Shamanizmi, rruga drejt njohjes së vetes dhe shërimit të shpirtit
Reflektim mbi librin “Shpirti shaman” të Ylli Jasës

Historia e njerëzimit ka qenë gjithnjë e mbushur me paradokse. Por ato janë çuditërisht shumë të pranishme edhe në epokën aktuale, të zhvillimeve të vrullshme në të gjitha fushat, sidomos në teknologjinë dixhitale dhe inteligjencën artificiale.
Tridhjetë e ca vite pas rrëzimit të shumicës së regjimeve komuniste, pati nga ata që shpallën “fundin e historisë” dhe triumfin përfundimtar të demokracisë. Megjithatë sot është kthyer në modë “demokracia jo liberale” dhe shenjat e autokracisë dhe diktaturave po vërehen edhe tek vendet më të zhvilluara të Perëndimit.
Po ashtu, interneti dhe rrjetet e shumta sociale, duhej të na bënin më të lirë dhe më të mirë-informuar. Por kjo nuk po ndodh. A nuk është vallë e çuditshme që pyetjet bazë që ka ngritur njeriu prej mijëra vitesh, mbeten ende pa përgjigje?
Ose edhe nëse ka, ato janë të inkuadruara brenda disa ideologjive apo parimeve “politikisht korrekte”, pra që nuk bien ndesh me ato që mësojnë dhe përhapin elitat. A mund të rebelohemi ndaj këtij diktati? Në fakt, kjo ka ndodhur periodikisht në formën e lëvizjeve paqësore dhe të dhunshme (revolucionet).
Megjithatë në fund, pavarësisht kohës që kalon, popujt bien në të njëjtat gabime, pasi janë vazhdimisht pjesë e të njëjtit ingranazh. Dhe në një botë të ndërtuar mbi rregulla që nuk i kemi zgjedhur vetë, Ylli Jasa na fton në një udhëtim të thellë shpirtëror dhe filozofik për të gjetur të vërtetën tonë.
“Shpirti Shaman” i botuar nga shtëpia botuese IRISOFT, nuk është thjesht një libër. Ai është një thirrje për një zgjerim të ndërgjegjes, një eksplorim i guximshëm që sfidon bindjet e zakonshme dhe që të fton të shohësh përtej asaj që duket në pamje të parë.
Për fat të keq shumë nga ne e shohim botën shpirtërore jo ashtu siç është në të vërtetë, por ashtu siç jemi ne. Në realitet, ajo nuk ka formë dhe mund të marrë çdo pamje. Sot shumë njerëz, të ngushëlluar nga botëkuptimi ynë materialist, se qytetërimeve të dikurshme shpirtërore u mungonte kuptimi shkencor se si funksionon vërtet bota, e mohojnë me vendosmëri të vërtetën e mbinatyrshmes dhe ekzistencën e një bote jo materiale përtej perceptimit shqisor.
Sipas shamanizmit, një rrymë filozofiko-shpirtërore mijëravjeçare, kjo mendësi profane është një nga arsyet kryesore pse njerëzimi është në prag të zhdukjes. Që nga fillimi i kohës, mijëra qytetërime kanë bashkëvepruar me shpirtrat në mitet, fetë, ritualet, shfaqjet dhe muzikën e tyre, në dobi të të dyjave.
Pa këtë lidhje, sot jetojmë sigurisht shumë më mirë nga pikëpamja materiale. Por mbetemi gjithsesi nën një kupolë profane në të cilën mohojmë pikërisht forcat shpirtërore që mund t'i japin qëllim dhe kuptim jetës sonë.
Ne besojmë se shoqëria jonë e drejtuar nga teknologjia jo miqësore me mjedisin, është një status quo e pakthyeshme, diçka normale dhe progresive, apo edhe si një kulmi i arritjeve njerëzore, dhe jo si një devijim që nuk ka ekzistuar kurrë më parë në të gjithë historinë tonë.
