai i fajësoi të tjerët për barrën që i kishte rënë, dhe veçanërisht fuqinë keqdashëse të “hebrenjve ndërkombëtarë” dhe një “Britanie të ligë dhe të egër”.
Por në realitet ishte dëshira e tij arrogante për të triumfuar kundër të gjitha gjasave, ajo që e futi në dhjetorin e vitit 1941, në një luftë të njëkohshme me Perandorinë Britanike, Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Një kombinim, të cilin ai mund ta kishte shmangur.
Lufta e mëtejshme ishte zgjedhja e tij. Ndër reflektimet e tij, të regjistruara në vitin 1945, pak para disfatës totale të Gjermanisë, ai deklaroi se fati i tij ishte i ngjashëm me atë të Napoleonit: “Ndoshta më mirë se kushdo tjetër, mund t’i imagjinoj shumë mirë vuajtjet që përjetoi Napoleoni. Ai dëshironte triumfin e paqes, e megjithatë ishte i detyruar të vazhdonte të bënte luftë, pa pushim”.
Si në rastin e Hitlerit, ashtu edhe të Napoleonit, nuk është e lehtë të kuptosh arsyetimin
që qëndron pas ambicieve ushtarake në dukje të pakufishme. Por ndërtimi dhe mbrojtja e perandorive të tyre si burim fuqie, shpjegoi edhe luftën e vazhdueshme që i karakterizonte.
Hitleri ua bëri të qartë njerëzve përreth tij në elitën politike dhe ushtarake, se ai nuk ishte i përgatitur të braktiste asnjë metër tokë që kishte pushtuar. Këto ishin luftërat e tij, dhe ai
ishte intolerant ndaj çdo lloj shenje dobësie apo disfatizmi midis atyre që i shërbenin.
Mungesa e realizmit në strategjinë e tij ushtarake, e çoi rregullisht në përplasje me komandantët e tij. Por ndërsa lufta vazhdonte, ai dëgjonte gjithnjë e më pak këshilla dhe mbështetej më shumë tek dora udhëzuese e hyjnores.
Sipas mendimit të tij, ai kishte qenë arkitekt i fitoreve të Gjermanisë. Prandaj vetëm ai do ta shpëtonte vendin nga perspektiva e humbjes. Në të kundërt, njëlloj si perandori i Romës Neroni, do ta çonte Gjermaninë drejt shkatërrimit të plotë.
Fuqia e Hitlerit, i detyrohej shumë zhvillimit të një kulti të personalitetit, i cili mbështeti jo vetëm autoritarizmin e tij të brendshëm, por edhe rolin e tij si “ushtari i parë” i Rajhut. Në lidhjen midis liderit dhe udhëheqjes që e rrethonte, kishte një element religjioziteti.
Herman Gëring, pasardhësi i zgjedhur i Hitlerit, u shpreh në një fjalim të vitit 1934: “Pikërisht në momentin kur kishte më shumë nevojë, Zoti i dha popullit gjerman shpëtimtarin e tij!”.
Në një shënim në ditarin e tij në vitin 1937, Hans Frank, më vonë guvernator i Polonisë së pushtuar, shkroi: “O Zot! Sa të lumtur na ke bërë që mund ta quajmë udhëheqësin tonë,
njeriun e vetëm më të madh të historisë botërore!”.
Disa teologë e mirëpritën Hitlerin si një “prani të hyjnores”, dhe ata e përkufizuan vullnetin e Hitlerit për pushtet si themelin e një jete të shëndetshme shpirtërore në Gjermaninë e re. Në atë kohë mbaheshin festime të veçanta për Ditën e Hitlerit (në ditëlindjen e tij më 20 prill), për përvjetorin e emërimit të Hitlerit si kancelar, dhe për “dëshmorët” e partisë të vrarë gjatë puçit
të 8 nëntorit 1923.
Përshëndetja universale, Heil Hitler, ishte një kujtim i përditshëm i statusit të veçantë të udhëheqësit. Të gjithë ushtarakët duhej të betoheshin për besnikëri personale ndaj Hitlerit si komandant suprem, në vend se të bënin betimin e mëparshëm për të mbrojtur atdheun: “Betohem në Zot për këtë betim të shenjtë se do t’i bindem pa kushte Fyhrerit”.
Gjatë sjelljeve teatrale në tubime dhe festimeve masive, Hitleri e vinte theksin tek imazhi i tij si një udhëheqës me një mision hyjnor. Ai shmangte pompozitetin e Napoleonit ose Aleksandrit, duke theksuar modestinë e veshjes dhe thjeshtësinë e jetës së tij të përditshme.
“Imagjinoni efektin që do të kishte... nëse do të më çonin nëpër rrugët e Mynihut me një karrocë të praruar”- i tha të ftuarve në një darkë, pasi kritikoi vendimin e Napoleonit për t’u bërë perandor. Megjithatë, ai është krahasuar rregullisht si me Aleksandrin ashtu edhe me Napoleonin, dhe nga kritikë më të ashpër me Xhengiz Khanin, Atila Hunin apo udhëheqës
të tjerë ambiciozë por shumë brutalë.
Hitleri kishte një ide të qartë se çfarë vendi mund të zinte në historinë botërore, e shprehur qartë në dëshirën e tij për të ndërtuar qytete të reja madhështore, për të rivalizuar Romën ose Greqinë e lashtë, rrënojat e të cilave tregonin 1.000 mijë vjet distancë kohore.
Nga Trondhaimi në Norvegjinë veriore, deri në qytetin e tij të lindjes Linz në Austri, Hitleri i projektoi qytetet e Fyhrerit si monumente për historinë e tij të jashtëzakonshme. Të gjitha u rindërtuan me kujdes në miniaturë dhe ruajtën në “Dhomën Model” të Kancelarisë së Rajhut për të ushqyer fantazinë e tij të pushtetit.
Hitleri, Napoleoni dhe Aleksandri, personifikuan atë që është quajtur për arsye të dukshme “udhëheqje shkatërruese”, duke imponuar qëllime pa ndonjë marrëveshje paraprake, apo pa marrë parasysh mirëqenien afatgjatë të atyre që pretendonin se përfaqësonin udhëheqësit.
Ndjekja e pakufizuar e rrugës së luftës si një manifestim material i fuqisë personale, është
në çdo rast rezultat jo vetëm i vullnetit individual, por edhe i gatishmërisë së ndjekësve për të pranuar udhëheqjen karizmatike dhe kostot që vijnë me të, së bashku me ekzistencën e rrethanave historike që bëjnë të mundur ofertën për udhëheqje.
Ky “trekëndësh toksik”, siç është përshkruar shumë qartë, është konteksti brenda të cilit
mund të lulëzojnë ambiciet arrogante. Dhe ky model udhëheqjeje, pasqyron një egoizëm të madh. Ekzistojnë pak prova se ndonjërit nga të tre, i ka ardhur keq për koston e qindra mijëra jetëve të sakrifikuara për ambiciet e tyre.
Napoleoni u përpoq ta kthente humbjen në Rusi në një pseudo-fitore, duke bërë publike kalimin dramatik të lumit Berezina me mbetjet e Grande Armée (ushtria e madhe), gjatë së cilës ai mezi i shpëtoi kapjes nga trupat ruse.
Por nga ana tjetër shfaqi pak shqetësim për pjesën tjetër të forcës së tij, e cila ishte vrarë gjatë tërheqjes. Hitleri u kthye në fund kundër popullit gjerman, për shkak të dështimit për të përmbushur pritshmërinë e tij, se fuqia e racës do ta bënte Gjermaninë të arrinte vendin e saj të merituar në botë.
I tërbuar nga inati, ai tha gjatë regjistrimit të një fjalimi për 20-vjetorin e puçit të Mynihut, më 8 nëntor 1943, se nuk do të derdhte lot nëse Gjermania do të mposhtej, sepse populli gjerman do të duhej të fajësonte vetëm veten.
“Në rast se populli gjerman nuk është i gatshëm të mbështesë vetë-ruajtjen e tij, kështu qoftë: atëherë ai duhet të zhduket!”- deklaroi Fyhreri. Pushteti i shfrytëzuar në një mënyrë cinike nga udhëheqësit për të zhvilluar luftëra në emër të një misioni hyjnor, është shkaku më i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm i luftës nga bota klasike deri në shekullin XX.
Pushteti për hir të pushtetit, nuk është e gjithë përgjigjja edhe në rastin e një lidershipi arrogant, megjithëse kjo qasje e dominoi ambicien e këtyre tre burrave. Duke shkruar jo shumë kohë pas përfundimit të luftërave të Napoleonit, gjenerali prusian Karl Von Klauzevic, arriti në përfundimin se ”lufta nuk është thjesht një akt i politikës, por një instrument i vërtetë politik, një vazhdim i marrëdhënieve politike me mjete të tjera”.
Ky pretendim shumë i vlerësuar, mund të thotë gjithçka ose shumë pak. Ai përdoret shumë pak për të kuptuar luftën si shprehje e arrogancës. Shumica e luftërave përgjatë historisë njerëzore, u zhvilluan për një sërë arsyesh, disa për qëllime të drejtpërdrejta politike, por shumë të tjera jo.
Dhe termi “politikë me mjete të tjera”, duket se e redukton luftën në një instrument të kufizuar të krijimit të shtetit, në kundërshtim me përdorimin masiv dhe të dhunshëm të burimeve që tregoi lufta edhe në kohën e vetë Klauzevicit.
Luftërat e zhvilluara qëllimisht për të forcuar pushtetin politik në kurriz të fuqive të tjera, edhe pse ka të ngjarë të kenë nga pas motive materiale ose ideologjike, përputhen më shumë me pikëpamjen e ushtarakut gjerman mbi funksionin e luftës në epokën moderne.
Megjithëse shpjegimi i saktë historik, është më i ndërlikuar se sa formula e tij e thjeshtë: ”Objektivi politik është qëllimi, dhe lufta është mjeti për ta arritur atë”. Lufta për pushtet, në kuptimin e Klauzevic, është bërë një argument i zakonshëm në diskutimin e shfaqjes së sistemit aktual shtetëror, i trajtuar më plotësisht në librin e Pol Kenedit “Ngritja dhe rënia e Fuqive të Mëdha”, botuar në vitin 1988.
Teza e tij se forca ekonomike dhe një aftësi ushtarake përkatëse, mund të shpjegojnë si ngritjen ashtu edhe rënien e fuqive të mëdha (por me sa duket edhe të shumë fuqive më të vogla) ishte e përshtatshme, ashtu si ajo e Klauzevic, për rendin ndërkombëtar që u zhvillua nga fundi i shekullit XVII e tutje në Evropë, dhe më vonë përfshiu edhe Shtetet e Bashkuara.
Luftërat midis shteteve të përcaktuara si fuqi të mëdha, janë klasifikuar si “luftëra hegjemonike”, në të cilat pretendimet për pushtet nga ana e një hegjemoni potencial (qoftë Franca e Luigjit XIV apo Gjermania e Vilhelmit II dhe Hitlerit) kontestohen përmes luftës nga fuqitë e tjera, duke çuar zakonisht në një rikalibrim të hierarkisë ndërkombëtare të pushtetit.
Nëse është e mundur, fuqitë e mëdha përpiqen të arrijnë një “ekuilibër fuqie” midis shteteve ose aleancave afërsisht të barabarta, dhe në këtë mënyrë ato arrijnë të shmangin ose e shtyjnë për më vonë një luftë të armatosur për pushtet.
Luftërat hegjemonike, ka të ngjarë të jenë një produkt i asaj që tani quhet teoria e tranzicionit
të pushtetit (PTT), në të cilën fuqitë në rritje, të pakënaqura me rolin e tyre në sistemin ndërkombëtar, ose fuqitë në rënie në ankth për të përjetësuar pretendimin e tyre për të qenë të parët, nisin luftën për pushtetin e tyre.
Teoria mbështetet tek matja efektive e “fuqisë”, pa të cilën nuk mund të verifikohet një tranzicion i pushtetit. Prandaj 50 vitet e fundit, janë bërë shumë përpjekje për kalibrimin e matjeve krahasuese të fuqisë, dhe rrjedhimisht edhe mundësisë për luftë.
Vlerësimi i fuqisë së një vendi lidhet më së shumti me Projektin Korrelacionet e Luftës të krijuar në Universitetin e Miçiganit në vitin 1963 nga politologu J.Dejvid Singer. Shumica e vlerësimeve të mëparshme ishin bazuar tek PBB-ja dhe normat e shpenzimeve ushtarake.
Ndërkohë projekti i Singer, krahasoi një masë më të gjerë të potencialit të fuqisë me indeksin e Treguesit të Përbashkët të Aftësisë Kombëtare (CINC), që sot është më i cituari. Treguesi bazohet në 6 parametra: popullsia totale, popullsia totale urbane, prodhimi i hekurit dhe çelikut, konsumi primar i energjisë, shpenzimet ushtarake dhe personeli ushtarak.
“Pikët” mblidhen, pjesëtohen me 6 dhe ofrojnë një renditje që tregon fuqinë relative. Kjo
lloj matje, mund të përdoret më pas për të treguar tranzicionet e fuqive me kalimin e kohës, kryesisht midis vendeve që ndodhen më lart në renditje, dhe për të sugjeruar se ato janë vendet e një konfliktit të mundshëm.
Burimi i preferuar për të dhënat e tranzicionit të pushtetit dhe luftës, është historiani klasik grek Tukididi, tregimi i të cilit mbi luftën midis Athinës dhe Spartës, sugjeron se fuqia athinase i tërhoqi enkas spartanët në një konflikt për të shpëtuar statusin e saj.
Termi i famshëm është “Kurthi i Tukididit”, i cili përshkruan vështirësinë e shmangies së luftës midis dy shteteve që janë rivalë për hegjemoni. Ai konsiderohet gjerësisht si një kurth i vështirë për t’u anashkaluar. Tukididi besonte se lufta midis dy qyteteve-shtete greke u bë “e pashmangshme”.
Ekzistojnë shumë të meta në matjen e potencialit të fuqisë në këtë mënyrë, dhe akoma më shumë kundërshtime nga historianët ndaj idesë se tranzicioni i pushtetit përfshin zakonisht luftën. Përdorimi i PBB-së si një masë vlerësuese është i padobishëm, sepse shtetet me popullsi dhe ekonomi shumë të mëdha, mund të renditen shumë lart edhe nëse janë të kufizuara aftësitë e tyre ushtarake.
PBB-ja për frymë, është zakonisht një tregues më i sigurt i fuqisë ekonomike. Edhe rezultatet e indeksit CINC, shoqërohen me gati të njëjtat kundërshtime (përveç faktit se shumë shtete që kanë aftësi të përparuara ushtarake, nuk prodhojnë më shumë hekur dhe çelik).
Burimet bruto si njësi matjeje, tregojnë shumë pak për efikasitetin me të cilin këto burime mund të mobilizohen në kohë lufte, dhe as nuk marrin parasysh ndarjen e pushtetit përmes aleancave, gjë që e ndryshon ndjeshëm aftësitë e fuqive.
As shifrat bruto për shpenzimet ushtarake dhe madhësinë e forcave të armatosura nuk thonë shumë për kapacitetin operativ, taktik dhe teknik të forcave në dispozicion. Natyra dhe shkalla e militarizimit, janë një masë më e mundshme e mundësisë për një luftë, veçanërisht nëse ato gjenerojnë një garë armatimesh midis shteteve me kapacitet ushtarak dhe industrial afërsisht të barabartë.
Vlerësimet bruto të burimeve vendase, e nënvlerësojnë gjithashtu shtrirjen globale të një fuqie të madhe. Shtetet e Bashkuara kanë baza ushtarake të shpërndara në të gjithë botën, dhe investimet dhe pronësia amerikane jashtë vendit kanë prodhuar shifrën e jashtëzakonshme: 41 për qind e pasurisë globale familjare, është sot në duart e amerikanëve.
Teoria e tranzicionit të pushtetit, është e vështirë që të vërtetohet historikisht. Ajo presupozon që një fuqi hegjemonike do të sfidohet nga një fuqi e vetme në rritje. Kur kjo e fundit arrin një përqindje të caktuar të rezultatit që duhet të ketë një fuqi hegjemonike, lë të themi 80 për qind, atëherë shteti në rritje, mund t’i drejtohet konfliktit për ta vënë në rrezik e fuqisë së njohur hegjemonike.
Megjithatë, dy shembuj kryesorë tregojnë një panoramë krejtësisht të ndryshme. Fuqia hegjemoniste e Perandorisë Britanike në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u sfidua nga ngritja e Shteteve të Bashkuara, PBB-ja e të cilës u barazua me atë të Britanisë së Madhe në vitet 1870, dhe e tejkaloi atë në vitet 1890.
Por edhe pse marrëdhëniet midis dy shteteve ishin shpesh të brishta dhe armiqësore, nuk pati asnjë konflikt mes tyre. Madje në shekullin XX, dy demokracitë ishin aleate gjatë gjithë periudhës së rënies relative ekonomike dhe ushtarake të Britanisë dhe ngritjes së Shteteve të Bashkuara në statusin e një superfuqie.
Në periudhën pas vitit 1945, Shtetet e Bashkuara u sfiduan nga Bashkimit Sovjetik. Të dhënat e CINC, treguan më vonë një epërsi ndaj Amerikës, pra në vitet 1950-1960, edhe pse PBB-ja sovjetike nuk e tejkaloi kurrë nivelin e vetëm 45 për qind të asaj që e kishte rivalja e saj.
Nga mesi i viteve 1990, të dhënat e CINC treguan se Kina i kishte kapërcyer Shtetet e Bashkuara, por në të dyja këto raste moderne nuk pati asnjë konflikt ushtarak. Në fakt, shumë luftëra moderne përfshinin një fuqi të madhe që zgjidhte të sulmonte një fuqi shumë më të dobët, duke nxitur ndërhyrjen e fuqive të tjera të mëdha.
E tillë ishte lufta e Austro-Hungarisë kundër Serbisë në vitin 1914, dhe lufta e Gjermanisë ndaj Polonisë në vitin 1939, të cilat u përshkallëzuan në luftëra botërore. Por asnjëri shkaktar nuk mund të shpjegohet me teorinë e tranzicionit të fuqisë.
Ka shumë raste kur një fuqi më e dobët sfidon një hegjemon, edhe kur vendimi nuk ka pasur kuptim për sa i përket krahasimit të burimeve. Një rast i tillë është Japonia që sulmoi dhe mposhti Kinën perandorake në vitin 1894, Perandorinë cariste Ruse në vitin 1905, dhe më pas
në vitin 1941 nisi një luftë krejtësisht të pa fitueshme kundër Shteteve të Bashkuara.
Në të kundërt, askush nga ata që përdor të dhënat e CINC, do të kishte parashikuar suksesin e Vietnamit apo të rebelëve algjerianë kundër Francës. Fuqia në konfliktet moderne, përfshin faktorë të pa konkurrueshëm, të cilat kanë shumë pak të bëjnë me vlerësimin e fuqisë së mundshme të një kundërshtari, gjë që ka qenë diçka shumë e vështirë.
Një nga tranzicionet e pushtetit, për të cilin po diskutohet më shumë në gjirin e komunitetit të ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, është potenciali për një luftë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Njëra një fuqi hegjemonike në rënie relative (kështu pretendohet të paktën), dhe tjetra në pritje për t’u bërë e tillë.
Ky potencial për konflikt, e ka zëvendësuar analizën mbi “unipolaritetin” e viteve 1990 pas shembjes së bllokut sovjetik. Në vitet e para pas 1991, udhëheqësit amerikanë supozuan se Shtetet e Bashkuara ishin fuqia e vetme globale dhe duhej të mbetej e tillë.
Drafti mbi “Udhëzimin për Planifikimin e Mbrojtjes”, i hartuar nga Pentagoni në vitin 1992, arriti në përfundimin se “SHBA-ja duhet të ruajë mekanizmat për t’i penguar konkurrentët e mundshëm që të aspirojnë ndonjëherë për një rol më të madh rajonal ose global”.
Megjithëse kjo frazë u hoq nga varianti përfundimtar i dokumentit, ndjenja mbeti. Presidenti Xhorxh H.Ë.Bush shpalli po atë vit një “rend të ri botëror”, të dominuar nga Shtetet e Bashkuara. Shqetësimi se Gjermania dhe Japonia, dy ekonomitë e ardhshme më të mëdha, mund të rizbulonin ambiciet e tyre të mposhtura për t’u bërë fuqi hegjemonike, nxiti përpjekje të reja për të siguruar që asnjëra prej tyre të mos armatosej me armë bërthamore.
Dëshmitë për unipolaritetin nuk ishin askund më të dukshme sesa në statistikat e shpenzimeve ushtarake botërore, ku në vitin 1998, Shtetet e Bashkuara i tejkaluan të vetme shpenzimet e pjesës tjetër të botës. Edhe pse në sistemin ndërkombëtar, ekzistojnë mënyra të tjera të ushtrimit të “pushtetit”, është fuqia ushtarake në të gjitha format e saj të shumta, ajo që përcakton në fund të fundit rrezikun e luftës.
Rritja e fuqisë ekonomike dhe ushtarake kineze, duhet të jetë një rast klasik i teorisë së tranzicionit të pushtetit. Nga një pozicion modest në vitet 1980, PBB-ja e Kinës ka përjetuar rritje eksponenciale që nga vitet 1990. Rezultati ka qenë një tepricë më e madhe për investimet tek burimet ushtarake.
E dyta vetëm pas Shteteve të Bashkuara në aspektin e PBB-së, dhe në shpenzime ushtarake që nga viti 2014, Kina duhet të jetë në teori shumë e pakënaqur me pozicionin e saj të fuqisë në raport me Shtetet e Bashkuara, për të mos e menduar luftën si një mjet për të ndryshuar sistemin ndërkombëtar në favor të Kinës.
Ndërkohë, për të mbrojtur pozitën e saj ndërkombëtare, SHBA-ja duhet të mendojë të nisë luftën kundër Kinës. Mediat në Perëndim, janë të fiksuara pas mundësisë së luftës midis dy fuqive, që është në thelb për vetë çështjen e pushtetit, edhe pse burimet kineze kanë shfrytëzuar perceptimin e rënies amerikane dhe rritjes së Kinës.
Në debat është përfshirë edhe një autor i lashtë si Tukididi. Politologu i Universitetit të Harvardit, Graham Elison, argumenton në librin e tij “Të dënuar të hyjnë në luftë: A mund ta shmangin Amerika dhe Kina Kurthin e Tukudidit?”, botuar në vitin 2015, se lufta ka më shumë gjasa të ndodhë sesa jo.
Libri është e mbushur me shembuj nga epokat e kaluara, që janë risjellë enkas për çdo studiues kureshtar. Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar publikisht se është e rëndësishme të shmanget rënia në këtë grackë, duke pasur parasysh publicitetin që gëzon tani ndërkombëtarisht ky koncept.
Opinioni midis studiuesve, është shumë i ndarë se sa seriozisht duhet marrë rreziku i luftës tani që unipolariteti duket se po zëvendësohet nga multipolariteti, i cili mund të sigurojë ose jo një platformë të qëndrueshme për një rend të ri global.
Kina mund të shihet si një fuqi e madhe rajonale por jo si një fuqi globale, ku tranzicioni i pushtetit ndikon vetëm tek kushtet ndërkombëtare në Azi. Kësisoj, përmban një rrezik më të vogël për një konflikt të tranzicionit të pushtetit, përveçse në rastin e statusit të Tajvanit, i cili ka pasoja më të gjera ndërkombëtare.
Vlerësimi kritik i potencialit real ekonomik dhe ushtarak të Kinës, ka treguar se ekziston ende një hendek shumë të madh midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në aspektin ushtarak, dhe një hendek akoma më të gjerë midis Shteteve të Bashkuara dhe të gjitha fuqive të tjera të mëdha
Prandaj të flasësh për tranzicion pushteti në këtë rast, është në rastin më të mirë e parakohshme, dhe në rastin më të keq një provokim i pamenduar. I gjithë diskutimi rreth një konflikti të mundshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, bazuar në llogaritjet e fuqisë, ngre pikëpyetjen nëse është e konceptueshme një luftë në shkallë të plotë midis fuqive aktuale bërthamore.
Në vitin 2019, strategu britanik Lorenc Fridman, arriti në përfundimin se lufta midis fuqive
të mëdha është një dukuri e së kaluarës, sepse rreziqet e përshkallëzimit të shpejtë drejt një lufte bërthamore, nënkuptojnë se kostot e luftës tejkalojnë gjithmonë çdo lloj përfitimi të mundshëm, një realitet i trishtë me të cilin fuqitë e mëparshme hegjemonike nuk ishin të detyruara që të përballeshin.
Ndërkohë, sot fuqitë e mëdha përdorin luftërat me delegim ose sanksionet, dhe jo shkatërrimin e ndërsjellë. Ky përfundim, bazohet në supozimin se burrat e shtetit modernë janë aktorë të arsyeshëm. Bazuar në provat historike të së kaluarës, ngjan më e mundshme që lufta për pushtet të lindë sërish nga lidershipi arrogant, shfaqja dhe efektet e të cilit janë po aq të vështira për t’u parashikuar sa ishin dikur me Napoleonin dhe Hitlerin.
Ose mund të lindë nga reagimi i një udhëheqësi ndaj një krize të brendshme, humbja e vlerësimit ndërkombëtar, perceptimi i një kërcënimi, real ose jo; ose duke mobilizuar mbështetjen e brendshme përmes retorikës nacionaliste, apelit emocional, frikës dhe pakënaqësive.
Pavarësisht nga teoria e tranzicionit të pushtetit, nuk ekziston asnjë mjet empirik apo teorik për të parashikuar gjasat e sakta të luftërave për pushtet. Megjithatë duket se s’ka asnjë arsye të supozohet se ato nuk do të ndodhin më, madje edhe midis fuqive të mëdha.
Përdorimi i fuqisë statistikore, për të llogaritur se kur ose ku mund të ndodhë një luftë e tillë, duhet të mbetet në fushën e spekulimeve imagjinative. Pushteti, ka dëshmuar se është një koncept i vështirë për t'u përdorur në analizimin e shkakut të luftës.
Jo vetëm që mund të ushtrohet në mënyra të ndryshme shtrënguese, por përveç luftës - përmes presionit ekonomik, dominimit kulturor, madje edhe në zbatimin e paqes - koncepti në vetvete përshkruan mjetet dhe jo qëllimet. Një marrëdhënie pushteti, ekziston në të gjitha format e luftës, qofshin ato agresive apo mbrojtëse.
Por ai flet shumë pak për motivet që shkaktuan ushtrimin e pushtetit. Sepse janë këto motive, dhe jo fakti i thjeshtë i pushtetit, ato që janë shkaqet më të sakta të konfliktit. Fuqia, dhe në veçanti ajo ushtarake, mund të nxisë ndërmarrjen e veprimeve të rrezikshme, nëse agresori percepton, gabimisht ose me të drejtë, një çekuilibër në favor të tij që premton kosto më të ulëta për luftën.
Në këtë kuptim, lufta për pushtet, qoftë nga fiset, federatat, principatat apo shtetet, është e njohur në shumicën e konteksteve dhe rajoneve gjeografike. Por shumica e këtyre luftërave, do të jenë ende për tokë, pasuri, plaçkë, burime, për të mbrojtur ose promovuar besimet, ose në ndjekje të lavdisë dhe vlerësimit, çështje që u trajtua në kapitujt e mëparshëm.
Përjashtimet nga luftërat që kanë motive materiale ose ideologjike, mund të gjenden në ndërtimin e perandorive të mëdha botërore. Në këtë rast, ndjekja e pushtetit zhvillon dinamikën e vet bazuar në shtysat e brendshme, siç ishte pikëpamja romake se lufta ishte vullnet i Perëndive dhe kryhej për t’u sjellë famë dhe nder atyre përfshiheshin në të.
Roma duhej të vazhdonte të zgjerohej për të konfirmuar vetë-imazhin e saj si shprehje e fuqisë ose “të drejtës për të komanduar”. Varianti tjetër i luftës për pushtet, lufta arrogante, e zhvilluar nga një individ i fuqishëm për të rritur statusin dhe reputacionin e tij, pavarësisht kostos, është një dukuri historikisht e rrallë.
Kjo është arsyeja pse kaq shumë vëmendje i është kushtuar të kuptuarit se çfarë e shtyu Aleksandrin, Napoleonin dhe Hitlerin jo vetëm që të bënin luftë, por edhe ta vazhdonin atë
për vite me radhë, pa njohur kufijtë kur këto kishin një kuptim të arsyeshëm.
Hitleri e dinte shumë mirë dështimin e Napoleonit në Rusi, por mendonte se do të bënte më mirë. Aleksandri donte të imitonte dhe më pas të kalonte reputacionin e Herakliut, i cili nuk kishte arritur të pushtonte Indinë. Nëse Vladimir Putin e sheh veten si Pjetri i Madh në përpjekjen për të pushtuar Ukrainën, kjo mbetet për t’u zbuluar.
Por këto janë pa asnjë diskutim motive që drejtohen së pari nga pushteti, dhe në rastet kryesore historike, lufta ka përfunduar me humbje dhe jo me fitore. Ndjekja e pushtetit përmes luftës, sado joshëse që mund të jetë për një udhëheqës ambicioz, mund të jetë shumë shpesh vetë-shkatërruese.
Kapitulli VIII
Siguria
“Megjithëse nuk ka pasur kurrë një periudhë, kur njerëz të veçantë të kenë qenë në gjendje lufte kundër njëri-tjetrit, në çdo epokë, mbretërit dhe njerëzit me autoritet sovran, janë për shkak të pavarësisë së tyre në një xhelozi të vazhdueshme dhe në pozitën e gladiatorëve, me armët e drejtuara dhe sytë e fiksuar tek njëri-tjetri. Pra me fortesat, garnizonet dhe topat e
tyre në kufijtë e mbretërive të tyre”
(Tomas Hobs, Leviatani, 1651)
Në diskutimet që bëhen mbi luftën, ekziston një zakon i vazhdueshëm për ta konsideruar pikëpamjen e Hobsit mbi natyrën dhe pasigurinë e ekzistencës njerëzore, si një shpjegim për këtë dukuri.
Ai e përcaktonte jetën në një gjendje natyrore si “të vetmuar, të varfër, të keqe, të egër dhe të shkurtër”, sepse askush nuk mund të ishte i sigurt për sigurinë e tij. Madje edhe në një sistem mbretërish apo shtetesh, “xhelozitë e vazhdueshme” midis tyre, provokuan një “qasje luftarake”.
Hobs besonte se edhe një periudhë e përkohshme sigurie, do të dëmtohej nga mosbesimi i vazhdueshëm ndaj armiqve të mundshëm, i mjaftueshëm për të provokuar edhe më tej “luftë midis tyre”. Siguria për individët ose për politikën, nënkupton gjithmonë pasigurinë e dikujt tjetër, duke inkurajuar një raund të ri konkurrence të dhunshme për të rifituar sigurinë.
Hobs nuk ishte një mbështetës i luftës. Ai synonte të shpjegonte pse ndodh ajo, dhe jo ta miratonte atë. Në fakt ligji themelor i natyrës i teorizuar prej tij, synonte “të kërkonte paqen dhe ta ndiqte atë”. Vetëm kur paqja nuk mund të sigurohej, njerëzit gëzonin të drejtën për të përdorur “përparësitë e luftës” për t’u mbrojtur kundër kërcënimit.
Shkolla moderne neo-realiste e studimeve të sigurisë, përdor ende një model hobsian të gjendjes natyrore, për të shpjeguar arsyen pse shtetet duhet të jenë në gatishmëri të vazhdueshme për të mbrojtur sigurinë e tyre.
Paktet e sigurisë, mund të ndihmojnë në shmangien e konfliktit, edhe pse as Lidhja e Kombeve dhe as Kombet e Bashkuara që e pasoi, nuk kanë qenë tërësisht të suksesshme në këtë detyrë. Bota moderne, është e armatosur masivisht kundër çdo lloj kërcënimi që shfaqet ndaj sigurisë, si të jashtëm ashtu edhe të brendshëm.
Kjo qasje agresive, provokoi dy konflikte globale gjatë shekullit të kaluar. Prandaj, po i kushtohen kaq shumë përpjekje aktualisht kuptimit të sigurisë dhe historisë së saj të brishtë. Sigurisht, është e drejtë të thuhet, se qytetet dhe shtete gjatë historisë, kanë ekzistuar në një gjendje natyrore hobsiane.
Komunitetet individuale - qofshin fise, principata, mbretëri, perandori apo shtetet moderne - kanë një interes të përhershëm për të mbrojtur veten nga kërcënimi, sepse nuk ka asnjë burim
të përbashkët fuqie që të garantojë që siguria e territorit dhe e njerëzve, nuk do të cënohet nga ndonjë formë lufte.
Konflikti mund të shmanget dhe siguria të rritet përmes aleancave ose traktateve ose bashkëpunimit institucional, por faktor kritik mbetet çështja e besimit për qëllimet e të tjerëve. Siç e vuri në dukje edhe Hobs, në një gjendje natyrore, ai që mbizotëron është interesi vetjak dhe jo interesat e të tjerëve.
Edhe aty ku shfaqet një shtet i fortë hegjemon, është e mundur që një kombinim i më të dobtëve ta rrëzojë hegjemonin, por konkurrenca midis tyre për sigurinë vazhdon si më parë.
Sipas njërit prej figurave kryesore në shkollën e “realistëve ofensivë”, Xhon Mershaimer, “mënyra më e mirë që një shtet të mbijetojë në anarki, është të përfitojë nga shtetet e tjera dhe
të fitojë pushtet në kurriz të tyre”.
Objektivi nuk është pushteti në vetvete, por një siguri më e madhe. Rrjedhimisht, një gjendje e natyrës është vazhdimisht e pranishme, dhe në një moment ndoshta në një fazë ekuilibri, por gjithmonë me premtimin e pasigurisë. Në fakt, një ndjenjë e madhe pasigurie ka çuar dhe
mund të çojë në një luftë parandaluese për të frenuar një armik të mundshëm.
Aty ku veprimet shtetërore drejtohen nga ankthi, dyshimi ose frika, theksohet në argumentimin modern, atëherë konflikti është një mundësi gjithmonë e pranishme. Ky “realizëm i perceptimit të gabuar”, sikurse është quajtur, “është një motiv i kudondodhur për të zhvilluar luftë”.
Në një gjendje anarkie hobsiane, çdo shtet, ashtu si çdo njeri, kërkon pushtet për të parandaluar humbjen e sigurisë. Dhe pushteti, sipas njërit prej mendimtarëve të parë realistë modernë, holandezo-amerikanit Nikolas Spajkman, është “tek e fundit aftësia për të zhvilluar një luftë të suksesshme”.
Mund të argumentohet fare mirë se dilema e sigurisë, siç përkufizohet sot, ka ekzistuar gjithmonë gjatë parahistorisë dhe historisë, edhe nëse gjuha teorike për përcaktimin e saj
është një shpikje e kohëve moderne.
Problemet e besimit, pasigurisë dhe kërcënimit, ishin po aq reale për mbledhësit e ushqimeve dhe gjuetarët e hershëm, sa edhe në një sistem të mëvonshëm të shteteve kombëtare. Përdorimi i dhunës për të zhdukur një kërcënim të perceptuar, apo për të frenuar ankthin mbi motivet e një klani ose fisi fqinj, mund të vërtetohet nga etnografia moderne.
Por ai duhet të ketë vepruar thellë në të kaluarën. Kërkimi për siguri, sado e përkohshme qoftë, është i pranishëm në një farë mase në thuajse çdo përballje luftarake, dhe është i lidhur me dëshirën për të mbrojtur një territor dhe një popull të caktuar, qoftë i përcaktuar me pak saktësi si në të kaluarën, apo edhe si një vijë ndarëse e qartë si në të tashmen.
Një përllogaritje, sugjeron se 73 për qind e të gjitha konflikteve etnike ndërmjet viteve 1940- 2000, kanë ndodhur mbi kufijtë territorialë të kontestuar. Një tjetër sugjeron se 65 për qind e të gjitha luftërave midis dy shteteve kundërshtare, nga viti 1815 deri në vitin 1945, kishin të bënin me mosmarrëveshjet mbi territorin.
Megjithatë, një grup i tretë të dhënash, të prodhuar nga projekti “Correlates of War”, tregon se 80 për qind e luftërave ndërshtetërore të zhvilluara që nga viti 1815 e tutje, ndodhën midis vendeve fqinje. Shifra për periudhën 1648-1814, ishte 91 për qind.
Të qenit dy vende fqinje, nuk të çon domosdoshmërisht në luftë, megjithatë ajo është e përqendruar në masë të madhe midis shteteve që janë fqinje, dhe për të cilët siguria ka të ngjarë të jetë më e brishtë. Kufijtë midis politikave ose etnive të ndryshme, kanë qenë për arsye të dukshme zona potenciale pasigurie dhe konflikti.
Ndarja e kufirit me dikë tjetër, nuk ka qenë një garanci për sigurinë, dhe shumica e luftërave kanë ndodhur midis komuniteteve ose shteteve të afërta, ku ato nuk mbrohen nga kufijtë natyrorë. Siç e bëri të qartë Hobsi, paqëndrueshmëria e kufirit është njohur prej kohësh si një faktor rreziku.
Mëkëmbësi britanik i Indisë, Lordi Kërzon, zgjodhi “kufijtë” si temën leksionit të tij mbi romakët në Universitetin e Oksfordit në vitin 1907. Ato ishin, pohoi ai, “tehu i briskut në të cilin vareshin pezull çështjet moderne të luftës ose paqes”.
Arnold Tojnbi, autor në mesin e shekullit XX i 6 vëllimeve me titull “Studimi i historisë”, që flasin mbi çdo qytetërim të njohur deri më sot, arriti në përfundimin se kufijtë ishin shkaku kryesor i luftës, ndërsa shtetet i shkelnin dhe viktimat e tyre i mbronin ato.
Nikolas Spajkman, e përcaktoi kufirin si një zonë me “rëndësi jetike”, ku u bënë bashkë strategjia dhe gjeografia, dhe ndërsa udhëheqësit kërkuan një mënyrë për të mbrojtur sigurinë e shtetit kundër agresorëve të mundshëm.
Shfaqja e shtetit kombëtar të pavarur në të gjithë globin që nga viti 1945 e në vazhdim, e ka bërë një fenomen universal mbrojtjen e sigurisë territoriale. Por ajo ka ka prodhuar gjithashtu edhe vatra të nxehta, aty ku territori i kufizuar është i diskutueshëm ose ku kufijtë rezultojnë të jenë lehtësisht të përshkueshëm nga fqinjët.