Sot jetojmë në një botë artificiale, e cila do t’i kishte tmerruar paraardhësit tanë. Ne po jetojmë sot një ëndërr të realitetit material, që thellë në zemrat tona e dimë se është e rreme, por që na është shitur nga ata që përfitojnë prej saj, dhe që në disa raste, me vetëdije punojnë për anën e errët.
Pra e vërteta na mbahet e fshehur nga një “vello”, e cila sipas Jasës mund të rrëzohet nëse secili nga ne individualisht nis të dalë nga rreshti, duke medituar mbi të vërtetat e mëdha e të përjetshme, të cilat i kemi harruar ose na kanë nxitur t’i harrojmë.
Dhe ashtu si Fridrih Niçe që vuri dikur në dyshim të gjitha sistemet e mëdha filozofike, edhe kjo rilindje shpirtërore kërkon vënien në dyshim të shtyllave kryesore të sistemit qeverisës, arsimor, social apo ekonomik.
Kjo praktikë nuk synon që të komunikojë më së pari me të ashtuquajturën elitë drejtuese, por me hyjnoren dhe të vërtetat e përjetshme. Vetë autori me një përvojë të pasur jetësore dhe profesionale në disa fusha dhe në disa shtete përveç Shipërisë, tregon për rebelimin e tij të parë që në shkollën fillore kundër skemave të ngurta pedagogjike të kohës por jo vetëm, sepse trajta të tyre mbijetojnë ende sot në sistemin tonë arsimor.
Shpirt i tij i ndjeshëm, do të kishte pak vite më vonë përvoja paranormale trashendentale që mbetën konfidente, pasi do të ishin të pakuptueshme nga të tjerët në kulmin e diktaturës komuniste, që si një ideologji materialiste, i kishte shpallur luftë zyrtare çdo lloj besimi tek hyjnorja, Universi.
Migrimi në Itali në fillim të viteve, udhëtimet, njohjet dhe leximet e shumta, do të krijonin tek Ylli bagazhin e nevojshëm për të nisur rrugëtimin e tij si studiues dhe përjetues i trashendentales.
Duke ndjekur një perspektivë shamaniste, njerëz si Ylli na thonë se njerëzit duhet kërkojnë të jenë në marrëdhënie me shpirtin në të gjitha gjërat. Ata kërkojnë që të përdorin informacionin dhe udhëzimet nga realiteti i pazakontë për të formuar qëllimisht përvojën e tyre jetësore.
Shamanët punojnë në gjendje ekstaze vullnetare, të cilat ndryshojnë vetëdijen e tyre për të udhëtuar në sferat e botëve të padukshme. Aftësia e tyre për të fituar informacion dhe për të nxitur ndryshime në sferat e padukshme varet, nga marrëdhëniet e punës që ata zhvillojnë me shpirtrat atje.
Në këtë kuptim, shamanizmi është një praktikë e bazuar në marrëdhënie për të nxitur ndryshime në sferat e padukshme për të ndikuar në shërimin e individëve ose komuniteteve në sferën e realitetit të zakonshëm. Praktikat shamanike, e përqafojnë të shenjtën që përmbahet në gjithçka, duke marrë fuqi nga vetë natyra.
Përmes dashurisë, vetëdijes dhe respektit, parimet e shamanizmit na mësojnë të dëgjojmë brendësinë tonë më të thellë dhe të jetojmë në lidhje me Universin, në ekuilibër midis botëve të dukshme dhe të padukshme.
Një udhëtim drejt vetes
Prandaj në rast se ka kohë që ndiheni si të përhumbur në këtë botë kaotike, libri “Shpirti shaman” i Ylli Jasës, është stacioni i parë i domosdoshëm, nga ku do të nisni me siguri një rrugëtim fantastik drejt njohjes së vetes dhe potencialeve të jashtëzakonshme që ka mendja dhe shpirti i njeriut.
Për shkak të informacioneve të kondensuara dhe thellësisë së mendimit, libri këshillohet që të lexohet dhe rilexohet disa herë, pasi në çdo rast do të vini re se ju kanë shpëtuar jo pak gjëra, dhe se midis tyre kanë mbetur pa hapur dritare të tjera drejt dijes dhe ndriçimit shpirtëror.