Këto janë në shumë raste mosmarrëveshje që bëhen të pazgjidhshme, edhe kur territori i përfshirë nuk është shumë me vlerë sa i përket burimeve dhe i domosdoshëm nga pikëpamja strategjike. Mosmarrëveshjet mund të jenë simbolike, ose një mjet për t’u sinjalizuar të tjerëve reputacionin e të qënit të fortë.
Aty ku përplasjet kanë qenë me një fraksion etnik të bllokuar në një anë tjetër të kufirit, studimet kanë sugjeruar një mundësi shumë më të lartë për një konflikt të armatosur. Sido që të jetë shënuar, kufiri nuk shkakton luftë drejtpërdrejt.
Përkundrazi, janë depërtimet nga përtej kufirit të nxitura nga motivet e pushtimit të territorit, bastisjeve për plaçkë, për të kënaqur ambiciet irredentiste, ose thjesht si një mjet për të rritur sigurinë, ato që shpjegojnë arsyen pse frika nga shkelja e kufijve, ka qenë dhe mbetet ende një çështje qendrore e sigurisë së shteteve.
Nuk mungojnë dëshmitë arkeologjike dhe etnografike, të cilat tregojnë sesi komunitetet parahistorike kanë reaguar ndaj kërcënimit të pasigurisë. Një nga mënyrat, ishte pranimi reciprok i një zone tampon midis komuniteteve fisnore, një tokë e askujt, ku asnjëra palë
nuk do të gjuante apo mblidhte ushqim, dhe të cilën nuk do ta shkelte asnjëra palë.
Arkeologët kanë identifikuar një zonë të pabanuar midis qyteteve në Oaksaka, Meksikën Jugore, që daton midis viteve 700-500 Para Erës Sonë, e cila ka shumë të ngjarë të shërbente për t’i mbajtur ata larg komunitetet rivale, megjithëse bastisjet duket se ende nuk kishin ndodhur.
Në Luginën e Misisipit 500 vjet para mbërritjes së evropianëve, ka pasur zona tampon
deri në 30 kilometra distancë midis principatave. Edhe pse në këtë rast, kufijtë mbetën të paqëndrueshëm dhe dhuna endemike minonte çfarëdolloj sigurie të dobët që supozohej të ofronin ato.
Arkeologjia në Evropë, ka gjetur gjithashtu prova të zonave territoriale neutrale midis fermerëve që u zhvendosën nëpër Evropën kontinentale në mijëvjeçarin VII dhe VI Para
Erës Sonë dhe komuniteteve të gjuetarëve-mbledhës në veri dhe perëndim të kontinentit.
Megjithatë, ekzistenca e rreth 100.000 vendbanimeve të vogla në Evropën e Epokës së Neolititit, e bëri të pamundur që territori të përcaktohej qartë apo të parandalohej konflikti midis tyre.
Mënyra tjetër për të forcuar sigurinë, ishte ndërtimi i barrierave fizike ndaj kërcënimeve të mundshme. Komunitetet para-shtetërore ndërtuan fortifikime, shpeshherë të përmirësuara nga mbrojtja e barrierave natyrore të maleve, lumenjve ose tokës moçalore (shih kapitullin III). Ndërsa dhuna u bë më e përhapur në Rrafshnaltat e Mëdha Amerikane pas migrimit të fiseve nga lindja në shekujt XIII-XIV, fortifikimi i komuniteteve lokale u përhap gjerësisht, me kanale dhe pallate prej druri që plotësonin vendbanimet me tipare gjeografike më pak të depërtueshme.
Në këto linja ndarëse fisnore, fortifikimi përbënte një sfidë për agresorët, por ai nxiste gjithashtu edhe fillimin e konflikteve. Sot ka dëshmi të bollshme të fortifikimit në zonat e Evropës së Epokës së Neolitit, ku migrimi dhe konkurrenca për tokë dhe burime, krijuan pasiguri të vazhdueshme në kufijtë midis kulturave të ndryshme.
Kërkimi mbi mënyrat e forcimit së mbrojtjes, u përhap në pjesën më të madhe të Evropës në periudhën nga rreth vitit 6500 deri në vitin 1000 Para Erës Sonë. Megjithatë, ai ishte më i dukshëm në Evropën Lindore, Qendrore dhe në Ballkan, ku popujt ishin të detyruar të përballeshin me një migrim agresiv nga fise dhe popujt e ardhur nga stepat e Evropës Lindore.
Në Epokën e Bronzit, kultura e popullit Kastro në Spanjës Veriperëndimore, u përpoq të përdorte fortifikimet dhe topografinë e padepërtueshme për të arritur izolimin e saj pothuajse të plotë gjeografik nga rajonet ndërluftuese përreth saj. Në Afrikën Perëndimore, fortifikimi u përhap gjerësisht në shekujt para mësymjes të kolonizatorëve evropianë në kontinent.
Mbretëria e Beninit në Afrikë, u mbrojt fillimisht nga një mur përreth pallatit që kishte një lartësi mesatare prej 17 metrash. Më pas në mbarë mbretërinë, u ndërtua një sistem fortifikimesh rrethore, me një gjatësi të jashtëzakonshme prej 16.000 kilometrash, për t’i ofruar siguri të gjithë territorit të mbretërisë dhe fshatrave të tij.
Kufiri në Nigerinë e sotme midis mbretërisë së Vjetër Ojo Joruba dhe mbretërisë Nupe, ishte një zonë kufitare klasike. I ndërtuar në shekujt XVI-XVII, kufiri përbëhej nga barriera prej dheu dhe guri me lartësi të konsiderueshme, dhe me posta më të vogla ushtarake përgjatë kufirit me mbretërinë Nupe, në një zonë ku mund të gjendeshin aleatë midis krerëve vendas të fiseve për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit nga pushtimet armiqësore.
Shembulli afrikan, daton nga një periudhë kur shteti ishte bërë në një mënyrë a tjetrën forma e zakonshme e organizimit politik në pjesën më të madhe të Botës së Vjetër dhe në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Në fakt, një nga arsyet për krijimin e qyteteve më të mëdha dhe më të organizuara, ishte padyshim siguria më e madhe.
Pasi një forcë ushtarake më e organizuar, do ta mbronte një zonë gjeografike në një mënyrë më efektive, sesa mund të mbronin veten klanet ose fiset e shpërndara. Por kjo ishte një siguri relative në rastin më të mirë. Pasiguria ndikoi në shtyrjen e shteteve të Kinës së mijëvjeçarit I drejt konfliktit të përhershëm në periudhën e të ashtuquajturave Shtete të Pranverës dhe Vjeshtës apo të Shteteve Ndërluftuese pak më vonë.
Periudha klasike në Lindjen e Mesme dhe Evropë, u ndërpre nga shembja e shteteve, siguria e të cilave u shkatërrua nga të tjerët përtej kufirit. Perandoria Asiriane, ishte në kulmin e saj më e fuqishmja e krijuar deri në atë moment.
Por në kufirin e saj verior në Irakun dhe Turqinë e sotme, kishte një kërcënim të vazhdueshëm nga mbretëria Urartu. Kufiri nuk ishte i fiksuar gjeografikisht si një kufi modern, por asirianët ndërtuan një zonë kufitare për të parandaluar kalimin e njerëzve që ata i konsideronin barbarë. Kur Urartu-t nisën që të migronin në luginat e sipërme të lumit Tigër, mbreti asirian, Tiglath-Pileser III, i mposhti ata në betejë në vitin 738 Para Erës Sonë. Ai e stabilizoi kufirin me një rrjet fortesash, dhe krijimin e një zone tampon të mbushur me aleatë fisnorë dhe vasalë, për
ta mbajtur në distancë armikun kryesor.
Kufiri shërbeu mjaftueshëm mirë për një periudhë afatshkurtër, por ishte shumë i depërtueshëm për t’i mbajtur barbarët larg, dhe në vitin 600 Para Erës Sonë Asiria u shemb si perandori. Shembulli asirian, thekson vështirësinë e përballimit të migrimeve masive, kryesisht nga Euroazia, të cilat mposhtë çdo forcë të kulturës ose të kufijve ushtarakë të Evropës së
brishtë apo në Lindjen e Mesme.
Në Euroazi, kufijtë kishin pak kuptim në kohën kur nomadët kalorës nisën që të dominonin
stepën. Ata përbënin një kërcënim të përhershëm për sigurinë për fqinjët e tyre, që jetonin në vendbanime të përhershme, për shkak të bastisjeve të vazhdueshme për ushqim, bagëti dhe gra, apo për shkak të pushtimeve në një shkallë më të madhe, të cilat i çuan kulturat e konsoliduara drejt Perëndimit ose i eliminuan tërësisht.
Fiseve nomade, u mungonte një strukturë shtetërore e vendosur dhe ata luftonin si midis tyre, ashtu edhe kundër fiseve të tjera të vendosura në një territor të caktuar. Në këtë kontekst, pasiguria ishte një fakt i jetës për ata që i nënshtroheshin sulmeve të rregullta ose pushtimeve më të mëdha.
Por edhe për krerët e fiseve në stepë, të cilat luftonin për pushtet në një mjedis që ishte në thelb anarkik. Siguria në aspektin e mbrojtjes nga dhuna ushtarake, imponimi dhe shfrytëzimi ekonomik, ka qenë vetëm kalimtare për pjesën më të madhe të historisë.
Kufijtë ishin në shumicën e rasteve të pakuptimtë, si një pengesë për luftën apo si një burim mbrojtjeje. Territori ndërronte duar me një rregullsi të parashikueshme, ndërsa lufta i shkeli vazhdimisht kufijtë konceptualë midis politikave dhe kulturave.
Përjashtimet nga ky rregull, ishin dy perandoritë territoriale me mbijetesën më të gjatë: Perandoria Romake, e cila zgjati për më shumë se 1500 vjet në një formë ose në një tjetër, dhe Perandoria Kineze, e cila rezistoi për më shumë se 2.000 vjet.
Në të dyja këto raste, ekzistonte një tension i vazhdueshëm midis kërkimit të sigurisë perandorake, dhe pasigurisë së krijuar nga mbrojtja shekullore e një kufiri të gjatë dhe të pambrojtur. Historia e kufirit kinez, është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme falë një rritjeje të konsiderueshme të kërkimeve arkeologjike rreth kufirit të gjatë që ndante shtetet e hershme kineze, dhe pastaj perandorinë e centralizuar, nga shoqëritë nomade të stepave veriore dhe lindore në Mongolinë e sotme, Mançurinë dhe Rusia Lindore.
Ndërveprimi mes të dyve, që ishte jo gjithmonë i dhunshëm, mund të gjurmohet të paktën që në shekullin VII Para Erës Sonë. Në stepa e kohëve të lashta, pati dhe zhvillime sporadike të bujqësisë, por ndryshimet klimatike e ndryshuan modelin e vendbanimeve, duke krijuar komunitete kryesisht nomade të varura nga kafshët për ushqim.
Nomadët u bënë kalorës kuajsh në shekullin IV Para Erës Sonë, duke e përshtatur luftën me lëvizjen e tyre të re dhe përbërë një kërcënim të madh për shtetet veriore kineze, kur nomadët zgjidhnin që të sulmonin. Marrëdhënia midis dy botëve shumë të ndryshme, diktohej nga tregtia.
Nomadët kishin nevojë për drithëra, çaj, mallra hekuri dhe rroba; ndërsa tregtarët kinezë
merrnin prej tyre gëzofë, kuaj (për njësitë e kalorësisë të themeluara enkas për të luftuar nomadët) dhe bagëti. Gjatë qindra viteve, marrëdhënia midis tyre bazohej tek pasiguri
të ndryshme.
Shtetet kineze, ishin në ankth për të parandaluar pushtimin nga ata që i konsideronin
barbarë, ndërsa nomadët ishin të pasigurt për furnizimet nga Kina me mallra, të cilat ishin thelbësore jo vetëm për jetën e përditshme, por edhe për fuqinë e prijësve vendas, të cilët i shpërndanin produktet për të ruajtur paqen brenda komunitetit nomad.
Kur tregtia ndërpritej për çfarëdolloj arsye, nomadët iu drejtuan forcës për të siguruar atë që dëshironin me bastisje dhe plaçkitje. Kur ndodhnin sulmet, shtetet kineze u kundërpërgjigjën
ose duke u përpjekur të blinin paqen me para dhe mallra, ose duke u angazhuar në luftime për të dëbuar nomadët dhe përçarë shoqërinë e tyre, e cila nga ana e saj krijoi një pasiguri spirale.
Ndoshta nuk është për t’u habitur, që të dhënat kineze përdorin një sërë fjalësh për të përshkruar cënueshmërinë e kufirit: “plaçkitje e zonave kufitare”, “grabitje e zonave kufitare”, “shkelje kufitare”, “pushtim”, “pushtim i madh”, “pushtim i thellë”.
Rezultati, ishte një zonë kufitare me kërcënimin e vazhdueshëm të konfliktit, i përshkallëzuar në periudhën e Shteteve Ndërluftuese nga dhuna e vazhdueshme midis shumë shteteve që përbënin Kinën Veriore dhe Qendrore.
Pikërisht gjatë asaj periudhe, u ndërtuan “muret e para të gjata” (ch’ang-ch’eng), të projektuara për një sërë funksionesh të mundshme: për të mbrojtur kufirin midis shteteve, lejuar kontrollin dhe taksimin e tregtisë, për të monitoruar lëvizjet e popujve, si dhe për të vepruar si një platformë nisjeje për sulmet ndaj territoreve fqinje.
Megjithëse mbijeton ende mendimi popullor se diçka e quajtur “Muri i Madh”, u ndërtua përgjatë gjithë kufirit verior nga perandori i parë Qin, Ying Zheng, në një moment të caktuar në fundin e shekullit III Para Erës Sonë, arkeologjia dhe të dhënat e hershme, sugjerojnë se
nuk ka pasur kurrë një “Mur të Madh” të vetëm, të ndërtuar as atëherë dhe as më vonë.
Muret e gjata, u ndërtuan në periudha të ndryshme, të paktën që nga shekulli V Para Erës Sonë e tutje, ndoshta gjithsej 20.000 kilometra. Nga të dhënat e fundit arkeologjike, muri i parë i gjatë duket se daton rreth vitit 440 Para Erës Sonë, me një gjatësi prej 600 kilometrash, nga masivi malor Taishan deri në bregdet, i projektuar për të mbrojtur shtetin e dinastisë Qi nga pushtimi nga shtetet e tjera ndërluftuese.
Edhe pse ekziston gjithashtu një mur përgjatë Lumit të Verdhë i ndërtuar nga dinastia Qin midis viteve 467 dhe 417 Para Erës Sonë. Të shtata shtetet kryesore ndërluftuese, ndërtuan mure kufitare, fortesa dhe stacione vrojtimi.
Vetëm me fitoren e dinastisë Qin në vitin 221 Para Erës Sonë, muret veriore u lidhën së bashku për të formuar një mur më të gjatë kundër fiseve nomade në Azinë e brendshme, të ndërtuara kryesisht me një tokë të fortë argjilore, pak prej të cilëve kanë mbijetuar deri në ditët tona. Muri i mbretërisë Qin, me fortesat dhe portat e ruajtura, ndryshonte nga muret e gjata të mëparshme, sepse përfshinte edhe zonën e gjerë të shkretëtirës veriore të Ordosit, që kufizohej me stepën e Azisë Lindore, për të ofruar siguri kundër sulmeve nga barinjtë nomadë që jetonin përtej.
Lëvizja shkaktoi reagimin e parë serioz nga njerëzit që kinezët i quanin Hu ose Ti (barbarë/të jashtëm), dhe tregoi sesi kërkimi për siguri, këtë herë nga Perandoria e re Kineze, mund të nxiste një pasiguri të re.
Në periudhën pas vitit 209 Para Erës Sonë, fiset nomade u bashkuan në një federatë të lirshme të referuar përgjithësisht me termin kinez Xiongnu, e sunduar në fillim nga prijësi Modu Çanju. Federata e dominoi shpejt zonën e Mongolisë dhe Mançurisë së sotme.
Për ta mbrojtur perandorinë, e sunduar që nga viti 206 nga dinastia Han, perandori Kai-Ti sulmoi përtej murit të gjatë, por në vitin 200 pësoi një disfatë poshtëruese. Kinezët u detyruan të furnizonin me mallra nomadët përtej kufirit, por kur Xiongnu i konsideroi të pamjaftueshme sasitë e mëndafshit, verës, grurit dhe armëve, fiset nomade i vazhduan sulmet.
I pasigurt për ambiciet e nomadëve, dhe gjithnjë e më i zemëruar për pagesën e haraçit ndaj tyre, perandori Vu-Ti (vitet 141-81 Para Erës Sonë) nisi një fushatë të madhe kundër Xiongnu. Humbja e federatës në vitin 133 e zhduku kërcënimin, por konflikti vazhdoi përgjatë zonës kufitare deri në një disfatë përfundimtare vendimtare në vitin 48 të Erës Sonë.
Federata Xiongnu u shpërbë: disa fise u dëbuan më tej në Azinë e Brendshme, ndërsa të tjerët pranuan sundimin e dinastisë Han në zonat e aneksuara nga kinezët. Modeli i vendosur nga Perandoria Kineze për alternimin e strategjisë së saj kufitare, midis zbutjes së sjelljes ndaj federatave nomade dhe fushatave të rregullta ushtarake kundër tyre për të rivendosur sigurinë në veri, vazhdoi deri në fund të shekullit XIII, kur dinastia mongole Juan u zëvendësua nga dinastia kineze Ming një shekull më vonë.
Muri i gjatë i Ming, origjina e konceptit më të afërt në kohë të “Murit të Madh”, lindi nga një krizë e re sigurie e shkaktuar nga kufiri i paqëndrueshëm me mongolët, udhëheqësit e të cilëve ishin kthyer në stepë dhe shkretëtirën Ordos pas rënies së Perandorisë Mongole, për të sulmuar kufijtë e perandorisë së re kineze.
Në vitin 1449, perandori Ming Çeng-Tung u mund dhe u kap rob nga mongolët në betejën e T’umu, ndërsa ai u përpoq që të vriste udhëheqësin e ri mongol, Esen. Vetëm konflikti i rregullt midis krerëve të ndryshëm mongolë, e lehtësoi kërcënimin e një pushtimi të mëtejshëm të madh.
Por sulmet për ushqim dhe burime u intensifikuan nga nomadët, që tashmë kullosnin kafshët e tyre në rajonin e Ordos. Lufta nxitej sërish nga kërkesat e nomadëve për mallra tregtare, dhe shoqërohej me sulme të shpeshta të dhunshme për t’i siguruar ato.
Dilema e sigurisë nuk u zgjidh nga fushata të mëtejshme e të kushtueshme përtej kufirit midis dy palëve, por nga vendimi i marrë në vitet 1470 nga perandori dhe këshilltarët e tij ushtarakë për të miratuar fillimin e atij që u bë përfundimisht “Muri i Madh”, një sistem fortifikimesh të mëdha në jug të shkretëtirës Ordos.
Dy shtrirjet e para të asaj që kinezët e quajtën ta-pien, ose kufiri i madh, 1.100 kilometra në gjatësi, u përfunduan në vitin 1474 dhe kishin më shumë se 800 posta roje, kulla sinjalizuese dhe kala përgjatë gjatësisë së tyre.
Atyre iu shtuan më shumë seksione, dhe nga mesi i shekullit XVI, kishte dy linja të gjera mbrojtjeje që zotëronin kulla vrojtimi, poste sinjalizuese dhe garnizone të panumërta. Ky kufi mbrojtës, nuk mundi të ndalonte luftën e rregullt të nomadëve, kur oborri mbretëror kinez vendosi të ndalonte mallrat që u duheshin nomadëve, sepse nuk shtrihej ende përgjatë gjithë rajonit verior.
Gjatë shekullit që pasoi, teksa u bë e qartë se muret ekzistuese nuk do të mjaftonin për të siguruar kufirin, u shtuan më shumë mure, kulla dhe kala, duke e bërë më të vështira sulmet afatshkurtra.
Megjithatë, marrëdhëniet me komunitetet nomade përgjatë kufirit, mbetën një burim i rregullt fërkimesh, derisa në vitin 1571 oborri perandorak arriti në përfundimin se zbutja e raporteve me armikun, kishte më shumë kuptim sesa konflikti i përhershëm.
U arrit një marrëveshje me shefin e mongolëve, Altan Khan, për të rifilluar tregtinë e rregullt. Emri i qytetit që khani kishte themeluar pranë shkretëtirës së Ordos, u ndryshua 4 vjet më vonë në një “qytet që po i kthehet qytetërimit”.
Por paragjykimi kinez ndaj nomadëve, i shprehur në terma nënçmues - si krimba, dhi, “me fytyrë njeriu, por me zemër kafshe” - vazhdoi që ta minonte besimin, ndërsa nomadët mongolë i përshkruanin tregtarët kinezë me fjalë të prejardhura nga khudal, që do të thotë “të gënjesh”.
Ndonjëherë qendrat kufitare përdoreshin për të kapur lajmëtarë ose tregtarë që nuk dyshonin se çfarë do t’u ndodhte, ku ata mund të vriteshin. Në raste të tjera, nomadët hakmerreshin duke ua sekuestruar mallin dhe plaçkitur zonat e banuara aty pranë.
Politika perandorake e dëbimit të kriminelëve në zonat kufitare, dhe vendosja e fshatarëve të varfër në tokën përreth murit të gjatë, solli një përzierje të paqëndrueshme dhe shpërthyese, e zakonshme për shumë zona të izoluara kufitare.
Dilema e sigurisë u zgjidh më në fund në mënyrë dramatike, kur duke u bërë fuqia dominuese në veri të murit, mançurët hynë në Kinën Veriore pas vitesh përpjekjesh të dështuara, dhe në vitin 1644 themeluan dinastinë e re Qing.
Kufiri i vjetër u zhduk, së bashku me dinastinë Ming. Siguria në Perandorinë Romake, kishte diçka të përbashkët me shembullin kinez. Në të dyja rastet, zgjerimi kishte krijuar një kufi të gjatë, të largët nga qendra e pushtetit politik në kryeqytet, si dhe të vështirë për t’u mbrojtur nga kërcënimet e jashtme.
Dhe kjo çoi në kriza periodike të sigurisë dhe në drejtim të luftës. Dallimi kryesor ishte gjeografik: Kina u përball me problemin e sigurimit të një kufiri të madh midis territorit kinez dhe shoqërive nomade në veri dhe veriperëndim, ndërsa Roma me shtrirjen më të plotë të perandorisë, kishte një kufi që përfshinte Evropën perëndimore, veriore dhe qendrore, Ballkanin, Anadollin, Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut.
Interesi serioz i studiuesve për kufijtë e perandorisë romake, është një dukuri e kohëve
të fundit, e frymëzuar pjesërisht nga botimi në vitin 1977 i studimit të Eduard Lutvak mbi strategjinë e madhe perandorake romake, në të cilin ai përdori kufirin dhe konfliktet e saj
si një element kyç në përcaktimin e asaj që ishte ajo strategji me termat e nxjerrë nga teoria strategjike më moderne.
Ndonëse ideja se udhëheqësit romakë kishin një “strategji të madhe” afatgjatë e të qëndrueshme është sfiduar fort dekadat e fundit, shqetësimi i Lutvak mbi mënyrën se si u bënë të sigurta kufijtë e perandorisë, është shndërruar në një çështje qendrore në historiografinë romake.
Kufiri, si një zonë që e kufizon perandorinë, mungonte kryesisht për Romën republikane dhe në periudhën e zgjerimit të vazhdueshëm, të përshkruar në kapitullin e mëparshëm. Kufijtë e perandorisë u konsoliduan nën perandorin e parë, August, afërsisht në formën që do të merrnin për 400 vitet e ardhshme.
Dy provinca të tjera iu shtuan në shekullin I: pjesa më e madhe e Britanisë pas pushtimit nga perandori Klaud në vitin 43 të Erë Sonës, dhe e fundit nga të gjitha ishte provinca danubiane e Dakisë, e pushtuar nga perandori Trajan në vitin 106.
Kjo e fundit, u krijua për të mbrojtur perandorinë nga sulmet e rregullta që vinin nga përtej kufirit të saj danubian. E gjithë struktura perandorake, kishte në shtrirjen e saj më të madhe një perimetër prej 8000 - 9000 kilometrash. Rreziqet për sigurinë e kufirit, ndryshonin gjerësisht sipas kohës dhe rajonit.
Prandaj nuk kishte një kufi standard, por zona që pasqyronin natyrën e kërcënimit të perceptuar në atë moment. Romakët përdornin 4 terma për të përcaktuar kufijtë, duke i pasqyruar këto disa dallime: clausura për vijën mbrojtëse të kanaleve, gardheve dhe kullave të vrojtimit në Tripolitani; fossatum për rrjetin e kanaleve në provincën afrikane, Prokonsularis; fines për zonat kufitare ku kultura romake përzihej me kulturat vendas përtej kufirit provincial; dhe limes, që përdorej për të përcaktuar një kufi më të fiksuar të fortesave, mureve dhe rrugëve, të zakonshme nga shekujt e fundit të sundimit romak.
Kishte edhe kufij të brendshëm, të nevojshëm për shkak të vështirësisë së qetësimit të përhershëm të fiseve malore të Dalmacisë, Alpeve, Pirenejve dhe Mauritanisë. Vija ndarëse e të gjithë këtyre kufijve ishte shpesh imagjinare. Ajo nuk shënohej kurrë, dhe tregohej më së miri nga shtrirja e administratës dhe tregtisë romake.
Qënia hapur e shumicës së kufijve, i bënte ata një objektiv tërheqës për fiset ose klanet përtej kufijve të provincave romake, qoftë për bastisje në kërkim të plaçkës së luftës ose skllevërve apo edhe për të garantuar sigurinë fisnore në përgjigje të kërcënimit nga romakët.
Për të përballuar sulmet e vogla - siç ishin shumica e tyre deri në krizën e pushtimit në shkallë të gjerë në shekujt IV-V - kishte rrjete fortesash, kullash vrojtimi, garnizonesh, dhe aty ku ishte e nevojshme stacionim të forcave më të mëdha legjionare.
Postat e vogla ushtarake (praesidia), u shtrinë gjerësisht për të kontrolluar popullsinë e provincave, rregulluar tregtinë dhe lëvizjen e njerëzve, si dhe për të ndjekur dhe ndëshkuar sulmuesit dhe banditët, të cilët lëviznin përreth kufijve të sundimit perandorak.
Edhe pse ka shumë debate rreth funksionit të saktë të kufirit romak, rolet e larmishme të mbikëqyrjes, kontrollit të rrugëve tregtare, luftës kundër banditëve ose piratëve dhe mirëmbajtjes së sigurisë së zonave të thella, nuk përjashtonin reciprokisht funksionet e caktuara mbrojtëse të zonave kufitare.
Zgjerimi i ambicies perandorake për të ruajtur sigurinë kundër kërcënimeve të jashtme ishte domosdoshmëria, e shprehur nga perandori Hadrian pas ngjitjes së tij në fron në vitin 117 të Erës Sonë, për ta “mbajtur perandorinë të paprekur”.
Dhe ekzistonin disa mënyra për ta ruajtur atë siguri. Ashtu si qasja e perandorëve kinezë, strategjia e Romës alternohej midis përgjigjeve agresive dhe mbrojtëse ndaj kërcënimit. Vendimi për të kaluar kufirin dhe zbutur një popullsi armiqësore, bartte me vete rrezikun
që siguria të kompromentohej më tej në vend që të forcohej. Një shembull i njohur ilustron rreziqet e përfshira. Kufiri i Rinit, ishte i njohur për paqëndrueshmërinë kur romakët filluan
të kalonin përtej lumit në rajonet e pushtuara nga fise të ndryshme gjermanike.
Në vitin 9 të Erës Sonë, komandanti i ushtrisë së Rinit, Publius Kuintilius Varus, dhe 3 legjione me nga 15.000-20.000 burra u vendosën përtej lumit dhe përtej kufirit, me qëllim që të siguronin ndikimin romak mbi fiset lokale Keruski.
Një nga udhëheqësit e tyre, Arminiusi, kishte shërbyer në ushtrinë romake si ndihmës dhe si pjesë e gardës së Varusit. Duket se ai ishte zemëruar shumë me ambicien e romakëve për ta shtrirë perandorinë në territorin e popullit të tij, ndaj përgatiti fshehurazi, në bashkëpunim edhe me fiset fqinje, një grusht shteti kundër Varusit.
Kur Varusi udhëhoqi legjionet e tij së bashku me shumë familjesh civilësh, që u shërbenin njësive ushtarake, drejt zonave më të sigurta në anën romake të lumit Rin, fiset Keruski dhe aleatët e tyre i ngritën një pritë fatale. Vendi i betejës që pasoi është pretenduar tradicionalisht pylli i Teutoburgut, afër qytetit të sotëm gjerman Osnabryk.
Por gërmimet më të fundit arkeologjike, pretendojnë se vendndodhja e vërtetë është pak më larg në veri të qytetit. Bëhet fjalë për një kalim të ngushtë të rrethuar nga këneta nga njëra anë dhe pyjet nga ana tjetër, ku vargu i gjatë i ushtarëve dhe civilëve romakë të pavëmendshëm sulmohej vazhdimisht nga luftëtarë të fshehur nëpër pemë dhe pas barrierave prej druri.
Topografia e zonës, e bënte të pamundur që legjionet të vendoseshin në fushën e betejës si një forcë e bashkërenduar mirë. Pas dy ditësh luftimesh, kolona u masakrua pothuajse deri në burrin, gruan dhe fëmijën e fundit nga i njëjti armik, siç shkroi historiani bashkëkohor romak Veleius, “të cilin gjithmonë e kishin masakruar si bagëti”.
Disfata e tronditi aq shumë perandorin August, saqë ai shpalli fundin e përpjekjeve të tij për zgjerim në rajonet gjermanike, dhe Rini u bë në fakt, kufiri i përhershëm në veri. Por jo çdo fushatë ushtarake përtej kufirit shkoi aq keq.
Në Britani, kërcënimi i vazhdueshëm nga fiset në anën më të largët të kufirit romak në veri, e detyroi gjeneralin romak Gaeus Agrikola, të marshonte në veri në Skoci për të shkatërruar federatën fisnore të formuar nga udhëheqësi kaledonian Kalgacus.
Sipas rrëfimit të historianit romak, Tacitit, një pjesë e mirë e të cilit ndoshta thjeshte është imagjinuar, Kalgakus i motivoi njerëzit e fisit të tij me një fjalim që sfidonte Perandorinë Romake, duke iu lutur popullit të tij të mbështeste pavarësinë e tij dhe të paralajmëronte për pasojat e disfatës: “Për hir të grabitjeve, masakrave dhe plaçkitjeve, ata i japin emrin e rremë perandorisë së tyre: ata e quajnë këtë paqe”.
Po rebelimi dështoi. Në vitin 83 të Erës Sonë, në betejën e Mons Graupius (vendndodhja e së cilës në Skocinë lindore, nuk është konfirmuar kurrë), kaledonianët u mundën. Burrat ndoshta u vranë, ndërsa gratë dhe fëmijët u morën si skllevër.
Por kufiri verior në Britani, u dëshmua ashtu si Rini në Gjermani, të ishte kufiri i zgjerimit ushtarak romak. Dyzet vjet më vonë, perandori Hadrian ndërtoi Vallum Aelium - i njohur më mirë si Muri i Hadrianit - për të mbrojtur provincën romake.
Pasardhësi i tij, Antoninus Pius, ndërtoi një mur të dytë më larg në veri, por që u braktis shpejt. Perandori Septimus Severus, drejtoi personalisht në vitin 209 një fushatë ushtarake në Skoci
për të shtypur kaledonianët kryengritës dhe fisin Meatae, por më pas u largua dhe Muri i Hadrianit mbeti kufiri me veriun e banuar nga keltët.
Vetëm mungesa e një kërcënimi të madh ushtarak, bëri të mundur ruajtjen e sigurisë së kufirit
më të largët të Romës. Ndërkohë, kishte shumë mënyra të tjera për të vendosur masa sigurie
të mjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e kufijve të Romës nëpër provinca.
Fiset ose krerët lokalë mund të përfshiheshin në mbrojtjen e zonës kufitare, duke siguruar trupa ndihmëse për garnizonet dhe kohortat romake. Por aleancat me mbretëritë ose federatat fisnore përtej vijës kufitare ishin një tjetër, megjithëse mbështeteshin tek një besim i mjaftueshëm.
Kur ai besim thyhej, ndëshkimi romak ishte gati gjithmonë brutal, një kujtesë për popujt e
tjerë kufitarë mbi rreziqet që u vinin nëse e kërcënonin sigurinë e Romës. Ashtu si Perandoria Kineze, udhëheqësit romakë e pranuan dobinë që kishin ryshfetet dhe subvencionet për të blerë paqen në kufijtë e tyre.
Kështu veproi bëri Virius Lupus, guvernatori i Britanisë, i cili i dha shumë të mëdha parash fisit Meatae në vitin 197. Edhe Atila, udhëheqës i federatës së Hunëve që e shkatërroi Evropën në shekullin V, thuhej se kishte marrë dhurata të shumta prej ari nga Roma.
Kur dështonte diplomacia, Roma ishte e gatshme të përdorte rrëmbimin ose vrasjen e udhëheqësve fisnorë apo mbretërve që përbënin një kërcënim për sigurinë. Kur udhëheqësi i Kuadit, Gabinius, u ankua për shkeljet e kufirit nga romakët në territorin e tij danubian, komandanti i kufirit lokal, Marselianus, e ftoi për darkë ku dhe e vrau.
Por komploti shkaktoi shumë shpejt efektin e kundërt, pasi në shenjë hakmarrjeje Kuadi pushtoi dhe plaçkiti provincën romake të Panonias. Në një rast tjetër, Mbreti Pap i Armenisë, i konsideruar si një aleat i dyshimtë nga perandori romak i shekullit IV, Valens, u ftua në një banket tjetër ku u vra.
Të paktën 9 raste të mundshme të vrasjeve strategjike, mund të identifikohen midis viteve 360- 450, një shembull i hershëm i politikës “realiste”. Në fund, siguria e kufirit të gjatë nisi të varej me kalimin e kohës nga forca ushtarake dhe fortifikimi.
Shumica e 400.000 ushtarëve që i shërbenin Perandorisë Romake, ishin të pozicionuar përgjatë ose afër kufijve, limitanei (kufitarët), siç njiheshin ata në shekullin IV të Erës Sonë. Me rritjen e kërcënimeve ndaj perandorisë që nga shekulli II e më tej, u zgjerua strategjia e mbrojtjes së kufijve.
Në disa kufij, kërcënimi nuk ishte asnjëherë një i rëndësishëm për sigurinë, por mjaftueshëm serioz për të garantuar mbrojtje. Në provincat e gjera të Afrikës Veriore, të mbrojtura në jug nga shkretëtira, kishte një nivel modest të angazhimit ushtarak. Siç është raportuar rrallë, deri në mesin e shekullit III, sulmet nga fiset që jetonin përtej ose brenda kufijve provincialë të rajonit, duket se kanë qenë të parregullta dhe në shkallë të vogël.
Kalatë dhe pikat sinjalizuese ishin të mjaftueshme për të siguruar paqen. Ato ishin më të dendura pranë maleve në Mauretania Tingitana, në Marokun e sotëm, ku paqja ishte më e brishtë. Vetëm në shekullin IV, pjesa afrikane e perandorisë u përball me kërcënime më serioze.
Rebelimet e Firmusit në vitet 372-373 dhe Gildos në vitet 397-398, kërkuan fushata ushtarake për t’i shtypur. Në Lindjen e Mesme, kufiri ishte i lëvizshëm dhe i keq-përcaktuar, i shënuar nga qyteza ku gjendeshin garnizone ushtarësh dhe jo nga fortesa apo mure.
Përballë perandorive të fuqishme rivale në Lindjen e Mesme, dhe veçanërisht Perandorisë Persiane Sasaniane nga shekulli III, fortifikimet romake u shtuan. Asnjëra palë nuk u tregua mjaftueshëm e fortë për të shkatërruar tjetrën, duke lënë një kufi më të qëndrueshëm në lindje, edhe pse herë pas here të dhunshëm.
Kërcënimet më të mëdha, viheshin re në pjesën evropiane të perandorisë, përgjatë lumenjve Rin, Danub dhe kufirin verior britanik. Një nga mënyrat për t’iu kundërvënë kërcënimeve ishte përforcimi më i plotë. Ndërtimi i mureve siç bënë kinezët, nuk ishte kurrsesi një opsion në të gjithë Evropën Qendrore.
Mgjithatë fortifikimi i gjerë monumental, u krye përgjatë zonave kufitare dhe në mbrojtje të qyteteve brenda mundësive të inkursioneve të armikut. Muri i Hadrianit ishte një përjashtim, pasi distanca përgjatë Anglisë Veriore, 117 kilometra, e bënte të realizueshme ndërtimin e një linje mbrojtëse fikse.
Muret nuk ishin vetëm mbrojtëse. Ato mund të përdoreshin si një trampolinë dhe për mbrojtje
për sulmet ndëshkuese nga përtej kufirit në ndjekje të ndonjë ndërhyrësi. Po ashtu, ata ishin kufij të projektuar për të frikësuar agresorët e mundshëm dhe për të kontrolluar lëvizjet e tyre.
Muri i Hadrianit, ishte i lidhur me rrugë, të cilat ishin ndërthurur me një rrjet fortesash dhe garnizonesh më në jug, për të përshpejtuar përforcimet nëse do të ishte e nevojshme.
Disa posta ushtarake ndodheshin në anën më të largët të murit. Ndonëse kishte sulme të rregullta nga fiset kelte (të paktën 11 të regjistruara nga Roma midis viteve 160 dhe 400 të Erës Sonë), rrjeti i sigurisë parandalonte çdo lloj pushtim të madh dhe e mbronte pjesën tjetër të provincës britanike.
Ndërkohë siguria në kufijtë në lumenjtë Rin dhe Danub, ishte më e vështirë për t’u garantuar. Përgjatë të dyjave u ndërtua një linjë fortesash, kanalesh, argjinaturash dhe kullash. Në Rin, u ndërtuan fortesa çdo 5 kilometra, për t’ua bërë më të lehtë garnizonet fqinje që të mbështesnin njëri-tjetrin ose të jepnin paralajmërime.
Në fundin e shekullit III, nën perandorin Dioklecian, një ish-oficer kalorësie, kalatë u forcuan me mure më të larta dhe më të forta. Sigurimi i kufirit, u bë strategjia kryesore në shekujt e fundit të Perandorisë Romake në Perëndim.
Perandorët merreshin rregullisht me udhëheqjen ushtarake dhe komandonin ushtri të mëdha në terren, që mbaheshin përherë në gatishmëri për skenarin e prishjes së sigurisë, si brenda ashtu edhe përtej kufijve. Por, ndërsa fiset përgjatë kufirit nisën të bashkoheshin në federata më të mëdha, ato përbënin një kërcënim të ndryshëm nga ai i shekujve të mëparshëm.
Pavarësisht theksit më të madh tek siguria, kufijtë e gjatë dhe të depërtueshëm, rezultuan të pamjaftueshëm për të parandaluar pushtimet e mëdha nga fiset, kufijtë e të cilave në lindje, ishin nën një presion të vazhdueshëm nga nomadët që lëviznin drejt perëndimit.
Megjithëse perandoria, tashmë e ndarë midis lindjes dhe perëndimit, synoi që të akomodonte
pushtuesit në sistemin romak, nga shekullin V presioni nisi të ishte i papërballueshëm: Vandalët, gotët, frankët dhe hunët, pushtuan pjesë të mëdha të provincave evropiane dhe afrikane të perandorisë romake dhe fshinë kufijtë e vjetër.
Ashtu si në Kinë, një pushtim nga një armik i bashkuar, zhbëri shekuj përpjekje për ruajtjen e sigurisë. E njëjta histori mund të rrëfehet për shumë perandori të tjera me një territor të përcaktuar, siguria e të cilave varej nga aftësia për të ndërtuar një kufi shumë të fortë, të mbështetur nga përdorimi i forcës kur ishte e nevojshme.
I tillë ishte edhe rasti i zgjerimit të perandorive evropiane përtej oqeanit, ku siguria e territorit të largët rrezikohej jo vetëm nga reagimi i popujve vendas, që ishin tanimë të pasigurt nga sekuestrimi kolonial i tokës dhe sfidat ndaj kulturave të tyre, por edhe nga konkurrenca nga shtetet e tjera të përfshira në luftën për perandori.
Kolonizimi i gjatë i Amerikës së Veriut, është një shembull i qartë, ku që nga shekulli i XVII kolonët u angazhuan në atë që një historian e ka përshkruar si “luftë shfarosëse”, përgjatë kufirit të pasigurt midis amerikanëve vendas dhe kolonëve evropianë.
Përgjatë historisë, kufijtë kanë qenë vende konstante të luftës por dhe sigurisë, shpeshherë një një kombinim strategjik midis tyre. Shekujt e imperializmit përtej detit, përkuan me një lëvizje të përgjithshme drejt vendosjes së kufijve kombëtarë të caktuar dhe të njohur në Evropë dhe më gjerë, shkelja e të cilëve përbënte një sfidë të dukshme për sigurinë.
Dyqind vitet e fundit, kanë qenë dëshmitarë të konflikteve të shumta mbi kufijtë e kontestuar ose territorin kufitar, jo më pak nga dëshira për të krijuar kombe me një identitet të përbashkët etnik ose kulturor: Greqia, Italia dhe Gjermania në shekullin XIX, dhe një mori kombesh të reja pas rënies së Perandorive Habsburge, Ruse, Gjermane dhe Osmane në vitet 1917-1918.
Edhe pse presidenti i SHBA-së Udrou Uillson donte një klauzolë në paktin e Lidhjes së Kombeve që lejonte “homogjenizimin” etnik dhe kulturor si një çelës për sigurinë, aleatët e tij nuk ranë dakord me të për arsye praktike. Për këtë arsye, marrëveshja përfundimtare e pasluftës, la pas një situatë në të cilën kufijtë ishin të detyruar të kontestoheshin nga fraksionet etnike që gjendura në anën e gabuar të kufijve të rinj.
Konflikti midis Greqisë dhe Turqisë në vitet 1919 - 1922, midis Bashkimit Sovjetik të sapoformuar dhe Polonisë në vitin 1920, dhe ambicia e Gjermanisë së Hitlerit për të rishikuar kufijtë etnikë të Evropës Qendrore dhe Lindore në fundin të viteve 1930, ishin që të gjitha konflikte për zonat kufitare.
Vetëm pas vitit 1945 u përcaktuan kufijtë evropianë, kryesisht si rezultat i lëvizjeve të mëdha të popullsisë apo i aneksimeve të drejtpërdrejta. Nga të gjitha ndryshimet e kufijve territorialë të shekullit XX në nivel global, 112 përfshinin konflikte ushtarake, megjithëse jo të gjitha mund të konsideroheshin si çështje sigurie.
Pas pavarësisë së shteteve në ish-territoret koloniale në Afrikë dhe Azi, ka pasur më pak prej tyre, sepse kufijtë origjinalë, të vizatuar në mënyrë arbitrare nga fuqitë evropiane përgjatë vijave etnike dhe kulturore, inkurajuan një angazhim ndaj integritetit territorial ekzistues.
Në këtë rast, parimi ishte koncepti i lashtë ligjor romak ‘uti possidetis, ita possideatis’ (siç zotëron, ashtu mund të zotërosh), i përdorur nga kolonitë latino-amerikane të Spanjës në shekullin XIX-të për të pohuar sovranitetin e tyre territorial dhe për të parandaluar rikolonizimin.
I njëjti parim, u përdor më pas në Afrikë në vitet 1960 gjatë dekolonizimit nën kujdesin e Organizatës së Unitetit Afrikan. Pas një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 1986 mbi mosmarrëveshjen midis Burkina Fasos dhe Malit, tani ky koncept konsiderohet gjerësisht si një parim i përgjithshëm për të mbrojtur kufijtë e shteteve të reja dhe për të shmangur konfliktin, dhe u zbatua në rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik.
Edhe pse parimi nuk e mbrojti Ukrainën nga cenimi i mëvonshëm nga Rusia. Në botën pas vitit 1945, kufijtë e kanë humbur disi rëndësinë e tyre në shpjegimin e marrëdhënies midis sigurisë dhe luftës. Kjo ka ndodhur sepse ato po kapërcehen lehtësisht nga avionët dhe raketat.
Luftimet për territorin kufitar, kanë qenë në përgjithësi në një shkallë të vogël. Megjithatë mbeten një numër i atyre që janë quajtur “konflikte të ngrira”, me pasoja serioze për sigurinë. Ato përfshijnë historinë e gjatë dhe të trazuar të marrëdhënieve të Izraelit me fqinjët arabë, ku lufta për kufijtë pasqyroi pasigurinë izraelite në një mjedis përjetësisht armiqësor.
Por edhe luftën civile në Irlandën e Veriut, e cila e sfidoi sigurinë britanike dhe që paraqet ende sfida pas vështirësisë së negocimit të statusit të kufirit me Irlandën gjatë tërheqjes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Por ndoshta më e rrezikshmja nga të gjitha, debatet e gjata mbi kufirin midis Kinës, Indisë dhe Pakistanit që kanë mbetur “të ngrira” që nga dekadat e para menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por që tani në dekadat e para të shekullit XXI, përfshin 3 nga 9 fuqitë bërthamore të botës.
Përplasjet midis tyre, kanë përfshirë luftëra të përhershme, sulme ushtarake në shkallë të vogël, një kryengritje dhe akte terroriste. Megjithëse të tria shtetet i shohin çështjet si thelbësore për sigurinë e tyre territoriale, është e vështirë të kuptohet se përse një territor aq
i largët, malor, shumë pak populluar i mbuluar gati përherë nga akulli, duhej të provokonte
një konflikt kaq të gjatë.
Në këtë rast, siguria kufitare ka një rëndësi simbolike, duke qenë më shumë e lidhur me çështje më të gjera politike sesa me natyrën e territorit. Konflikti mbi Kashmirin, e ka origjinën që nga ndarja e Indisë në vitin 1947. Ndërsa konflikti midis Kinës dhe Indisë, daton që nga bashkimi i Kinës nën sundimin komunist në vitin 1949.
Shteti indian verior Xhamu dhe Kashmiri, kishin në krye një monark hindu, por një popullsi me shumicë myslimane. Pas ndarjes, Pakistani dhe India luftuan për një kohë të shkurtër mbi kontrollin e këtij shtetit dhe Pakistani pushtoi një të tretën e tij, ndërsa India mbajti pjesën tjetër.
Asnjëra palë, nuk ishte e kënaqur që ta linte kufirin të pakontestueshëm, prandaj kanë ndodhur luftëra të vogla të rregullta dhe përballje ushtarake. Politikanët indianë, e shohin Xhamun dhe Kashmirin si pjesë të Indisë, siç pretendonin edhe britanikët kur u larguan.
Ndërkohë Pakistani, e sheh zonën si një zonë ku myslimanët duhet të ishin integruar me shtetin mysliman që kur ai u krijua. Edhe pse luftërat janë pasuar nga armëpushime nën presionin ndërkombëtar, asnjëra palë nuk ka qenë e gatshme që t’i besojë tjetrës.
Marrëveshja e Lahores e nënshkruar në vitin 1999, për të respektuar sovranitetin pakistanez në një të tretën e shtetit, u pasua thuajse menjëherë nga Lufta e Kargilit, duke kundërshtuar të ashtuquajturën Linjën e Kontrollit, pra kufirin ushtarak që ndan dy shtetet.
Hendeku midis palëve, është zgjeruar pas një kryengritjeje të re në Kashmir kundër sundimit të vazhdueshëm indian, të nxitur nga sulme të rregullta terroriste islamike kundër objektivave indiane. Nacionalizmi hindu nën kryeministrin aktual Narendra Modi, e ka bërë të pamundur ndonjë lloj pajtimi në të ardhmen e afërt.
India vendosi një shtrëngim të fortë të masave sigurisë në Kashmir, dhe në vitin 2019 e shfuqizoi statusin kushtetues të rajonit, duke e vendosur atë nën sundimin e drejtpërdrejtë të Nju Delhit. Për Pakistanin, statusi i Kashmirit përkufizohet tani si “i pushtuar ilegalisht” nga India.
Një lidhje e ngushtë politike dhe ekonomike midis Pakistanit dhe Kinës, e zhvilluar gjatë dekadës së fundit, vetëm sa e ka inkurajuar pasigurinë dhe ndjenjën e pasigurisë tek India.
Përleshjet e herëpashershme ushtarake, e nxjerrin në pah këtë paqëndrueshmëri.
Largimi i Britanisë nga India, la gjithashtu një kufi të keq-përcaktuar midis Indisë dhe Kinës, i cili që nga ajo kohë ka qenë një burim mosmarrëveshjesh. Në kufirin e gjatë të përbashkët nga vargmali Ladakh në Kashmir në Perëndim, duke e kaluar Tibetin e pushtuar nga kinezët, deri në provincën kineze të Xinjiang në lindje, nuk ka pasur asnjë marrëveshje mbi vijën e saktë kufitare.
India është mbështetur në dy linja të përafërta të imponuara nga britanikët: “Linja Xhonson”
e tërhequr nga Uilliam Xhonson në vitin 1865 në kufirin veriperëndimor; dhe “Linja Mekmahon” në kufirin lindor, e dakordësuar nga Henri Mekmahon me Tibetin në vitin 1914, por me të cilën nuk janë pajtuar kurrë autoritetet kineze.
Gjatë viteve 1950, të dyja palët bënë inkursione të shkurtra përtej kufirit jozyrtar që i ndante ato, derisa në vitin 1961, pas aneksimit të Tibetit nga Kina në vitin 1959, Kina pushtoi dhe pretendoi një zonë të madhe malore që kufizohej me Kashmirin, Aksai Çin.
India kundërshtoi dhe në tetor 1962 kryeministri Xhavaharlal Nehru urdhëroi ushtrinë indiane që të dëbonte kinezët, “në të kundërt ata do të marshojnë drejt nesh”. Disfata e Indisë në luftën e shkurtër e la zonën nën kontrollin e Kinës, por pa një marrëveshje, edhe pse Pekini kishte arritur të zgjidhte pa konflikt të paktën 17 mosmarrëveshje të tjera territoriale.
Megjithëse të dyja palët bënë përpjekje për të krijuar një kufi të përcaktuar, ndjekja e avantazhit ushtarak duke pushtuar kreshtat më të larta malore ose duke ndërtuar posta dhe bunkerë, çoi në inkursione të vazhdueshme nga njëra palë ose tjetra.
Të dyja shtetet, synojnë të kenë një kufi plotësisht të sigurt. Por ashtu si në përballjen mbi Kashmirin, çështja e kufirit është bërë fokusi i një distancimi më të thellë midis dy shteteve në lidhje me pozicionin e tyre gjeopolitik në Azinë Jugore, dhe jo vetëm për shkak të afrimit në rritje midis Indisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 2017, një përballje ushtarake e shmangu konfliktin e hapur. Por në vitin 2019, pas reformimit të statusit kushtetues të Kashmirit, India pretendoi se Territori i Unionit të Ladakhut përfshinte tani edhe Aksai Çin, ende të pushtuar nga forcat kineze.
Kur trupat indiane kaluan vijën ndarëse që ndante të dyja palët në vitin 2020, në luginën e
lumit Galvan, ushtarët kinezë u kundërpërgjigjën me dhunë me shkopinj (për të respektuar marrëveshjen e viteve 1960 për të mos përdorur armë). Rezultati ishte përplasja e parë e madhe me viktima midis dy palëve që nga viti 1962.
Konflikti trepalësh midis Indisë, Kinës dhe Pakistanit, është bërë burim i një paqëndrueshmërie të mundshme në një shkallë të gjerë në Azi, pasi që të tria këto vende zotërojnë armë bërthamore dhe nuk ekzistojnë kontrolle institucionale mbi përdorimin e tyre.
“Defiçiti i besimit” midis tyre, i dukshëm në ndërprerjen e rregullt të bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ilustron historinë e gjatë të pasigurisë kufitare si një shkaktar i mundshëm për konflikt në shkallë të gjerë, madje siç është argumentuar edhe i luftës bërthamore rajonale. Synimi i studimeve të sigurisë, është t’i studiojë këto konflikte moderne, duke përfshirë çështjen e mprehtë të territorialitetit. Qëllimi i kësaj disipline, të themeluar dhe përcaktuar
pas vitit 1945, është të studiojë shkaqet e luftës dhe mënyrat se si mund të parandalohet ajo.
Ndërsa shembuj historikë si ai Kinës së lashtë apo Romës, mund të ndihmojnë në shpjegimin e asaj që është quajtur “dilema e sigurisë” - si të qëndrosh i sigurt duke shmangur konfliktin - kjo disiplinë është përqendruar në Luftën e Ftohtë dhe botën e pas Luftës së Ftohtë, që të ndërtojë një bazë teorike për të kuptuar nëse lufta mund të ndodhë apo jo.
Shpjegimi qendror mbetet siguria, qoftë e mjaftueshme apo e pamjaftueshme. Fusha e studimeve të sigurisë, i ka rrënjët e saj në rënien e sistemit ndërkombëtar të pas krizës ekonomike të vitit 1929, dhe ndërtimit të dhunshëm të perandorisë së Japonisë, Italisë dhe Gjermanisë nga viti 1931 e tutje.
Edhe pse evropianët po synonin të kuptonin dhe interpretonin sfidën e sigurisë që paraqisnin
këto ndryshime, në Shtetet e Bashkuara kjo përpjekje u bë më zyrtare, jo vetëm për të shpjeguar krizën, por edhe për të kuptuar se si mund të garantohej siguria e Amerikës në një sistem që po shembej për shkak të luftës globale.
Një kontribues i madh ishte Kuinsi Rajt, vëllimi themelor i të cilit “Studimi i luftës”, botuar në vitin 1942, menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Dytë Botërore, u ndërtua mbi një projekt të gjatë kërkimor mbi shkaqet e luftës që datonte që nga vitet 1920.
Rajt e shihte luftën si një sëmundje për të cilën nevojitej një kurë. Por puna e tij kërkimore ngriti pyetjen se si mund të kundërshtohej përhapja e luftës, e zhvilluar për një larmi të gjerë arsyesh, dhe si mund të ndërtohej një botë më e sigurt.
Një kontribues tjetër i madh në këtë fushë ishte historiani Eduard Ërl, i cili në vitin 1953 iu bashkua Institutit të sapoformuar për Studime të Avancuara në Universitetin e Prinstonit, Nju Xhersi, ku zhvilloi një seminar të nivelit të lartë mbi “studimin e rolit të luftës në histori”, si një kontribut për të kuptuar strategjinë që Shtetet e Bashkuara duhet të ndiqnin për të garantuar sigurinë kombëtare, një term që përdorej tashmë para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.
Për Ërl, por edhe për studiues dhe këshilltarë të tjerë pranë presidentit të kohës Frenklin D.Ruzvelt, thelbi ishte ndjekja e pushtetit si çelësi i vetëm për të siguruar “aftësinë e shtetit-komb për të mbrojtur territorin e tij, të drejtat, pavarësinë politike dhe interesat e tij kombëtare”.
Edhe pse Ërl nuk u impresionua nga argumenti realist i Spajkman, sipas të cilit siguria kombëtare mund të garantohej vetëm “nga një përkushtim i vazhdueshëm ndaj politikës së pushtetit”, vizioni i tij se Shtetet e Bashkuara duhet të bëhen një “Fuqi e Madhe” për të mbijetuar, kishte në fakt një bërthamë të fortë realiste.
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe kërcënimit të ri bërthamor mbi sigurinë, kjo disiplinë u zgjerua me shpejtësi. “Studimet e sigurisë”, u bënë një fushë e njohur me qendra në Universitetin Kolumbias në Nju Jorkut, por edhe në Jeil dhe Prinston.
Këshilli Amerikan i Kërkimit të Shkencave Sociale, krijoi në vitin 1952 një Komitet të përkushtuar për Kërkimet mbi Sigurinë Kombëtare. Një brez studiuesish të rinj, mes tyre edhe Henri Kisinger, nisi t’i qasej sigurinë si një temë që kishte nevojë për një themel të fortë teorik. Po ashtu, ajo ishte një rrugë për politikëbërësit, vendimet e të cilëve mund të zvogëlojnë ose shtojnë kërcënimin gjithmonë të pranishëm të luftës. Ata ishin të bashkuar nga lidhja me “realizmin” si një paradigmë për sigurinë e shtetit, që e ka origjinën nga Makiaveli dhe Hobs. Çelësi ishte mbijetesa me çdo mjet, moral apo çdo gjë tjetër; fuqia ishte çelësi i sigurisë, dhe në epokën moderne kjo nënkuptonte fuqinë ushtarake. Supozohej se realizmi, duhet të ishte parimi udhëheqës në politikën e jashtme të një shteti, edhe nëse rezultati përfundimtar ishte lufta.
Fusha e studimeve mbi sigurinë, është marrë gjithmonë me gjetjen e mënyrës se si shtetet
ta menaxhojnë më së miri sigurinë e tyre kur përballen me çështjen e përhershme të luftës.
Objektivi kryesor, i përsëritur rregullisht si një deklaratë përkufizuese, ishte të kuptohej “kërcënimi, përdorimi dhe kontrolli i forcës ushtarake”.
Në dekadat e para pas vitit 1945, kjo nënkuptonte në fakt përballjen me kërcënimin e armëve bërthamore. Ky ishte tanimë një problem, me të cilin mund të merreshin teoricienët civilë,
dhe jo vetëm udhëheqja ushtarake.
Teoria e parandalimit, e hartuar nga strukturat e sigurisë, e dominoi diskursin e sigurisë
derisa kontrolli i armëve dhe detanta (ulja e tensionit) e viteve 1960, e bënë më pak urgjent parandalimin e luftës bërthamore. Nga vitet 1970 e në vazhdim, studimet mbi sigurinë kanë kaluar në analizimin e mënyrës sesi shtetet sillen në një rend më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare, në vend se të ruanin fokusin fillestar vetëm tek siguria kombëtare.
Kjo ishte një qasje e parë tashmë në Evropë, ku u kritikua gjerësisht “realizmi” në formën e tij
të papërpunuar hobsiane. Në Britani, një grup historianësh dhe studiuesish të marrëdhënieve ndërkombëtare themeluan në vitin 1959 Komitetin Britanik për Teorinë e Politikës Ndërkombëtare.
Ai udhëhiqej nga historiani i Kembrixhit, Herbert Batërfilld, i cili deri në mesin e viteve 1980 debatoi rregullisht mbi çështjet e rendit ndërkombëtar dhe mënyrën e mbështetjes së tij. Grupi përfshinte edhe Hedlej Bull, libri i mëvonshëm i të cilit, Shoqëria Anarkike, pretendonte se rendi ndërkombëtar ishte përcaktuar gjithmonë nga lufta dhe pasojat e saj.
“Është lufta dhe kërcënimi i saj”, shkroi ai, “që na ndihmojnë për të përcaktuar nëse shtete të veçanta mbijetojnë apo eliminohen, nëse ngrihen apo bien, dhe nëse kufijtë e tyre mbeten
të njëjtë apo ndryshojnë”.
Ai dhe kolegët e tij, të njohur kolektivisht si “shkolla angleze”, u përpoqën të shpjegonin se si mund të shmangej lufta, pavarësisht nga karakteri anarkik i marrëdhënieve ndërkombëtare
midis dy shteteve. Dhe ata zbuluan në historinë e kohëve të fundit të marrëdhënieve ndërkombëtare, se pavarësisht dy luftërave botërore, rendi dukej një gjendje më e zakonshme sesa kaosi.
Sipas tyre, lufta ishte pasojë e strukturës ndërkombëtare, por ishte më e rëndësishme të kuptohej se si të sigurohej paqja. Herri Hinslej, bashkëkohës i Baterfilld në Kembrixh, shkroi në vitin 1963 librin “Pushteti dhe ndjekja e paqes”, si një kontribut i mëtejshëm për një kuptim më të mirë se si të zhvillohej një rend ndërkombëtar modern, si një “ilaç ndaj kaosit ndërkombëtar”.
Shpjegimi i luftës apo i mungesës së saj përmes të kuptuarit të sistemit ndërkombëtar, në vend të sjelljes së shteteve individuale, nisi të përshkruhej midis teoricienëve strategjikë amerikanë si “neo-realizëm” (që s’duhet të ngatërrohet me “realizmin neoklasik”, i cili merret me politikën e jashtme të shteteve individuale).
Në përgjithësi supozohet se teksti themeltar i neorealizmit ishte libri i Keneth Uolc, profesor
në Universitetin e Kalifornisë, Berkli, mbi Teorinë e Politikës Ndërkombëtare, botuar në vitin 1979.
Edhe pse dyshohet se ishte i ndryshëm nga teoria e sigurisë kombëtare, që e kishte dominuar
në Luftën e Ftohtë bipolare që nga vitet 1940, Uolc e përcaktoi sistemin ndërkombëtar si një koleksion shtetesh, që dëshironin ta përdornin pushtetin për të mbrojtur sigurinë e tyre. Përfundimet e tij, ndryshonin rrënjësisht nga ato të Bull dhe Hinslej. Ai supozonte se konflikti dhe konkurrenca e përcaktonin vetë sistemin. “Shtetet në një rend anarkik”, shkroi Uolc, “duhet të garantojnë sigurinë e tyre, dhe janë të shumta kërcënimet e dukshme për sigurinë e tyre”.
Përsëritja e luftës, vazhdoi ai, shpjegohet nga struktura e sistemit ndërkombëtar. “Në një mbretëri anarkike”, argumentoi Uolc, “paqja është e brishtë”. Për ta ndërlikuar më tej panoramën teorike, neo-realistët janë ndarë në dy shkolla të dallueshme mendimi,
“realistë ofensivë” dhe “realistët mbrojtës”.
Të parët janë realistë të pa kompromis, dhe argumentojnë se shtetet nuk duhet të zbutin asnjëherë marrëdhëniet me të tjerët, por duhet të jenë gjithmonë të përgatitur për mundësinë e agresionit, duke miratuar një profil ushtarak të orientuar qëllimisht drejt ofensivës, kur ajo është e nevojshme.
Shtetet nën këtë formë të neo-realizmit, duhet të përpiqen gjithmonë që të kenë më shumë pushtet për të garantuar sigurinë e tyre, sesa Roma gjatë kohës që ishte republikë. Në këtë kuptim, pushtetit nuk ndiqet për hir të tij, por që një vend të bëhet më i sigurt.
Për të arritur rendin, duhet të ketë në çdo moment një ekuilibër fuqie, si ai në Luftën e Ftohtë midis dy superfuqive të armatosura rëndë. Nga ana tjetër realistët mbrojtës, argumentojnë si edhe shkolla angleze, se siguria mund të menaxhohet më mirë duke pasur një qëndrim më të moderuar me një profil ushtarak më të përshtatshëm për mbrojtjen.
Përveç kësaj, shtetet mund t’i zgjidhin dilemat e sigurisë me bashkëpunim, aleanca, konventa, madje edhe me çarmatim. Kufizimet që vendos një strukturë më pajtuese dhe bashkëpunuese, do ta bëjnë luftën më pak të mundshme, dhe në fakt kjo është karakteristikë e marrëdhënieve ndërkombëtare moderne.
Këta të ashtuquajtur “modifikues strukturorë”, e zvogëlojnë gjendjen e anarkisë dhe lejojnë funksionimin e sistemit ndërkombëtar. Por ajo që nuk adreson drejtpërdrejt asnjëra nga shkollat, është se çfarë ndodh kur dështon qasja realiste e secilës nga shkollat dhe kur shpërthen lufta.
Përgjigja është një lloj paradoksi. Në vend se të forcojë sigurinë, realizmi ofensiv mund ta sabotojë atë. Një grumbullim ushtarak, mund të inkurajojë një garë konkurruese armatimesh dhe të rrisë rrezikun e luftës. Një qëndrim agresiv, mund të inkurajojë shtetet e tjera që të bashkohen, sipas modelit Hobsian, për t’i penguar ushtarakisht shtetet që synojnë të rrisin fuqinë e tyre.
Realizmi mbrojtës vuan nga i njëjti problem. Në rast se shtetet tregojnë se kanë hequr dorë nga një qasje ushtarake sulmuese, ose fillojnë të çarmatosen në mënyrë të njëanshme, ose i bëjnë të qarta qëllimet e tyre të politikës së jashtme. Kështu siguria rrezikohet sërish.
Në këto rrethana, një shtet agresiv mund të tundohet që ta zgjerojë pushtetin në kurriz të shteteve që kanë zgjedhur një qasje mbrojtëse të moderimin si rrugën drejt sigurisë së tyre. Në këto kushte, forma më e mundshme e luftës, është rezultat i perceptimit të gabuar të synimeve të shteteve të tjera, një tipar që shoqëroi shpërthimin e të dyja luftërave botërore,
në të cilat udhëheqësit gjermanë e keqinterpretuan reagimin e qeverisë britanike ndaj krizës.
Pasiguria e krijuar nga përpjekja për të hamendësuar se çfarë do të bëjnë shtetet e tjera, mund të shndërrohet shumë shpejt në një krizë për të prodhuar një luftë të paqëllimshme midis fuqive, asnjëra prej të cilave nuk mund të ketë synuar fillimisht të zhvillonte një luftë të madhe.
Natyra e errët e synimeve strategjike, të cilat shumica e shteteve moderne i errësojnë qëllimisht, mund të nxisë gjithashtu luftën parandaluese për të goditur, përpara se këtë ta bëjë një armik i mundshëm. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, multipolariteti e ka rritur rrezikun e luftës, ose të paktën kështu pretendohet.
Pasi ai i shumëfishon shanset për llogaritje të gabuara, ku është i rrezikshëm çdo kërcënim për sigurinë. Bota bipolare e Luftës së Ftohtë, në të cilën “shkatërrimi i sigurt reciprok”, e ruajti paqen për një kohë të gjatë, konsiderohet tani me ironi si një strukturë më e sigurt për shmangien e luftës së madhe se sa struktura e fragmentuar që e pasoi.
Është e lehtë të kritikosh themelin teorik të studimeve të sigurisë si një shpjegim për shkaqet e luftës. Historia është bërë për t’iu përshtatur teorive dhe jo anasjelltas. Shkalla e abstraksionit në rrëfimet neorealiste të dilemës së sigurisë është e qëllimshme, sepse ato nuk synojnë të jenë udhëzuese për mënyrën se si shtetet individuale duhet të sillen vërtet, por për të përshkruar sistemin në të cilin duhet të veprojnë, i cili në çdo moment mund të rrisë sigurinë ose ta vërë atë në rrezik.
Në epokën moderne ekzistojnë shumë shembuj të liderëve që kanë dështuar në testin e realizmit - shpallja e luftës nga Hitleri ndaj Shteteve të Bashkuara është një shembull i dukshëm - dhe për pasojë kanë krijuar kushte, në të cilat siguria sakrifikohet për fantazitë strategjike.
As neo-realizmi nuk trajton aspekte të tjera të sigurisë përveç asaj ushtarake - siguria mjedisore, ekonomike dhe ajo njerëzore - që ka luajtur një rol të madh në studimet e sigurisë që nga vitet 1990. Neorealizmi është më bindës në shpjegimin e rrezikut të luftës, kur bëhet fjalë për problemin e vlerësimit të qëllimeve të shteteve të tjera
Pasi kufiri i gabimit në mbivlerësimin ose nënvlerësimin e kërcënimit, mund të ketë pasoja të rëndësishme në lidhje me gatishmërinë për të rrezikuar fillimin e luftës apo për t’u armatosur rëndë për ta shmangur atë.
Edhe në rastet kur rreziqet e sigurisë nga shtetet fqinje tani janë pothuajse jo ekzistuese, shpenzimet dhe përgatitjet ushtarake, mbahen në nivele të larta për kërcënimin e papritur në pjesë të tjera të botës, qoftë nga shtetet grabitqare, nga lëvizjet e dhunshme jo-shtetërore, apo
nga ambiciet e paparashikueshme të udhëheqësve arrogantë.
Këmbëngulja e teorisë neo-realiste, sipas së cilës siguria është gjithnjë relative në një rend ndërkombëtar dinamik, përdoret për të shpjeguar arsyen pse shtetet nuk mund ta zbusin vigjilencën e tyre ose të mbështeten tek besimi.
“Dilema e sigurisë”, shkroi realisti neo-klasik amerikan Xhefri Taliaferro një dekadë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, “është një tipar i pazgjidhshëm i anarkisë”. Kjo dilemë, ekziston ende me kërcënimin ndaj sigurisë të paraqitur nga armët bërthamore, kushti që nxiti për herë të parë shfaqjen e studimeve të sigurisë në vitet 1940.
Parandalimi funksionoi mjaftueshëm mirë në një sistem bipolar midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, edhe pse nuk i pengoi të dyja superfuqitë të angazhoheshin në një luftë konvencionale. Uolc argumentoi në vitin 1990, se mundësia e një lufte të madhe midis shteteve që kanë një arsenal bërthamor “po i afrohet zeros”.
Deri në atë moment kishte 5 fuqi bërthamore: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania, Franca dhe Kina. Më pas iu bashkuan Pakistani, India dhe Koreja e Veriut. Izraeli supozohet të jetë një fuqi bërthamore, por nuk e ka bërë ende publike.
Mospërhapja e armëve bërthamore, e rregulluar nga një traktat i negociuar për herë të parë në 1968, është miratuar nga të gjitha shtetet me përjashtim të 4 fuqive të reja bërthamore. Edhe pse gjatë viteve 1960-1970 Shtetet e Bashkuara po ushtronin presion mbi Republikën Federale Gjermane, Korenë e Jugut dhe Tajvanin për të braktisur idenë e zhvillimit të armëve të tyre bërthamore.
Më shumë se 90 për qind e bombave bërthamore ekzistuese, mbahen ende nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, pasardhëse e Bashkimit Sovjetik. Prandaj nuk është zhdukur sfida fillestare e sigurisë që gjatë Luftës së Ftohtë.
Supozimi konvencional midis politikanëve, udhëheqësve ushtarakë dhe publikut më të gjerë - madje edhe në një botë me 9 fuqi bërthamore - është se armët nuk do të përdoren në zemërim e sipër, dhe kjo për shkak të probabilitetit të madh të shkatërrimit të ndërsjellë në masë.
Ky supozim ngre pyetjen se përse India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut kanë nevojë për armë bërthamore, nëse ato janë një burim që nuk mund të përdoret kurrë. Në të katërta këto raste, ekzistojnë çështje rajonale të sigurisë, në të cilat opsioni bërthamor mund të përdoret me qëllim ose parandalues ose si lëvizja e fundit.
Çështja se cilat rrethana mund të shkaktojnë një konflikt bërthamor, është hulumtuar kohët e fundit përmes ekzaminimit të lojërave të luftës bërthamore në SHBA, me të dhënat që janë deklasifikuar vetëm së fundmi.
Në vitin 1961, Shefat e Përbashkët të Shtabit të SHBA themeluan një grup kontrolli të Lojërave të Përbashkëta të Luftës (më vonë Agjencia e Përbashkët e Lojërave të Luftës), për të zhvilluar lojëra të rregullta 5 ose 6 herë në vit.
Në një seri të tyre, SHBA-ja vihej kundër fuqive bërthamore, dhe në një seri tjetër kundër fuqive jo bërthamore. Në lojërat bërthamore, dy skuadra, njëra blu dhe tjetra e kuqe, kryenin lëvizjet e tyre të lojës në dhoma të veçanta, të monitoruara nga një kontrollues.
Në të gjitha rastet, përveç 2 lojërave në vitet 1960 dhe fillimin e viteve 1970, skuadrat nuk kërkuan përdorimin e armëve bërthamore. Por në një rast kur u pranua opsioni bërthamor, zgjedhja nxori në pah atë që mund të ndodhë në një situatë ku dështon menaxhimi i krizës.
Loja BETA I e vitit 1967, përfshiu 96 persona nga grupet kërkimore të ushtrisë, politikës dhe strategjisë. Skenari ishte pushtimi sovjetik i Berlinit Perëndimor dhe përpjekjet amerikane
për të reaguar. Vështirësitë e frymëzuan ekipin blu (Shtetet e Bashkuara) për të përdorur armë taktike bërthamore.
Më pas skuadra e kuqe (Bashkimi Sovjetik) u hakmor, duke asgjësuar 6 divizione amerikane me një sulm bërthamor. Menjëherë, ekipi blu i përshkallëzoi veprimet me përdorimin e raketave ndër-kontintale, ndërsa ekipi i kuq arriti në përfundimin se ai po kalonte në strategjinë e sulmit bërthamor total.
Më pas, u urdhërua një goditje e parë kundër Shteteve të Bashkuara, dhe ekipi blu u kundërpërgjigj me një goditje të dytë. Në analizën që u bë pas lojës, skuadra blu u ankua se nuk iu dha kohë e mjaftueshme për të reflektuar mbi opsionet e saj,
Prandaj përballë një krize të papritur, zgjodhi të sulmonte i pari me armë bërthamor taktike. Ekipi i kuq, konfirmoi se nuk ishte frenuar aspak nga ideja se luftës bërthamore, e cila nuk do të ishte shumë më e keqe se fati i Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
Loja ishte një shembull model, se si përshkallëzimi mund të vijë nga menaxhimi i dobët i krizës - perceptimi i gabuar, paniku i përkohshëm, një ngushtim i papritur i opsioneve strategjike - që mbetet ende një mundësi në shekullin XXI.
Rreziqet e sigurisë në lidhje me një lufte bërthamore, u ekspozuan papritur në një konflikt
të vërtetë kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022. Mbështetja perëndimore për Ukrainën i rriti menjëherë rreziqet, pasi tre nga shtetet që ofronin ndihmë nëpërmjet NATO-s ishin të pajisura me armë bërthamore.
Ato përballeshin me një Rusi të armatosur bërthamore, dhe një regjim kinez përgjithësisht armiqësor ndaj përfshirjes perëndimore. Kërcënimet e herëpashershme nga Putin, se ai nuk do
të shmangte edhe përdorimin e armëve të tilla nëse kërcënohej seriozisht siguria e Rusisë,
ishin të vështira për t’u interpretuar, por nuk mund të shpërfilleshin.
Studimet e sigurisë, kanë supozuar për dekada se parandalimi funksionon, por shtetet diktatoriale e kanë më të vështirë të integrohen në një strukturë kufizuese konsensuale. Pushtimi i Ukrainës është një shembull tjetër i paqëndrueshmërisë së mundshme të kufijve.
Lufta ruse në Çeçeni në vitet 1994-1996 dhe sërish në vitin 1999, kundër Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe në mbrojtjen e rusëve separatistë që jetojnë në Ukrainën Lindore nga viti 2014 e
tutje, është produkt i një dëshire për një kufi që siguron integritetin territorial rus si dhe solidaritetin etnik, edhe nëse kjo nënkupton pushtimin e fqinjëve.
Siguria si një funksion i territorialitetit, e dukshme në Kashmir, ashtu si dhe në Ukrainë, i bën jehonë shekujve në të cilët kufijtë shënuan një vend të veçantë tek luftërat e vazhdueshme. Por, ashtu si në të kaluarën, kërkimi për siguri mund të shkaktojë një pasiguri më të madhe.
Dhe në kushte të tilla, nuk mund të përjashtohet përdorimi i armës më të fuqishme. Kërkimi në çdo rast i sigurisë, si një shpjegim për vazhdimësinë e luftës, vështirë se mund të mohohet
si arsye. “Qasja luftarake” e Hobs, është një karakteristikë e pothuajse të gjitha shoqërive historike të njohura, dhe gjerësisht e dukshme midis popujve pa një histori të shkruar, si të lashtë ashtu edhe modernë.
Siguria nuk është një abstraksion. Ajo përshkruan përpjekjet praktike për të mbrojtur klanin, fisin, principatën, shtetin ose perandorinë nga kërcënimi i jashtëm ose i brendshëm. Ndjekja e sigurisë, s’duhet të përfshijë domosdoshmërisht dhunën luftarake nëse ekzistojnë edhe rrugë të tjera për ta arritur atë.
Nëse siguri do të thotë luftë, ajo mund të jetë ose mbrojtëse ose agresive. Lufta për siguri, mund të përfshijë edhe motive të tjera që mund të jenë të vështira për t’u ndarë nga përpjekja për të zgjidhur “dilemën e sigurisë” - kapja e burimeve dhe territorit, rritja e pushtetit politik, zgjerimi i një sistemi besimi - por siguria është përparësia kryesore, pas së cilës mund të sigurohen përparësi të tjera.
Është e qartë se gjatë historisë, ka pasur shumë periudha dhe rajone ku është arritur stabiliteti, sado i përkohshëm qoftë ai. Përndryshe lufta e të gjithëve kundër të gjithëve siç teorizonte Hobsi, do ta kishte bërë të patolerueshme ekzistencën e njerëzimit.
Megjithatë, mbetet fakt që krijimi i Lidhjes së Kombeve në vitin 1919 me shpresat për paqe
të përhershme, u pasua pas 2 dekadash nga konflikti më i madh dhe më i përgjakshëm në historinë botërore. Faktori qeverisës është besimi ose mungesa e tij.
Pasiguria ose mosbesimi ndaj motiveve apo sjelljes së fqinjëve ka nxitur luftëra, edhe kur nuk ka pasur arsye për vendimin. Nga këtu buron edhe rëndësia e kufijve, qofshin fiktivë apo të realë, në shpjegimin e sigurisë si origjina e luftës.
Provat historike, konfirmojnë se siguria ka qenë gjithmonë një kusht i pakapshëm, i kushtëzuar dhe i përkohshëm, i varur në epokën moderne nga teknologjia ushtarake mbizotëruese dhe nga forca e marrëveshjeve ose e institucioneve ndërkombëtare, por i dukshëm që mijëra vite më parë në mbrojtjen e gjatë të perandorive romake dhe kineze.
Në shekullin XXI, kufijtë e rinj janë shfaqur tek mundësia e luftës në hapësirë dhe asaj kibernetike. Të dyja këto perspektiva, i komprometojnë shqetësimet aktuale mbi sigurinë, madje edhe sigurinë bërthamore. Këta kufij të rinj, janë kufij të hapur me gjithçka që nënkupton një status i tillë.
Përfundim
“Teoricienët shpjegojnë atë që historianët e dinë: lufta është një dukuri normale”.
(Kenet Uolz, 1989)
Teoritë rreth shkaqeve të luftës janë të shumta. Ky realitet, ka ndikuar mbi idenë se lufta nuk mund të shpjegohet në një mënyrë të kënaqshme, sepse teoritë e shumta prodhojnë një koktej të çrregullt idesh, në vend të një përgjigjeje të vetme dhe koherente, si ajo që Ajnshtajni shpresonte të merrte nga Frojdi.
Sigurisht, siç e kanë treguar edhe kapitujt e mëparshëm, nuk ekziston një konsensus midis studiuesve në shkencat kryesore humane, që janë përpjekur të shpjegojnë shkakun e luftës gjatë shekullit të kaluar. Përfundimi i qartë, është se nuk ka asnjë shkak të vetëm ose të drejtpërdrejtë për të shpjeguar vazhdimësinë e luftës në të kaluarën e njerëzimit.
Prandaj është e kotë përpjekja për të gjetur një shpjegim një shkakësor për luftën. Natyrisht, kjo s’do të thotë që lufta si dukuri nuk mund të shpjegohet, por që ajo ka shpjegime të shumëfishta, të varura nga koha dhe vendi, ashtu siç dhuna kolektive e përkufizuar si luftë, ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës, nga përleshjet dhe pritat vdekjeprurëse të Epokës së Paleolitit tek kërcënimi i asgjësimit termonuklear në shekullin aktual.
Mungesa e konsensusit, është e dukshme tek përpjekjet e studiuesve në të gjitha disiplinat, që synojnë të tregojnë se lufta është një devijim evolucionar, kryesisht i munguar tek njerëzit që kanë jetuar para krijimit të shteteve, dhe se në periudhën e gjatë historike, ato ishin kryesisht asgjë më shumë se sa një ndërprerje e paqes.
Qasje të tilla, nxiten nga nevoja për të treguar se “normale” është paqja dhe jo lufta. Pretendimi
i Margaret Med, se lufta është një shpikje kulturore, që mund ‘”’shpiket”, nëse njerëzit e dëshirojnë aq shumë këtë gjë, reflektohet në argumentin pacifist se gjatë 100 viteve të fundit, institucionet dhe normat janë zhvilluar aq shumë, sa për ta bërë luftën më pak të pranueshme ose të mundshme.
Madje edhe në një epokë që ka parë dy luftërat më të mëdha dhe më të kushtueshme në historinë botërore. Ky është një argument që mund të çohet në ekstrem. Politologu Majkëll Muso, sugjeron se evolucioni gjatë 5 shekujve të fundit i një morie shtetesh të orientuara drejt tregut të përkushtuara ndaj normave dhe vlerave liberale të tregut, “do të kulmojë ndoshta në një paqe të përhershme botërore”, duke e çuar gati në zero prirjen për të bërë luftë.
Por pak nga ata që argumentojnë se paqja është një pjesë normale e evolucionit njerëzor, do të shkonin kaq larg. Antropologu Dagllas Fraj, mbështetësi kryesor i konceptit të një të kaluare njerëzore (relativisht) paqësore, e mbështeti pretendimin Med duke argumentuar se “lufta, ashtu si skllavëria para saj, mund të zhduket një ditë”.
Ai inkurajoi zhvillimin e mëtejshëm të qeverisjes ligjore dhe institucionale të çështjeve ndërkombëtare, për t’i kontrolluar konfliktet para se ato të përshkallëzohen: “Ne përballemi
me sfidën e sjelljes së sherifit dhe gjykatësit në Perëndimin e Egër global”.
Kjo është një sfidë, të cilën deri më sot njerëzimi e ka shmangur. Problemi me shumë nga argumentet për paqen si një qëllim kryesor i njerëzve, qëndron tek kërkimi i shkaqeve të luftës. Supozimi, se të kuptuarit e plotë të arsyeve së përse ndodh lufta, do të bëjnë të mundur eliminimin e saj, si gjetja e një kure për të gjithë llojet e tumorit, i nënshtrohet kundërshtimit të dukshëm nga argumenti se lufta është shumë e larmishme dhe historikisht e përhapur, për t’u “kuruar” me një ilaç të vetëm ose me mjete mbizotëruese.
Edhe sherifi dhe gjykatësi, duhej ta zbutnin me armë, atë që u njoh si Wild West, Perëndimi i Egër. Lufta, siç argumentoi Kenet Uolz është një dukuri normale, jo aq shumë për historianët se sa për studentët e shkencave të tjera humane. Dhe them “normale”, në kuptimin që nuk është një devijim, por një pjesë përbërëse e historisë së gjatë të njerëzimit.
Për më tepër, cilado qofshin rrethanat që e diktojnë një akt dhune kolektiv, të vogël apo të madh qoftë, lufta është praktikuar në çdo rajon të botës, dhe përmes ndryshimeve të shumta
në organizimin shoqëror dhe politik, gjë që sugjeron se ekzistojnë shpjegime themelore për shkakun e ekzistencës së luftës në përgjithësi.
Nëse nuk do ta bënin këtë, komunitetet njerëzore do të kishin zgjedhur të silleshin ndryshe. Njerëzit, dhe kryesisht meshkujt, janë e vetmja specie shtazore, që gjatë një periudhe të gjatë evolucionare, kanë vrarë në numër të madh të afërmit e tyre, shpesh duke shkaktuar dhunë me një mizori të paramenduar, duke mos marrë parasysh gjininë apo moshën e viktimave.
Kjo ishte e vërtetë si për njerëzit mijëra vjet më parë, ashtu edhe në konfliktet e egra që kanë dominuar tashmë çerekun e parë të shekullit XXI. Në mbështetje të argumentit se njerëzit, dhe sidomos ata të epokës modernë, kanë një neveri ndaj vrasjes së të tjerëve, është kundër-prova se në Luftën e Dytë Botërore ishte e mundur të merreshin 100 milionë burra, një pjesë e shoqërive të tyre, dhe pas periudhave shpesh të shkurtra stërvitore, të bombardonin, qëllonin dhe shpartallonin miliona qenie të ngjashme me ata.
Ekzistojnë disa nivele shpjegimi mbi dhunën e jashtëzakonshme të shfaqur nga njerëzit. Niveli
i parë, përfshin shkaqet e përgjithshme, të brendshme e të jashtme, që kanë ndikuar tek evolucioni i njerëzve.
Fakti që njerëzit janë përshtatur biologjikisht për t’iu drejtuar dhunës kur është e nevojshme për të ruajtur grupin e gjeneve dhe për të siguruar sukses në riprodhim, duket se është tani tulla e parë ndërtuese për shpjegimin e konfliktit brenda llojit.
Në këtë kuptim, lufta nuk është në gjenet tona, por për gjenet tona. Meqenëse njerëzit veprojnë me vetëdije, dhe jo thjesht për shkak të instinktit, shtysa biologjike për të luftuar kur është e nevojshme, u përforcua nga një psikologji e evoluar, e cila e ndau botën njerëzore në “ne” dhe “ata”, duke e justifikuar vrasjen brenda llojit.
Po ashtu, krijoi një predispozitë psikologjike për ta pranuar dhunën kolektive si një përgjegjësi shoqërore normative, veçanërisht për njerëzit. Ndërsa komunitetet njerëzore të lashta, zhvilluan gjuhën dhe kulturën simbolike, u bë e mundur që luftës t’i atribuohej një kuptim më i thellë, si një manifestim i besimeve ose i kulturave kozmologjike, në të cilat lufta konsiderohej e nevojshme dhe e vlefshme.
Bashkë-evolucioni i kulturës dhe biologjisë gjatë pjesës më të madhe të së kaluarës së gjatë të njerëzimit, ka krijuar kushte në të cilat natyra së bashku me kulturën, dhe jo vetëm njëra ose tjetra, e kanë përforcuar përdorimin e dhunës kur konsiderohej e nevojshme ose e dobishme.
Për më tepër, mjedisi natyror në të cilin evoluan njerëzit, ka siguruar shtysa të jashtme për të vepruar në mënyrë të dhunshme, kur ishin shterur burimet ekologjike dhe kur përshkallëzohej konkurrenca njerëzore për to. Këto shkaqe të përgjithshme, mund të gjurmohen në kohë dhe hapësirë, dhe mund të gjenden edhe në të kaluarën e afërt.
Ose tek e tashmja, siç është rasti i ndryshimeve klimatike apo i përdorimit të kulturës si një armë ndaj të tjerëve. Evolucioni i luftës, mund të jetë shfaqur në mënyrë të pavarur në pjesë të ndryshme të globit ndërsa njerëzit u përhapën nga Afrika, por rezultati ka qenë i zakonshëm: lufta e bazuar në shtysa të brendshme dhe të jashtme ka qenë një mënyrë, edhe pse jo e vetmja, përmes së cilës njerëzit kanë synuar të garantojnë mbijetesën e tyre.
Niveli i dytë i shpjegimit, zhvendoset nga konteksti i përgjithshëm i luftës tek motivimet specifike që nxisin veprimin. Njerëzit kanë vepruar dhe veprojnë brenda parametrave të përgjithshëm të përshkruara tashmë, por e bëjnë këtë për arsye të vetëdijshme.
Këto mund të përcaktohen gjerësisht sipas 4 temave të përshkruara në 4 kapitujt e pjesës së dytë të librit: burimet, besimi, pushteti dhe siguria. Ato nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, pasi synimi për të pasur sa më shumë pushtet, ka të ngjarë të rrisë edhe sigurinë, ashtu siç ka të ngjarë të sjellë burime shtesë.
Por përfitime në burime mund të sjellë edhe një luftë për hir të besimit, siç bënë për një kohë
të shkurtër Kryqëzatat, duke rritur në të njëjtën kohë edhe sigurinë e besimtarëve në Tokat e Shenjta. Megjithatë, në shumicën e rasteve është e mundur, si në luftërat e lashta ashtu edhe
ato moderne, të izolohet motivi kryesor që qëndron prapa një konflikti të caktuar.
Po ashtu, është e mundur që një individ i vetëm ambicioz, një Aleksandër apo Napoleon, të ofrojë forcën lëvizëse për luftën: një shkak unik dhe i paparashikueshëm, i vështirë për t’u integruar me parametrat më të gjerë të luftës apo me gamën e zakonshme të motivimeve.
Këto motivime, ashtu si niveli i faktorëve të përgjithshëm, janë universale dhe jo historikisht të kushtëzuara. Kërkimi për siguri, pushtet, lakmi për burimet e të tjerëve dhe luftërat për besimet fetar apo ideologjitë, janë të natyrshme tek qenia njerëzore. Sigurisht, këto qëllime mund të arrihen me mjete të tjera përveç luftës.
Por kur ato pengohen, janë të pazgjidhshme apo imponohen kulturalisht, atëherë mbetet si mundësi e fundit përdorimi i dhunës për t’i arritur ato, qoftë nga nomadët që bastisnin dikur kufijtë e Kinës perandorake, apo nga ushtria ruse sot në Ukrainë.
Lufta, e parë përmes dy niveleve të shpjegimit, kontekstit të përgjithshëm që përcakton motivimet specifike, mund të kuptohet si një përzierje e shtysave që kanë mbetur jashtëzakonisht të qëndrueshme gjatë gjithë historisë njerëzore, edhe pse përzierja e tyre mund të ndryshojë nga rasti në rast.
Mënyrat komplekse se si lufta është formësuar nga shtysat natyrore dhe faktori njerëzor që ndërvepron së bashku me të, nënkupton braktisjen e idesë se shpjegimi i luftës mund të jetë diçka e thjeshtë. Ndaj mbetet ajo që Azar Gat e ka quajtur “matrica shkakësore që çon drejt luftës”.
Kjo i lë ende shumë punë historianëve, pasi çdo luftë do të ketë narrativën dhe aktorët e vet,
por si një përgjigje e përgjithshme ndaj pyetjen “Pse luftojmë?”, lidhja shkakësore mund të zbatohet në një mënyrë universale. Çdo diskutim mbi shkaqet e luftës, ngre pikëpyetjen nëse kjo dukuri ka të ngjarë të mbetet apo jo në axhendën e njerëzve.
Ka pasur shumë diskutime mbi vjetërimin e luftës si një mjet apo edhe mbi zhdukjen e saj graduale. Ideja se nuk do të ketë më kurrë luftë midis fuqive të mëdha, ka qenë e zakonshme
në diskutimet strategjike, që nga shpërbërja e bllokut sovjetik në vitet 1990 - 1991, edhe pse një argument shumë i ngjashëm ekzistonte para vitit 1914 dhe fillimit të “Luftës së dytë Tridhjetëvjeçare”.
Parashikimet mbi të ardhmen e luftës, vuajnë nga të gjitha disavantazhet e dukshme që ka zakonisht çdo parashikim, por edhe sepse pasiguria që ka sjellë rritja e Kinës dhe pasiguria e rolit të SHBA-së për të ardhmen, ka provokuar një valë Kasandrash, të cilat parashikojnë konflikt të ri të afërt midis tyre.
Një projeksion statistikor mbi parashikimin e luftës sipas rajoneve dhe vendeve deri në vitin 2050, i botuar në vitin 2013, tregoi se konfliktet brenda shteteve, dhe jo ajo midis tyre, do të bien me rreth 50 për qind deri në mesin e këtij shekulli.
Tanzania u parashikua me shumë saktësi të kishte një shans prej 21 për qind për konflikt në vitin 2030, e kështu me radhë. Duke pasur parasysh se masat e përdorura për të nxjerrë përfundime mbi rënien e konfliktit, janë normat e vdekshmërisë foshnjore dhe përparimet në arsimim, mund të jetë më mirë të mbështetemi tek Nostradamusi, parashikuesi i famshëm i Mesjetës.
Një studim më i afërt në kohë, ka sugjeruar se elementi i surprizës, do të jetë një faktor jetik në luftërat midis fuqive të mëdha në këtë shekull, gjë që është sigurisht më bindëse historikisht, megjithëse paraqet dilemën e përpjekjes për të parashikuar të paparashikueshmen.
Përveç pikëpamjeve kontradiktore mbi pashmangshmërinë e një lufte për pushtet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, ekzistojnë edhe forma të tjera të “luftës së ardhshme”, të cilat kanë tërhequr shumë vëmendjen e publikut. E para është lufta kibernetike, përpjekja e qëllimshme dhe agresive për të prishur operacionet e rrjetit kompjuterik të një rivali ose armiku.
Deri më tani, kjo gjë është tentuar vetëm nga Rusia, kundër Estonisë në vitin 2007, Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe Ukrainës në vitet 2022-2023. Sulmet kibernetike mund të synojnë rrjetet ushtarake dhe civile, duke dëmtuar jetesën e përditshme, komunikimet dhe aftësitë ushtarake. Qeveria amerikane e ka marrë aq seriozisht këtë kërcënim, saqë në vitin 2009 presidenti Barak Obama e shpalli infrastrukturën dixhitale një “aset kombëtar strategjik”.
Një vit më vonë, Komanda Strategjike e SHBA-së krijoi USCYBERCOM, si një nën-degë e ngarkuar me misionin e zhvillimit të mbrojtjes dhe sulmeve ndaj rrjeteve kompjuterike. Virusi kompjuterik amerikan ‘Stuxnet”, është përdorur që atëherë për të dëmtuar programin bërthamor të Iranit.
Duhet pranuar se lufta kibernetike ka efekte të tërthorta, pasi nuk do të vrasë askënd. Por pritet që të bëhet një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e arsenalit të çdo shteti të madh gjatë shekullit të ardhshëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kërcënimin e luftës në hapësirë. Konsensusi që nga vitet 1970, se hapësira duhet të jetë një zonë pa armë, është sfiduar gjithnjë e më shumë teksa më shumë shtete po vendosin satelitë në orbitë dhe zhvillojnë teknologji që mund të çaktivizojnë ose verbojnë një satelit rival.
Këtë gjë e ka treguar shpeshherë Kina me ushtrimet anti-satelitore gjatë dekadës së fundit. Për shkak se komunikimet satelitore bartin një dimension ushtarak shumë të rëndësishëm, ka pasur një shqetësim në rritje se si të mbrohemi kundër luftës në hapësirë.
Në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara themeluan Komandën dhe Forcën Hapësinore të SHBA-së me një mandat të ngjashëm me atë të Komandës së Luftës Kibernetike, për të zhvilluar aftësi anti-satelitore dhe mbrojtje satelitore, përfshirë Programin e Ndërgjegjësimit për Situacionin Hapësinor Gjeosinkron, një titull që do të nderonte veprën e H.G.Uells apo aktorët e serialit të famshëm “Star Trek”.
Lufta do të ndryshojë dukshëm gjatë shekullit të ardhshëm, por se midis kujt dhe për çfarë arsyesh, kjo është ende e paparashikueshme. Luftërat e zhvilluara deri më tani në këtë shekull, e konfirmojnë lidhjen shkakësore.
Ideja se lufta është programuar të zhduket një ditë si dukuri, është e pamundur të pajtohet
me serinë e konflikteve që kanë ndodhur që nga viti 2000 e këtej, apo për shkak të krizës ekologjike të parashikuar, mungesës së burimeve dhe konflikteve fetare në dekadat e ardhshme, të cilat mund të shkaktojnë disa lloje luftërash, të cilat kanë një histori të gjatë.
Aktualisht, ka pak bazë të mendohet se një botë pa luftë është gati të dalë nga rendi ndërkombëtar aktual ose i ardhshëm. Shkaqet e luftës kanë ekzistuar për mijëvjeçarë. Ndërsa po shkruhet ky libër, fuqitë e mëdha po përgatiten për një konflikt të mundshëm të madh për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Askush nga ata që sheh kundërshtarë të armatosur rëndë në terren, luftën me ndërmjetësim që zhvillohet nga Perëndimi apo kërcënimet e rregullta nga Rusia për një luftë bërthamore, nuk mund të bindet se lufta në të gjitha format e saj të shumta, do të shndërrohet në një relike të
së kaluarës.
Nëse lufta ka një histori shumë të gjatë midis njerëzve, ajo ka fatkeqësisht edhe një të ardhme.
“Ne nuk vdesim kurrë”, një libër mbi sekretet e jetës pas vdekjes
Vdekja është një dukuri e frikshme. Për të gjallët, ajo është një kufi, përtej të cilit mbretëron e panjohura. Megjithatë, ka gjithnjë e më shumë prova shkencore për ekzistencën e jetës pas vdekjes. Një jetë e ndryshme, por reale.
Kur largohemi nga bota e të gjallëve, vetë thelbi i asaj që jemi, të lirë nga kufizimet e guaskës sonë mishtore, vazhdon të ekzistojë në botën e padukshme, e nganjëherë të komunikojë me botën e dukshme. Skeptikët thonë se jeta pas vdekjes nuk është një realitet, por më tepër një besim i thjeshtë i bazuar tek dëshira e thellë e të gjallëve për të mbajtur kontaktin me njerëzit që i donin ose i admironin.
Në realitet, ndodh shpeshherë e kundërta: janë të ndjerët, ata që përpiqen të komunikojnë me të gjallët. Në librin “Ne nuk vdesim kurrë”, një bestseller ndërkombëtar, i sjellë edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese IRISOFT, nga një mediumët psikikë më të famshëm në SHBA dhe jo vetëm, Matt Fraser, ofron një perspektivë unike mbi jetën e përtejme si një mbretëri energjie të pastër, e cila bashkëjeton përkrah botës sonë fizike.
Matt beson se shpirtrat e të dashurve të vdekur vazhdojnë të krijojnë lidhje të thella me ne, se ata të janë aftë të ofrojnë ngushëllim dhe ndihmë përtej kufizimeve të kohës dhe hapësirës. Fraser rrëfen përvojat e tij si një medium që lidhet me shpirtrat që kanë ndërruar jetë.
Ai ndan me lexuesin të dhëna shumë intriguese mbi kalimin nga jeta në vdekje, komunikimin me jetën e përtejme, dhe se si të kuptuarit e kësaj ekzistence mund të nxisë rritjen personal dhe domethënien e kësaj jete, një nga dilemat e përhershme të njeriut.
Po ashtu, ai ofron teknika për të nxitur lidhjet shpirtërore, si përqafimin e pozitivitetin, vizualizimin e vegimeve dhe kujdesin e përhershëm për veten. Fraser thotë se kur shpirtrat kalojnë në botën tjetër, ata përjetojnë një periudhë vetë-analize, duke i rivlerësuar jetët e tyre tokësore dhe fituar në fund një këndvështrim të ri mbi veprimet e tyre, duke lënë mënjanë çdo ndjenjë të mbetur pendese apo pakënaqësie.
Gjatë fazës së rishikimit të jetës së tyre tokësore, shpirtrat fitojnë një kuptim dhe perspektivë më të thellë në lidhje me ngjarjet që janë përjetuar. Ata nisin të kuptojnë ndikimin e gjerë që kanë pasur veprimet e tyre tek të tjerët.
Shpesh shpirtrat përvetësojnë një perspektivë të karakterizuar nga empatia dhe depërtimi tek shpirti i tjetrit, ndërsa heqin dorë nga çdo ndjenjë e mbetur keqardhjeje ose hidhërimi që mund të ushqejnë ndaj vetes ose të tjerëve.
Matt Fraser është i bindur se krijimi i një lidhjeje me jetën e përtejme, mund të ndihmojë jo pak në zhvillimin individual dhe shpirtëror të një personi. Ajo mund të ofrojë ngushëllim, t’i ndihmojë individët të ecin përtej pikëllimit të tyre të momentit dhe t’u japë atyre një perspektivë të re që i fuqizon ata të kapërcejnë pikëllimin nga humbja e të afërmit, të shërojnë plagët e vjetra dhe të kenë një jetë më të përmbushur nga ai moment e në vazhdim.
Të kuptuarit se ata që kemi humbur, mbeten në një fare mënyre me ne, dhe kanë gjetur paqe në atë dimensionin tjetër, mund ta lehtësojë hidhërimin e madh që shkaktoi largimi i tyre fizik nga kjo botë.
Në këtë libër, Fraser e vë gjithashtu theksin tek funksioni udhëheqës i shpirtrave për ata që jetojnë në Tokë. Ato ofrojnë inkurajim, udhëzim dhe frymëzim për të dashurit e tyre, duke i udhëhequr ata në një rrugë drejt zhvillimit personal, gëzimit dhe arritjes së aspiratave të tyre. Prandaj duke i kushtuar vëmendje mençurisë së dhënë nga bota shpirtërore, njerëzit mund të fitojnë njohuri të thella, dhe të sjellin ndryshime pozitive në jetën e tyre.
Përqafimi i parimeve që lidhen me jetën e përtejme, siç janë dhembshuria absolute, falja e të tjerëve dhe hedhja pas krahëve e inateve dhe ankesave të dikurshme, mund të transformojë rrënjësisht pikëpamjen e një individi. Jeta e përtejme, karakterizohet nga një mjedis i mbushur me dashuri të pafundme, falje dhe potencial për çlirim.
Shpirtrat zotërojnë një perspektivë më të gjerë dhe më të ndjeshme, të pa ngarkuar nga përkatësitë dhe paragjykimet e vdekshme. Në bisedat e tij me ata që kanë ndërruar jetë, Fraser vëren se perspektiva e tyre mbi jetën këtu në Tokë, bëhet më e gjerë dhe më e dhembshur pas kalimit të tyre në botën tjetër.
Vetë historia personale e autorit të librit, nënvizon rëndësinë e jashtëzakonshme të zbulimit të aftësive tona të lindura dhe të përkushtimit të tyre në shërbim të të tjerëve. Dëshira e tij për të ndihmuar të tjerët, e çoi fillimisht drejt një karriere si mjek në shërbimin e urgjencës.
Atje ai zbuloi dhe përqafoi dhuntinë e tij dalluese, e cila i lejoi të angazhohej në biseda me botën shpirtërore, duke zbuluar vokacionin e tij të vërtetë: ofrimin e ngushëllimit dhe zgjidhjeve për ata që ishin në zi për humbjen e të dashurve të tyre.
Matt e përmend vazhdimisht në libër faktin se shpirtrat nga bota e përtejshme, e theksojnë rëndësinë që ka të qënit origjinalë në jetën tokësore, si dhe të shfrytëzimin maksimal të kohës. Ai merr shpesh komunikime nga të ndjerët, të cilat shprehin dëshira apo rekomandime urgjente për të afërmit që janë ende gjallë.
Ata i frymëzojnë të dashurit e tyre që të angazhohen plotësisht në jetën e tyre tokësore, të ndjekin aspiratat e tyre dhe të vlerësojnë çdo moment, të vetëdijshëm për faktin se koha jonë në Tokë është e kufizuar. Fraser shprehet ndër të tjera se kultivimi i një mendësie pozitive dhe të mirënjohjes, si dhe çlirimi aktiv i emocioneve negative, krijojnë një mjedis më të hapur për komunikim shpirtëror.
Dhe ndërsa rrisim frekuencën tonë vibruese, bëhemi më të ndjeshëm ndaj energjive delikate të botës së përtejme, gjë që përmirëson edhe aftësinë tonë për të perceptuar komunikimet nga ata që kanë ndërruar jetë. Meditimi dhe praktika e qëllimshme e zëvendësimit të mendimeve pesimiste me ato optimiste, janë metoda shumë efektive.
Në këtë mënyrë, ne nxisim një transformim të dobishëm në energjinë tonë të brendshme. Ky ndryshim, e rrit aftësinë tonë për të kapërcyer barrierat dhe e forcon lidhjen tonë me sferën përtej fizikes, duke rritur kështu gatishmërinë tonë ndaj komunikimeve nga ana tjetër.
Matt Fraser beson se duke iu përkushtuar vetes, duke kërkuar këshilla dhe duke kërkuar ndihmën e entiteteve të shenjta dhe individëve të vlerësuar, një person mund të forcojë lidhjet e tij shpirtërore. Autori e portretizon lutjen jo thjesht si akt për të marrë favore të caktuara, por si një praktikë për t’u përshtatur me hyjnoren, duke kërkuar udhëzim dhe mbështetje nga një burim transcendental.
Ai mbështet idenë se mendimet, emocionet dhe energjitë tona formojnë realitetin tonë, duke nxitur përvoja të ngjashme. Mediumi i famshëm, i motivon dëgjuesit e tij të parashikojnë qëllimet e tyre dhe t’i arrijnë. Autori i këtij libri, nënvizon gjithashtu rëndësinë e madhe që ka kujdesi për veten dhe ruajtja e një ekuilibri harmonik të energjisë personale për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm shpirtëror.
Shëndeti ynë shpirtëror, lulëzon kur kujdesemi për të me vëmendje, mbështetje dhe relaksim, ashtu siç trupat tanë fizikë kanë nevojë për ushqim për të funksionuar. Duke e shtuar kujdesin për veten dhe duke vendosur kufij të fortë, ne ruajmë vitalitetin tonë dhe i hapim rrugën një lidhjeje shpirtërore më të thellë.
Pushimet e rregullta, rrethimi i vetes me natyrën dhe shmangia e lodhjes, janë praktika thelbësore për të mbajtur të pastër dhe të fortë vitalitetin tonë. Këto praktika, ndihmojnë në ripërtëritjen e energjisë sonë, pastrimin e negativitetit dhe ri-përshtatjen e vetes me shpirtin tonë të brendshëm. Vendosja e kufijve, krijimi i barrierave mbrojtëse dhe mbështetja e vetvetes, janë thelbësore për mbrojtjen kundër energjive të dëmshme.
Fraser shpjegon se shpirtrat, të çliruar nga kufizimet trupore, shkojnë shpesh drejt vendeve që janë të pasura me kujtime të jetës së tyre tokësore. Këto vende ofrojnë për ta një hapësirë që të meditojnë për kujtimet e çmuara dhe të ruajnë lidhjet me të dashurit që janë ende me ne.
Për këtë arsye, objektet me vlerë sentimentale, si trashëgimitë familjare dhe kujtimet, mund të veprojnë si një urë që bashkon të gjallët me ata që kanë ndërruar jetë. Gjurmët e tyre energjike unike, mund të shkaktojnë kujtime dhe herë pas here të ngulitin një ndjenjë të pranisë së dallueshme të personit.
Fraser komunikon shpesh me shpirtrat gjatë seancave të tij, dhe ata e pranojnë dhe vlerësojnë faktin që anëtarët e gjallë të familjeve së tyre, i vlerësojnë shumë sendet dhe kujtimet e tyre të prekshme, si një mënyrë për të nderuar kujtimin e tyre, edhe pse kjo mund të ketë qenë në kundërshtim me dëshirat e tyre para se të vdisnin.
Gjithsesi, mediumi i këshillon njerëzit të çlirohen nga çdo ndjenje detyrimi apo faji që lidhet me mos ruajtjen të paprekur të sendeve të familjarit të ndjerë. Ai nënvizon rëndësinë më të madhe që ka vlerësimi i lidhjeve shpirtërore dhe i dashurisë që është ndarë, në vend se të fiksohen pas sendeve materiale, si një mënyrë për t’i bërë homazh kujtimit të tyre.
Libri “Ne nuk vdesim kurrë”, është një ftesë për cilindo jo thjesht për një jetë më shpirtërore, por për një jetë të orientuar më qartë drejt së mirës, pozitives dhe vetë-përmirësimit të vazhdueshëm. Por mbi të gjitha, Matt Fraser na fton që të dalim përtej “burgut” të dhimbjes për të dashurit që janë larguar apo do të largohen një ditë nga kjo botë, dhe për të parë ekzistencën tonë shpirtërore për atë që është vërtetë: një energji e përjetshme, që në një moment vetëm sa ndërron formë por që nuk zhduket asnjëherë.
Shamanizmi, rruga drejt njohjes së vetes dhe shërimit të shpirtit
Reflektim mbi librin “Shpirti shaman” të Ylli Jasës
Historia e njerëzimit ka qenë gjithnjë e mbushur me paradokse. Por ato janë çuditërisht shumë të pranishme edhe në epokën aktuale, të zhvillimeve të vrullshme në të gjitha fushat, sidomos në teknologjinë dixhitale dhe inteligjencën artificiale.
Tridhjetë e ca vite pas rrëzimit të shumicës së regjimeve komuniste, pati nga ata që shpallën “fundin e historisë” dhe triumfin përfundimtar të demokracisë. Megjithatë sot është kthyer në modë “demokracia jo liberale” dhe shenjat e autokracisë dhe diktaturave po vërehen edhe tek vendet më të zhvilluara të Perëndimit.
Po ashtu, interneti dhe rrjetet e shumta sociale, duhej të na bënin më të lirë dhe më të mirë-informuar. Por kjo nuk po ndodh. A nuk është vallë e çuditshme që pyetjet bazë që ka ngritur njeriu prej mijëra vitesh, mbeten ende pa përgjigje?
Ose edhe nëse ka, ato janë të inkuadruara brenda disa ideologjive apo parimeve “politikisht korrekte”, pra që nuk bien ndesh me ato që mësojnë dhe përhapin elitat. A mund të rebelohemi ndaj këtij diktati? Në fakt, kjo ka ndodhur periodikisht në formën e lëvizjeve paqësore dhe të dhunshme (revolucionet).
Megjithatë në fund, pavarësisht kohës që kalon, popujt bien në të njëjtat gabime, pasi janë vazhdimisht pjesë e të njëjtit ingranazh. Dhe në një botë të ndërtuar mbi rregulla që nuk i kemi zgjedhur vetë, Ylli Jasa na fton në një udhëtim të thellë shpirtëror dhe filozofik për të gjetur të vërtetën tonë.
“Shpirti Shaman” i botuar nga shtëpia botuese IRISOFT, nuk është thjesht një libër. Ai është një thirrje për një zgjerim të ndërgjegjes, një eksplorim i guximshëm që sfidon bindjet e zakonshme dhe që të fton të shohësh përtej asaj që duket në pamje të parë.
Për fat të keq shumë nga ne e shohim botën shpirtërore jo ashtu siç është në të vërtetë, por ashtu siç jemi ne. Në realitet, ajo nuk ka formë dhe mund të marrë çdo pamje. Sot shumë njerëz, të ngushëlluar nga botëkuptimi ynë materialist, se qytetërimeve të dikurshme shpirtërore u mungonte kuptimi shkencor se si funksionon vërtet bota, e mohojnë me vendosmëri të vërtetën e mbinatyrshmes dhe ekzistencën e një bote jo materiale përtej perceptimit shqisor.
Sipas shamanizmit, një rrymë filozofiko-shpirtërore mijëravjeçare, kjo mendësi profane është një nga arsyet kryesore pse njerëzimi është në prag të zhdukjes. Që nga fillimi i kohës, mijëra qytetërime kanë bashkëvepruar me shpirtrat në mitet, fetë, ritualet, shfaqjet dhe muzikën e tyre, në dobi të të dyjave.
Pa këtë lidhje, sot jetojmë sigurisht shumë më mirë nga pikëpamja materiale. Por mbetemi gjithsesi nën një kupolë profane në të cilën mohojmë pikërisht forcat shpirtërore që mund t'i japin qëllim dhe kuptim jetës sonë.
Ne besojmë se shoqëria jonë e drejtuar nga teknologjia jo miqësore me mjedisin, është një status quo e pakthyeshme, diçka normale dhe progresive, apo edhe si një kulmi i arritjeve njerëzore, dhe jo si një devijim që nuk ka ekzistuar kurrë më parë në të gjithë historinë tonë.
Sot jetojmë në një botë artificiale, e cila do t’i kishte tmerruar paraardhësit tanë. Ne po jetojmë sot një ëndërr të realitetit material, që thellë në zemrat tona e dimë se është e rreme, por që na është shitur nga ata që përfitojnë prej saj, dhe që në disa raste, me vetëdije punojnë për anën e errët.
Pra e vërteta na mbahet e fshehur nga një “vello”, e cila sipas Jasës mund të rrëzohet nëse secili nga ne individualisht nis të dalë nga rreshti, duke medituar mbi të vërtetat e mëdha e të përjetshme, të cilat i kemi harruar ose na kanë nxitur t’i harrojmë.
Dhe ashtu si Fridrih Niçe që vuri dikur në dyshim të gjitha sistemet e mëdha filozofike, edhe kjo rilindje shpirtërore kërkon vënien në dyshim të shtyllave kryesore të sistemit qeverisës, arsimor, social apo ekonomik.
Kjo praktikë nuk synon që të komunikojë më së pari me të ashtuquajturën elitë drejtuese, por me hyjnoren dhe të vërtetat e përjetshme. Vetë autori me një përvojë të pasur jetësore dhe profesionale në disa fusha dhe në disa shtete përveç Shipërisë, tregon për rebelimin e tij të parë që në shkollën fillore kundër skemave të ngurta pedagogjike të kohës por jo vetëm, sepse trajta të tyre mbijetojnë ende sot në sistemin tonë arsimor.
Shpirt i tij i ndjeshëm, do të kishte pak vite më vonë përvoja paranormale trashendentale që mbetën konfidente, pasi do të ishin të pakuptueshme nga të tjerët në kulmin e diktaturës komuniste, që si një ideologji materialiste, i kishte shpallur luftë zyrtare çdo lloj besimi tek hyjnorja, Universi.
Migrimi në Itali në fillim të viteve, udhëtimet, njohjet dhe leximet e shumta, do të krijonin tek Ylli bagazhin e nevojshëm për të nisur rrugëtimin e tij si studiues dhe përjetues i trashendentales.
Duke ndjekur një perspektivë shamaniste, njerëz si Ylli na thonë se njerëzit duhet kërkojnë të jenë në marrëdhënie me shpirtin në të gjitha gjërat. Ata kërkojnë që të përdorin informacionin dhe udhëzimet nga realiteti i pazakontë për të formuar qëllimisht përvojën e tyre jetësore.
Shamanët punojnë në gjendje ekstaze vullnetare, të cilat ndryshojnë vetëdijen e tyre për të udhëtuar në sferat e botëve të padukshme. Aftësia e tyre për të fituar informacion dhe për të nxitur ndryshime në sferat e padukshme varet, nga marrëdhëniet e punës që ata zhvillojnë me shpirtrat atje.
Në këtë kuptim, shamanizmi është një praktikë e bazuar në marrëdhënie për të nxitur ndryshime në sferat e padukshme për të ndikuar në shërimin e individëve ose komuniteteve në sferën e realitetit të zakonshëm. Praktikat shamanike, e përqafojnë të shenjtën që përmbahet në gjithçka, duke marrë fuqi nga vetë natyra.
Përmes dashurisë, vetëdijes dhe respektit, parimet e shamanizmit na mësojnë të dëgjojmë brendësinë tonë më të thellë dhe të jetojmë në lidhje me Universin, në ekuilibër midis botëve të dukshme dhe të padukshme.
Një udhëtim drejt vetes
Prandaj në rast se ka kohë që ndiheni si të përhumbur në këtë botë kaotike, libri “Shpirti shaman” i Ylli Jasës, është stacioni i parë i domosdoshëm, nga ku do të nisni me siguri një rrugëtim fantastik drejt njohjes së vetes dhe potencialeve të jashtëzakonshme që ka mendja dhe shpirti i njeriut.
Për shkak të informacioneve të kondensuara dhe thellësisë së mendimit, libri këshillohet që të lexohet dhe rilexohet disa herë, pasi në çdo rast do të vini re se ju kanë shpëtuar jo pak gjëra, dhe se midis tyre kanë mbetur pa hapur dritare të tjera drejt dijes dhe ndriçimit shpirtëror.